E premte, 26.04.2024, 07:19 AM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Bamir Topi: Ceremonite fetare në gjuhën shqipe

E marte, 06.04.2010, 07:00 PM


Tedi Blushi

 

Presidenti i Republikës, Bamir Topi nderoi dje katër udhëheqësit më të lartë shpirtërorë të bashkësive fetare në vend me urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”. Në fjalën e tij të rastit, kreu i shtetit deklaroi mes të tjerash se “harmonia fetare është me rëndësi. Jam krenar për bashkëjetesën fetare”. Ai kujtoi amanetin e klerikut At Zef Pllumi, se lutja e Zotit duhet të përçohet në gjuhën amtare dhe se feja do të respektojë traditat amtare dhe të ndihmojë në ruajtjen e vlerave të popullit shqiptar. “Një nga simbolet më sipërore të besimit, të qëndresës, të shkrimit dhe të dëshmisë, At Zef Pllumi, na la porosinë që besimi, sa të jetë e mundur, të transmetohet në gjuhën amtare, se kështu fjala e Zotit prek më lehtë mendjet dhe zemrat e njerëzve, i bën fuqishëm për vete, i njeh ata si të tijtë”, - u shpreh kreu i shtetit. Ai theksoi gjithashtu se, “shprehja e jashtme e besimit fetar duhet të përputhet me traditën tonë kombëtare në veshje, në lutje, në predikime, në falje, në agjërime, pse feja nuk duhet ta modifikojë pasurinë e traditës, nuk duhet të zbehë bukurinë e vlerave tona historike, përkundrazi duhet t’i nxjerrë më në pah ato”. Në funksion të të njëjtit qëndrim, Presidenti i Republikës u ndal edhe në shprehjen lapidar të rilindësit, Pashko Vasa. “’Feja e Shqiptarit është shqiptaria’, pat thirrur Pashko Vasa në një moment të vështirë për kombin dhe kjo, siç është pranuar, na rezulton e vërtetë në këndvështrimin e ideologjisë kombëtare, ashtu siç e dimë të gjithë që feja e shqiptarëve është Zoti në botëkuptimin individual, besimtar e doktrinar. Shqiptarët kurrë nuk qenë fanatikë, ata ishin shqiptarë dje e shqiptarë sot, shqiptarë në jetë të jetëve”, - vuri në dukje Topi.

 

Dekorimi

 

Kryetari i Komunitetit Mysliman, Hafiz Selim Muça, kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, Anastas Janullatos, kryetari i Komunitetit Katolik, Monsinjor Imzot Rrok Mirdita si edhe kreu i Komunitetit Bektashi, Haxhi Dede Reshat Bardhi, u dekoruan me motivacionin: “Për kontributin dhe veprimtarinë e vyer në ringjalljen e besimit shpirtëror dhe shpresës për një të ardhme më të mirë, për ringritjen e institucioneve të kultit si dhe për forcimin e pasurimin e mëtejshëm të harmonisë, tolerancës dhe bashkëjetesës ndërfetare të popullit shqiptar”. Topi është i pari president shqiptar që e ndërmerr këtë hap, për të dekoruar përfaqësuesit e katër komuniteteve fetare në vend. Presidenti vlerësoi mandej rolin e katër klerikëve, ndërsa nënvizoi se është detyrim kushtetues që ta ushqejmë dhe ta përsosim këtë harmonizim fetar. Ai theksoi gjithashtu se, “është i papranueshme përdorimi i fesë për politikë. Kur kjo tendencë e veprimeve fetare me prapavijë politike shfaqet, atëherë ne duhet të veprojmë me forcë për ta ndalur fenomenin që në nisje”, - u shpreh Topi. Të katër përfaqësuesit e komuniteteve fetare i shprehën Presidentit të Republikës falënderimin dhe mirënjohjen e tyre të veçantë për vlerësimin që u bëri dhe shtuan se, “do e çojnë përpara tolerancën fetare”.

 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora