E premte, 26.04.2024, 04:35 AM (GMT+1)

Faleminderit

Fan S. Noli – Kolos i atdhedashurisë dhe i kulturës sonë

E shtune, 03.02.2007, 10:14 PM


Nga Gjekë Gjonlekaj - Nju Jork

Njeriu përjeton disa çaste në jetë të cilat nuk shlyhen kurrë nga kujtesa. Këto momente lënë mbresa të thella që nuk harrohen kurrë.
Me 14 mars të vitit 1965, një koleg imi i Gjimnazit të Gjakovës më njoftoi heret në mëngjes për vdekjen e Fan Nolit. Ai tha se këtë njoftim e kishte dëgjuar në emisionin shqip të “Zërit të Amerikës”. Lajmin për vdekjen e Fan Nolit e përjetova si një humbje personale. Nuk e di pse. Antologjitë e letërsisë shqipe të cunguara nga cenzura botonin disa poezi, një fotografi dhe biografi të shkurtër të Fan Nolit. Ato pak poezi i mësonim përmendësh dhe në biografi shkruhej se Fan Noli jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në qytetin Boston. Fotografia e tij në antologji ishte shumë tërheqëse. Ajo figurë hyjnore menjëherë të bënte për vete. Rrobet e zeza me kollare të bardhë me kujtonin priftin e vendlindjes, Dom Simon Filipaj. Noli dhe veprimtaria e tij në Shtetet e Bashkuara zgjonte për mua një interesim të veçantë. Amerika dhe Noli përfaqësonin begatinë, diturinë dhe lirinë. Si nxënës atë kohë gëzonim disa të mira materiale nga Shtetet e Bashkuara. Disa profesorë të gjuhës dhe letërsisë shqipe nuk e përfillnin shumë cenzurën dhe flisnin për Nolin me dashuri e adhurim të posaçëm. Natyrisht, ata kërkonin që shpjegimet e tyre të mos dilnin jashtë klasës. Në atë kohë njerëzit ishin shumë besnikë.
Marsi për shqiptarë është muaj shqetësues, bile në mars janë vrarë ose kanë vdekur, shumë personalitete të shquara të kombit tonë midis tyre edhe Imzot Noli. Dyzetë vjet më parë, më 13 mars u shua si meteor në qiellin e madh të Amerikës rilindasi shqiptar i fundit. Mund të thuhet lirisht figura më poliedrike e racës arbërore. Kolos i vërtetë i atdhedashurisë dhe kulturës.
Me 2 prill të këtij viti, u nda nga kjo jetë Papa Gjon Pali i Dytë.Shtypi dhe radio-televizioni botëror e përcollën me vëmendje dhe respekt këtë mort të madh. Patëm rastin dhe morëm pjesë në atë ceremoni madhështore në Vatikan. U shkrua dhe u fol shumë për jetën dhe veprimtarinë e Papës.
Nuk e di pse, por tërë kohën mendonim kush është ai shqiptar që mund të krahasohej me Papën Gjon Palin e Dytë. Ato ditë flitej veçanërisht për figurën poliedrike të Karol Vojtilës. Të gjitha krahasimet dhe analizat tona e nxirrnin Nolin më afër Papës se asnjë personalitet tjetër shqiptar. Papa teolog, Noli teolog. Papa poliglot, Noli poliglot. Papa poet, Noli poet. Papa ekumenik, Noli ekumenik. Papa aktor, Noli aktor. Papa diplomat, Noli diplomat. Papa orator, Noli orator. Papa patriot, Noli patriot e shumë e shumë tituj të tjerë që nuk po i përmendim në këtë shënim. Edhe jetëgjatësinë e patën të njëjtë. Papa 84, Noli 83 . Të dy vepruan për të mirën kombëtare dhe pushojnë në amshim jashtë atdheut.
99 vjet më parë, arriti në Tokën e Re, në moshën 23 vjeçare njeriu që do t’i printe popullit të vet në rrugën e mundimshme të lirisë dhe pavarësisë. Ky apostull i lirisë do të punojë tërë jetën për tokën e premtuar. Hyri dhe u laurua në tempujt më të lartë të dijes në Amerikë. Bashkoi shqiptarët duke themeluar institucione pan-shqiptare, që gjatë kësaj dekade do të kremtojnë 100-vjetorin e tyre, siç janë gazeta “Dielli” dhe Kisha Ortodokse Shqiptare. Nderoi racën arbërore me aftësitë e tij kulturore më shumë se asnjë shqiptar tjetër jashtë atdheut. Punoi dhe bashkëpunoi me elitën fetare kulturore dhe politike të Amerikës dhe Evropës. Koleg klase në Harvard me babain e Presidentit John F. Kennedy. U ftua në Shtëpi të Bardhë nga Presidenti Johnson të mbante ligjeratë për Shekspirin, me rastin e 400-vjetorit të lindjes, bile Peshkopi ynë bëri edhe lutjet fetare të rastit. U takua dhe bisedoi me Presidentin Wilson për shpëtimin e Shqipërisë. Mori pjesë në konferencat më të rëndësishme ndërkombëtare për çështjen shqiptare. U shqua edhe në fushën diplomatike dhe politike. Ngriti fonde financiare me vlerë të sotme miliona dollarësh për shpëtimin e Shqipërisë. Në kohën kur po bënte këtë fushatë shkroi vargjet poetike që ishin thirrje biblike “Mbahu Nëno mos ki frikë se ke djemtë në Amerikë”. Kreu detyrat më të larta në atdhe. Themeloi Kishën Ortodokse Autoqefale Shqiptare. Shkroi shqip dhe anglisht historinë e Skënderebut. Shkroi vepra të mëdha të letërsisë dhe muzikës, kryevepra këto që u komentuan nga elita botërore e kulturës. Ngriti 13 kisha ortodokse shqiptare në Amerikë. Përktheu shqip dhe anglisht libra me karakter kombëtar e fetar. Ne moshen 80-vjeçare mësoi gjuhën aramaike të Jesu Krishtit. Shkroi dhe botoi 40 vepra kulturore të fushave të ndryshme. U shqua në fushën e gazetarisë. Profesor Martin Camaj thotë se publicistika shqiptare arriti kulmin me Nolin e Konicën , mbasi sollën në gazetarinë shqiptare përvojën e shkollës amerikane. Shqipëroi vepra të mëdha të kulturës botërore. Udhëzoi dhe inkurajoi klerikët myslimanë, katolikë e bektashinj për themelimin e institucioneve të tyre fetare në Amerikë. Idenë e Monsinjor Zef Oroshit për afrimin dhe e mundësisht bashkimin e Kishës Orotodokse dhe Katolike Shqiptare e priti mirë. Por mosha nuk premtoi që kjo vepër të shkonte drejt realizimit. Nderoi të gjithë ata shqiptarë dhe të huaj që punuan për Shqipërinë. Ua njohu zotësitë dhe meritat edhe kundërshtarëve më të mëdhenj. Zhgënjimet më të mëdha i pësoi në jetën politike. Në jetën fetare shoqërore dhe kombëtare të shqiptarëve të Amerikës, Imzot Noli gëzonte respekt të jashtëzakonshëm. Shqiptaro-amerikanët e moshuar tregojne shumë për Peshkopin e tyre të dashur.. Ata thonë se Noli i paralajmëronte famullitë shiptaro-amerikane për vizita baritore dhe ata lajmin e vizitës së Uratës e prisnin me gëzim. Në meshët e Nolit merrnin pjesë të gjithë. Ai predikonte ungjillin shqip dhe anglisht. Para ose pas meshës tregonte shumë barcoleta. Besimtarët shkonin në kishë shumë të gëzuar, sepse atë ditë do të dëgjonin edhe humorin e tij të shkëlqyeshëm. Bile, për të qenë sa më origjinal, ai vetë bëhej objekt humori. Shumica e sukseseve të shqiptarëve të vjetër të Amerikës lidhën me Fan Nolin. Dukej si një patrik.
Sipas shkrimeve të shenjta, dyzet ditët dhe dyzet vjetët e vdekjes shënohen dhe kujtohen. Me sa dijmë, 40-vjetori i vdekjes së Imzot Nolit kaloi pa asnjë përkujtim serioz. Bota shqiptare brenda e jashtë atdheut e injoroi dyzetvjetorin e humbjes së këtij Mojsiu shqiptar. Shtypi shqiptar ka shkruar se atje në Evropë e këtu në Amerikë janë bërë ceremoni përkujtimesh për disa njerëz që në krahasim me Nolin nuk kanë asnjë meritë. Vitin që vjen është 100-vjetori i zbarkimit të Nolit në Tokën e Re, që për shqiptarët e Amerikës është një Kristofor Kolombo i dytë. Ata që përgatiten për të hyrë në Evropë dhe në Amerikë me ikonën e Nolit do të jenë më të besueshëm dhe më të pranueshëm. Bota e qytetëruar investon shumë për të nxjerrë në dritë personalitetet e mëdha, siç ishte Fan Noli. Ky injorim u bë për inate politike e ndoshta edhe për diçka tjetër. Të harrohet dhe lihet në terr një figurë e ndritur me permasa ndërkombëtare tregon edhe mosrespektin për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku gjetëm shpëtimin. Dyftyrësia me Amerikën pas katastrofës së 11 shtatorit nuk do të pranohet në shoqërinë amerikane të lënduar.
Eshtë detyrë e Sinodit të Shenjtë të Shqipërisë në bashkëpunim me institucionet e tjera fetare shqiptare të fillojë procedurën e shenjtërimit të këtij prelati shqiptar. Kjo figurë gjeniale dhe e shenjtë meriton të gdhendet në Malin e Dajtit ose në Malin e Tomorrit, ashtu siç është gdhendur figura e Thomas Jeffersonit në Malin Rushmore. Në udhën tonë të gjatë dhe të errët, Noli ishte dhe mbetet për ne si një Yll Drite.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora