E shtune, 27.04.2024, 04:17 AM (GMT+1)

Mendime

Sadik Bejko: Servilizmi i akademikut

E hene, 18.04.2011, 08:58 PM


Servilizmi i akademikut

 

Nga Sadik Bejko

 

Shkrimi i fundit i Rexhep Qosjes në “Gazetën shqiptare”, datë 12 prill 2011, “Fjalimi historik i kryetarit të paligjshëm”, fshehur pas tonit të fryrë e stilit kuazishkencor nuk ishte veçse një pamflet i rëndomtë, nga ata që vështirë se merren seriozisht.

 Pyetja e parë që të vjen në rastin e këtij shkrimi ka lidhje me një “pse?” të madhe: Përse është bërë ky shkrim, çfarë shtron dhe ku do të dalë?

 Nga titulli kuptojmë se qenka fjala për një fjalim historik. Më tutje marrim vesh se ky fjalim historik qenka mbajtur në Shqipëri nga një mysafir i nderuar, kryetari i porsazgjedhur i Kosovës, Behgjet Pacolli.

 Lexuesi shqiptar do ta priste me kuriozitet një shkrim për çështjen Pacolli, për mënyrën si u zgjodh ky president i Kosovës, mënyrën e kontestuar me të drejtë apo të padrejtë, gjë që edhe çoi në shkarkimin e Presidentit nga gjykata Kushtetuese e Kosovës. Lexuesi shqiptar do të donte të mësonte për gabimet që u bënë, dhe për dëmtimin që pësoi imazhi i Kosovës nga gjithë kjo histori. Mirëpo nga ky shkrim i akademikut nuk merret vesh asgjë. Ky shkrim është krejtësisht i çoroditur dhe kjo vjen nga që pozita e autorit të shkrimit është jo vetëm e çoroditur, por krejt e pasinqertë.

 Nuk kuptohet se çfarë mbron e çfarë konteston Qosja. A është me atë mënyrë zgjedhjeje të Presidentit, apo kundër saj.

 E gjithë kjo paqartësi dhe kjo mungesë sinqeriteti e ka një burim: akademiku, me sa duket, është zënë ngushtë. Nuk guxon të tregojë pozicionin e tij, nga që ky pozicion nuk e nderon. Ai guxon t’i bëjë ca si kritika zgjedhjes së Pacollit, por ato janë të përcipta, shkel e shko, sa për të larë gojën dhe kjo bie në sy menjëherë.

 Pyetja në këtë rast është se përse këto kritika, qoftë dhe të përcipta, nuk u bënë  në kohën e duhur, atëherë kur gabimet mund të shmangeshin, por u prit koha kur Pacolli u shkarkua? Javë të tëra Qosja merrej me çështjet në Shqipëri dhe nuk thoshte asnjë fjalë në kohën kur Kosova ziente nga çështja Pacolli. Ai nuk thoshte asnjë fjalë as për problemin e krimeve, as për dosjen Dick Marty. I vetmi problem në Kosovë për të ishte të merrte nëpër gojë në mënyrë meskine dhe të pahijshme presidentin e ndjerë Rugova, xhelozia për të cilin nuk i ndahet edhe tani që ai nuk jeton më.

 Shumë lexues në Shqipëri duke parë zellin e Qoses për punët e Tiranës, haptaz ia kanë bërë pyetjen: përse nuk shikon ç’bëhet aty në Kosovë?

 Dhe ja tani, pas shkarkimit të Pacollit, akademikut më në fund iu zgjidh goja.  Populli thotë më mirë vonë se kurrë! Por akademiku nuk është fare i besueshëm. Dhe kjo vjen sepse, siç thamë, ai nuk është i sinqertë. Ai mezi e tregon se paska qenë një nga përkrahësat e Pacollit, se ka bërë lobing për të qysh nga viti 2007. Ai ka detyrime ndaj tij. Dhe tani tregohet me dy faqe: i bën ca si kritika sa për të kaluar radhën, dhe pastaj vrapon t’i bëjë lavdërimin më të madh që mund t’i bëhet një njeriu të politikës: Behgjet Pacolli paska mbajtur në Tiranë fjalimin më monumental, më historik, më të lavdishëm në krejt historinë shqiptare, qysh prej themelimit të  Shqipërisë më 1912!

 Servilizmi i akademikut është i pështirë. I pështirë dhe antishqiptar në themel. Për shkak të detyrimit që ka ndaj patronit të tij biznesmen, Qosja është gati të shkelë me këmbë një traditë të tërë shekullore shqiptare të njerëzve të mëdhenj të Shqipërisë, që nga Ismail Qemali e Dom Nikoll Kaçorri, te Fan Noli, Gjergj Fishta e të tjerë e të tjerë. Sipas akademikut servil, Tirana duhej të priste një shekull që një biznesmen nga Kosova t’i mësonte ç’është atdheu, kombi, strategjia kombtare e gjithë nocionet e larta që lidhen me të ardhmen e Shqipërisë.

 Nuk është hera e parë që Qosja e tregon këtë mosdashuri e këtë mosrespekt ndaj Shqipërisë. Më 1997, kur Shqipëria pësoi tragjedinë e saj, ky akademik është ndër njerëzit e rrallë, në mos i vetmi, që u entusiazmua e u ngazëllye nga kjo fatkeqësi. Kemi dashur ta  marrim këtë si një lajthitje të rastit, por s’paska qenë ashtu.

 Edhe me këtë të quajtur analizë komentuese ai shenjon një shkëpujte të madhe mendore duke mohuar dhe rimohuar në vazhdë historike të gjitha përpjekjet iluministe dhe vizionare të asaj pjese të shoqërisë shqiptare e cila është përballur andej dhe këndej Drinit me unifikimin e shqiptarëve në aspektin historik, kulturor dhe poltik.

 Ai e ka keqpërdorur rastin ” Pacolli” dhe fjalimin e presidentit të Kosovës në intitucionet e shtetit shqiptar. Ka keqpërdorur, keqinterpretuar me qëllim si deformues me dashje i historisë edhe një çështje ende të pazgjidhur në aktualitetin politik e diplomatik.

 Dhe kaq lavdërime i bëhen atij fjalimi sa që akademiku bëhet qesharak kur na thotë se i duket se e ka shkruar vetë.

 Nuk është çudi që Qosja ta ketë shkruar një fjalim të tillë. Siç del nga shkrimi i tij, që nga viti 2007 ai paska heshtur për Pacollin. Si ka mundësi të heshtë një kampion i madh i së vërtetës? Kjo nënkupton se kampioni i madh jo vetëm ka bashkëpunuar nën tryezë me Pacollin, por edhe është shpërblyer që të mbajë një qëndrim të tillë. Kemi të drejtë ta bëjmë një hamendje të tillë? Vetë historia e shërbimeve të Qoses poshtë tryezave na e jep të drejtën për një mundësi të tillë. Ca kohë më parë një e përditshme e Tiranës botoi fakte arkivore për bashkëpunimin e Qoses me struktura të Tiranës totalitare, duke dhënë konsideratat e tij për shkrimtarë e kolegë të Kosovës: ky është egoist, ky tjetri është titist, ai është i dyshimtë etj. Gjithë këto histori të liga nuk mund të lahen e të lyhen me bojën e artikujve vetëlavdëruers të njeriut që në një anë bën pazare nën

tryezë e në anën tjetër, në publik, rreh gjoksin si trimosh.



(Vota: 12 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora