E premte, 26.04.2024, 03:53 PM (GMT+1)

Mendime

Fiks-i ka pese vjet qe eshte

E merkure, 19.12.2007, 07:43 PM


Diku në një shkrim të mëparshëm kisha nënvizuar se shoqërisë shqiptare praktikisht i mungojnë mekanizmat vetëkorrigjues

Nga Mentor Nazarko

Çfarë kuptoja me këtë? Kryesisht u referohesha mediave. Mediat e sotme kanë shënuar përparim të madh teknologjik në raport me vitin 1993, apo 1994, kur shënoheshin përplasjet e forta me shtetin. Shteti nga ana e vet, nuk ka shënuar përparime të mëdha, ndërkohë në krye të tij ka ardhur i njëjti njeri që ishte atëherë. Por nëse atëherë fitonte media, sot duket se fiton shteti. Sigurisht me instrumente të tjerë, të sofistikuar, që siç thoshte një artikull i mirë në shtypin rus, i përdor dhe Putin.

Duke mbetur te media, përmendja dhe forcën e reporterëve të sotëm që, në mënyrë përpjesëtimore është më e vogël se ajo e atyre të djeshëm. Këta të sotmit bëjnë fotografi të realitetit që është më i komplikuar sesa dje dhe fotografitë nuk depërtojnë shumë në objektet apo subjektet e realitetit dhe kur janë fotografi të mira, pale kur janë të këqija. Kështu realiteti i sotëm parë me sytë e mediave, pra të këtyre reporterëve, është album fotografik nga krimet e raportuara nga zëdhënës policie, njoftime zëdhënësish politikë, riprodhime konferenca shtypi etj., etj. Shkurt një realitet që i parë pas 30 vjetësh nuk të mundëson të kuptosh asgjë nga ai realiteti që zhvillohet brenda fotografive: lëvizje e vrullshme shoqërore, korrupsion i sofistikuar, krim politik, botë e pistë përgjithësisht që sot vishet me kollare. Dhe mban jaka të bardha.

Mbi punën e reporterëve mbështetet ajo e analistëve, një kategori profesionale, që siç thotë një koleg, lindi si pasojë e grumbullimit të eksperiencës nga gazetarë të vjetër, të cilët i sqarojnë publikut zhvillimet e komplikuara. Shteti siç duket nuk ka frikë as nga ata: veçanërisht nëse komentojnë fotografitë e realitetit që sjellin reporterët. Ndërkohë realiteti i sotëm është i komplikuar. Meriton më shumë vëmendje dhe më shumë punë.

I referohesha dhe shoqërisë civile që nuk para ka më institucione të besueshme. Politikës së opozitës që nuk ofron shumë shpresë. Kështu pra, u referohesha sektorëve të jetës shoqërore, politike që duhet të prodhonin mekanizma vetëkorrigjues, e nuk i prodhojnë ato. Dhe në këto kushte, një qeverisje e dobët mund të bëhet paradoksalisht jetëgjatë.

Misioni unik i "Fiks"-it

Në fakt shkrimi i hershëm ishte konceptuar në verën e sivjetme. "Fiks Fare" nuk transmetohej. Sot jemi thuajse në mes të një sezoni televiziv dhe "Fiks"-i ka dalë përsëri, pa tradhtuar linjën e vet editoriale. Pasi kam parë "Fiks"-in, kur ai bën 5 vjet, sigurisht duhet të korrigjoj diçka. "Fiks"-i në fakt është një mekanizëm vetëkorrigjues i shoqërisë sonë dhe këtë mund ta them me plot gojën. Ai rrëmon brenda realitetit. Përtej fotografisë së përciptë të reporterëve të thjeshtë. Ai zhytet në realitetin e komplikuar, ku shpesh struket bota e pistë e marrëdhënieve të reja shoqërore të shqiptarëve të fillim shekullit. Ai hyn brenda marrëdhënieve të politikës, gjithashtu jo më pak të pastra. Ai ka demaskuar në mënyrë të përkryer disa prej gënjeshtrave të politikës, pasi "Fiks"-i përdor më mirë se të gjithë ata që duhet të jenë instrumentet verifikues të shoqërisë, kujtesën historike, që reporterët e rinj nuk e kanë: arkivin. "Fiks" tregon flamujt e vjetër të politikës që sot ka marrë në duar flamuj të rinj. Ai tregon hipokrizinë e flamujmbajtësve. Botën e padukshme të një rrjeti klientelar që u referohet këtyre flamujmbajtësve, botë që këndon në kor refrenin e një kënge të vjetër sipas motiveve të filmit "Komisari Memo", kur Bamkë Qylollari, mbante në kurriz delen më të rëndë të kopesë, që "ta shihte Saliu."

"Fiks"-i shkon në skaje të ndryshme të Shqipërisë dhe tregon shkollat pa xhame, pamjet e Lulit të vocërr të shekullit të 21, "të mbeturat e fëlliqta rreth e përqark tryezës ku kanë ngrënë qen të pamëshirshëm, me bark shekullor, gjithnjë të pangishëm.", shtëpi të një epoke që mendonim se kishte kaluar. Pasoja të politikës së vjetër që duhet rinovuar thellësisht. Ose zhdukur nga horizonti.

"Fiks"-i na ka rrëfyer nga brenda hipokrizinë e një shoqërie si jona që shet femra, fëmijë, prodhon plehra. "Fiks"-i e bën këtë pasi maskohet si askush, apo pse keqbërësit e kësaj shoqërie nuk para fshihen shumë dhe kështu na jep të paktën fotografi nga brenda realitetit. Ne e kuptojmë më mirë realitetin nëpërmjet "Fiks"-it.

"Fiks"-i është pra një mekanizëm vetëkorrigjues i shoqërisë sonë. Jo konformist. Por fatkeqësisht një mekanizëm nuk e bën sistemin.

Bash për gjithë këto cilësi, ndërsa njeri prej protagonistëve të "Fiks"-it, vendosi të kandidonte për deputet, e vlerësoja kandidimin e tij si diçka të merituar. Kjo pasi që ai brenda "Fiks"-it kishte bërë më shumë për shoqërinë se dhjetëra deputetë memecë që në fakt nuk kanë ç‘të mirë t‘i thonë shoqërisë e që gjenden brenda sallës së Parlamentit. Shumë më shumë se deputetë të korruptuar që janë pranë memecëve. Por ndoshta më mirë që nuk fitoi, pasi te "Fiks"-i bën më shumë se ç‘do bënte atje. Brenda sallës së kartonave.

"Fiks"-i ka mëkatet e veta, që i falen apo nuk i falen. Pikërisht prej peshës së fuqisë që ka krijuar vetë e që prodhon frikë te të gjithë, keqbërës dhe jo të tillë. Ngandonjëherë kjo ndodh pse nuk është i ndërgjegjshëm për fuqinë e vet. Për shkak të moshës së re, që do të thotë se ka shumë hapësirë për t‘u vetëkorrigjuar, për t‘u zgjeruar në misionin e vet. Mungesës së rregullave që mësohen hap pas hapi. Nuk mund t‘i kërkojmë po "Fiks"-it që të shpikë rregullat për të disiplinuar veten e vet. Ose, ndoshta ne besojmë shumë te "Fiks"-i, pasi ai ka gjitha këto cilësi, dhe pritshmëria jonë është e lartë. Apo dhe pse nuk ka të tjerë si ai. Pra nuk ka mekanizma të tjerë vetëkorrigjues, që mbështeten jo thjesht te gazetaria investigative si "Fiks"-i.

Sigurisht vetëm "Fiks"-i nuk mjafton për ta korrigjuar gjithë shoqërinë. Por "Fiks"-i ka pesë vjet që bën të vetën. Askush nuk mund të thotë se ai nuk ishte.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora