E premte, 26.04.2024, 09:19 AM (GMT+1)

Mendime

Dorian Koçi: Rrugëtimi i identitetit fetar

E merkure, 14.11.2007, 07:25 PM


Rrugëtimi i identitetit fetar

Nga Dorian Koçi 
 

Dorian Koçi
Ekzistenca e shtetit shqiptar të vitit 13' e në vazhdim do përbente një kuriozitet të veçantë sociologjik për të gjithë ata që do ta ndiqnin nga afër, pasi kërkohej të kryhej pothuajse e pamundura, të ngrihej dhe mbijetonte një shtet me fqinjë agresivë që nuk dëshironin që ta njihnin pasi tokat shqiptare i konsideronin si plaçka të luftës ballkanike që kishin fituar, me rezerva financiare të pamjaftueshme as për të paguar rrogat e nëpunësve të vet dhe me një popullsi që ishte në mes të formimit të identitetit kombëtar dhe e ndarë në katër besime fetare. Nga të gjitha vështirësitë, kjo e fundit paraqiste pengesën më të madhe pasi identiteti fetar dhe bashkimi fetar ka qenë një nga qelizat më të forta të shoqërive,që kanë aspiruar dhe janë krijuar si kombe. Në vende të ndryshme këto tipare vazhdojnë ende të jenë përcaktues për zgjedhje të ndryshme apo hartimin e politikave të ndryshme.

Në Shqipëri, për shkak të ekzistencës së tre besimeve fetare, identiteti fetar u mënjanua nga zgjimi nacionalist i tyre, duke ia lënë rrugën kulturës dhe gjuhës kombëtare. Në këtë rrugë të pashkelur nga asnjë nga fqinjët e vet ballkanikë, shqiptarët filluan sprovën e tyre për të ndërtuar shtetin e tyre, sprovë që pas etheve të para vetëshkatërruese të bazuara mbi identitetet fetare, si lëvizja e Haxhi Qamilit, lëvizja "epiriotase" e Zografos dhe republika e "vetëshpallur" e Mirditës nga Marka Gjoni, përgjithësisht ka dalë me sukses, duke u bërë kështu një ilustrim i teorisë së dështuar të historicizmit dhe një rrugë moderne përsa i përket marrëdhënieve të shtetit me religjionin. Analiza tradicionale të marrëdhënieve midis shteteve dhe besimeve fetare, tregojnë se ka tre modele të tilla. Modeli i parë, është sistemi i bazuar në marrëveshje midis shtetit dhe besimeve fetare; modeli i dytë, është sistemi i karakterizuar nga ekzistenca e kishës shtetërore apo nacionale dhe
sistemi i tretë, i cili ka një ndarje të qartë midis shtetit dhe besimeve fetare. Modeli i tretë, i cili quhet dhe secular apo laik dhe është modeli të cilin ka marrë për bazë shteti shqiptar për të ndërtuar marrëdhëniet e veta me komunitetet fetare. A është kjo zgjedhje, një prirje moderniste e shqiptarëve apo është një zgjedhje e detyruar për shkak të identiteteve të ndryshëm fetarë që është e përbërë Shqipëria? Natyrisht përgjigje nuk mund të jepet lehtë, veçanërisht nëse krahason aspekte të tjera të jetës dhe kulturës sonë, për të parë nëse ato kanë qenë kaq moderne sa prirja e shqiptarëve përkundrejt besimit fetar në këto 85 vjet të shteti të stabilizuar shqiptar.

Por edhe në qoftë se nuk është kështu, domethënë zgjedhja në fillimet e viteve 20' ka qenë e imponuar për shkak të realiteteve fetare, askush nuk mund ta mohojë sot prirjen moderniste të identitetit fetar të shqiptarëve. Kjo prirje është e lidhur shumë e ngushtë dhe me identitetin kombëtar kaq të përfolur në ditët tona, aq sa shpesh herë duket se në debatin Lindje-Perëndim do të përcaktohet dhe vendi i shqiptarëve në hemisferë sipas besimit të tyre fetar. Kjo lloj përqasje mendoj se është e gabuar sepse të kërkosh t'i përshtatesh mjedisit (domethënë Evropës ku jetojmë) do të thotë që ta konsiderosh veten një "patate të Lisenkos", e cila rritet dhe fryhet por humbet shijen e vetë origjinale. Ka një farë afiksacioni të shqiptarëve në ditët e sotme me pragmatizmin e skajshëm të "evropianizimit" të jetesës së tyre , ku dhe identiteti fetar tashmë i paracaktuar sipas disave, përderisa rrojmë në Evropë duhet të ketë një tendence kristianizmi ose në qoftë se jo e tillë , të
"paktën semi-kristian" siç e përcaktonte Konica në prag të shpalljes së Pavarësisë.

S'ka asnjë gjë të keqe nëse në momente të caktuara, individë apo grupe njerëzish vendosin të përqafojnë një identitet tjetër fetar nga ai i mëparshmi, aq më tepër që kjo është e garantuar nga Karta e të Drejtave Themelore të Njeriut, artikulli 10, por kur kjo tendencë shkon dhe në përqafimin e një identiteti kombëtar tjetër atëherë këtu çalon diçka, dhe duhet të fillojmë të dyshojmë nëse zgjedhja është bërë sipas kërkesës shpirtërore të papërmbushur nga besimi i mëparshëm apo thjesht pragmatizëm në përftimin e një statusi të qytetarit të hemisferës perëndimore? Me hemisferë perëndimore nënkuptoj Perëndimin, me të tërë zhvillimin e tij social, historik, kulturor, përkundrejt Lindjes të përfaqësuar nga hemisfera lindore. Shqiptarët kanë pasur fatin historik (mirë apo për keq, kjo mbetet ende një pyetje e hapur) t'u përkasin të dyjave influencave dhe të jenë vendi ku të dyja botët janë ndeshur ashpër. Vetëm 95 vjet më parë territori ynë konsiderohej Lindja e Afërme dhe ishim
pjesë e një perandorie që shtrihej nga Eufrati deri në Ballkan, kurse 95 vjet më vonë territoret tona quhen Ballkani Perëndimor dhe jemi gati të hyjmë në njësinë më të përparuar përsa i përket sot zhvillimit kulturor, social dhe ekonomik - Bashkimin Evropian.

A do të marrim me vete ndonjë gjë nga të qënit tonë si ex-Near Eastern apo do hyjmë si present-Balcan Ëestern, që është afër për të mos thënë më mirë pro-european life style. Përgjigjen mund ta kërkojmë ta gjejmë në diasporat shqiptare në Evropë, të cilat janë integruar më shpejt sesa popullsia në Shqipëri në tërësinë administrativo-ekonomikë ku ne aspirojmë të hyjmë. Fatkeqësisht, vihet re një rigjallërim i identitetit fetar disa herë të trashëguar, disa herë të fituar në vendin pritës, dhe që shpeshherë është i shoqëruar dhe me përqafim të një identiteti tjetër kombëtar. Jemi ndoshta nga të paktat shtete në Evropë, që mund të kemi probleme të vetëdijes kombëtare dhe të "kacafytjes" nacionaliste për të bindur njerëz tanë bashkatdhetarë se na përkasin "neve" dhe jo "të tjerëve". Në fakt, fenomeni nuk është i ri, pasi në asnjë komb tjetër në Evropë nuk gjendet shprehja "gjaku ynë i shprishur". Për shekuj me radhë shqiptarët furnizuan repartet drithëruese të jeniçerëve dhe
shpeshherë qindra nga ata bënë një karrierë të shkëlqyer, me një identitet të ri fetar dhe identitet të ri kombëtar, por çështja shtohet nëse gabuam njëherë në mugullirat tona të historisë kur nuk ishim të ndërgjegjshëm si komb a duhet të gabojmë tani sërish në prag të festimit të njëqindvjetorit të Pavarësisë?

Duke qenë njëherë viktima të një inxhinierie sociale që na shkatërroi rëndë, sepse kthimi jonë nga Njeriu i Ri i socializmit real në homosapiensin normal u shoqërua me trauma, efektet e të cilave i shikojmë përditë në jetën tonë të përditshme, do të jetë shumë e vështirë që të krijojmë apo të marrim hua një identitet tjetër. Nëse ekzistenca dhe mbijetesa e shtetit shqiptar të vitit 1913' ka pushuar së qeni një eksperiment sociologjik, dhe është tashmë një realitet atëherë suksesin nuk duhet ta shikojmë në tipin e këshillave koniciane për të përqasur identitete, por në diversitetin e këtyre identiteteve. Shoqëria e sotme shqiptare pas një rrugëtimi të gjatë të integrimit të kulturave, si rezultat i identiteteve të ndryshme fetare, është çka Evropa ka propaganduar dhe kërkuar të jetë shoqëria e saj në të ardhmen. Krisma e armës që vrau arkidukën Ferdinant në Sarajevë më 1914, prishi përgjithmonë dhe Bosnjën idilike të Ivo Andricit dhe statukuo-n false të harmonisë midis
identiteteve fetare që se ndjenin veten një komb. Fatmirësisht shqiptarët kanë zgjedhur që të ndihen si komb në fillim dhe pastaj të identifikohen si identitete fetare dhe kjo prirje moderniste e tyre ka treguar se ka qenë zgjedhja më e mirë që kanë bërë ndonjëherë. Përgjigja proverbiale e poetit kombëtar të shqiptarëve patër Gjergj Fishtës, kur një diplomat francez e pyeti se si ka mundësi që të besosh në mbijetesën e një shteti të tillë me tre besime, ishte: "Po, është e vërtetë zotëri se kemi tre besime, por ne nuk kemi pasur ndonjëherë Natë Shën Bartolemeu", vazhdon të mbetet sfiduese edhe për kombe dhe shtete shumë më të zhvilluara sesa Shqipëria.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora