E premte, 26.04.2024, 06:13 AM (GMT+1)

Mendime

Adnan Abrashi: Edhe në gjuhën diplomatike, pse jo haptazi, Shqipëri etnike?

E merkure, 30.01.2008, 09:26 PM


EDHE NË GJUHËN DIPLOMATIKE, PSE JO HAPTAZI, SHQIPËRI ETNIKE?

Nga Adnan Abrashi

Adnan Abrashi
Një herë, në një takim privat dhe shoqëror që  kam pasur me një politikan të rangut të lartë të lidershipit kosovar, të cilit, për shkaqe të kuptueshme nuk do t’ia zbuloj identitetin e plotë, e pyeta si miku-mikun dhe pa dorëza: Pse politikanët tanë kosovar dhe mjaft sosh edhe nga viset tjera të trojeve shqiptare, në takimet diplomatike ndërkombëtare me delegacionet e shteteve të huaja, nuk kanë guxim që haptazi para tyre,ta shpalosin aspiratën tonë historike si popull: Bashkimin e të gjitha trojeve etnike shqiptare në një shtet unik, bashkim ky, që patjetër dikur duhet të ndodhi në këto hapësira? Ai, vetëm më shikoi me buzëqeshje dhe pa kurrfarë hamendje u përgjigj shkurt dhe bindshëm: Sepse, edhe pa ju thënë haptas, ata e dinë mirë këtë realitet! 
Pas kësaj përgjigje të sinqertë të mikut tim politikan, mbretëroi një heshtje e nemitur e cila u thye shpejt nga po ai vetë: “Kur, para disa kohe, si anëtar i një delegacioni kosovar, pata nderin që zyrtarisht t’i bëjë një vizitë SHBA-së, gjatë një takim protokollar të mbajtur me disa kongresist, para nikoqirëve tanë të këtij rangu të lartë politik dhe shtetëror amerikan, në mes tjerash, ne tentonim që me çdo argument t’i kundërvihemi idesë së propaganduar të politikës serbe, se pas shpalljes dhe njohjes ndërkombëtare të Kosovës si shtet, më vonë shqiptarët do të kenë aspirata për krijimin e një “Shqipërie të madhe”. Menjëherë pas këtij termini të takimit tonë zyrtar, në një kotej rasti të organizuar nergut për ne, mu afrua një kongresist dhe, pa një-pa dy, ma bëri një pyetje të papritur për momentin: pse ju politikanët shqiptar gjithnjë po tentoni që me çdo kusht të na bindni se populli i juaj nuk e dëshironit bashkimin kombëtar, kur kjo është një kërkesë e natyrshme dhe çdo diplomat i arsyeshëm e di mirë se një shkrirje e tillë patjetër duhet të ndodhi dikur?”
Nuk ka fare dyshim se këso gafe edhe mund  t’i falen lidershipit  të ri dhe të pa përvojë kosovar, i cili, gjithnjë para “kolosëve” të huaj të diplomacisë perfide ndërkombëtare, po tregon ndjesinë e theksuar të kompleksit të vlerës së ultë dhe inferioritetit të tepruar. Por, kurrsesi nuk i kuptoj deklaratat të pamatura, të pakuptimta, absurde dhe të panevojshme publike që kohën e fundit, me një intensitet të shpeshtuar,  po i bëjnë disa përfaqësues të lartë politik të shtetit tonë ndërkombëtarisht të njohur-Shqipërisë. Një shembull kësisoj më të freskët e kemi tek interviste e kryeministrit shqiptar, z. Sali Berisha, dhënë këto ditë agjencisë së lajmeve Austriake „ Die APA- Austri Presse Agentur“, në të cilën, ai në mes tjerash deklaronte: “ ...edhe pas pavarësisë, Kosova nuk do të bashkohet me Shqipërinë”, Ai, madje në këtë intervistë shkoi edhe me larg duke theksuar: “...nuk do të ndodhë kurrë as bashkimi i të gjithë shqiptarëve në rajon”?!!
Aspak nuk e marr vesh dot se çfarë janë ato motive psikologjike apo politike që e kanë shtyre kryeministrin Berisha të bëjë një prononcim të tillë publik, por nëse ai për momentin një veprim të tillë e ka vlerësuar si strategjik dhe të nevojshëm, atëherë i them haptas se ka bërë një gabim trashanik dhe të pafalshëm kombëtar, gabim ky që në të ardhmen mund t’i kushtoj shtrenjtë, në rend të parë, para elektoratit të arsyeshëm shqiptar që ia ka dhënë votëbesimin të jetë në pushtet; e, mos të flasim fare për dëmin moral të krijimit të një hipoteke të pashlyeshme në biografinë e tij, njollë kjo që shumë lehtë mund ta rreshtoj atë në rangun e një figure bashkëkohore politike me kontribut më të dyshimtë kombëtar.
Zoti Berisha duhet ta di patjetër se askush nga opinioni i arsyeshëm gjithëshqiptar, si dhe ai ndërkombëtar me përvojë, intimisht nuk ka besuar në sinqeritetin e përmbajtjes së saj. Përkundrazi, ajo në prapavijë ka prodhuar efekte kontra-produktive, duke e paraqitur atë si njeri hipokrit dhe burrështetas naiv dhe të papjekur sa duhet për atë post.
E ashpër pak, por duhet të jetë i tillë ky vlerësim, sepse, një politikan i nivelit të lartë shtetëror, alla Sali Berisha, në këso pyetje të paevitueshme të një gazetari me eksperiencë, ose është dashur që të jetë konkret dhe ta shpalosi haptazi synimin tonë historik si popull për një shtet etnik, ose, nëse i ka munguar ky guxim, ka mundur të jap një përgjigje me të tërthortë dhe më diplomatike, duke lënë gjithnjë të hapët që kjo në kontestin logjik të nënkuptohet.
Unë aspak nuk dyshoj se ky biri i Tropojës kreshnike nuk e di të vërtetën paradoksale të kësaj deklarate, por ende nuk po mundem me i ra fije se nga cili “baba sheh”  ka marrë bekimin për një veprim të tillë denoncues. Ishalla jo nga ata, tek të cilët më shkon mendja mua në këto momente?!
E pra, sa për fund zotëri Sali Berisha, edhe pa qenë i sigurt se ky artikull do t’ju bie në sy,  duke mos e thënë haptas identitetin e tij, do ta “shpijunojë”një ministër tuajin, i cili së bashku me grupin e delegacionit të shtetit Shqiptar, të udhëhequr nga kryetari z. Bamir Topi, ishte këto ditë në vizitë miqësore në Kosovë. Gjatë ditës së tretë të qëndrimit në vendin tonë,  ky delegacion i madh shtetërorë, në mes tjerash vizitoi edhe Prizrenin dhe Kompleksin memorial historik të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. I entuziazmuar nga ajo se çfarë kishte parë aty, një ministër i juaj aktual dhe protagonisti i këtij “shpijunumi” tim, deklaroi haptas para kamerave të një TV lokale të Prizrenit: “Pas gjithë asaj çfarë pash në këtë muze, vërtet ndjehem tepër i emocionuar. Posaçërisht më la përshtypje harta e Shqipërisë etnike nga ajo kohë. Eee...sa toka na ishin marrë neve nga fqinjët! Por, nuk duhet të ketë dyshim, do t’i kthejmë patjetër ne ato!”
- Po zoti ministër i Berishës, do t’i kthejmë patjetër ne ato!- them unë - dhe ju kisha lutur që këtë kërkesë të natyrshme të popullit tonë, t’ia përcillni shefit tuaj kryeministër.
I thoni atij se në mesin e atyre shqiptuarve sikur deklaron ai  “të paktë që e kërkojnë Shqipërinë etnike”, jeni edhe ju një partizan i ri neofit pushtetar”!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora