E shtune, 11.07.2020, 06:59 PM (GMT+1)

Plus » Shoqëria

Fëmijët, si t’i njihni komplikacionet e gripit

E shtune, 25.02.2006, 07:10 PM


Flet mjeku pediatër, Polikron Çela

Fëmija ka temperaturë dhe ju nuk dini çfarë të bëni? Ka ditë që është prekur nga gripi dhe nuk dini çfarë duhet dhe çfarë nuk duhet të përdorni?

Mjeku pediatër, Polikron Çela jep disa këshilla si duhet të veproni nëse fëmija juaj është me grip dhe si mund të shmangni përdorimin e antibiotikëve:

Çfarë problemesh shfaqin më shpesh fëmijët në këtë stinë?
Në këtë periudhë të vitit ka një rritje të ndjeshme të rasteve me infeksione të rrugëve të frymëmarrjes. Këtu përmblidhen shumë sëmundje virale që shfaqen çdo vit dhe që në popull njihen me emrin grip, rrufë. Këto janë sëmundje arogene, që përhapen nëpërmjet spërkave dhe në këtë periudhë, ku fëmijët qëndrojnë më pranë dhe në ambiente të mbyllura, shtohet mundësia e transmetimit nga një fëmijë te tjetri. Në momentin që takohen me të sëmurët, kalojnë disa orë, 12-48 orë, më pas shfaqen shenjat e para të rrufës.

Nga se shkaktohen këto infeksione?
Pjesa dërmuese shkaktohet nga viruse dhe janë mesatarisht 200 të tillë që qarkullojnë në ajër, të cilët infektojnë dhe kur kalojnë, nuk lënë mbrojtje, imunitet. Kjo bën që këto të përsëriten çdo vit. Kështu, nëse në verë kemi shtim të rasteve me probleme të aparatit tretës që shoqërohen me diarre, në dimër kemi shtim të rasteve të infeksioneve virusale.

Si mund ta dallojmë gripin nga rrufa?
Nga ana klinike është e vështirë të përcaktohet qartë nëse kemi të bëjmë me grip apo viroza stinore, por ajo që e ndan janë përmasat e shtrirjes dhe natyrisht analizat laboratorike.

Cilat janë shenjat e para të rrufës?
Shenja e parë është mungesa e gjallërisë së fëmijës. Pas disa orësh shfaqen shenjat e vërteta. Fëmija ka temperaturë që mund të shkojë deri në 39 gradë, ka skuqje sysh, kullim hundësh, dhimbje fyti, dhimbje veshi, humbje oreksi, dhimbje muskujsh, dobësi të përgjithshme dhe kollë. Në disa raste të tjera fëmija mund të ketë dhimbje të forta barku, gjë që shpesh ngatërron rrufën me probleme të aparatit tretës, shpesh kanë diarre dhe të vjella. Sa më i vogël të jetë fëmija, aq më të rënda janë shenjat sepse shkalla e imunitetit është e ulët dhe kundërpërgjigja e organizmit është më e ulët. Këto shenja qetësohen pas 3-4 ditësh, dhe pas 1 jave zbuten shenjat madhore. Mund të mbetet kolla, e cila zhduket gradualisht.

A mund të shkaktojë komplikacione rrufa dhe si mund t’i njohësh ato?
Po, rrufa mund të japë komplikacione. Janë disa shenja që shfaq fëmija, të cilat duhet t’i tërheqin vëmendjen prindërit, për t’iu drejtuar mjekut sa më shpejt. Kështu, nëse temperatura bie dhe pas 3-4 ditësh përsëritet, kjo nuk është normale dhe duhet të shërbejë si sinjal për t’i tërhequr vëmendjen prindit që të shkojë sa më parë te specialisti. Nëse fëmija ka dhimbje veshi pas disa ditësh që ka kaluar rrufa, ai duhet çuar te mjeku sepse mund të ketë infeksion të veshit. Nëse kolla ndryshon, atëherë mund të kemi të bëjmë me broshit, apo bronkopneumoni dhe atëherë duhet të çohet menjëherë të specialisti për t’u trajtuar me antibiotikë.

Si mund të parandalohet rrufa?
Masa e parë parandaluese është bërja e vaksinës kundër gripit. Këtë duhet ta bëjnë sidomos ata fëmijë që janë të predispozuar për t’u prekur nga infeksionet e rrugëve të sipërme të frymëmarrjes, ata që vuajnë nga diabeti, veshkat, pra që janë të sëmurë kronikë. Masa tjetër parandaluese është shmangia e kontaktit me fëmijë apo persona të rritur të sëmurë. Shmangia e ambienteve të mbipopulluara, të paajrosura mirë. Por kjo nuk do të thotë se fëmija duhet mbyllur brenda. Ai duhet të shëtitet dhe të lihet të luajë përjashta. Fëmija duhet të lihet të bëjë atë që i pëlqen. Ai ndihet keq atëherë kur i prishet regjimi. Ai e tregon vetë kur do të hajë, kur nuk do të hajë, kur i pëlqen të dalë, ashtu siç bëjnë edhe të rriturit.

Nëse fëmija është me rrufë, çfarë mund të bëjnë prindërit për të qetësuar fëmijën?
Rrufa është një sëmundje simptomatike dhe si e tillë duhen trajtuar simptomat. Kështu, nëse fëmija ka temperaturë, i duhet dhënë paracetamol një herë në 4 orë dhe jo më shumë se 10-15 miligramë për kg peshë trupore. Nëse ka dhimbje veshi, i duhet dhënë paracetamol dhe kompresa të ngrohta te veshi. Për kollën rekomandohen avujt dhe çajra të ndryshme. Mjaft efikas është dhe qumështi me mjaltë apo sodë buke. Kështu, në një filxhan me qumësht të ngrohtë mund të hidhni një lugë mjaltë ose një majë luge sodë buke. Sigurisht fëmijës i duhen dhënë shumë lëngje, sidomos ujë. Për sa i përket ushqimit, i duhen dhënë supa me perime dhe shumë fruta.

A duhet të përdoren antibiotikët në të tilla raste?
Nuk duhet të fillojmë direkt me antibiotikë. Janë rreth 200 viruse që qarkullojnë në një stinë, por për shumë pak viruse ne kemi mjete specifike për t’i luftuar. Ky është një sinjal edhe për mjekët, që nuk duhet të nguten për t’u dhënë antibiotikë fëmijëve. Eshtë më mirë që prindi të jetë në kontakt të vazhdueshëm me mjekun dhe të shmangë antibiotikun.

Çfarë mund të përdoret tjetër në rast se fëmija ka temperaturë?
Paracetamoli është medikamenti më i mirë për trajtimin e temperaturës te fëmija. Veçse ky duhet dhënë me orar dhe në sasinë e duhur, pra 10-15 miligramë për kg peshë trupore të fëmijës dhe një herë në katër orë. Nëse temperatura vazhdon të jetë e lartë, atëherë nëna mund t’i japë një medikament tjetër që nuk është i familjes së paracetamolit si p.sh postan, të cilin mund t’ia japë dhe një orë pasi i ka dhënë paracetamolin. Mjaft të mira për uljen e temperaturës janë dhe banjat me ujë të ngrohtë. Veçse dhe këto banja kanë rregullat e veta. Nëna duhet ta fusë fëmijën në një vaskë me ujë të ngrohtë, një gradë më të ulët se temperatura e trupit të të voglit. Më pas, gradualisht, duhet të shtojë ujë të ftohtë nga këmbët, derisa uji të arrijë temperaturën 32 gradë. Kjo zgjat gati 10 minuta dhe është mjaft e mirë, sidomos për fëmijët e vegjël.



Studimi
Qitroja, balsam për të sëmurët me zemër

Qitroja, sidomos varieteti i kuq, është një balsam i vërtetë për të sëmurët me zemër. Fruti, ul nivelin e kolesterolit, “armikun” e aparatit kardiovaskular. Të paktën ky është përfundimi i një studimi izraelian, i publikuar në “Journal of Agricultural and Food Chemistry”. Në studim janë monitoruar nivelet e kolesterolit të 57 pacientëve, burra dhe gra, të prekur nga hiperglicemia ose që i ishin nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale në zemër. Personat u ndanë në disa grupe kontrolli. Në të parin përdorën qitro të kuqe, në të dytin normale, ndërsa grupi i fundit nuk konsumoi asnjë lloj fryti për 30 ditë. Pas një muaji, grupet e parë shfaqnin nivele më të ulëta të kolestrolit, ndërsa te të tjerët nuk u regjistrua asnjë ndryshim. Studiuesit kanë treguar se personat që kishin konsumuar varietetin e kuq të agrumit, kishin shfaqur rezultate më të mira: më pak yndyra në gjak, sidomos trigliceride, nivelet e larta të të cilave shkaktojnë probleme kardiake. Sipas Shela Gorinstein, koordinatore e studimit, efekti mbrojtës i këtij agrumi lidhet me nivelin e lartë të antioksidantëve që përmban sidomos në varietetin e kuq.



KESHILLA

Ç’duhet bërë kur fëmija është me grip

Mbani nën kontroll temperaturën.

Qumështi i ngrohtë me mjaltë është një balsam shumë i mirë, madje ideal, për kollën dhe fytin.

Nëse ka kollë dhe dhimbje fyti, përdorni avujt me ujë të ngrohtë e kamomil dhe gargara me ujë me kripë.

Mundohuni të mos përdorni antibiotikë, ato nuk të shërojnë nga rrufa apo gripi. Të vetmet raste kur mund të kenë efekt janë komplikimet bakteriale, të cilat e dobësojnë tej mase organizmin.



Pyetje-Pergjigje

Psoriazë nga ushqimet?

Përshëndetje! Jam një grua 45 vjeçe dhe dua të pyes për një shqetësim të mbesës sime 32-muajshe. Prej një muaj e ca i është shfaqur në të gjithë trupin, përveçse në fytyrë, një tip psoriaze në formë të lehtë. Dua të shtoj se ha pak dhe vetëm mish pule, kos frutash, qumësht dhe lëngje frutash. Dua të di, nëse mund të jetë shfaqur nga ndonjë ushqim dhe çfarë duhet të bëj?
Afërdita
Për pyetjen tuaj kemi pyetur mjeken dermatologe, Suzana Hoxha:
“Së pari doja t’i sqaroja zonjës se për probleme të tilla duhet bërë menjëherë konsulta te mjeku dermatolog. Thjesht përshkrimi i këtyre problemeve nuk mjafton për të përcaktuar qartë se nga se vuan mbesa juaj. Duhet bërë vizita te dermatologu për të marrë vesh se për çfarë bëhet fjalë. Nëse bëhet fjalë për një dermatit atopik, atëherë ushqimi ka rëndësinë e vet në shfaqjen e problemit. Por gjithsesi, këtë mund t’jua thotë vetëm specialisti dhe vetëm pasi të ketë bërë vizitën”.

Nëse doni të merrni më shumë informacion për sëmundje të caktuara apo doni të komunikoni me mjekë specialistë, mund të kontaktoni me ne nëpërmjet letrave ose postës elektronike në adresat e mëposhtme: Adresa: Rr. “Jordan Misja” (prapa shkollës
“Harry Fulltz”), pallati 1, kati 2, Tiranë. Tel.00355 4 273 207|08|09
E-mail: panorama_shendet@yahoo.com


(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora