E premte, 26.04.2024, 02:29 PM (GMT+1)

Mendime

Gjergj Golemi: Shekulli i Lirisë e Pavarësisë së Kosovës

E hene, 17.12.2007, 10:12 PM


Nga Gjergj Golemi

Sa i hidhur ishte viti 1913 për ne shqiptarët, vetëm zemrat tona mund ta thonë. Shpesh në jetë ndodh që jeta e ndërprerë e një anëtari të familjes, përbën në vetvete, një traumë gati të pariparueshme. Në rastin kur, kjo gjëmë bie mbi një komb të tërë atëherë, në gjykimin më normal, kemi të bëjmë me një kataklizëm të vërtetë në jetën dhe fatet e një populli etnikisht të pastër, i cili njihet botërisht si banor i trojeve të veta shqiptare, që me lindjen e vetë Zotit në tokë.

Kombi shqiptar është një nga lisat e lashtë dhe madhështor të djepit dhe fëmijërisë së qytetërimit evropian. Ndaj, atë ditë dhe atë vit të ‘’13-ën, që Europa vendosi ndarjen tonë, (e cila në kohë përfundoi në 5 shtete), ajo s’bëri gjë tjetër veçse i ra me sopat degës që përbënte dhe thelbin e pemës të vet. Se ç’hoqëm dhe heqim ne shqiptarët nga ndarjet në pesë pjesë, shekujt si dëshmitarë do të flasin...por edhe vetë Europa se ka patur të lehtë, duke qenë e rënduar nga mëkati i saj. Burrat e mençur të Europës, sot në unison me mikun strategjik të shqiptarëve, SHBA-së, po korrigjojnë një vendim, që në të vërtetë na çoi në fat tragjik, por jo në asgjësim, falë vitalitetit tonë, duke argumentuar se ky pozicionim për Kosovën dhe pavarësinë e saj, i shërben jo vetëm Shqipërisë, por dhe vetë qetësisë dhe stabilitetit në rajon. Plagët e hapura nga ndarja e copëzimi, natyrshëm do të duhen shumë kohë të shërohen, por sidoqoftë, mjekimi ka filluar, kur këto ditë u njohëm me vendimin e B.E.-së, për prezencën e saj në Kosovë dhe gati unifikimin e zërit të saj për bijën e vet të vuajtur dhe fatkeqe, për arsyet historike të paarsyeshme.

Nga miqtë tradicional të Serbisë, nuk i premtohet asaj ndihmë ushtarake dhe flitet me tone të tjera më të zbutura, gjë që ka sjellë një pështjellim në strukturat shtetërore vendimmarrëse. Serbia sot, është në dilemën më të madhe historike për zgjedhjen e rrugës së saj ,ose në Europë, duke iu bindur standardeve të saj, ose në shinat e trenit të vjetër, drejtë fundit të marrëzisë së saj!

Vendimi historik për Kosovën dhe pavarësinë e saj po afron për tu bërë realitet dhe nga ne kërkohet koordinimi e shkrirja në një rezultante të vetme, e kontributeve tona me ato ndërkombëtare, që deklarativisht po shprehen e ndërmarrin hapa konkret, për vënien në vend të padrejtësive historike, ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Klasa politike shqiptare ka marrë sot një mësim të madh. Shqipëria s’është më një parcelë eksperimentale, as për një shtet apo një bashkësi shtetesh, pa le më, për ata që kërkojnë që ta qeverisin si në kohën e feudalëve. Kjo periudhë ka marrë fund njëherë e përgjithmonë. Shqipëria sot është rritur në përmasa prestigji, peshë gjeografike, prospektive të qartë dhe të sigurt zhvillimi, ajo duke përfunduar ciklin e gjatë të integrimit brenda vetvetes e ka të hapur tashmë, portën për në Evropë, ku gjer dje ishte e mohuar. Ditët e reja që po trokasin për Shqipërinë dhe shqiptarët, jo vetëm që shënojnë fundin e etheve të fqinjëve tanë grabitqarë, por shënojnë njëkohësisht, edhe largimin nga skena e politikës të duarve të zgjatura të tyre, në politikën dhe strukturat vendimmarrëse të shtetit Shqiptar.

Besojë se është e qartë për të gjithë; se ç’ditë të trishta dhe të vështira po kalojnë, ata që, ditën hiqen si liderë dhe heronjtë e pazvënësueshëm që do ta bëjnë të lumtur këtë popull të shumëvuajtur, dhe natën, marrin porositë dhe paratë e fundit të shërbimit për punët e pista në dëm të kombit, prej armiqve tanë historik nga fondet e posaçme e të panumërta, për të na mbajtur ende të kryqëzuar dhe liri prangosur. Bollë më, sot ka trokitur për shqiptarët ora e madhe e lirisë dhe drita e diellit ka nxjerrë në shesh gjithë plehrat e historisë, që na zgjatën kaq shumë ditët dhe vitet e ndarjes dhe pengimit, duke u marrë me vetveten dhe duke u përdorur nga të tjerët. Kosova me pavarësinë e saj po çliron vetveten nga plehrat “e oborrit serb” dhe njëkohësisht, edhe katuan mbushur plotë me plehra të asaj pjese të politikës së mbrapsht të Tiranës, që prej vitesh, në rrugë tunelesh misterioze, komunikon me padronët që kanë kërkuar ta zgjatin tragjedinë tonë, deri në asgjësim.

Po ja që, edhe fati dhe perënditë u kthyen në vendin e harruar, duke kërkuar edhe pendesë pasi, ne ditëm të luftonim për kombin, ndonëse me pesë plagë të rënda në trup.

Ndaj sot, të gjithë bijat dhe bijtë e këtij kombi që brez pas brezi dhanë gjithçka për këto ditë, përshëndesin rilindjen e atdheut që përjeton ëndrrën e bukur të dëshmorëve dhe të heronjve të tij, të cilët kanë lënë një amanet: “Mbi të gjitha Shqipërinë” .

Po vjen më në fund, pranvera aq e dëshiruar e kombit tonë .Ta ruajmë nga ngrica që lëshojnë thirrjet hipokrite prej çlirimtari, të atyre që e penguan, duke u paguar si spiunë dhe mercenarë të shovinistëve, si dhe nga ata, që u bënë të kamur duke e vjedhur këtë popull deri në ashtë .

Ngrica tjetër që kërcënon lulëzimin e pranverës së kombit tonë, janë dhe mendimet e disa myteberëve që thonë; e ç’lidhje ka e nesërmja jonë me zgjidhjen e pavarësisë së Kosovës?! Për shumicën dërmuese të popullit tonë është e qartë si drita e diellit, se nuk mundë të kemi një Shqipëri ndryshe, pa një Kosovë të lirë dhe të pavarur dhe ne, nuk mundë të shkojmë e të konkurrojmë brenda një Evrope të bashkuar, copa –copa.

Sot është dita me të vërtetë, të bëjmë një urim: Mirë se vjen dita e mbarë e kombit tim, e meritojmë lirinë e pavarësinë, ne birt’ e shekullit të ri!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora