E premte, 26.04.2024, 11:28 AM (GMT+1)

Mendime

Pirro Prifti: Vangjel Dule, apo deputeti që nuk i duhet më Parlamentit Shqiptar

E shtune, 26.06.2010, 05:12 PM


Vangjel Dule, apo deputeti që nuk i duhet më Parlamentit Shqiptar

 

Nga Pirro PRIFTI

 

Nuk është e rastësishme mënyra se si anti-deputeti Dule mban një sjellje jo korrekte qoftë në Parlamentin Shqiptar, ashtu dhe në problemet e rëndësishme të vendit të cilat kanë të bëjnë me integrimin e vendit. Është e vërtetë se këto sjellje mund të quhen personale (ashtu siç thotë ai) karshi një problemi të caktuar, por pikërisht këto sjellje nëse irritojnë, fyejnë dhe zhgënjejnë popullatën shqiptare, këto sjellje janë fyese edhe për vetë minoritetin grek që bashkëjeton me shekuj në Shqipëri.

Për mendimin tim, meqenëse deputeti Dule sillet si një anti-deputet për arsye se nuk respekton normat etike që në fakt nuk janë të shkruara por respektohen nëpërmjet traditës së mirë të shqiptarëve por edhe në të gjithë botën, sidomos kur kemi të bëjmë me një genocid të pastër ndaj një komunitetit shqiptar të Çamërisë që pas viteve 1920 e deri me kulmin në kohën e pas luftës, vetëm e vetëm sepse sipas tij ai nuk ka qejf të respektojë një datë përkujtimore të këtij komuniteti, atëhere më lind e drejta të mund të bëj dy argumentime për këtë problem etiko-moral të kësaj sjelljeje aspak të moralshme, por dhe sfiduese jo vetëm ndaj Parlamentit Shqiptar ku ai merr rrogën por dhe ndaj gjithë komuniteteve të ndryshme që jetojnë në Shqipëri, për të cilat ky individ në mënyrë paradoksale e tragji-komike është dhe kryetar i një partie, e cila e ka emrin pikërisht ashtu si ai nuk duhej të vepronte në atë mënyrë ofenduese: Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut.

Një turp i vërtetë, për të dhe për drejtuesit e tjerë të kësaj partie, të cilët duhet të mbajnë qëndrim ndaj një kryetari aspak të moralshëm. E si ka mundësi që ky njeri të gjejë guximin e të ketë sy e faqe që të flasë, të justifikohet e të kontestojë aspekte të mirëvendosura në etikën dhe moralin e shoqërive të vendeve demokratike?

Mos vallë Shqipëria qenkërka vatër e mbushur me njerëz që hanë bukën dhe përmbysin kupën e pikërisht në vendin ku janë rritur? Mesa duke qenka e vërtetë. Paska dhe njerëz të tillë që Kodi Zgjedhor i fundit, nëpërmjet artificave arrin të favorizojë Partitë që të fusin në parlament njerëz aspak të denjë për të përfaqësuar popullin dhe komunitetet duke patur parasysh që edhe në rast se nuk e do një njeri apo edhe e urren, morali dhe etika e kërkon se kur gjendesh në një ngjarje të tillë komemorative ose duhet të mos vish fare e të justifikohesh që “...nuk erdha sepse isha i sëmurë”, apo ndonjë gënjeshtër tjetër pa zarar për të mos fyer të pranishmit ose, nëse qëndron duhet të respektosh traditën.

E ky individ i paparë, ndenji dhe pati guximin e një të paturpshmi të mos respektojë atë përkujtim të cilin e nderuan të gjithë parlamentarët e tjerë.

Atëhere po i kthehem dy argumenteve për të cilat e nisa më parë: Përse ky njeri sfidon disa herë çamët dhe Çamërinë? Argumenti i parë qëndron në supozimin që nëse do të ndodhtë që parlamentarët shqiptarë nuk do të respektonin datat komemorative të minoritetit grek apo të ndonjë date komemorative të shtetit grek, çfarë do të thoshte sofisti Dule? Do të bënte namin. Do të dërgonte nota proteste andej-këndej për të vënë në vend nderin e nëpërkëmbur.

Argumenti i dytë, nëse supozojmë se z. Dule është anti-shqiptar i vërtetë, atëhere a i përgjigjen fakteve veprimet e tij aspak etike si rasti më i fundit në Parlamentin Shqiptar kur ngrihen 139 deputetë dhe vetëm ky nuk respekton traditën?

Në vazhdim të kësaj ideje supozojmë se z. Dule ka marrë urdhra nga individë të veçantë  të shtetit fqinj, Greqisë, me të cilët kemi kaq shumë miqësi, për të mos hyrë në koalicion me Berishën, por me opozitën (e cila është katandisur si kokoshi një thelë) për arsye se kur ta marrë ajo, mund ta pengojë Shqipërinë të integrohet më lehtë sesa nëse do të ishte me Berishën, i cili njihet për këmbëngulje në realizimin e qëllimeve të integrimit.

Inati i z. Dule me çamët mendoj se jo vetëm nuk  është i rastësishëm por është në vazhdën e injorimit të përpjekjeve të çamëve të dëbuar nga Greqia në dy periudha në vitin 1922 pas marrëveshjes së ndërrimit të popullatave Greko-turke (çamët myslimanë u quajtën turq e si të tillë u shkëmbyen me popullatën e krishterë greke të Anadollit); mendohet sa kanë qenë rreth 100.000 shqiptarë çamë në atë kohë dhe mbetën rreth 22.000 pas shkëmbimit. Në vitin 1944, gjatë luftës kundër gjermanëve, forcat nacionaliste greke EDES dhe EOEA gjetën shansin të “pastrojnë” Greqinë. Vetë  ushtaraku grek EDES, Aristidhis Kanjas, në një nga ditarët e tij thotë për dhunën e grekëve ndaj popullatës çame: “... ajo që ndodhi atje nuk mund të përshkruhet me fjalë...”. Në dhjetor të 1944 nuk ngeli çam mysliman në këmbë. Të gjithë u larguan në Shqipëri, ose u vranë. Mbetën vetëm çamët ortodoksë të cilët sot flasin greqisht me detyrim ose janë asimiluar.

Këtu del dhe hipokrizia e kryetarit famëmadh, Dule: Në vend që ky kryetar dhe partia e tij e bashkuar që na mbroka të drejtat e njeriut të bëhet ura lidhëse e integrimit, e tolerancës, e zbutjes së gjakrave, e arsyes, për të ndërmjetësuar që ky komunitet shqiptar me pasaporta greke i dëbuar nga fanatikët nacionalistë të grupeve ushtarake greke të luftës EDES, dhe EOEA, ky pafillo sfidon Shqipërinë, shqiptarët, parlamentarët, vetë partinë e tij, dhe ka paturpësinë të thotë në parlament: “Kur bëhen kërcënime të tilla, këtu menjëherë mblidhen truprojat. Nuk e di pse zonja Topalli nuk reagon, kur nga podiumi bëhen kërcënime reale. Ja ku po e them, se kur ngrihem unë e për çfarë ngrihem e flas në podium, është çështje individuale. Dhe kjo që bërë ti sot, është kërcënim i hapur ndaj meje. Qëndrimi im është pjesë e zgjedhjes dhe bindjeve të mia dhe këtë nuk mund ta diskutoj me askënd”. 

A nuk do të ishte më mirë që Parlamenti Shqiptar të mbante një qëndrim më të rreptë ndaj këtij individi hipokrit, kryetar i një partie që inspiron mbrojtjen e të drejtave të njeriut? Të paktën ti tërhiqnin vërejtje për ofezën që i bëri traditës shqiptare. Kjo nuk u bë sepse dhe në Shqipëri ka individë të zgjedhur deputetë të ngjashëm me z. Dule, të cilët kanë hyrë në parlament jo nga aftësitë e tyre profesionale dhe as nga aftësitë e tyre politike, por thjesht se janë servilë të kryetarëve respektivë dhe në këtë mënyrë përfaqësojnë elektoratin me një mandat që nuk e meritojnë.

Së fundmi, mendoj se pavarësisht nga heshtja e analistëve dhe opinionistëve të majtë që mezi presin të grinden e të marrin poza nëpër mediat më të para në Shqipëri, zëri im mendoj se do të japë një kuptim më të saktë të veprimeve jo korrekte të këtij individi të veshur me pushtet.

Qëndrimi i tij i prerë dhe sfidues nuk ka qenë vetëm ndaj çamëve. Z. Dule, si pjesë e opozitës - ashtu siç thanë dhe Joseph Daul dhe Bosch dhe znj. Jozefina Topalli - Opozita është duke penguar indirekt edhe integrimin, duke penguar vizat, duke penguar zbutjen e rregullimin e problemeve që ekzistojnë por nëse shqiptarët janë shumë të pastër dhe të hapur, z. Dule luan rolin e vënësit të gurëve nën rrotë. Ka dhe deputetë grekë të mirë z. Dule, apo më mirë eurodeputetë të cilët e ndihmojnë Shqipërinë për tu integruar si p.sh, vetë hartuesi i rezolutës, eurodeputeti grek, Chountis, i cili e konsideroi miratimin e kësaj rezolute (për miratimin e vizave) si një lajm të mirë për qeverinë dhe popullin në vend, por nga ana tjetër theksoi se Shqipëria duhet të përpiqet më shumë për procesin e integrimit, duke zgjidhur edhe krizën politike.

 



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora