E shtune, 14.12.2019, 12:33 PM (GMT)

Komente

Nuri Dragoj: Dialog me Heroin e Popullit, Musa Fratari

E premte, 28.09.2007, 06:12 PM


Nga Nuri Dragoj

Nuri Dragoj
Rrëzohet Musa Fratari. Një fshatar i tij, ikur prej vitesh në SHBA, vjen një ditë për mall në vendlindje, por nuk mund të largohej pa rrëzuar Musa Fratarin. Nuk dihet shkaku, por ai kishte deklaruar: “Do ta rrëzoj se ka qenë komunist”. Kishte vite që bashkëjetonte me heroin. Ai kulloste bagëtitë dhe Musai prehej i qetë në botën e tij. Por jepte dhe mesazhe për paqen, për lirinë. Kur u rrëzua komunizmi, Flamur Veizaj, si shumë të tjerë shkuan emigrantë. Pas disa viteve mërgimi, i ishte ngulitur në mendje se gjithë të këqijat i kishte pasur nga Musai. Këtë bisedë e kishte bërë me një bashkëmoshatar të tij. I kishte deklaruar se do ta hidhte bustin e heroit në shesh.

- Jo, i qe përgjigjur bashkëfshatari, i cili ishte motak me të. Musai nuk ishte komunist, por internacionalist. Ka luftuar në Spanjë kundër fashizmit.
- Nuk më duhet gjë mua, - ia kishte kthyer “armiku” i Musait. Për mua janë komunistë të gjithë ata që luftuan fashizmin. Do të ishim shumë më mirë me fashizmin, pasi nuk do të vinte komunizmi, i cili për mua ka qenë më i keqi i kohërave.
- Për komunizmin ke të drejtë, pasi ka qenë shumë i ashpër, ka dënuar njerëz kot, shpronësoi pronarët, zhvilloi një luftë klasash të paparë, por se do të ishim më mirë nën thundrën e fashizmit, këtë nuk ta pranoj,- e kundërshtoi fshatari. Ne u rreshtuam ne koalicionin e madh antifashist dhe këta luftëtarë nderohen nga e gjithë bota, - ia ktheu tjetri. Po të mos ishim me aleatët, do të na kishin bërë copa fqinjët.
- Nuk dua të di se çfarë bën bota, unë e quaj komunist dhe do ta rrëzoj përtokë, - kishte deklaruar ai.
- Po mirë, more Flamur, - i ndërhyri sërish bashkëfshatari. Përse e ke marrë kaq shumë inat Musain. Ai na ka nderuar të gjithëve.
- E kam inat se sistemi që erdhi nga lufta dhe gjaku i tij, më kanë futur babanë në burg.
- Mos more djalë, - ia kthen tjetri. Yt at, Xhaferri, nuk është futur në burg për politikë. Nuk ka qenë kundër qeverisë së Enver Hoxhës. Ai e ka duartrokitur përherë. Me një fjalë, ka qenë pro saj. Kooperativa i ndërtoi dhe shtëpinë tyt eti, me një kredi që kredi i thënçin. Ty mbase nuk të kanë treguar, por babai yt u fut në burg se rrahu kushëririn e vet. Edhe sot të fusin në burg, në Shqipëri dhe Amerikë, në rast se rreh një tjetër. Sepse kështu dhunon të drejtat e tij.
- Ti thuaj çfarë të duash. Unë e kam vendosur që do ta rrëzoj e bëj copë-copë. Dhe e rrëzoi.
Të tjerë fshatarë u acaruan me këtë veprim dhe lajmëruan policinë. E morën shqiptaro-amerikanin me emrin Flamur dy ditë në Komisariatin e Policisë së Përmetit dhe e lëshuan, sepse ai kishte marrë nënshtetësinë amerikane. Nuk mund ta mbanin gjatë në izolim.

Bisedë imagjinare me Heroin e Popullit, Musa Fratari

Do të më falni, se mbase dhe bezdiseni me biseda të tilla, por kam dëshirë të zhvillojmë një dialog. Në radhë të parë, dua t’ju pyes: Mësuam se u rrëzuan dhe u copëtuan për tokë. Thanë që këtë gjë e ka bërë një bir i fshatit tuaj. Si u ndierë pas kësaj?

- Ashtu siç mund të ndihet gjithkush që nëpërkëmbet. Nuk më vjen keq vetëm për vete, por më tepër për këtë komb që nuk diti asnjëherë t’i ruajë heronjtë e vet. I mbajmë pak kohë dhe pastaj i anatemojmë, i hedhim. Nuk kemi më nevojë për ta, thonë. Kur dëgjova se kanë sharë dhe Skënderbeun, thash me vete: Nuk është asgjë kjo që më bëjnë mua.

- Po përse ju quajnë komunist? A kishte Parti Komuniste në kohën tuaj?

- Ky është një budallallëk i madh. Unë nuk e kam arritur komunizmin. Isha një i ri që nuk pajtohesha me dhunën. Doja liri. Mbase çdo të riu i pëlqen liria, por sidomos kur ke dy gram shkollë dhe e di mirë se ç’është ajo, ndihesh vërtet keq kur të mungon. Ndaj, njeriu duhet të luftojë për ta fituar lirinë e munguar. Dhe kjo liri kërkohet me revoltë, me kërkesa të njëpasnjëshme, me presion ndaj atyre që mund ta lirojnë sado pak litarin që e mban shtrënguar lirinë. Pasi, si atëherë, nën regjimin e Zogut, edhe më vonë në regjimin e Enver Hoxhës apo dhe sot kur ju e quani demokraci, nuk ka liri, ose ka fare pak të tillë. Edhe tani duhet kërkuar më shumë për ta fituar se ajo ekziston, është diku në thellësinë e një tuneli, por nuk e lejojnë të dalë në dritë, të marrë frymë lirisht.

- Ne tani kemi liri plot. Flasim sa të duam. Themi çfarë të duam. Në kohën e Enverit nuk flisje dot si tani...

- Dakord jam. Është mirë që njeriu të shpreh lirshëm atë që do. Po liria nuk është vetëm të flasësh. Ka një kuptim më të gjerë. Ju p.sh në vitin 1997 vratë njëri-tjetrin. Më shumë se në luftë. Liri e quan ti këtë?

- Atë vit vrasjet kanë ndodhur se u dhamë shumë liri fajdeve. Tani jemi më mirë. Po unë po ju pyes për kohën tuaj, jo për tani, se këtë e shohim dhe e rregullojmë vet.

- Në kohën tonë liria ishte shumë e cunguar. Unë kisha shfaqur disa herë revoltën time ndaj regjimit të Zogut për mungesën e lirisë. Bëhet fjalë për vitet 1930-1936. Ministria e Punëve të Brendshme, me urdhrin e saj nr. 2467, datë 17.12.1932, më hoqi të drejtën e qëndrimit në Tiranë dhe më izoloi në Fratar për gati 4 vjet. Kuesturës së Përmetit në atë kohë i jepej porosi nga qendra “...ndiqni lëvizjet e tij11”.

- Po ju si vepruat më tej?

 E kisha të vështirë të nënshtrohesha, por dhe me regjimin nuk është e lehtë të ndeshesh. Jo me atë të Zogut, por me çfarëdo regjimi, sepse të gjithë flasin për lirinë, por asnjë nuk e respekton atë. Në shtator të vitit 1932, shkova në Francë, ku ishte dhe vëllai im, Sulua. Por dhe aty nuk qëndrova shumë kohë. Nuk gjeta dot punë të përshtatshme. U nisa për në Itali. E keqja është se edhe aty flisja për nevojën e një frymëmarrjeje më të madhe për lirinë dhe duket se cënoja regjimin, i cili kishte filluar të egërsohej dhe të vendoste një rend ushtarak. Dikush më spiunoi dhe më larguan nga shkolla ku studioja. Por edhe kjo nuk u mjaftoi. Më dënuan 5 vjet burg. Por pata dhe fat se, një vit më vonë, përfitova nga një amnisti dhe u ktheva sërish në Shqipëri.

- Qëndrove në Tiranë, apo erdhe në fshat?

- Kush të linte në Tiranë. Ata komunikonin me qeverinë e Tiranës. Më izoluan në fshat.

- Pas kësaj besoj se e mbylle gojën, pasi e pe rrezikun?

- Jo, nuk heshta për asnjë çast. Edhe tani po të isha midis jush, nuk do të heshtja. Njeriu nuk duhet të heshtë kurrë para padrejtësive, para humbjes së lirisë. Në fshat vazhdova të flas hapur kundër regjimit. Kuestura e Përmetit, lidhur me këtë çështje, do t’i shkruante Ministrisë së Brendshme se “..Musai është bërë element i padurueshëm”12.

- Po pastaj?

- Krijova lidhje me disa patriotë si me Riza Cerovën e të tjerë. Me Rizanë takoheshim shpesh. Por, nuk pata lidhje të gjata me të se më dërguan ushtar në Elbasan. Pak më vonë vendosa të shkoj në kurbet.

- Të linin të shkoje në kurbet në atë kohë, se tani mund të shkosh vetëm maleve, ku mund të humbasësh dhe jetën. Vizë është e vështirë të marrësh. Ti si veprove?

- Duket se ne jemi të dënuar të vuajmë përjetë. Atëherë ishte edhe më e vështirë. Në 25 maj 1936, me anë të një kërkese iu drejtova Ministrisë së Punëve të Brendshme, të cilës i kërkova të qëndroja në Tiranë, pasi dëshiroja të emigroja jashtë vendit. U thash se largimi jashtë nga Tirana është më i lehtë se nga Fratari. Në kërkesë shkruaja se "..përveç instinktit liridashës, më shtrëngon problemi i bukës së përditshme"13.

- Besoj, pas kësaj, të lanë të lirë?

- Jo, nuk më lanë. Prapë vazhdonte i njëjti avaz. Më thoshin se duhet të bindemi që duhet të rrish urtë.

- Po ti çfarë bëre, iu binde kërkesës së tyre?

- Këmbëngula duke kundërshtuar, por dhe kritikuar. Revolta ndaj “prangave” të regjimit vazhdoi. Ajo pasqyrohet qartë edhe në një prej kërkesave të mia, drejtuar ministrisë, ku shkruaja: “... që të jesh i lirë për në Tiranë, më kërkojnë garant nëse do të qëndroj urtë dhe nuk do të bëj ndonjë vepër të keqe..10”. Unë nuk e kuptoja dhe vazhdoj të mos e kuptoj se “çfarë kërkojnë prej meje, pasi nuk di të kem bërë ndonjëherë sjellje të keqe”. Ndaj, për t’u dhënë autoriteteve të kuptonin se nuk bëhen deklarata për lirinë, pasi liria si vet fjala është e lirë, shkruaja se “...sipas kërkesës lëshova deklaratë, se nuk mund të jepja garanci për lirinë time personale"14.

- Kjo do të ketë kushtuar shtrenjtë, se po nuk iu binde shtetit, e ke të vështirë të ecësh përpara.

- Patjetër, por unë isha i ndërgjegjshëm se nuk arrihet asgjë pa kosto. Pas shumë peripecive, gjeta mundësi dhe shkova në Francë. Nuk po ta tregoj tërë historinë se është e dhimbshme dhe do kohë të gjatë. Aty u njoha me disa patriotë. Shkëmbyem mendime me ta, madje me Halim Xhelon bashkëpunuam gjatë. Ishte koha kur fashizmi kishte ngritur krye dhe ishin bërë publike disa deklarata për një bashkim të mundshëm të Italisë me Gjermaninë, të cilët do të sulmonin botën. Ca e besonin, ca jo. Kishte mendime të ndryshme.

- Flitej për luftë që në atë kohë?

- Mos më thuaj që në atë kohë, pasi bëhet fjalë për kohën kur kudo flitej për një pushtim të tmerrshëm, për shuarje të njerëzimit. Spanja kishte bërë thirrje për ndihmë. Ajo kishte kërkuar vullnetarë nga e gjithë bota për t’u bashkuar në luftë kundër fashizmit.
- E kam dëgjuar. Kanë shkuar edhe nga Shqipëria. Ka qenë dhe Mehmet Shehu, i cili ka qeverisur në kohën e diktaturës bashkë me Enver Hoxhën.

- Nuk i kam njohur as njërin, as tjetrin. Por kam njohur shumë shokë të tjerë që luftuan me trimëri për të shporrur hordhitë fashiste. Ti nuk e merr dot me mend se çfarë lufte është bërë në Spanjë. Është derdhur shumë gjak.

- Luftuan vetëm spanjollët, apo edhe ju që shkuat nga vende të tjera?

- Luftuan të gjithë. Ne që shkuam nga vende të tjera nuk ishim pak, por mbi 35 mijë vullnetarë nga 55 vende të botës që iu përgjigjëm thirrjes për të qenë bashkë në vijën e frontit kundër pushtuesve. Për të fituar lirinë populli spanjoll, në vitin 1936, kanë shkuar vullnetarë tre burra nga rrethi i Përmetit. Kam qenë unë, Daut Muço Potgorani dhe Sabri Lumani nga fshati Katundishtë, që të tre nga krahina e Dëshnicës. Shkuam në luftën e Spanjës së përgjakur për t’i dhuruar lirinë atij populli, por edhe për të frenuar revanshin fashist. Ne në atë kohë nuk mendonim ”të ruajmë fshatin a shtëpinë tonë”, por mendonim t’i bënim pritë fashizmit që në nisje, me qëllim që të mos mund të shkonte në vende të tjera. Dhe mirë e kishim, se siç e keni parë e dëgjuar, në Luftën e Dytë Botërore janë vrarë më shumë se 50 milionë njerëz. Nuk janë pak.

- Kjo besoj se është një shembull i mirë për gjithë popullin shqiptar.

- Nuk di si e shihni ju, por ne mendojmë se me veprimin që kryem i treguan botës se ka një popull shqiptar, ka një Shqipëri, një histori shqiptare të gatuar me gjak dhe me lavdi në shekuj...

- A e mban mend në çfarë brigade ishe inkuadruar ti?

- Si s’e mbaj mend. Kam qenë në Brigadën Internacionale "Garibaldi".

- Ke parë ndonjë shok të vritej para syve të tu?

- Një thua ti, apo qindra. Në fazën e parë të Ofensivës së Ebros vritet Asim Vokshi. E kam përjetuar shumë humbjen e tij, pasi e kisha njohur nga afër. Bashkë me shokë të tjerë, i bëmë një letër nënës së tij, se “..Asimi kishte rënë për lirinë e popujve..”. Në këtë letër i betoheshin nënës së Asimit “..të mos trishtohej se kishte plotë Asim të tjerë, që nuk do të linin pa i marrë hakun”.

- Duket se ka qenë betejë e madhe. Diku kam lexuar për të.

- Nuk di çfarë ke lexuar ti, por beteja e Ebros, ishte një nga më të ashprat. Është e vështirë të përshkruhet me fjalë. Ajo filloi më 25 korrik dhe mbaroi më 15 nëntor të vitit 1938. Mua më kishin caktuar përgjegjës të skuadrës së mitralierëve të kompanisë. Në kalimin e ofensivës së falangës fashiste, në betejën legjendare të Korberës, vendosëm me shokë të mos tërhiqemi për asnjë çast nga fronti. Pranë kisha një italian, shumë i ri në moshë. Ishte student. E quanin Mario. Ai më furnizonte me municion. Për fat të keq fashistët ishin shumë dhe të armatosur mirë. Unë dhe Mario u vramë më 25.9.1938.

- Jeni me të vërtetë heronj. Të japësh jetën kundër atyre që kërkonin shuarjen e njerëzimit, është më shumë se veprim heroik. Vrasja juaj ka pikëlluar tërë të dashurit, por dhe më gjerë. Kam dëgjuar se kur lajmi mbërriti në Dëshnicë, babai juaj, Ali Kamja u ngrys në fytyrë. I ishte vrarë djali. Tërë Fratari derdhi lot. Qau Dëshnica dhe Përmeti. Më pas lot u derdhën dhe për Daut Muço Podgoranin, i cili ra për lirinë e popujve të kërcënuar nga fashizmi. Sabri Lumani mbeti gjallë, por lufta i mori dëgjimin. Tërë jetën e kaloi në Memaliaj i privuar nga e drejta e dëgjimit të tingujve të jetës. Filloi të ndihej rreziku i të keqes së madhe nazifashiste.

- E vërteta është kjo. Lufta e Spanjës tregoi solidaritetin ndërkombëtar kundër një të keqeje të madhe që kërcënonte njerëzimin. Vullnetarët e lirisë luftuan me forcë kundër bishave nazifashiste, por nuk mundën t’i shfarosnin në kohë ato, për shkak të punës përgatitore që kishin bërë pushtuesit, duke futur në radhët e spanjollëve shumë tradhtarë, të cilët devijonin planet luftarake në interes të farës së keqe naziste. Ju gjykoheni si të doni.

- Besoj jemi në një mendje. Fashistët erdhën edhe në Shqipëri. U bë luftë e madhe. Ca thonë se u vranë 28 mijë vet, 28 mijë dëshmorë. Ca thonë se janë vrarë më pak. Po kjo nuk ka rëndësi. Ju keni pasur të drejtë që mendonit se fashistët do të pushtonin botën. Po prapë unë nuk e kuptoj se cili është shkaku që ju rrëzuan, ju nuk keni qenë komunist?

- Këtë duhet ta gjeni ju. Ju e dini shkakun.

- Kam dëgjuar se disa fshatarë kanë kërkuar për të rivendosur përsëri në vend nderi. Do të financojnë vet dhe busti të vihet aty ku ka qenë. Kjo mund të bëhet realitet, sepse jemi në demokraci dhe ka liri.

- Nëse do ta bëjnë, veten e tyre do të nderojnë. Ju mbase keni dëgjuar që kombet qëndrojnë në këmbë në sajë të gjakut të derdhur nga heronjtë e tyre. Por mos harroni se, një komb që nuk kujton dhe nderon heronjtë e vet, është i destinuar të shuhet. Ndërsa për sa i përket lirisë, mos më gënje. Liri nuk ka. Liria është shumë larg. Nuk ka as në Amerikë ku ka shkuar ai djali që më rrëzoi. Se po të kishte, ai nuk do të guxonte të shkelte lirinë e tjetrit. Mund të jesh i lirë, deri në momentin që cenonin tjetrin, pas këtij momenti nuk je më i lirë. Ne për këtë luftuam. Luftuam se fashistët po cenonin lirinë e një kombi tjetër. Ishim të bindur se cenimi i lirisë do të vazhdonte, pasi ata nuk e donin lirinë, ose e shihnin atë vetëm si të drejtë të tyre. Jo të gjithë ata që u rreshtuan në luftë me ta ishin malinj në shpirt, vrasës e gjakësor, pasi ushtarët janë popull dhe drejtohen me urdhër. Bëhet fjalë për klikën fashiste. Popujt nuk kanë asnjëherë faj, por ata e paguajnë. Ndaj ka rëndësi që të kërkohet gjithmonë maksimumi ndaj atyre që drejtojnë me qëllim që të mos degjenerojnë në veprime që sjellin fatkeqësi për të tjerët. Dhe fatkeqësi nuk sjell vetëm lufta, por dhe drejtimi i keq. Kështu ka luftuar njerëzimi në shekuj dhe dalëngadalë liria ka ardhur duke u zgjeruar, por sërish është në miniaturë.

- Sipas kësaj logjike, ai që ju rrëzoi juve, duhet të dënohet, pasi ka cenuar lirinë e një tjetri. Ju e kërkoni dënimin e tij?

- Jo. Unë kam luftuar për lirinë dhe nuk kërkoj kurrë privim lirie. Por shoqëria njerëzore duhet të ruajë me fanatizëm disa rregulla, pasi pa këto rregulla dhe norma njerëzore, humbet nocioni shoqëri njerëzore dhe dominon nocioni i jetës së pyllit, ku vepron ligji i seleksionimit, më i forti mbyt të dobëtin. Elementë të kësaj gare që zhvillohet në xhungël midis kafshëve të llojeve të ndryshme ka dhe në shoqëritë njerëzore. Madje, po të studioni me kujdes, do të vini re se edhe kafshët kanë unitet brenda llojit të vet, bashkohen dhe e ruajnë njëra-tjetrën.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT