E premte, 26.04.2024, 12:03 PM (GMT+1)

Mendime

Kastriot Myftaraj: Pse Edi Rama është pas skandalit në Festivalin e Këngës

E enjte, 20.12.2007, 11:57 PM


Nga Kastriot Myftaraj

Skandali i fundit në Festivalin e Këngës në Radio-Televizionin Shqiptar, nuk është thjesht, siç është komentuar një gjest antikosovar i dy anëtarëve të jurisë, që i dhanë zero pikë këngës së dy këngëtareve shqiptare nga Kosova, duke bërë që ajo këngë të humbte çmimin e parë.Pas këtij skandali qendron Edi Rama, për shkak të lidhjeve të posaçme që ai ka me të dy anëtarët e jurisë që e bënë këtë gjë. Së pari, Gjergj Xhuvani është burri i Luiza Xhuvanit, të cilën Edi Rama e katapultoi në PS si anëtare të Asamblesë të partisë dhe si anëtare të Këshillit Bashkiak të Tiranës, madje pritet ta bëjë deputete ne zgjedhjet e ardhme parlamentare. Gjergj dhe Luiza Xhuvani janë miq të afërt të Edi Ramës, i cili kur ka qenë Ministër i Kulturës, e ka privilegjuar Gjergj Xhuvanin, duke i dhënë fonde për filma. Edhe anëtari tjetër i jurisë së festivalit, që votoi në sintoni me Xhuvanin, Alban Skënderaj, ka një lidhje të posaçme me Edi Ramën, duke qenë se është bërë imazhi i Top Channel, televizionit që është bërë Edi Ramën, ai çka TV Klan është për Berishën, pra zëdhënës. Top Channel në spotet e veta publicitare i quan shqiptarët e Kosovës shqipfolësa?! Është e qartë se të dy këta anëtarë të jurisë kanë votuar në atë mënyrë që votuan të urdhëruar nga dikush, dhe ky dikush është Edi Rama, njeriu që i dha këngëtarit serb Goran Bregoviç çelsat e Tiranës, kur ai erdhi për të dhënë një koncert në Tiranë, në vitin 2006, me ftesë të Bashkisë së Tiranës. Kur Sllobodan Millosheviç filloi mitingjet të ashtuquajtura të së vërtetës, në Serbi, në vitin 1998, në të cilat u ndez flakë shovinizmi serb, u shfaq dhe një banderolë e madhe: “Ec para Sllobodan, të shkojmë deri në Tiranë!” E pra, Sllobodan Millosheviçi nuk arrit dot deri në Tiranë, vetëm në saje të SHBA, ndryshe ushtritë serbe dhe greke do të qenë takuar në Tiranë, duke ardhur nga veriu dhe jugu. Por në Tiranë arriti Goran Bregoviçi, një këngëtar çetnik dhe arkanist serb, të cilit Edi Rama i dorëzoi çelësat simbolike të qytettit të Tiranës, në prill 2006, me rastin e koncertit që Bregoviç dha në Tiranë. Në rast se të gjitha ato që u bënë me rastin e vizitës së Presidentit amerikan, kur dihet se çfarë përfaqësojnë SHBA për Shqipërinë dhe shqiptarët, ç’ duhet thënë për atë që bëri Edi Rama, që solli në vitin 2006 solli në Tiranë një këngëtar çetnik serb, Goran Bregoviç, koncertin e të cilit në Pallatin e Kongreseve e ndoqi personalisht, dhe në fund i dorëzoi në mënyrë simbolike çelësin e qytetit të Tiranës. Koncerti i Bregoviç në Tiranë u shndrrua në një bakanalie, harbim, orgji ku salla e mbushur me rrethin e Edi Ramës, mjaftistë, fresshistë kaloi në ekstazë kur Goran Bregoviç jepte komandat e këngës “Kallashnikov”: Juriiiis(Sulm)…. Pucaaaaaj(Qëllo-zjarr)! Në të njëjtën mënyrë e kishin pritur Bregoviçin hordhitë gjakësore serbe të Ratko Mlladiçit, Vojisllav Sheshelit, Zheljko Raznjatoviçit-Arkanit (të gjithë këta kanë qenë miq të Bregoviçit), në koncertet që ky dha për ta në kohën e luftës në Kroaci dhe Bosnje, në Vukovar, Pale, Banja Luka, Srebrenica. Bregoviçi ishte një nga këngëtarët e preferuar të tyre. Posaçërisht kënga “Kallashnikov” u bë këngë e preferuar e çetnikëve të Sheshelit, “tigrave” të Arkanit etj. Këtë kengë e dëgjonin terroristët serbë në Kosovë. Kjo këngë shpërthente nga kasetofonët e automjeteve të ushtarëve dhe paramilitarëve serbë që bënin vrasje, përdhunime dhe spastrim etnik në Kosovë. Dhe Brega (Bregoviçi) ka marrë pjesë dhe në orgjitë e çetnikëve dhe “tigrave” të Arkanit me vajzat e rrëmbyera kroate, bosnjake dhe shqiptare të Kosovës. Pikërisht një njeriu të tillë, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, i simbolikisht dorëzoi çelsat e qytetit të Tiranës. Kjo është njëlloj si t’ ia dorëzosh çelsat e Tiranës, Sheshelit, Arkanit, Mlladiçit. Është mjaft domethënëse që Edi Rama nuk ia ka dorëzuar çelësat e qytetit të Tiranës asnjë këngëtari shqiptar nga Kosova, por ato ia dorëzoi serbit çetnik Goran Bregoviç. Kur u duk se në Festivalin e Këngës në Radio-Televizionin Shqiptar do të fitonin dy këngëtaret nga Kosova, me siguri që u shqetësua ambasada e Serbisë në Tiranë, si dhe Beogradi, pasi këngëtaret shqiptare nga Kosova do të përfaqësonin Shqipërinë në Festivalin Europian të vitit 2008, që do të mbahej në Beograd. Serbia do të detyrohej që të bënte një incident ndërkombëtar duke u ndaluar këtyre këngëtareve shqiptare nga Kosova që të vinin në Beograd për të pjesëmarrë në festivalin europian, si përfaqësues të Shqipërisë. Serbia nuk e dëshironte këtë gjë, dhe këtë problem ia evituan dy anëtarët e jurisë së festivalit në Tiranë, Gjergj Xhuvani dhe Alban Skënderaj. Mund të thuhet me siguri se këngëtaret nga Kosova pritej të fitonin edhe për raison d’ etat. Dikush në kancelaritë ndërkombëtare, dashamirëse për Shqipërinë, ose më saktë në Ëashington, kishte thënë një gjysmë fjale në adresë të pushtetmbajtësve në Tiranë, që këta të thoshin një fjalë, në mënyrë që në festival të fitonte kënga e këngëtareve nga Kosova, në mënyrë që ato të shkonin në Eurosong. Dikush pra, në kancelaritë ndërkombëtare dashamirëse për Shqipërinë, kishte llogaritur që në maj të vitit të ardhshëm të bënte një incident diplomatik, që do t’ i tregonte botës se shqiptarët e dy anëve të kufirit shkojnë në Beograd si të bashkuar kulturalisht. Por mos të harrojmë se kultura është një premisë e bashkimit shtetëror. Në maj të vitit të ardhshëm, kur edhe në rast se do të jetë shpallur pavarësia e Kosovës, do të ketë filluar të konstatohet pamundësia e implementimit të saj, për shkak të komplikimeve ndërkombëtare, do të jetë edhe më e qartë se sot se alternativa e vetme mbetet bashkimi i Kosovës me Republikën e Shqipërisë. Serbia këtë gjë e kundërshton me të madhe. Në këto rrethana, dikush në kancelaritë ndërkombëtare dashamirëse për Shqipërinë kishte dashur të krijonte një situatë ku të tregohej se Serbia nuk do, jo vetëm bashkimin shtetëror, por as atë kulturor të shqiptarëve në dy anët e kufirit, çka është absurde dhe anakronike në kohën e sotme të globalizmit. Këtë plan e prishën dy anëtarët e jurisë të afërt me Edi Ramën. Ky është fakt. Edi Rama nuk është jashtë kësaj historie, sepse ata që e bënë skandalin janë njerëz të lidhur në një mënyrë apo në një tjetër me të, dhe se këngëtarët shqiptarë nga Kosova u ndaluan të shkojnë në Beograd si fitues të Festivalit të Tiranës, kur Beogradi është qyteti i Goran Bregoviçit, të cilit Edi Rama i ka dhënë çelësat e Tiranës. Ky është background-i i asaj që ndodhi. Edi Rama ka shumë për të treguar për atë që ndodhi. Për ta kuptuar atë që ndodhi, mund të imagjinojmë se çfarë do të ndodhte sikur në një festival në Beograd të humbnin dy këngëtarë serbë nga Kosova, në mënyrën si humbën dy këngëtaret shqiptare nga Kosova në Tiranë, dhe dy anëtarët e jurisë që do ta shkaktonin këtë gjë të kishin me kryetarin e Bashkisë së Beogradit ato lidhje që Edi Rama kishte me dy anëtarët e jurisë këtu, si dhe ky kryetar i bashkisë së Beogradit t’ i kishte dhënë një këngëtari nga Tirana çelësat e qytetit të Beogradit, atëherë me siguri që homologun e Edi Ramës në Beograd do ta kishin dëbuar nga qyteti dhe nga Serbia. Por, homologut beogradas të Edi Ramës nuk do t’ i ndodhte kurrë diçka e tillë. Me këtë që ndodhi, dhe nga mënyra se si ndodhi, duket se Edi Rama ka disa fije të dyshimta që e lidhin me Serbinë dhe me Rusinë, dhe ta thuash këtë nuk mund të quhet një teori paranojake konspiracioni, se sikur janë shtuar shumë shenjat që e tregojnë këtë gjë, siç i kam përmendur në shumë artikuj të tjerë. Pra ndodh ashtu si me gurët që përbëjnë mozaikun, të cilët kur i shikon të veçuar nuk kanë ndonjë kuptim të veçantë, por që kur i bashkon sipas një skeme, atëherë merr imazhin në funksion të së cilit ato janë. Një tjetër gur sinjifikues në mozaik do të ishte fakti që Edi Rama mban pranë në Bashki si njeri të privilegjuar Maks Velon, duke e sponsorizuar dhe që të bëjë albumin arkitektonik të Tiranës, të botuar para disa muajsh, ku Edi Rama ka shkruar parathënien, ku e çmon lart Maks Velon, si profesionist dhe si mendimtar në përgjithësi. E pra Maks Velo që me profesion është inxhinier hidroteknik dhe jo arkitekt, si mendim kryesor të vetin ka urrejtjen për shqiptarët e Kosovës. Në një shkrim të botuar në gazetën “Shekulli” në 20 qershor 2006 me titull “Qoseizmi ose teoria e urrejtjes”, Maks velo shkruan: “konkluzioni im është: me Kosovën dhe kosovarët duhet të jemi shumë më të kujdesshëm. Po të zhvillohej një referendum për bashkimin me Kosovën, unë do të votoja kundër. Janë akoma primitivë dhe do të na hapin probleme pa fund; le të rrinë të rregullohen vetë njëherë. Mbas pavarësisë, nuk do të dinë ç’të bëjnë me të”. (“Shekulli”, 20 qershor 2006, f. 15) Edi Rama, para disa muajsh, kur tashmë ky artikull ishte botuar, në një dalje në emisionin Déjà vu të Mustafa Nanos në Top channel, u shpreh se e ka zili Maks Velon për lirinë e mendimit që ka. E pra, Edi Rama duket se e ka zili Maks Velon që e shpreh hapur urrejtjen për shqiptarët e Kosovës. Ajo që ndodhi në festival tregon se sa e gjatë është dora e Serbisë në Tiranë, dhe se deri ku arrin që të influencojë Serbia, deri në votimin e jurisë së Festivalit të Këngës në Radio-Televizion. Mendoni pastaj për të tjerat! Serbia tregoi se ka në Tiranë “kolonën e pestë” të saj, të cilën e hedh në veprim në momentet e vështira. Dy anëtarët e jurisë që votuan kundër këngëtareve nga Kosova votuan me tre gishtat e ngritur lart si serbët. Edhe në rast se ajo që ndodhi është çështje shijesh artistike që nuk diskutohen, siç u shprehën disa, atëherë i vetmi diskutim që është e drejtë të bëhet është se shijet e tyre janë serbe dhe jo shqiptare. Se dy anëtarët e jurisë dhe ata që i bëjnë avokatinë e tyre nuk mund ta mohojnë se mënyra se si votuan ata është pëlqyer shumë në Beograd, dhe në atë mënyrë do të kishin votuar serbët sikur të kishin qenë në vend të tyre. 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora