E enjte, 17.10.2019, 04:31 AM (GMT+1)

Komente

Baton Haxhiu: Kush janë këta njerëz?

E enjte, 08.11.2007, 04:01 PM


Nga Baton Haxhiu
baton.haxhiu@gazetaexpress.com

Proverbi latin sipas të cilit Jupiteri ua merr mendjen atyre që dëshiron t'i shkatërrojë, duhet përmirësuar dhe duhet bërë "në fillim ai ua merr sytë”. Dhe, kjo marrje sysh në rastin e fundit në Maqedoni ka një peshë të veçantë.

Baton Haxhiu
Gjashtë të vrarë në Maqedoni. Një luftim brenda një feudi të krijuar shqiptar ka bërë që të rikthehemi të logjika e luftës në Maqedoni. Zgjedhjet në Kosovë. Paqartësitë, dilemat rreth statusit dhe loja politike ka nxjerr njerëz me armë që po bëjnë garën e armatimit dhe lojën e çlirimit. Grupe shqiptarësh, të nxitur nga logjika e luftës, janë dhënë pas çlirimit të të gjitha territoreve shqiptare. Një “ushtri” e vogël e dalë kinse nga ish-UÇK-ja, u janë kthyer armëve. Sa më keq aq më mirë për ta, sepse mund ta kthejnë rejtingun dhe idenë e kauzës së përfolur në Perëndim më vonë në Kosovë dhe së fundi në Maqedoni, duke vizatuar harta dhe kufij sipas dëshirës. Proverbi latin sipas të cilit Jupiteri ua merr mendjen atyre që dëshiron t'i shkatërrojë, duhet përmirësuar dhe duhet bërë "në fillim ai ua merr sytë”. Dhe, kjo marrje sysh në rastin e fundit në Maqedoni ka një peshë të veçantë. Shqiptarët dikur të cilësuar viktima të një politike mizore të dhunës, tani mund të akuzohen për përhapje të dhunës. Ka filluar të ndjehet rreziku që Kosova ta humbë përkrahjen ndërkombëtare, pa të cilën kosovarët janë të humbur - refugjatë. Kush janë këta njerëz dhe çfarë duan? Fjala është kryesisht për njerëz të burgosur dhe disa ish- të përndjekur nga regjimi, të cilët vitet e tyre më të mira të jetës i kanë kaluar nëpër qytete të Perëndimit. Mirëpo, këta janë njerëz që pas luftës nuk e kanë gjetur veten në Kosovë dhe as në Maqedoni. Nuk e kanë vërejtur ndonjë shans për veten. Nuk kanë poste e as parti e as ndonjë ndikim në jetën shoqërore. Të frustruar, ata e zgjedhin mënyrën më të lehtë të të ndikuarit - konfliktin e armatosur, sepse zgjedhja politike nuk mjafton dhe nuk u duket rentabile. Për ta , sa më keq aq më mirë!, sepse vetëm ashtu mund ta kthejnë rejtingun dhe idenë e kauzës së përfolur nëpër kafe për vite të tëra -duke vizatuar harta dhe kufij sipas dëshirës. Por, kjo logjikë nuk është e pëlqyeshme, sepse kurba politike nuk ka të bëjë me luftën, por me stabilitetin në rajon. Natyrisht, ka me çka të kritikohet Maqedonia. Natyrisht, se ka çka t'u thuhet pushtetarëve në Maqedoni. Nuk duhet të mendojmë se me një dhunë minimale mund të pengohet një padrejtësi e madhe. Kështu do të kishim vepruar sipas mëshirës, siç bën polici, që shtie kundër një vrasësi të çmendur, për të shpëtuar jetët e shumë të pafajshmëve. Kjo është e patolerueshme. Por, së fundi, duhet thënë edhe diçka për shtetin Maqedonas dhe Menduh Thaçin. Është një lojë tjetër koncepti mbi sovranitetin në shekullin e 21-të. Duhet të kemi parasysh se nuk është fjala për një koncept ekspansiv të sovranitetit, porse për një koncept kufizues. Sovraniteti shfaqet më tepër si rregull dhe diçka e përjetuar, por në qoftë se shteti është sovran, ai mbetet i tillë vetëm për aq kohë sa nuk abuzohet me të. Kjo mund të bëhet institucionalisht e jo me logjikën e hartave të vizatuara në faculeta. Ideja e një Serbie të madhe dhe luftërat e përgjakshme të kryera në emër të saj, e kanë sjellë popullin serb në gjendjen e sotshme të turpit. Thuajse askush nuk ka besuar se Serbia do të mbetet pa sovranitet, me gjithë atë armatë të fuqishme që kishte. Nëse dikush mendon se lufta për troje të reja etnike do ta arsyetojë ndonjë kryqëzatë të mundshme të shqiptarëve për çlirim të të gjitha trojeve etnike, duke krijuar “ushtri kombëtare”, kjo ide është gabim. Kosovarët që po rrinë në malet e Maqedonisë në asnjë mënyrë nuk duhet t'ua kenë lakmi serbëve në ditë të sotme. Dhe ushtritë çlirimtare të reja duhet ta kuptojnë se UÇK-ja nuk mund të ndodhë për çdo ditë. Të mos harrojmë se Maqedonia është shteti i pare fqinjë që ka marrë anën e Kosovës dhe përkrahjen për njohje, në momentin që vendoset çështja në Këshillin e Sigurimit. Grupet me armë nuk na duhen për të krijuar feude dhe sundim fshatrash dhe fshatarësh, e as nuk na duhen për vizatim kufijsh. Ka kush e bën këtë! Dilema mbetet e pasqaruar: Kush janë këta njerëz? Dhe a janë ata, siç thamë më lartë, të dëshpëruarit e Kosovës?



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT