E premte, 26.04.2024, 07:16 PM (GMT+1)

Mendime

Dashnorët e dosjeve

E merkure, 14.11.2007, 09:42 PM


PROF. ASOC. DR. AGO NEZHA

Ata që duan ta shohin kasafortën e dosjeve të mbyllur apo të hapur, janë në majat e politikës shqiptare. Vallja e dosjeve është bërë si vallja e yjeve të Lasgush Poradecit, që thotë “venë e vinë, e venë prapë. Dukuria e dosjeve është si një meteor që sa ndizet, shuhet. Ky fenomen kilometrik në këto 17 vjet të pluralizmit, ka treguar se kush urrejtjen e transferon në hakmarrje, shpreh një trashëgimi të shpirtrave të dobët. Erërat që po fryjnë kohët e fundit, nga rryma të majta e të djathta, tregojnë se i lëshojnë fre ndjenjës së hakmarrjes për të kënaqur kapriçot e padronëve të politikës shqiptare. Ndërgjegjësisht, në konceptin e liderëve të politikës, janë për të mos i hapur dosjet, sepse ato i kanë mjete presioni për t’u mbyllur gojën pushtetarëve, apo politikanëve që dalin nga rreshti, pa lejen e “komandantit”. Klima e dosjeve ndryshon sa herë që ndonjë dosjerë pjesëmarrës në politikë lëviz bishtin, menjëherë Zeusat hedhin në fushën e lojës topin e dosjeve. Shohim pa pritur që të vrapojnë pas topit të dosjeve të gjithë ata ithtarë që duan të eliminojnë disa dosierë, për të zënë vendin e tyre. Shtresat dhe kategoritë shoqërore që trumbetojnë rrezikshmërinë e dosjeve janë të ndryshëm. Të hapen dosjet, dëgjon të hapin gojën me thirrjet e tellallit: politikanë, deputet, ish të deklasuar, njerëz të piramidës dhe të dyshemesë. Por po të lexosh pronarët e dosjeve janë befasuese. Dosjet në sistemin monist kanë qenë privilegj i njerëzve idealist, se po i shërbenin vendit të tyre, i njerëzve të gënjyer, të paformuar, të detyruar, të trysnuar, të joshur për përfitime të pamerituara dhe njerëz me ego për karrierë në rrugë të errët. Një maratonë për përfitime jo të moralshme, nëpër labirinte të mistershme. Shërbëtorët e sigurimit të shtetit, duhet njohur për t’i neutralizuar, por jo për t’i ndëshkuar apo dënuar. Ata që kanë shitur moralin në rrethana të caktuara në monizëm, nuk mund të shesin moral në demokraci. Kur janë bërë verifikime për figurën morale të kandidatëve për deputet, në komisionet Mezini dhe Bezhani, u denoncuan mjaft kandidat që ishin me hije në gjoks dhe u ndaluan të kandidonin për atë legjislaturë. Kontingjente të tilla u diagnostikuan në të gjitha partitë që nuk munguan t’i shohim të kandidonin mbas disa viteve nëpër parti të ndryshme. Duke ndjekur ethet e kandidimit se mos manipulohesh biografia nga ustallarët e vjetër me kostum të ri, i thash një mikut tim që ish në strukturat e larta të politikës, se ishte fitore që dolëm të pastër nga një ambient i ndotur. Miku im i regjur, qeshi dhe me një përgjigje lakonike, por me nëntekst, më tha: të kishe dalë me dosje, do kishe të ardhme, perspektivë, do bëje karrierë, ndërsa tashti je i humbur. Dhe koha e vërtetoi këtë dukuri shoqërore. Disa prej “heronjve” të spiunazhit, shijnë sa majtas, djathtas, në pozicione të privilegjuara. Po të kesh përmjerr në xhami, nuk ke të drejtë të falesh. Në demokraci je qytetar i lirë i një shoqërie të emancipuar dhe të painkriminuar. Por në rast se ke bërë krime, ke marrë në qafë jetë njerëzish të pafajshëm, ke shpifur, intriguar, denoncuar, si është e mundur që përsëri, sot t’i ilegali emblematik i së keqes së dikurshme, sot je legal, me shpatën e demokracisë dhe përsëri gjykon, e viktimizon shoqërinë. Një shoqëri që drejtohet nga aktorë me duar të përlyera në detin e poshtërsisë, varrmihës të përjetshëm, është një shoqëri përjetësisht e traumatizuar. Ky është një problem që gjatë viteve të demokracisë e shohim të çeli si lulet në klimë të ngrohtë, herë në vazo, herë në sera dhe herë në fushë të hapur, por në asnjë rast nuk ka lidhur frutë. Problemi i dosjeve është një plagë që sapo mbyllet, po rrjedh qelb dhe ende s’është përcaktuar diagnoza, për ta kuruar dhe shëruar. Dosjet po trajtohen si shushunjat që i fut në shishe me ujë të pastër dhe i përdor disa herë për të thithur gjakun e keq dhe mbasi mbaron këtë akt, i ruan përsëri për një rast të dytë apo të tretë. Alibia e pafund t’i hapim apo mos t’i hapim dosjet, u bë si aforizma proverbiale, Shekspiriane, “të rrosh, apo të mos rrosh”. Dallgët e egërsuara të dosjeve, herë qetësohen dhe herë acarohen, sipas klimës politike. Megjithë baticat dhe zbaticat që kanë përfshirë dosjet në vitet e pluralizmit, përsëri s’kanë marrë përgjigje. Më mirë një fund i tmerrshëm, se sa një tmerr pa fund. Këtë operacion kirurgjikal të ndërgjegjes, për një moral të pastër të politikës sipas diagnozës së njohur, apo të pa njohur, duhet ekzaminuar. Disa nga vndet e kampit të lindjes, përfshirë këtu edhe Gjermaninë, e kanë ezauruar këtë fenomen duke përcaktuar dhe nivelin operacional që do kryhet në një shoqëri të depersonalizuar, për faj të sistemit shoqëror. Nuk mund të vesh shenjën e barazimit për të gjithë viktimat e përfshirë në vorbullën e dosjeve. Ka rrethana të vullnetshme dhe të detyrueshme, të manipuluara e fabrikuara nga ish-punonjës të sigurimit të shtetit që lavdinë e tyre e ngrinin mbi fatkeqësinë e viktimave të tyre. Në tregun e opinioneve për dosjet, ka patur vetëm tymnaja, por kurrë nuk ka patur përgjegjësi për individ konkret. Në asnjë fushatë propagandistike nuk ka patur autorë të apeluar dhe gjykuar, penalizuar, apo dënuar me një motivacion të shprehur. Dhe arsyet janë të njohura, që ky vend të rrijë në vend, të mos eci përpara, të mos zhvillohet, përparojë e lulëzojë. Të bësh radioskopinë e dosjeve është e vështirë që të nxjerrësh sumumin e së keqes reale. Burimet e dosjeve janë të ndryshme, sipas rrethanave, kushteve dhe procedurave të përdorura nga sistemi diktatorial. Nuk përjashtohen mundësitë që në këto 17 vjet dosjet të kenë pësuar deformime nga mjeshtrat e sigurimit që kanë ndërruar mantelin dhe ata të djeshmit janë aktivë edhe sot, por me një emër të ri, shikas, ose debatikas të sigurimit. Është e vështirë, por jo e pa mundur që të zbulosh të vërtetën në një humnerë të thellë, që jo kushdo e ka aftësinë penetruese dhe përcaktuese në rrugë institucionale. Në vështrimin tim dosjet duhet të hapen për atë kategori që me veprimtarinë e tyre të ndërgjegjshme kanë cenuar moralin shoqëror dhe sot shesin një moral të ri të nxjerrë nga gardëroba demokratike, të fabrikuar enkas për të ruajtur karrierën e tyre politike. Kjo gjeneratë duhet të largohet nga politika, duke i hapur rrugën gjeneratës së re që është e pastër, e përgjegjshme, e moralshme, e aftë dhe ambicioze për ta çuar vendin përpara, si në fushën politike, sociale dhe ekonomike. Njerëzit e inkriminuar në sistemin e kaluar, nuk kanë harruar zakonin edhe në sistemin e sotëm demokratik, ndaj ndien të frikësuar, të egërsuar dhe të uritur për të nxjerrë përfitime jashtë çdo morali shoqëror. Ata për mbijetesën e tyre në politikë, ju kanë mbyllur dyert njerëzve të ndershëm dhe të aftë. Shohim me keqardhje se rrugica për të hyrë njerëzit e ndershëm, është gjithmonë duke u ngushtuar, në një kohë që për njerëzit me vese vjen duke u zgjeruar, duke u bërë autostradë. Dihet që si çdo lojë tjetër edhe lojën e dosjeve e luajnë aktorët politikë, të së majtës dhe të djathtës, që janë në union me njëri-tjetrin. Të majtë dhe të djathtë, për shumë vite luajnë, hidh e pritë dhe asgjë në dritë. Pasioni i të dashuruarve pas dosjeve, mesa duket s’ka për t’u shuar kurrë. Dryni i dyerve të dosjeve nga dashnorët e politikës mbahet si karrem për ta përdorur sa herë që politika kalon në kriza institucionale.

Dosjet po ju rrinë shqiptarëve mbi kokë si shpata e Demokleut. Duhet dhënë fund përfundimisht kësaj komedie shokuese që e ka traumatizuar shoqërinë shqiptare.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora