E hene, 16.09.2019, 11:33 PM (GMT+1)

Komente

100 mijë kujtesat e një dhjetori të harruar

E merkure, 19.12.2007, 11:03 PM


Shkruan : Sokol Balla

Askush këtë dhjetor, nuk u rikthye në qytetin Studenti. Deri më sot, askush nuk ka bërë një kronologji të saktë të datave 8,9,10,11 dhjetor. Në arkivat e RTSH nuk gjendet nje kopje integrale e mbledhjes më shumë se tre orëshe të 30 studentëve që u dërguan si apostuj nga sheshi I protestave drejt Pallatit të Brigadave për tu takuar me Ramiz Alinë në 11 dhjetor në orën 18. Arben Demeti, të cilin e takova pak para emisionit Top Story më tregonte se në arkivat e RTSH kasetat ishin te keqtrajtuara, të censuruara, me pjesë të tëra të hequra dhe materiali nuk ishte më shumë se 40 minuta.
Mendimi prapa asaj që më tha Demeti i qete dhe i ekuilibruar ishte i qartë: dikush kishte futur duart dhe shkatërruar qëllimisht këtë arkivë të paçmueshme. Demeti sot është thuajse pa punë. Megjithëse nuk e shpreh, ai është i zhgënjyer. Dhe nuk është vetëm. Ne një sondazh në uebsajt-in e Top Channel mbi 1500 veta kthyen këto përgjigje për pyetjen: A janë realizuar idealet e dhjetorit 1990?

1. Ideali i realizuar 528    34%
2. Zhgenjim historik 1018    66 %

Standardet e një sondazhi shkencërisht bëhen me 1200 vetë dhe marzhi i gabimit është nën pesë përqind. Megjithatë diferenca e të dhënave në këtë sondazh është kaq e madhe sa sado të jetë marzhi i gabimit, nuk ndikon dot në përfundimin se shumica e shqiptarëve mendojnë si Arben Demeti: se idealet e dhjetorit nuk janë realizuar. Përkundrazi, duket se dikush është i interesuar që ne t'i harrojmë.

Mjaft që të shkosh në qytetin Studenti dhe të shikosh se asgjë nuk është prekur me dorë. Ironikisht indiferenca e atyre, që bënë karrierë duke nisur nga parmaku i betontë i bibliotekës së studentëve ka bërë që së paku ky ballkon i parë i lirisë, ende të mos shkatërrohet. Vetëm një pllakë e vockël që shkruan "sheshi Demokracia", është një thirrje e vogël e kujtesës së atyre ditëve te stuhishme kur u ringjall nga vdekja, një komb i tërë.

Mjaft të bësh një apel të 30 emrave që takuan Ramiz Alinë dhe do të kuptosh se çfarë ka ndodhur me ndërgjegjen e një kombi që u zgjua pas 50 vjetësh anestezie. Disa janë vrarë. Mes tyre edhe Azem Hajdari. Duket sikur diktatura nuk e fali djalin tropojan që mori verbtazi guximin për ti dalë asaj përballë. Ashtu si nuk fali Arben Brocin, që e ekzekutoi në mes të Shkodrës. Ashtu si nuk fali as Gramoz Pashkon…

Eshte pastaj grupi i të harruarve. Duke filluar nga Edmond Budina, që sot preferon të jetë punëtor i thjeshtë në Itali, sesa të rrijë në Shqipëri në emër të idealeve që nuk ekzistojnë më. Si Eduart Selami që preferon të shesë ndershmërisht makina në Amerikë, sesa të rikthehet në një vend që nuk e pranon dot. Si Alma Bendo apo Moza, studentja e Vlorës, që i tregoi Ramiz Alisë sesi e kishin keqtrajtuar sampistët e tij dhe të Hekuran Isait. Vallë ku janë këta njerëz dhe a kujtohet njeri për ta?

Pastaj vjen grupi tjetër. Politikanët e karrierës. Ish ministra, ish kryeministra. Njerëz me fate të ndryshme por destinacion të njëjtë. Por janë shumë pak krahasuar me ata që nuk janë, apo që janë harruar. Sot të ndryshme janë fatet e atyre 100 mijë vetëve në Sheshin Studenti. Por secili prej tyre është një kujtesë e gjallë, që nuk fshihet dot, nuk censurohet, nuk shkatërrohet. Kjo është e vetmja shpresë që më mban, si një prej tyre, se idealet e dhjetorit mund të jenë nepërkëmbur, por një ditë ato do të rikthehen dhe marrin revanshin e vonuar.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT