E merkure, 30.09.2020, 11:14 PM (GMT+1)

Komente

Kastriot Myftaraj: Paralajmërimi amerikan për rrezikun e terrorizmit islamik në Eurarabia dhe worst case scenario në Albarabia

E enjte, 07.10.2010, 09:59 PM


Paralajmërimi amerikan për rrezikun e terrorizmit islamik në Eurarabia dhe worst case scenario në Albarabia 

 

Nga Kastriot MYFTARAJ

 

Paralajmërimi që SHBA-të u bënë qytetarëve të vet për të treguar kujdes gjatë udhëtimit në Europë, për shkak të rrezikut për atentate nga terroristët islamikë, tregon se një shtet serioz punon me metodën që quhet scenario technique, dhe që parashikon skenare të ndryshme të zhvillimit të ngjarjeve deri tek worst case scenario, do të thotë skenari i rastit më të keq. Paralajmërimi që SHBA-të u bënë qytetarëve të vet për rrezikshmërinë që paraqesin udhëtimet në Europë, për shkak të pritshmërisë për atentate terroriste islamike, është një shembull se si një shtet serioz  konsideron worst case scenario, pa u druajtur se mund të fajësohet për nxitje paniku. Kjo metodologji në Shqipëri u zihet për të madhe edhe analistëve kur i paralajmërojnë rreziqet, siç ka ndodhur në rastin tim. Në vitin 2003 Prokuroria e Tiranës ka filluar çështjen penale ndaj meje për shkak të një libri ku unë përdor pikërisht scenario technique. Nejse.

Nuk ka qenë gjë e lehtë për SHBA-të që të lëshojë një paralajmërim të tillë zyrtar, duke qenë se e di që kjo do të shtonte shumë presionin e brendshëm, edhe kështu të madh, mbi qeveritë europiane, posaçërisht ato gjermane dhe franceze, për tërheqjen e trupave nga Afganistani. Se kërcënimet e Al-Qaeda për atentate ndaj objektivave në Francë dhe Gjermani kanë ardhur për shkak të fushatës amerikane të goditjeve me raketa të telekomanduara të bazave të Al-Qaeda dhe talebanëve në Pakistan. Qartësisht, strategjistët e Al-Qaeda, kërkojnë që të vendosin atë që në Teorinë e Lojrave quhet Nash Solution, do të thotë balanca e kërcënimeve. Synimi i tyre është që Franca dhe Gjermania, në radhë të parë, por edhe vendet e tjera europiane, të tërheqin trupat e tyre nga Afganistani, dhe në këtë vend të mbeten vetëm ushtarët amerikanë dhe britanikë.

Nga kjo pikëpamje, paralajmërimi amerikan, i cili u pasua dhe nga paralajmërimi britanik, duket sikur favorizon strategjinë e Al-Qaeda, për të rritur presionin e brendshëm ndaj qeverive europiane për tërheqjen e trupave nga Afganistani. Ky mund të jetë një rast i Ligjit të Efektit të padëshiruar për amerikanët. Në fakt është paradoksale që, dy vendet të cilat kanë pjesën më të madhe të trupave ndërkombëtare në Afganistan (SHBA-të dhe Britania e Madhe së bashku kanë 73.4% të trupave të huaja në Afganistan), paralajmërojnë qytetarët e tyre që të kenë kujdes gjatë udhëtimit në Europën kontinentale, për shkak të rreziqeve që vijnë nga terroristët islamikë ndaj këtyre vendeve, të cilat janë të rrezikuara për shkak të pranisë të tyre ushtarake në Afganistan, kur Franca dhe Gjermania, të cilat janë shënjestrat e para të paralajmërua të terroristëve, të dyja së bashku kanë vetëm 6.94% të trupave të huaja në Afganistan!!!

Nuk është ironi e vogël që nëntë vite pas atentateve të 11 shtatorit 2001, ku e ka origjinën angazhimi ushtarak i vendeve të NATO-s në Afganistan, SHBA-të, vendi për shkak të të cilit vendet europiane hynë në aventurën afgane, paralajmëron qytetarët e vet që të mos udhëtojnë në Europë për shkak të rrezikut terrorist me origjinë nga Afganistani! Kjo në një kohë kur nuk është lëshuar një paralajmërim i tillë për qytetarët amerikanë brenda territorit amerikan. Se logjikisht terroristët islamikë nuk duhet të planifikonin vetëm goditje në Europë, por edhe në SHBA-të, madje më së pari në SHBA-të se ato janë vendi që kanë më së shumti trupa në Afganistan, 65.45% të trupave, dhe rreth 90% të trupave të angazhuara në luftime.

Çfarë ka ndodhur pra. Ajo që ka ndodhur është se në 3 tetor 2010, SHBA-të me paralajmërimin që iu bënë qytetarëve të tyre për rrezikun e udhëtimeve në Europë, praktikisht e deklaruan zyrtarisht Europën si Eurarabia. Eurarabia është një term ky që deri tash kishte qarkulluar vetëm në media dhe në nivel të literaturës relevante me këto çështje, ku ka shenjuar procesin e arabizimit të Europës. Veprimi amerikan do të thotë se tashmë SHBA-të e shohin Europën si një Mega-“Bosnjë-Herzegovinë”, për të cilën “viti 1992”, i fillimit të luftës, mbetet ende në ardhmëri, si një diçka që pritet të vijë. Një Europë ku popullsia muslimane ka prirjen të rritet, nga njëra anë për shkak të emigracionit të ligjshëm apo të paligjshëm, si dhe të rritjes demografike dukshëm më të madhe, dhe në anën tjetër për shkak të rënies demografike të popullsisë vendase, ngrihet natyrshëm perspektiva e Bosnjë-Herzegovinës për vendet e Europës Perëndimore.

Në Europën Perëndimore sa vjen e fuqizohet mendimi se beteja me Islamin në ardhmëri është e paevitueshme dhe se vonesa e kësaj beteje vetëm sa do të rrisë koston për vendet europerëndimore, kur kjo betejë të vijë në të ardhmen. Nëse do të ndodhin atentate terroriste në qytetet e Europës Perëndimore, siç është paralajmëruar, atëherë kjo do të çojë në përmbysjen e qëndrimit të tashëm të qeverive europiane ndaj bashkësive muslimane në vendet e tyre dhe ndaj Islamit në përgjithësi. Impakti i atentateve në Europë do të jetë shumë më i madh se sa ishte impakti në SHBA-të i atentateve të 11 shtatorit 2001. Kjo për disa arsye.

Së pari, për shkak se popullsia muslimane në Europën Perëndimore është më e madhe se në SHBA-të. Së dyti, për shkak se Europa është fqinje e botës islame, nga skaji i së cilës SHBA-të i ndan një oqean. Së treti, për shkak se forcat e sigurisë në SHBA-të kanë qenë dhe janë dukshëm superiore në krahasim me Europën, sa i përket ushtrisë, shërbimeve inteligjente. Së katërti për shkak se sistemi i institucioneve në SHBA-të është dukshëm më i favorshëm se ai europian për situata të tilla. Në SHBA-të Presidenti, kryetari i federatës, është edhe kryetar i qeverisë, ai Prokurorin e Përgjithshëm e ka ministër të drejtësisë në kabinetin e vet qeveritar, ai emëron krerët e shërbimeve inteligjente, të FBI-së, si dhe emëron anëtarët e Gjykatës së Lartë, të gjitha këto institucione shumë të nevojshme në një situatë emergjence, të ngjashme me atë të krijuar pas 11 shtatorit 2001. SHBA-të kishin një lider të fortë në 11 shtator 2001, i cili kishte kompetencat për të marrë vendimet e kërkuara nga situata, ndërsa vendet e Europës Perëndimore nuk kanë asnjë zyrtar që të ketë këto kompetenca me ligj.

Prandaj, nëse në Europë krijohet një situatë si ajo e 11 shtatorit 2001, kjo do të shkaktojë panik të madh në Europë dhe përmbysje rrënjësore. Në Europë një situatë e tillë do të çojë në fundin e qeverisjes civile, vendosjen e regjimeve ushtarake dhe krijimin e milicive të llojit të atyre që kanë ekzistuar në Republikën e Weimarit. Në të vërtetë, paaftësia e Republikës së Weimarit për të përballuar sfidën komuniste, u bë shkak që në vend të krijoheshin milicitë e ndryshme antikomuniste. E njëjta gjë do të ndodhë dhe në vendet e Europës Perëndimore ku potenciali për këtë gjë nuk mungon. Në Francë, dy partitë e quajtura të ekstremit të djathtë, Fronti Nacional dhe Lëvizja për Francën, në zgjedhjet e fundit presidenciale, ato të vitit 2007, morën së bashku 4 652 937 vota. Të dy këto parti janë ekstremisht antiislamike.  Nëse do të ketë “11 shtator” europian, atëherë vendet e Europës Perëndimore do të sillen me popullsitë muslimane brenda tyre si Izraeli me palestinezët. Veçanërisht në Francë, Gjermani, Hollandë, Spanjë, Itali, Danimarkë, Suedi, muslimanët do të vendosen në një regjim segregacioni duke u izoluar nëpër ghetto dhe duke filluar deportimi i tyre masiv në vendet prej nga kanë ardhur.

Nëse kjo do të ndodhë në Eurarabia, çka do të ndodhë në Albarabia. Albarabia është një neologjizëm imi me të cilin mund të quhen trojet shqiptare në të dy anët e kufirit, në Republikën e Shqipërisë, Kosovë, pjesën shqiptare të Maqedonisë, Luginën e Preshevës, trojet shqiptare në Malin e Zi, për shkak të profilit arab që po marrin çdo herë e më tepër. Aspekti i dukshëm i këtij arabizimi është thirrja e ezanit në arabisht me megafonë nga minaret e xhamive në krejt trojet shqiptare, nga Sheshi “Skënderbej” në Tiranë e deri në katundin më të largët në Kosovë etj. Ajo çka do të ndodhë në Albarabia është se edhe këtu duhen pritur atentate kundër objektivave të krishtere. Këto atentate mund të kryhen nga ekstremistët islamikë shqiptarë- të tillë ka shumë dhe dallohen lehtësisht për shkak të pamjes së tyre, ose mund të inskenohen nga shërbimet sekrete të huaja, sipas politikës së shteteve të tyre, të cilët do të duan të përfitojnë nga situata në Europë për të ndërmarrë operacione spastrimi në trojet shqiptare. Pavarësisht se kush do t’ i bëjë atentatet, tekefundit ajo që ka rëndësi janë pasojat.

Kështu duhen pritur atentate në Kosovë ndaj objektivave serbe, si kisha, manastire, apo edhe vendbanime, në Maqedoni, ndaj objektivave të ngjashme sllavo-maqedone, por edhe në Republikën e Shqipërisë ndaj objektivave të ngjashme të krishtere. Në këto rrethana institucionet relevante shtetërore në Republikën e Shqipërisë dhe në Kosovë duhet të jenë të përgatitur për situatat që mund të krijohen, sipas metodologjisë së skenareve. Për Republikën e Shqipërisë rreziku më i madh mund të vijë nga Maqedonia. Unë kam përshtypjen se maqedonët e kanë ngritur në Shkup kryqin më të lartë në botë, në mënyrë që të joshin ekstremistët islamikë shqiptarë në Maqedoni që ta hedhin në rë, gjë që nuk përjashtohet që ta bëjnë edhe vetë maqedonët. Kjo do të shoqërohet edhe me atentate të tjera me viktima ndër sllavo-maqedonët, çka do të çojë në një operacion masiv antiterrorist të forcave të sigurisë sllavo-maqedone kundër shqiptarëve të atjeshëm, me synim izolimin e tyre në kampe përqëndrimi, me justifikimin e mbrojtjes nga terrorizmi. Kjo do të ketë si qëllim që ta detyrojë popullsinë shqiptare të Maqedonisë që të largohet nga vendi.

Shqiptarët e Maqedonisë nuk do të mund të shkojnë në Kosovë, se atje do t’ i pengojë KFOR-i dhe pastaj në Kosovë situata nuk do të jetë më e mirë. Ata natyrisht që nuk do të mund të shkojnë në Greqi, se ky vend do ta mbyllë kufirin. Në Bullgari nuk do të mund të shkojnë se kjo do të thotë të kalojnë nëpër pjesën e Maqedonisë të banuar vetëm nga popullsi sllavo-maqedone. Bullgaria mund t’ i pranojë shqiptarët vetëm për të kaluar transit nëse i pranon Turqia. Por Turqia, e cila në një situatë të tillë në Europë do të gjendet para presionit të vendeve të Europës Perëndimore për të pranuar milionat e turqve që ato do të kërkojnë të deportojnë, nuk do të dojë që t’ i pranojë shqiptarët muslimanë. Në një situatë të tillë Shqipëria duhet të jetë e gatshme të presë një fluks prej 700-800 mijë njerëzish të dëbuar, të cilët do të msyjnë kufirin maqedono-shqiptar.

Situata do të përkeqësohet për shkak se zhvillime të ngjashme me ato në Maqedoni priten që të ndodhin në Kosovë. Edhe atje do të ketë atentate kundër objektivave serbe, kisha, manastire e vendbanime, të cilat do të bëhen shkak për ndërhyrjen e ushtrisë serbe në një operacion spastrimi të terroristëve islamikë. Natyrisht se ky operacion do të përfundojë me spastrimin e shqiptarëve, ngjashëm me çka ndodhi në 1999. KFOR, në situatën e re të krijuar do të mbyllë sytë para ndërhyrjes serbe. Edhe shqiptarët e Kosovës nuk do të kenë se ku të shkojnë tjetër përveçse Shqipërisë. Kështu që në Shqipërinë prej 28 748 km² mund të vijnë papritur edhe rreth tre milion njerëz, çka do ta çojë popullsinë e vendit në rreth shtatë milion banorë. Kjo do të bëjë që në Shqipëri të krijohet një situatë demografike e ngjashme me atë të territoreve palestineze, Bregut Perëndimor dhe Gazës. Për emigracion në Perëndim të këtyre të ardhurve as që mund të bëhet fjalë në këtë situatë, se Perëndimi nuk do të pranojë më muslimanë.

Shqipëria nuk mund të mos jetë në dilemë nëse duhet t’ i pranojë këta njerëz ose jo. E vërtetë, Shqipëria ka detyrim ndaj bashkëkombasve jashtë kufijve shtetërore, por a është një shpëtim për ta ardhja në Shqipëri. Një Shqipëri me shtatë milion njerëz rreth 90% e të cilëve do të shiheshin si muslimanë nga bota, do të ishte një vend pa të ardhme, aq më tepër në një situatë ndërkombëtare si ajo që përshkrova më lart. Ardhja e kaq shumë njerëzve mes të cilëve një pjesë e madhe janë muslimanë praktikantë do të thoshte që në Shqipëri Islami të bëhej një forcë e madhe, e aftë për të marrë pushtetin. Vendet fqinje nuk do të mungonin që shumë shpejt të pretendonin se nga Shqipëria islamike u vinin rreziqe dhe madje të ndërhynin ushtarakisht brenda territorit të saj. Ardhja në Shqipëri e kaq shumë njerëzve që e demonstrojnë publikisht fenë e tyre islame, do të bënte që shqiptarët e krishterë, ortodoksë dhe katolikë, përfundimisht ta shohin veten të rrezikuar dhe të huaj në shtetin shqiptar. Kështu ortodoksët do të shohin nga Greqia e cila do t’ i nxitë për të ndërmarrë një lëvizje shkëputëse, duke krijuar Republikën e Epirit të Veriut në Shqipërinë e Jugut.

Është e qartë se në një situatë ndërkombëtare si ajo që përshkrova më lart, Shqipëria nuk mund t’ i lejojë vetes që t’ i pranojë këta njerëz. Nuk mundet që të adhurosh Gurin e Zi të Mekës dhe pastaj kur të dëbojnë për shkak të kësaj nga shtëpia tënde, të përplasësh kokën tek gurët e shtetit amë. Derisa pranojnë të venë veten në rrezik për shkak të Islamit e të Gurit të Zi të Mekës, atëherë vendin e kanë tek Guri i Zi i Mekës. Prandaj do të ishte e arsyeshme që shteti shqiptar të kishte një plan për mbylljen e kufirit në një situatë të tillë. Por problemi është se ushtria dhe policia shqiptare nuk janë të përgatitura për të përballuar një situatë të tillë. Ushtria dhe policia shqiptare, për nga numri, armatimi dhe përgatitja që kanë, nuk mund të ndalin një dyndje prej rreth tre milion njerëzish.

Dyndja nga Maqedonia edhe mund të përballet. Sigurisht se nuk është e lehtë që të përballohen 700-800 mijë njerëz, burra, gra e fëmijë, të cilët ikin në panik për të gjetur shpëtim, çka do të ndodhte në këtë rast. Prandaj do të ishte më e përshtatshme që përballjen e parë me dyndjen ta bëjnë milicitë që duhet të ngrihen për të përballuar një situatë të tillë, ndërsa forcat shtetërore të sigurisë të jenë në mbështetje të tyre. Për fat të mirë kufiri shqiptaro-maqedon është malor dhe lehtësisht i kontrollueshëm, me pak vendkalime ku mund të dynden turma të mëdha. Nuk është një gjë e mirë kjo përballje e dhunshme shqiptaro-shqiptare, por shqiptarët e Maqedonisë kanë përgjegjësinë për të, se ata duan të jenë arabë e pastaj shqiptarë. Por dyndja nga Kosova nuk mund të përballet, si për shkak të numrit ashtu edhe për shkak të afërsisë gjinore të banorëve të zonave kufitare në këtë anë të kufirit, me të ardhurit. Kështu që diga do të çahet dhe do të vërshojnë ujrat, të cilat në fund të fundit do të bëjnë që të mbytet edhe Shqipëria në Adriatik.

Shqiptarët e Maqedonisë dhe të Kosovës duhet të mendohen mirë nëse ia vlen që për hir të Gurit të Zi të Mekës të bëhen shkak për zhdukjen e shqiptarëve si komb, për shpërbërjen edhe të Shqipërisë si shtet, veç Kosovës. Albarabia nuk ka të ardhme.

 



(Vota: 21 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora