E premte, 26.04.2024, 06:32 AM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Një studiues korçar përmes Mirditës në dimrin e 1930-s

E premte, 23.11.2007, 11:31 PM


Përgatiti: Gjergj Marku

Duke vijuar me reportazhet e “Discovery”, menduam të vijmë para lexuesit me një udhëpërshkrim të para 80 viteve të një studiuesi të njohur korçar që u prin viseve të Veriut dy antropologëve amerikanë, burrë e grua. Kalon malësinë e Lezhës, më pastaj i bie tërthor rajonit të Mirditës dhe më tej. Por nga shënimet e mbajtura preferon që të shënojë në një libër të vecantë Mirditën, duke e kalëruar në kuaj a në këmbë mepërmes atë në një dimër të acartë. E gjitha kjo nuk sillet pa synim, kur sot pikërisht udhëtime të tilla mund të jenë në kërshërinë e mëtejshme të të huajve e vizitorit vendas .

Jemi mësuar që nëpër udhëpërshkrime, studime apo hulumtime, vendin tonë të para shumë viteve, ta njohim vetëm përmes shënimeve të të huajve, që kanë qenë aq të interesuar për doket, zakonet, kulturën e jetesës dhe të sjelljes së këtyre njerëzve në këtë cep mistik të Europës. Duket se Shqipëria e Epërme, ka qenë kërshëria ndjellëse për shumë syresh në hulumtimin e miteve, doket, ritet, vetqeverisjes përmes Kanunit të Maleve, gjuhës dhe antropologjisë. Ndër ta përmenden Hahn, De Grand, Durham, Nopça e të tjerë. Por ndërkohë shënohen në kujtimet e njerëzve dhe plot emra të panjohur sidomos antropologësh të huaj dhe kryesisht amerikanë, që i ranë kryq e tërthor viseve të Veriut, Mirditës, Pukës, Zadrimës, Malësisë së Madhe, Lurës, Dibrës, Lumës, Hasit, Malësisë së Gjakovës dhe Dukagjinit.

Në këtë aradhë ardhësish aty nga vitet ’30 të shekullit të kaluar, bien në sy dhe dy “matës-antropologë” të tillë, dy dijetarë irlandezo-amerikanë, burrë dhe grua, të cilët vijnë në Shqipëri me kërshërinë për t’u vënë në gjurmë të Eposit të Kreshnikëve. Janë pikërisht këta, që shoqëron studiuesi i njohur korçar, Stavri Frashëri. Por, përpos shoqërimit, ky i fundit, ndalet dhe kundron me kujdes në çdo vatër malësore, shtëpi, kullë, dasmë a morte, për të sjellë detaje tejet jetësore mbi organizimin e jetës shoqërore, kulturës popullore dhe materiale autentike pa kurrfarë stisje a ngjyresa ekzotike, duke e qëmtuar faktin direkt në burim, për ta mbledhur me kujdes në ditarin e tij që më vonë do të botohej si trajtë monografike e një udhëpërshkrimi nga këto vise. Pas pak kohësh, Stavri Frashëri, në kolanën e botimeve të tij, është ndër të paktët shqiptarë, që i shton një libër monografik bibliotekës së varfër të librit shqip për “Vendin e Shqipeve”.

Në këtë shoqërim që Frashëri u bën antropologëve amerikanë, burrë e grua, nëpër trevat e Veriut në vitet ’30, të cilëve u intereson thjeshtë antropologjia e njerëzve të këtejshëm, Stavri Frashëri shtyhet më tej në shënimet e tij, në relievin e përgjithshëm historik, dokësor, social e kulturor të Mirditës, ishte një qëllim shumë fisnik i tij, të njiheshin krahinat e vendit me njëra tjetrën, pasi ta zëmë Veriu me Jugun në mes veti dukeshin si dy botë të largëta, falë dhe prapamabejtjes dhe varfërisë së tejskajshme që përjetonin njerëzit e maleve.

Mitrush Kuteli në një “shoqërim” që i bën librit të tij në botimin e para 75 viteve, duke falenderuar autorin, por dhe shoqërinë e Grave të Korçës që ndihmuan daljen në dritë të një libri të tillë thellësisht shoqëror, duke shpresuar se ky do të jetë një manifestim jo i izoluar e sporadik, konkludon se përtej maleve zgjaten të tjera male dhe midis tyre janë vëllezër, të cilët fatkeqësisht as i njohim e as i dimë. Koha me karvanin e brengave të ndryshme, mjegulla e hedhur prej shumë armiqsh dhe mungesa e mjeteve të udhëtimit na kanë shtrydhur formën e egër të një individualizmi egoist kundrejt vëllezërve. Njohim vise të huaja si asnjë tjetër popull, por për malet tona nuk kemi përveçse dijeninë e një ushëtime legjende.

Kush është Stavri Frashëri?

Lindi në qytetin e Korçës më 1900, me prejardhje nga Frashëri i Përmetit. Kryen shkollën fillore në Selanik, të mesmën në Janinë në gjimnazin “Zosimea”, ku dikur kishin mësuar dhe vëllezërit Frashëri e figura të tjera të shquara të Rilindjes Kombëtare.

Në 1920 familja kthehet në atdhe dhe ai punon si shkrues në bashki, deri më 1923 kur merr një bursë studimi nga Fondacioni amerikan “Near East” për në “Robert Kolege” të Stambollit, studime që i kryen në 1927 duke u diplomuar si inxhinier mekanik. Degët e letërsisë dhe shkencave humanitare i kishte shumë për zemër. Punon në Korçë disa vite dhe dërgohet nga Ndërmarrja Elektrike e asaj kohe për specializim në Angli pranë firmës “Ruston”, më pastaj kthehet dhe vendoset në Durrës, aty emërohet mësues i lëndëve profesionale në shkollën amerikano-shqiptare bujqësore të Golemit ku punon nga vitet 1930-1940. Gjatë luftës u muar me mësuesi, ndërsa pas luftës do të provojë burgjet komuniste, pas daljes nga burgu, punoi si inxhinier mekanik deri sa mbylli sytë më 25 tetor 1965.

Stavri Frashëri, sipas studiuesit të njohur të mitologjisë prof. dr Mark Tirta, është një nga intelektualët më të mirënjohur të kohës së tij, shkroi për çështje të natyrës sociale, për histori e tradita popullore, la shkrime në fushë të poezisë e të prozës artistike.

Pos librave udhëpërshkruese e studimore, me vlerë është vepra e tij “Folklor shqiptar”, librin me poezi “Lule dhe gjemba”, disa metoda për mësimin e anglishtes, librin “Këtej kaluan hordhitë gjermane”, shkruar gjatë luftës, librin e shkruajtur në Angli “Anglia në syrin e një të huaji”, ndërkohë që ka shumë dorëshkrime të fushës kulturore, shkencore, poetike e pedagogjike, që presin dritën e botimit nga bijtë e tij në Korçë.

Libri “Përmes Mirditës në dimër”, është risjellur për lexuesin e sotëm nga shtëpia botuese “Mirdita”, nën drejtimin e studiuesit të njohur mirditor Ndue Dedaj, ndërsa botimi i tij i parë ka qenë në vitet 1930, nën kujdesin e bashkisë Korçë dhe Shoqërisë së Grave të këtij qyteti.

Përmes Mirditës në dimër

Parathënia e studimit, si një prolog

“Ku po shkoni? Do të vdisni nga të ftohtit, do t’u hanë ujqtë dhe ëgërsirat nëpër ato male të nalta, dëbora ka vajtur një bojë njeriu dhe do të mbeteni udhës, ushqimet mungojnë, ethe ka plot!”, më thoshin shokët dhe miqtë e mij kur u zija në gojë se do të veja në malësi sëbashku me një zonjë dhe një zotëri amerikan, të cilët shkonin atje për studime antropologjike.

Dëshira e prej shumë vitesh më erdhi dhe rasti e solli të vizitoja vendin e trimërisë shqiptare, duke mos marrur parasysh rreziqet që më shfaqnin miqtë, ca më tepër kur mësova se në viset e dëborës së madhe të ujqëve, arushave dhe të diskonfortit të madh po vente dhe një grua e pamësuar në kësilloj vendesh.

Shqiptarë jemi, po Shqipërinë nuk e njohim mirë, thotë ai. Informatat e dhëna nga një i huaj mund të kenë avantazhin që mund të jenë të paanshme në shfaqjen e tyre, kurse nga ana tjetër mund të jenë dhe jokorrekte nga shkaku i mos të diturit të gjuhës, ashtu dhe nga pikpamja sentimentale. Ekzagjerimet, qofshin në favor ose kundra një kombi, kurdoherë humbasin vlerën e një studimi. Psh: ç’mund të themi kur dëgjojmë prej një të huaji se në Shqipëri ndodhen njerëz me bisht, ose të një tjetri shkrimtari, i cili ka thënë se shqiptarët përgjithësisht rrojnë në kasolle?...

Prej tërë krahinave të Veriut që vizitojnë në fund të viteve ’20, ata i tërheq Mirdita, ndaj dhe autori bën një përshkrim të gjatë, është më unike se krahinat e tjera, ka një karakter të veçantë dhe sistemi i saj social shtë edhe primitive, thotë ai.

Për ata që s’dijnë gjësendi për Malësitë tona, sidomos për shqiptarët e Jugut dhe të mërgimit, shpresoj se ky studim do të jetë interesant. Kur qeshë në kryeqytet u këndova një pjesë të madhe të dorëshkrimit tim disa miqve mirditas, të cilët thanë këto fjalë pasi mbarova së kënduari: “Për Zotin, bash kështu asht!...”.

Amerikanët habiteshin me lirinë e madhe që gjenin në vendin tonë, ku, ndonëse këta mbanin revole në brez, asndonjëri s’pyeste për leje ose për gjë tjetër. Kudo që venim na sillnin lehtësira dhe sidomos xhandarmëria, e cila na shërbeu pa masë.

Origjina dhe organizimi shoqëror i mirditasve

Prej pyetjeve që kam bërë andej-këtej (pyeta dhe kapidanin e Mirditës), besohet se mirditasit kanë ardhur në vendin e sotëm në kohën e Mbretit të Marinës, vend i cili tani është nën sundimin Jugosllav. Cili mbret ka qenë, në ç’kohë kanë dalë që andej dhe ç’popull kanë gjetur në këtë vend, nuk dihet. Më pastaj studiuesi Korcar sjell në kujtesë legjendat që qarkullojnë mbi origjinën

Studiuesi i njohur korçar, sjell fakte domethënëse sa i përket organizimit shoqëror, duke e cilësuar këtë krahinë si e vetmja krahinë që ruan edhe sistemin primitiv shoqëror. Mirditasit i kanë konsideruar të pesë Bajrakët si një njësi. Oroshi, Spaci dhe Kuzhneni, konsiderosheshin si një familje dhe nuk martoheshin ndër vete, kurse Fani e Dibri, janë të mbështetur (të ardhur më vonë), dhe mund të japin e marrin nuse në ato bajrakë.

Vllaznitë dhe fiset janë njëshat kryesorë dhe mund të përmbledhin shumë shtëpi, të cilat janë përndarë në katunde të ndryshme. Mirditasit kurrë nuk marrin në fis sikur të kenë kaluar edhe nja dhjetë brezni. Fisi ka luajtur një rol të madh dhe për më tepër sa i përkiste marrjes së gjakut.

Një ditë një xhandar, atje ku ishim në një shtëpi për të ndenjur një natë, më thotë se nusen e shtëpisë e ka motër. Kur i kërkova hollësira për këtë gjë, më thotë se nuk ishte motër e vërtetë, por një vajzë prej fisit të tij! Jo vetëm në fiset dhe në katundet nuk marrin dhe japin mirditasit, po dhe brenda në bajrak. Përjashto pesë bajrakëve bëjnë krushqi me Pukën, Lurën, Selitën, Lezhën dhe Zadrimën të cilat i kanë rreth e përqark. Oroshi është vëllai më i madh dhe konsiderohet si i pari bajrak, ndonëse ka më pak shtëpi se të tjerat, atje është shtëpia e Kapidanit të Mirditës dhe ky ka qenë qeveritar i vërtetë i saj.

Mund të themi se forma e qeverimit në Mirditë ka qenë Republikë Aristokratike. Kapidani, i cili ka qenë kryetar i saj, bashkë me pesë bajraktarë, me pesë pleq të Mëdhenj dhe me pesëmbëdhjetë stërpleq, përbënte trupin qeveritar. Çdo bajrak kishte nga një bajraktar, një plak të madh dhe një numër strapleqsh, numër i cili varej nga rëndësia e fiseve. Të gjitha këto ofiqe kanë qenë trashëgimtare dhe djali i madh merrte titullin e babës së tij. Po të qe se ofiqari nuk kishte djem, vëllau i madh e trashëgonte titullin pas vdekjes.

Kuvendi i Përgjithshëm bëhej në Kishën e Shpalit ose në Grykën e Oroshit dhe këtu merrnin pjesë të 25 burrat që pamë më lart si dhe vegjëlia, domethënë nga një burrë për shtëpi. Atje merreshin vesh për pajtimin e gjaqeve, për ndonjë luftë, ose për ndonjë çështje tjetër me shumë rëndësi të bajrakëve. Kapidani kryesonte këtë mbledhje dhe çdo vendim komunikohej me anë të tij. Vegjëlia ka patur rëndësi të madhe, sepse çdo vendim i marrë prej krerëve nuk mund të zbatohej nëse këta, përfaqësues direkt të popullit, kishin një mendim të kundërt. Fjalën e fundit për çdo mosmarrëveshje e thoshte Kapidani, megjithëse dhe ky ka patur fuqi të kufizuara.

Për rregullimin e çështjeve lokale kanë qenë pleqtë, stërpleqtë dhe “Halia”. Ligj të shkruar nuk ka patur dhe drejtësia zbatohej në bazë të Kanunit të Lekë Dukagjinit, i cili ësht mbajtur brez pas brezi. Sot Qeveria e Zogut po mundohet të vërë në zbatim ligjin e ri, mirëpo është e vështirë të vihet në veprim plotësisht në një vend ku mentaliteti nuk piqet me të.

Sipas ndarjes së sotme politike Mirdita është n/prefekturë, me qendër Repsin dhe ka gjashtë komuna. Qetësia mbahej me anë të Xhandarmërisë, e cila ka ngrehur posta në pika të rrezikshme. Në kohën e sundimit turk Mirdita nuk paguante ndonjë taksë, përveç të 100 pareve për shtëpi, të cilat “ishin shkruar në derë të Stambollit”. Edhe sot ky vend i bekuar nuk paguan ndonjë taksë, kurse mund t’i japin qeverisë nga një burrë për shtëpi nëse e lyp nevoja.

Kur u ndodhëm në Mirditë komunat i kërkonin çdo shtëpie nga një pagesë të vogël (një a dy korona), për numërin e ri që do të vinin mbi të, dhe burrat e Dheut nuk kishin qejf ta paguanin. Një ditë një malësor më thotë: “S’kena qef me pague se na bahet zakon…”.

Banesat dhe jeta familjare

Duke përshkruar banesat e mirditasve, Stavri Frashëri, vëzhgon me kujdes se katundet, që janë grefur përgjithësisht afër ujit, ndërsa shtëpitë nga frika e vrasjes me sho-shoqin, janë ndërtuar larg prej njëra tjetrës, njeriut i duhet një kohë e gjatë të ecë nga njëra shtëpi tek tjetra. Kam parë shtëpi në majë të shkëmbit, në vendet e izoluara, dhe mendja e njeriut habitet se si mund të rrojë n’atë vend ku komunikacioni ka qenë kaq i vështirë. Mbrojtja dhe toka për të mbjellë caktojnë pozitën e shtëpive të tyre, stabiliteti s’është marrë parasysh sepse çdo shtëpi ka qenë e pavarur nga njëra tjetra.

E rrethuar prej ndonjë copë toke të mbjellë qëndron shtëpia e mirditasit; për t’u bërë ballë luftrave e fortë prej guri, dritaret i ka të vogla, përmbi portë përgjithësisht është “çikmaja” me një dritare të vogël dhe me disa frëngji për të bërë luftë. Nëpër qoshe të shtëpisë vërehen vrima të tjera të cilat e mbrojnë shtëpinë nga të gjitha anët. Shtëpisë me dy kate i thonë kullë, mbulojën e ka me plloça, me qeramidhe ose, atje ku ka pyje me pishë me dërrasë. Që për së largu duken si kutija prej shpirtoje. Ka dhe shtëpi përdhese prej guri ose prej dërrase të mbuluar me qeramidhe, me dërrasa, me plloça ose kashtë. Këto janë të klasave të fundit.

Ngjitur me shtëpinë do të vësh re kosharin për misrin, ndonjë a dy mullarë me misërishta a me barë, ndonjë kasolle, dhe një bashtulkë të mbjellë me lakra, ose me të tjera barishte. Kulla mund të ketë tre, katër ose më shumë oda. Atje ku mungon kasollja, oda përdhese përdoret për bagëtinë. Një shkallë e ngushte posa hyn tek dera të shpie në odën e burrave ku priten miqtë. Posa hyn brenda vjen oxhaku, lloj-lloje. Në shtëpitë përdhese vatra ndodhet në mes dhe buariu për të hequr tymin mungon. Mbi zjarr është varur poçja prej balte me zingjir. Pishtari, një lloj rrjete prej teli, varet nga tavani dhe shërben për të vënë pishën e ndezur që ndrit odën.

Oda nuk ka shumë mobilje, nëpër kënde është shtrirë ndonjë mutaf ose ndonjë lëkurë deljeje, andej-këndej, nëpër odë sheh shkaminj trekëmbëse e të shkurtëra, ndonjë fron të moçëm të skalitur dhe fort të bukura dhe ndonjë sënduk të vjetër të skalitur. Në qoshen e këndit mund të vësh re ndonjë “cung” (trup druri), i cili përdoret në vend të jastekut. Në të dyja anët e oxhakut dhe në mur mbi dy këndet janë kamaret të mbyllura në dërrase të skalitur, kanë pamje të bukur dhe i zoti i shtpisë vë takëmet e kafesë. Kafenë taze mirditasi e ka alla minut.

Dritaret janë të vogla dhe pa xhama, mbyllen me kanata dërrase të trashë, muret të lyer me gëlqere dhe pa dekoracion, dikund shikon ndonjë pushkë të varur (kur kanë leje prej Qeverisë), ndonjë çifteli, ndonjë kryq a ndonjë korë ose ndonjë fotografi të të zotit të shtëpisë që mund të ketë dalë në Shkodër a Tiranë. Pakëz nën tavan duken disa çengela ku varen pushkët e trimave, një lloj i tillë gjenden edhe tek dera e jashtme. Tavani mund të jetë i ndërtuar me dërrasë ose trinë. Përmbi vatrën varin pastërmanë, e cila qëndron mbi një lloj rrjete prej trene. Jo shumë larg kësaj rrjete eshtë dhe një dru horizontal dhe mbi atë thajnë rrobat e lagura.

Për të larë duart kanë ibrikun dhe koritën ose mund të vesh tek sqolli që është më një anë të odës në mur, uji derdhet nga një vrimë përjashta. Nevojtorja, si një kutiçkë e ngjitur në mur, është në katin e dytë, muret i ka të forta.

Në familjen mirdtase ekzsiton seistemi patriarkal: plaku i madh është i zoti i shtëpisë, ky pret e përcjell miqtë, ky bën nisjen në bukë, ky flet më parë mbi ndonjë çështje dhe fjala e tij dëgjohet fort. Shtëpia mirditase mund të ketë dhjetë, njëzetë a deri në dyzet vetë, gjithsecili aty din pozicionin e tij dhe respekton më të madhin. Nënës i bëhet resepekti i duhur, ajo mban kyçet e shtëpisë dhe ka nën komandë të gjitha nuset. Edhe nuset kanë njëfarë klasifikimi në mes tyre, e vogla është në një shkallë më të ulët se të tjerat dhe duhet, sikundër nderon pleqtë, të nderojë dhe nuset e mëdha. Pas vdekjes së plakës kunata e madhe ia zë vendin.

Në shtëpitë e mëdha burrat hanë veç, gratë veç dhe fëmijët veç. Nusja e re u shtie ujë burrave për të larë duart dhe kjo gjë konsiderohet si një privilegj. Në kohën e të ngrënit gratë rrijnë në këmbë për t’u shërbyer burrave, i vogli duhet të presë që më parë të fillojë më i madhi. Aty ku mungojnë djemtë, plaku ose gruaja më e madhe zë vendin e burrit dhe rregullon punët e shtëpisë.

Të larit ose të fërkuarit e këmbëve të plakut dhe të plakes dhe të citosurit e tyre, i bie nuses së vogël, e cila e quan këtë si privilegj. Burrat nuk i thërrasin gratë e tyre me emër, po kjo gjë bëhet edhe me gratë. Por dëgjon të thërrasin: “O gjyshe! O gru! O nuse!”. Duket se gruaja në Mirditë nuk është lindur që të nderohet. Habiteshin me ne kur shikonin se gruas i jepnim kafenë ose rakinë më parë dhe i linim këndin më të mirë. Kjo gjë ishte një kryengritje për mendjen e tyre. Gruaja lodhej shumë, bën gjellën, pastron shtëpinë, shikon fëmijën dhe bagëtinë, vete në arë, prêt dru në bjeshkë dhe i shpie në shtëpi, kurse burri pret e përcjell miqtë, nget qetë, mund të vejë në bjeshkë me bagëtinë, dredh cigare gjithë ditën, “luan gishtin” ose mund të merrej me politikë!

Ja një bashkëbisedim që kemi patur me një grua në zonën e Kallmetit, kur ndonja katër katundare po zbrisnin nga mali të ngarkuara me dru në shpinë, kush duke bërë çorape dhe kush duke tjerr lesh.

Qëndruan pakëz dhe po shikonin me kuriozitet zonjën amerikane që ishte veshur si burrë. I avitëm njërës dhe e pyes: “Ë, si të duket, burrë a grue ashtë ai njeri i veshur me pallton prej lëkure dhie?!”. Malësorja më përgjigjet: “Ajo asht grue dhe ka le ditën e bardhë. “ Po pse?”, i thashë. Ajo me përgjigjet prapë: “ nuk më shef mue si jam ngarkue me dru? Kam gjashtë sahat tue ec dhe duert me janë ba cope në bjeshkë. Shif duert e mija, pa shif të asaj, kqyri sa të bardha i ka. Më shikon mue, nuk jam ma tepër se 26 vjeç, po puna e randë më difton ma të madhe…”. Kështu po fliste bravarja e ngratë dhe gjithnjë po shikonte zonjën tonë, së cilës po i fërkonte pallton.

Mirëpo i thashë: “Përse burrat nuk venë në mal të bëjnë dru? Si, u përgjigj, të venë burrat me bajt dru?! Jo, burri më ka ble me pare dhe don që të punoj unë. Nuk punoj, po masandaj më thotë se ha bukën haram, dhe kur vjen nata, bi dajaku!

Gruaja mirditase është trime, edhe pse e vuajtur në kuptimin e plotë të fjalës, është si burrë se kryen punë që lypin fuqi burri, është shumë më e pastër se burri dhe rrobja e saj është më “unike”, është “serbese”, e zonja e fjalës, të pamit e ka më mirë dhe mbahet më mirë se burri megjithëse punon më tepër se ai. Veshja e saj është shumë e bukur. Shamisë në kokë i thonë facoletë, dhe gratë e martuara e shkojnë mbi vesh, kurse vajzat e lidhin nën mjekërr, në mes ngjeshin qemerin e kuq dhe një stravecë të kuqe, e cila është tërë xhufka të lëshuara, vajzat e kanë me ngjyrë të zezë. Në brez mbërthejnë një “fille drynit”, një këmishë e bardhë dhe e gjatë mbulon një pjesë t’antarisë, kurse përmbi opingat kjo ka formën e një balloni të fryrë. Përmbi këmishë hedhin xhupin, njëlloj pallto prej leshi të bardhë, të gjatë dhe me dekoracione artistike përmbi supe dhe prapa, gjatas të qepurave. Xhurdia e zezë i ngjan asaj të burrave dhe vishet përmbi xhupin. Krahanorin e zbukurojnë paret e qafës, të cilat mund të jenë pesë korona bashkë të ngjitura mbi një qostek prej sermi. Ndonjë qostek tetër prej sremi më një kryq është një tjetër send që zbukuron qafën, gishtërinjtë e trashë dhe këta janë të mbuluar me tri-katër unaza t’argjenda, bukurija e të cilëve varet nga shijet e pronares. Veshët nuk bien më poshtë, mbi ta varen vëthka prej sermi në forma të ndryshme. Këmbët i zbukurojnë me opinga prej lëkureje dhe me çorape të bukura dhe përmbi to mbathin një palë çorape të shkurtëra që janë qendisur me tel, të cilat i quajnë shputa.

Burri mirditas vjen shtatmesëm, fytyrëgjator, mustaqeli, hundëhollë, flokë dhe sygështenjë, mes-hollë dhe përgjithësisht i thatë. Tjetërsoj është i zgjuar, e rrëmben fjalën menjëherë, ka një fytyrë të qeshur ndonëse rron një jetë të mjerë. I pëlqen shakatë, është i shpejtë në llaf, s’ka shumë fjalë, është i nxitueshëm, ka tolerancë, ndërron shpejt pas qarkut, është fanatik por shpirtin nuk e ka fetar, është luftëtar i mirë dhe mjaft i shpejtë nga këmbët. Nga vobegtësia nuk pashë ndonjë mirditor të veshur mirë dhe të kishte një kostum komplet, atje kam gjetur setra prej t’ushtrisë italiane, amerikane, austriake, nga koha e Princit etj. Pazari i Shkodrës bën çudira se e mbush Mirditën me lloj-lloj petkash të tilla.

Kostumi i mirditasit përbëhet nga: xhurdina e zezë, tirq i zi a i bardhë me gajtanë të zinj rreth xhepave, përpara prapa dhe anëve; xhamadan i stolisur me ar, këmishë me ngjyra të ndryshme, brez me vija, çorape me shume lloj ngjyrash dhe opinga të holla prej lëkure. Kësula mund të jetë si e krutanëve ose si e dibranëve, dmth, e rrumbullakët, ndonjë tepsi e vogël dhe e përmbysur. Qosteku prej sermi me ndonjë sahat të moçëm, ndonjë pistolle me dorë të skalitur, ndonjë çubuk sermi., ca sumbulla prej sermi dhe të tjera antika mund të zbukurojnë gjoksin e tij, i cili merr një pamje serioze kur është i ngarkjuar me të tilla gjëra. Këtë veshje e mban këmbësi, kurse dorëholli ka brekushe të linjta në vend të çakçireve dhe mban një këmishë të bardhë e të gjatë.

Vend i mikëpritjes dhe i trimërisë së madhe

Mikpritja, për të cilën ne jemi kryelartë, thotë korçari i dashuruar tashmë me Mirditën, dhe e cila fatkeqësisht po zhduket në qytete, në Mirditë ka themele të shëndosha. Dhe këtë e lidh me shumë arsye, qoftë me organizimin shoqëror të lashtë, mugesën e haneve dhe të hollave, moslëvizja e popullit nga mungesa e rrugëve, fakti është se miku do të gjejë një derë hapur ku do t’i thonë: “Mir se erdhe, or mek! Mir se të pru Zoti. Or mek!” Për mirditasit pritja dhe përcjella është e shenjtë. Venë deri atje mirditasit sa në shtëpi të pritet dhe gjaksi. “Ka hangër bukën teme”, thotë burri i dheut dhe me këtë mënyrë nuk e shkel ligjin e moçëm. Nëse dikush dëmton mikun që ai e pati në bukën e tij, dëmtuesi është përgjegjës kundrejt të zotit të shtëpisë sepse ka shnderuar mikun e tij, natyrisht dhe shpin’ e tij.

Mikpritja është virtyt edhe atij më të vobegtit. Një natë në Ungrej kam vizituar një shtëpi përdhese, gjendja e se cilës ta këput zemrën. Kemi ndenjur rreth zjarrmit që ish në mes të dhomës, tymi i pishës dhe i zjarrit na mbytte, kafe s’kishin se ishin të vobegtë, pa e ndjenin këtë dhe u vinte keq, mirëpo të gjitha këto nuk e humbnin vlerën e mikpritjes. Plaku i shtëpisë na nxjerr një mollë nga sëndyqi dhe ma jep duke më thënë këto fjalë: “Na këtë mollë, se s’kam gja tjetër me të dhanë”.

Nga ana tjetër mirditasi shquhet për trimëri, sepse syri i ka parë shumë gjëra që lypin kurajo dhe kështu nuk trembet aspak. I duhet t’u bëjë ballë shumë sendeve që kontribuojnë në forcimin e këtij virtyti si egërsia, të kaluarit përmes ndonjë lumi, dëbora e madhe, shiu i keq, të ecurit vetëm nëpër pyje, të fjeturit natën përjashta, të bërit luftë me armikun, etj. Mos të harrojmë se dhe vobegtësia e bën njeriun guximtar. Nuk duhet shumë kurajo të vesh të grabisësh ndonjë lopë, ndonjë ka a dhi, kur e din se mund ta paguash me lëkurën tënde?! Se ishte dhe është trim, prandaj në kohërat e para përdoreshin si mercenarë duke marrë një pagë të vogël. I rritur në tilla rrethana mirditasi ka qenë kurdoherë gati të mbrojë lirinë e tij, nderin, të drejtat që ka patur prej stërgjyshërve të tij. Bukuria e trimnisë së tyre shfaqet më mirë në këngët popullore, të cilat janë pasqyrë e shpirtit malësor.

Një malësor më tha një ditë, i dëshpëruar nga një veprim i qeverisë së asaj kohe: “U muer pushka, na iku trimnia”. Një tjetër më qante hallet duke më thënë: “Na i kanë hek armët e na kan ba si plaka!”. Këto tregojnë se në këtë vend i madh e i vogël kanë ditur t’i përdorin armët, e cila ka qenë shok i tyre i pandarë. Besoj se dhe sot ata duhet të kenë nga një pushkë të fshehur. Syri u mbetej në pushkën e gjatë dhe në revolverin që amerikani kishte me vete, dhe nuk qetësosheshin deri sa t’ia merrnin e përkëdhelnin në duar. Një fjalor i tërë ekziston këtu për armët: hutë, allti, nagant, pushkë maxhare, karajfile, pushkë e gjatë, dallap, shejshane, mazere, martinë, pushkë latine, etj, etj. Pritën ose pusinë, në Mirditë nuk e quajnë gjë të ndershme. Ata admirojnë atë që thonë: “jam Marku që ju dal ballë për ballë”. Edhe trimi i vërtetë flet në këtë mënyrë: “Prit se mrrina!”. I dyti përgjigjet: “Hajt se të pres!”. Bam, kercët alltija dhe bie përdhe kush ta ketë kismet. Një tjetër burrë i thotë hasmit të tij: “Pse nuk dole fushë në fushë/ të puthshim hutat buz’ nër buzë…”

Shëndetësia dhe arsimi

E merr lumi njerinë po të sëmuret në Mirditë dhe ca më tepër kur kjo është serioze. Doktorët, barnatoret dhe të tjera sende për mjekim mungojnë. Ku të ecë i sëmuri dy ditë udhë gjer në Lezhë për të parë mjekësinë!

Po në rast epidemie, kushedi ç’bëhet? Kam dëgjuar shumë njerëz të thonë se malësia është e mbytur me sëmundje veneriane. Dëshiroja ta vërtetoj këtë pandehmë, prandaj vëzhgoja me kujdes burrat që na vinin për t’u matur. Prej atyre që kemi ekzaminuar mund të them se as dy përqind nuk kanë patur shenja sifilizi. Dhëmbët përgjithësisht i kanë patur të shkatërruar, kam vënë re mjaft të lijosur, të verdhë nga ethet dhe me shpretkë të madhe, nuk kish vend ku të mos na kërkonin bar zemre, bar ethesh, bar koke etj. Pandehnin se ishim mjekë dhe na pyesnin mbi sëmundjen që i kishte rënë ndonjë malësori të ngratë, pa na kërkonin edhe barna. Të rrojturit keq nga vobegtësia, mungesa e mjekësisë dhe e barnave, dhe mosdhënia e parimeve elementare të mjekësisë shkaktoi të humburit e një numëri të madh njerëzish, të cilët mund të ishin të dobishëmn në një kohë të pritshme. Është nevojë e madhe që të krijohen dy ose tri posta infermierie, që populli i mjerë i këtyre anëve të mos lihet në dorë të magjistarëve, që i përcjellin njerëzit në botën tjetër një orë e më parë. Këtë punë e bën sot ndonjë prift shpirtmirë, por kjo nuk mjafton, vdekja e kalamajve për mungesë të ushqyeri e të tjera arsye, është vërtetë e trishtueshme.

Dukë sjellë në mendje gjendjen e mjerë të arsimit të këtyre anëve, studiuesi korçar, thotë se tërë kohës që ndenjëm në Mirditë, ja gjetëm pesë njerëz që dijnë të këndojnë e shkruajnë, ja s’gjetëm. Njëri nga këta ishte një ushtar, i dyti një djalë i vogël që e kishte mësuar frati, i treti katundari që pamë në Kalivare dhe të tjerët që ishin mësuar andej-këndej. Të dish kalem në Mirditë është fat, pandehnin se mos shkronjat kishin magji. Shikonin që zonja amerikane shkruante fjalët që thoshte burri i saj nga vëzhgimet që bënte, pa thoshin: “Kqyre, kqyre, grueja din me shkruejt shkaf flet burri!”.

I vetmi burim dritëdhënës është Internati i Oroshit i cili mund të ketë nja 100 nxënës. Fatkeqësisht nga ky institut kanë përfituar ata që kanë gjetur mik, kësisoj të zotët dhe të vobegtët kanë mbetur jashtë dyerve. Në shumicën e katundeve të Mirditës, me afro 18 mijë frymë, ndodhen kisha, priftërinjtë e të cilave janë njerëz me edukatë të naltë. Këtyre burrave të ndershëm mund t’u ngarkohet barra e të ndriturit të popullit. Stavri Frashëri në shënimet e para 80 viteve, sjell në kujtesë shembullin e Norvegjisë kur vite e vitë më parë, kishin praktikuar “mësuesin shëtitës” nëpër malësi të thella. Dhe jo se këta njerëz nuk e donin diturimin e fëmijëve. Ja ca fraza që dëgjoja në një vend të ngratë: “Kam frikë se mos më mbetet fëmija pa shkollë!”, më tha një nënë në Spaç, “Merrmë në shkollë në Tiranë”, më thoshte një djalosh; “Çomë në shkollë synë e vetëm”, fliste një burrë i moçëm dhe populli zbraste fjalët: “nuk kena shkolla”. Është fatmirësi se populli malësor ka zënë të ndjejë se koha e pushkës kaloj dhe se shpëtimi i tyre do të vijë nga shkollat.

Më tej ai studion me kujdes me se merren mirditasit, kur koha e të luajtmit të gishtit kishte perenduar. Toka e pakët, mungesa e ujit vaditës, deri sa moto e të kamurit në atë vend ishte: I lumtur është ai që bën bukën e motit. Në disa vende mund të bëheshin patatet, por atje thonin “s’jena mësue me ngran kortollat”. Mund të mbilleshin pemë të shumllojshme si mollë, kacka, gështenja, bajame. Rogoveckat mund të mblidheshin për t’u përdorur si ushqim për derrat. Edhe bagëtia e imët këndej këtyre maleve bëhet.

Më pastaj ai trishtohet për gjendjen e pyjeve, sikur të kishte rrugë këtyre anëve, do të ish një pasuri e madhe kjo. Sheh drurë të prerë vend e pa vend. Ndonjë sharrë me ujë nuk ekziston dhe dërrasat priten me sopatë, më shumë se gjysma vete firo; barinjtë dhe rrufeja janë të tjerë faktorë shkatërrues sepse padashje u vënë zjarrin atyre, mos të harrojmë se dhe dhitë janë të zonjat që të humbin një pyll të ri.

Mirditasit zotërojnë disa mjeshtëri, kovaç, zdrukthtarë, puna e xhandarit i pëlqen mirditasit meqenëse pashë shumë njerëz të kenë zgjedhur këtë degë. Bukuria është se ruajtësi i tanishëm i ligjit më parë mund të ketë qenë kundravajtësi i saj. Mirditasit nuk e kanë dëshirë migrimin, largohet nga shtëpia e tij vetëm për ndonjë luftë, mirëpo sot e sheh në Mat si sharxhi, si bulk etj, e shikon të punojë rrugët, të bëhet mjeshtër, të vejë hyzmeqar, të nxjerrë mademe, etj. Ky vend ka plot egërsira, që nga ukju, dhelpëra, arusha, thinj të egër, shqjer, etj, dhe këto i japin rast të mirë gjahtarit me zë.

Ka dy lumenj kryesorë, dhe një numër të madh zallesh. Të përdorurit e fuqisë së ujit nuk është zhvilluar aspak ndonëse ka shumë mundësi. Mullinjtë primitivë për të bluar drithin mund të shikohen gjithandej dhe vetëm në Fanë pamë një valanicë. Veglat bujqësore që përdor mirditasi janë primitive, që nga shatërkaz, kazëm, tëfurk, parmendë, kërrabë, lestër, trin, hunj, vigj, çeser, sakicë, kmesë, kosë, kizë etj. Mirditasit ushqehen jo mirë, por të mos vrarit e mendjes dhe se të qënurit në ajër të freskët i bën të duken të fortë e të shëndetshëm. Ushqehen kryesisht me kallamoq, mish, qumësht, djathë, mish thiu, fasule, lakër jeshile, zarzavate të ndryshme dhe me brumëra (petë me kungull a hithë). Këto përmbledhin elementë të mirë, mirëpo varet nga sasia që përdorin. Mishi nuk hahet rëndom sepse duan të shtojnë tufën.

Shto një mijë vështirësi të bariut në male etj, mos të zemë në gojë dhe në ç’gjendje ndodhet malësori kur i ka qëlluar të jetë në gjak me ndonjë bashkëfshatar. Jeta plot vështirësi dhe lëkura e tij është mësuar me të këtilla gjëra, pa qesh me qytetarin që tutet prej ndonjë gjëje pa rëndësi.

Mjerimi i Mirditës shfaqet në forma të ndryshme, të zbathur e të zhveshur, të pangrënë e të papirë, një dimër i gjatë dhe i keq do të ishte i mjaftë që të përlajë një numër të madh nga ky popull i ngratë.

Në fund strudiuesi i prekur nga kjo gjendje, jep ato përfundime, që mund ta përmirësonin jetën e këtij populli, kur konkludon se kjo gjendje e mjerë do të zhduket vetëm atëherë kur në tokën e keqe të mbillen të lashtat e përshtatshme, kur të çelen rrugët dhe shkollat, kur burrat të merren më pak me politikë dhe t’i përvishën punës me mish e shpirt. Për shkolla, rrugë dhe punëtorë idealistë ka nevojë “Mirdita e kuqe”.

Humori mirditas

Edhe pse mirditasi rron ligësht, prapë nuk rri si një njeri që i ka ngrënë qeni brumin. Kjo më sjell ndërmend shakatë që bënin në mes tyre kur vinin të mateshin. Një ditë pyeta një burrë “sa herë është martuar baba yt?”, dhe ai më përgjigjet “kurrë nji herë!”. Një tjetër kur e pyeta si më nalt, më thotë “Baba është martue nji her me zor”, ata që e dëgjojnë plasin së qeshuri.

Një shkurtabiq na vjen të matet dhe një malësor mustaqelli hidhet përtej: “Baba i tij ka pas një djalë e gjysëm, ky asht tamam!”.

Amerikani bënte vëzhgimet e tij, mbi burrin që po matej, dhe ia thoshte shokut të tij me një zë uniform si ndonjë prift që nxjerr meshën. “Asht tue thanë meshën”. Viktimat i thoshin këto fjalë: “Tash zotnia po të bekon si frati dhe s’kan me të kap ethet. Venja veshin t’tan fjalëve”. Vinte ndonjë plak dhe i thoshin: “Tash ke mbarue, ke sharru! Tash po të bjen dhambë të ri! Tasht po të marrin ushtar, tash po të çojnë petka prej Amerike, qysh i do të kuqe a të bardha?!”.

Shfaqeshe ndonji i ri dhe e tallnin në këtë mënyrë: “Rri si dhanërr se Zotnia po të merr për Amerikë! S’ka kivet se e ka fik martesa! Ulu poshtë si zotni se tash po të bien një kafe!...”. Qerosët e shkretë gjenin belanë dhe kishin të drejtë që nuk donin të mateshin para publikut. “Ja ka marë dreqi mustaqet! E ka lan grueja! Nuk asht burrë tamam! Të liosurit i thoshin se ia kish ngrënë krimbi surratin! Një burri me një sy qelqi i thoshin se i kanë vu synin e qenit! Të mos kish dikush prej tyre ndonjë të metë trupore sepse menjëherë do t’i gjenin të tallurat.

Zakoni i mortes, do një trajtesë më vete, Frashëri ka ndjekur me vëmendje disa morte që i ka qëlluar atje, duke sjellë në shënimet e tij dhe të qarat e vajtojcave etj. Një kapitull më vete i ka kushtuar dhe martesës, ku thekson të fejuarit në Mirditë që bëhej që në djep, duke dhënë dhe gjithë ritualin e dasmës, por dhe histori të virgjëreshave, që për një arsye a tjetër nuk martohen.

Bujtës nëpër shtëpi mirditase

Studiuesi korçar Stavri Frashëri, sëbashku me dy amerikanët antropologë burrë e grua, kalojnë fshat më fshat në Mirditë, që nga nisja prej Zadrime e deri në dalje në Pukë. Kalojnë nga maja e Velës, në Ungrej, Frekën, ndjekin ujin e Dibrrit, dhe flen në një han. Kalojnë një natë të mrekullueshme në mes bisedave me të zotin, të pritur me mish të kuq të skuqur, mollë, arra, me lugë prej druri, një e ngrënë shqiptarçe. Pas disa ditësh kalojne në Rras, ku flejnë në një kullë, në odën e burrave mblidhen thuajse tërë fshati që shikojnë me kureshtje të madhe amerikanin, dhe sidomos gruan e tij, që ishte veshur me rroba burri. Për darkë, nusja e re na solli koritën dhe ibrikun të lajmë duart, i zoti i shtëpisë solli rakinë, ushqimin e pasur deri tek petullat me mjaltë, por futen dhe në një shtëpi të varfër ku kalojnë një natë të vështirë, në mes tymit, pa rraqe fjetjeje dhe mungesë ushqimi, por mes njerëzish shumë mikpritës.

Një përshkrim të rrallë i bën pritjes në shtëpinë e Kapidanit në Orosh, e ndërtuar në majën e një kodre me një pamje piktoreske. Në një dhomë të pastër dhe të mbajtur, qëndruam në frone dhe jo këmbëkryq si tjetërkund. Një trim na solli kafe, më pastaj na rehatuan në një dhomë tjetër ku hëngrëm sëbashku darkën e pasur me supë, pulë të zier, mish thiu të fërguar, djathë të bardhë gjalp, pilaf dhe verë të mirë. Mbaruam darkën, falenderuam Kapidanin, lamë duart mirë e mirë pastaj iu avitëm zjarrit, i cili të vinte në mendime dhe folëm për historinë e Oroshit, të kësaj dere, të vendit dhe deri të Amerikës, për të kaptuar të nesërmen shkallës së mrekullueshme të Shenjtit, në Fan e më pas për në Pukë.

Prapë më ranë ndërmend fjalët e miqve në fillim të nisjes sime për këndej: ujq, arusha, dëborë e madhe, mungesë ushqimesh, diskonfort i madh! Sa larg ishim prej këtyre gjërave!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora