E enjte, 22.10.2020, 09:53 AM (GMT+1)

Sporti » Futbolli Shqiptar

Goli i mohuar, Holanda vjedh fitoren

E shtune, 15.09.2007, 11:35 PM


Nga Fatjon Rupi

Trajneri i kombëtares shqiptare theksoi se barazimi ishte i merituar dhe kontestoi vendimet e gjyqtarit Rili

Bariç: Fatkeqësi që humbëm, na mungoi konseguenca

Trajneri i kombëtares shqiptare, Oto Bariç, ka qenë tepër i pezmatuar për mënyrën sesi humbëm me Holandën mbrëmë në "Qemal Stafa". Sipas tij, barazimi do të ishte rezultati më i drejtë i ndeshjes, kjo edhe sepse gjyqtari anglez na mohoi një gol të rregullt në fundin e pjesës së parë. Duke folur në konferencën për shtyp, pas ndeshjes, kroato-austriaku kuqezi u shpreh: "Eshtë vërtet një fatkeqësi që e humbëm këtë ndeshje. Nuk e meritonim një fat të tillë. Skuadra i zbatoi me përpikmëri detyrat taktike që ndamë në analizën para ndeshjes. Luajtëm 87 minuta lojë të përkryer, duke e bërë të vuajë Holandën, një nga skuadrat më të mira të Europës. Personalisht nuk e kuptoj veprimin e gjyqtarit të ndeshjes, i cili na anuloi golin në fundin e pjesës së parë. E çuditshme kjo, kur ishte autogol. Edhe përse përballë kishim një Holandë me emra të mëdhenj, që qëndronte shumë lart në aspektin teknik, ne rezistuam mjaft mirë. Skuadra jonë pati më shumë se një rast për gol, ndërsa kundërshtari arriti të zërë në befasi mbrojtjen tonë vetëm një herë dhe na ndëshkoi. Dua të them se ajo që na mungoi në këtë ndeshje, ishte konseguenca, por edhe fati. Futbolli luhet deri në vërshëllimën e fundit të gjyqtarit, gjë që ne nuk e bëmë fatkeqësisht. Sidoqoftë, tërësisht jam i kënaqur nga skuadra. Sa i takon veprimit të Canës, nuk mund ta gjykoj për momentin, sepse nuk jam i sigurtë se çfarë ngjau mes tij dhe Shnajderit.

Nuk e kam parë si duhet këtë moment. Ndoshta mes tyre, që pati duele gjatë tërë kohës, janë shkëmbyer edhe fjalë. Për mua, gjyqtari duhej t'i largonte të dy nga fusha e lojës. Gjithashtu, them se dalja e Canës nuk ndikoi në humbjen tonë. Gabuam në krahun e majtë, ku në 5-6 minutat e fundit të ndeshjes lëshuam. Pikërisht aty ku i kishim këshilluar lojtarët në pushimin e lojës, të ishin shumë të vëmendshëm, gabuam, si pasojë e së cilës erdhi edhe goli. Sa i takon golit të anuluar, do të isha shumë i lumtur që ta gjykonit ju, gazetarët, ta shkruanit vetë të vërtetën, sepse po të flas unë, më gjobit UEFA. Goli për mua mbetet një gjëegjëzë. Nëse më duhet të analizoj lojën e lojtarëve të mi, nuk mund të bëj dallime, sepse të gjithë luftuan fort dhe dhanë më të mirën. Por, dua të veçoj Vangjelin, një lojtar mjaft i ri, i cili ishte shumë lart në këtë ndeshje. Ishte pikërisht ky lojtar, ai që e detyroi Van Bastenin ta nxirrte jashtë Van Persin, i cili përdori edhe bërrylat për ta kaluar Vangjelin, por s'ia arriti dot. Në këtë ndeshje treguam sërish se jemi në gjendje të luajmë si të barabartë edhe me ekipe të tilla si Holanda. Mund t'ju them se ne kemi një skuadër të denjë për të mundur Slloveninë dhe Bjellorusinë në ndeshjet në vijim. Në fund, një falënderim special kam për tifozët e pranishëm në stadium, që ishin super të mrekullueshëm. Lojtarëve në fushë nuk u mungoi mbështetja e tyre e pakursyer. Duhet të kenë mbetur të kënaqur nga loja e skuadrës, edhe pse humbëm, sepse ata e dinë se kush është Holanda. Uroj që të jenë të tillë edhe në ndeshjet e ardhshme, ku ne t'i gëzojmë me fitore dhe lojë të bukur."

Kuqezinjtë pësuan një humbje dramatike mbrëmë në "Qemal Stafa", ku Van Nistëlroi shënoi golin e vetëm në minutat shtesë

Kur ndëshkohesh nga të qenit "i vogël"

Kombëtarja shqiptare ka mbyllur me humbje një ndeshje, që edhe mund ta kishte fituar, ndërsa barazimi do të ishte i stërmerituar për të. Një gol nga ata të llojit të tij i sulmuesit të Realit të Madridit, Rud Van Nistëlroi, pikërisht në minutën e parë shtesë, ka bërë që mijëra tifozë kuqezinj, të cilët besuan deri në fund për një rezultat pozitiv, të largohen të dëshpëruar nga stadiumi dhe me një mllef të madh ndaj gjyqtarit Majkëll Rili. "Bilbili" i kontestuar që para ndeshjes nga trajneri Otot Bariç ka dhënë një vendim shumë të dyshimtë në pjesën e parë. Melshiot e dërgoi me kokë topin në rrjetën e portës së tij, por gjyqtari anglez e anuloi autogolin, duke pasur si pretekst një dyluftim brenda të gjitha rregullave të Bogdanit me një mbrojtës holandez. Shpesh kombëtarja jonë ka humbur dhe gabimet janë pranuar nga të gjithë, por këtë radhë duket se kemi humbur nga fakti i thjeshtë i të qenit një ekip "i vogël" në arenën europiane. Përballë ishte Holanda dhe humbja nuk është çudi, por skuadra e Van Bastenit nuk tregoi asgjë nga ajo që pritej në stadiumin "Qemal Stafa". "Tulipanët" kanë marrë 3 pikë falë një veprimi shumë të bukur të sulmuesit Van Nistëlroi në fundin e ndeshjes, ndërsa kuqezinjtë zhvilluan një lojë të mirë, që për fat të keq nuk u konkretizua me pikë.

Ekipi shqiptar e nisi lojën me përqendrim maksimal, duke e shmangur rrezikun e ndëshkimit në minutat e para. Me kalimin e minutave, kuqezinjtë filluan të fitonin terren dhe t'i afroheshin portës së Van der Sarit, por gjithmonë duke qenë të kujdesshëm prapa. Bogdani punoi shumë dhe u mundua ta tërhiqte skuadrën përpara, por ai dhe Kapllani nuk mundën ta godisnin portën e holandezëve. Miqtë provuan 2 herë radhazi me Van Persin, por pa rezultat, pasi portieri Beqaj ishte pozicional. Klodian Duro gjuajti me forcë topin e kthyer nga mbrojtja e Holandës, por nuk gjeti kuadratin, ndërsa pas pak minutash vjen episodi më i diskutuar i ndeshjes së djeshme. Pas një topi të krosuar në zonën holandeze, mbrojtësi Melshiot gjuan me kokë dhe e çon topin në rrjetën e Van der Sarit. Çuditërisht, shpërthimin e entuziazmit kuqezi e ka ndalur gjyqtari Rili, i cili akordoi një faull të paqenë, gjë që u vërtetua më pas edhe nga pamjet filmike. Kontestimet nga ana e kuqezinjve ishin të shumta, sepse nuk po kuptohej arsyeja e anulimit të golit, megjithatë, loja vazhdoi me rezultatin e bardhë 0-0.

Fillimi i pjesës së dytë ishte shumë i mirë për kombëtaren shqiptare, që ishte pranë golit në disa raste. Aktivizimi i Bushit, i cili zuri vendin e Kapllanit, i dha më tepër rrezikshmëri manovrës sulmuese të kuqezinjve, pasi sulmuesi veteran sillte gjithmonë pështjellim në zonën e holandezëve dhe jashtë saj. Bushi provoi të shënonte me anë të një parabole nga jashtë zonës, por portieri Van der Sar u tregu i kujdesshëm. Më pas, portieri holandez e shpëtoi skuadrën e tij nga goli, kur devijoi me vështirësi në goditje këndi topin e gjuajtur me forcë nga Cana. Pas këtij rasti loja u përqendrua më tepër në mesfushë, me ndonjë gjuajtje sporadike të holandezëve drejt portës kuqezi, por as Shneijder dhe as Van der Vart nuk mundën ta kalonin dot Beqajn. Trajneri Bariç hodhi në fushë Haxhin në vend të Duros dhe Ervin Bulkun në vend të Bogdanit, duke dashur të merrte të paktën barazimin në këtë ndeshje. Dhe kur dukej se Shqipëria do ta ndalte Holandën "e madhe", ndoshta dhe kur vetë "tulipanët" ishin dorëzuar", ka ardhur goditja fatale. Para se gjyqtari të akordonte 5 minutat shtesë, Lorik Cana, është ndëshkuar me karton të kuq, pas një momenti nervozizmi me Shnajderin dhe më pas me Van Nistëlroin. Një veprim i nxituar për një lojtar kalibri si Cana. Në rastin e parë që Emanuelson, i futur në lojë si zëvendësues nga trajneri Van Basten, kaloi Dallkun në të djathtë dhe më pas krosoi saktë për Van Nistëlroin, i cili tregoi se është vërtet një "zanatçi" goli dhe e dërgoi topin në rrjetën e Arian Beqajt.

Një lojë e mirë dhe një taktikë e goditur nga trajneri i kuqezinjve, por përsëri një fund i dhimbshëm, ndërkohë që frika shtohet me mbylljen 2 minuta më parë të lojës nga gjyqtari Rili. Shkak për këtë u bë hedhja e një kapsolle fare pranë futbollistit Melshiot, i cili po përgatitej të kryente rivënien anësore. Holandezi u shtri në fushë dhe gjyqtari Rili, kur kishin mbetur ende 2 minuta shtesë, sinjalizoi menjëherë për përfundimin e krejt takimit.

Ishte një humbje jo e papritur, sepse të gjithë prisnim një Holandë më të frikshme, por që për mënyrën si u zhvillua loja ishte e pamerituar. Të gjithë lojtarët dhanë më të mirën në stadiumin e mbushur plot, por as ata dhe as tifozët kuqezinj nuk mundën të festonin në "Qemal Stafa". Pas kësaj humbjeje dramatike, Shqipëria ka zbritur nga vendin i katërt në të pestin, sepse Sllovenia mundi mbrëmë 1-0 Bjellorusinë dhe i parakaloi kuqezinjtë.

Shqipëri ‑ Holandë 0‑1

Shënues: Van Nistelroi 90+1'.

Shqipëria: Beqaj, Dallku, Dede, Curri, Vangjeli, Muka, Cana, Lala, Duro (Haxhi 70'), Kapllani (Bushi 46'), Bogdani (Bulku 84'). Trajner: Oto Bariç.

Holanda: Van der Sar, Melkiot, Ojier, Matijsen, Bouma (Emanuelson 63'), De Zeuw, Van Bronkhorst, Shnajder, Babel (Kuijt 76'), Van Persi (Van der Vart 46'), Van Nistelroi. Trajner: Marko Van Basten.

Gjyqtarë: M.Rilei, D.Can, M.Mullarkei (Angli).

Kartonë të verdhë: Kapllani, Duro, Dallku, Van Persi, Melshiot, Shnajder, Van Nistelroi.

Karton i kuq: Cana.

Renditja e Grupit G

1.Rumania20

2.Holanda20

3.Bullgaria18

4.Sllovenia10

5.Shqipëria9

6.Bjellorusia 7

7.Luksemburgu 0

Ndeshjet e djeshme

Shqipëri-Holandë 0-1

Bullgari-Luksemburg 3-0

Slloveni-Bjellorusi 1-0

Pas shtatë viteve dhe 51 ndeshjeve kuqezi, Besnik Hasi largohet nga kombëtarja shqiptare

Hasi, faleminderit për të gjitha

E kishte shprehur disa herë gatishmërinë e tij për të veshur fanellën kuqezi, por çdo gjë ishte realizuar vetëm në fund të vitit 2000, kur në miqësoren me Maltën, ndonëse ende pa pasaportë shqiptare, Besnik Hasi debutonte në stadiumin "Qemal

Stafa" me fanellën kuqezi. Në kohën kur ishte futbollist i Anderlehtit të Belgjikës dhe pjesëmarrës në Ligën e Kampioneve, gjakovari po ndjente se në koleksionin e tij të karrierës po mungonte diçka, ndjenja për të luajtur për kombin. Ish‑trajneri, Mehdin Zhega e kishte ndjekur në ndeshjet e Ligës së Kampioneve dhe me sugjerimin e lojtarëve kuqezi, kryesisht të sulmuesit Igli Tare, kishte shkuar ta takonte në Bruksel. "E mbaj mend kur u takuam. Që në fillim më la përshtypje profesionisti me gatishmërinë e tij dhe kërkesën për të luajtur. U angazhova drejtpërdrejt te presidenti, Rexhep Mejdani, për pasaportën e tij dhe ngula këmbë deri sa mbarova punë",- kujton trajneri Zhega të mërkurën në mbrëmje, kur Hasi po i thoshte lamtumirën fanellës kuqezi, në një ceremoni para fillimit të ndeshjes Shqipëri‑Holandë. Para tij, me kuqezinjtë, ndër futbollistët nga Kosova po luante portieri Arian Beqaj, që kishte bërë karrierë në Shqipëri me Partizanin e Tiranës dhe kishte luajtur më parë edhe për ekipin Shpresa. Para se të bashkohej me shqiptarët, Hasi ka patur ofertë për të veshur fanellën belge, sepse trajneri i tij, Aime Anthouis, që e kishte zbuluar te Genku dhe e kishte marrë edhe tek Anderlehti, ishte bërë trajner i kombëtares belge dhe i kishte ofruar një fanellë të "djajve".

"Ishte një vendim i vështirë, zemra më kërkonte vetëm flamurin kuqezi, ndërsa presioni i belgëve shtohej. Shkova në Tiranë në takimin e parë dhe bashkëlojtarët më pritën shumë mirë. Pastaj filluan grumbullimet e shumta dhe vjen kjo ditë që duhet t'i thuash lamtumirë një episodi futbollistik, ndonëse për këtë isha pregatitur tash dy vite",- të thotë Hasi i emocionuar, me përshëndetjen që i bënë.

Me tre tituj kampioni të Belgjikës në xhep, pjesëmarrje në Ligën e Kampioneve dhe 51 paraqitje në fanellën e kombëtares shqiptare, Hasi të thotë se tash ndihet i qetë dhe se në karrierën e tij i ka provuar të gjitha. "Kombëtarja ishte diçka që më mungonte në karrierën time. Ndjenja për të përfaqësuar kombin tonë është e paimagjinueshme, aq më tepër kur arrin suksese dhe ke një përkrahje të paparë nga tribunat prej tifozëve shqiptarë, që vijnë nga të gjitha trevat shqiptare dhe diaspora. Kënaqësinë e fanellës kuqezi dhe ndjenjën e rëndësishme të të qenit shqiptar, m'i ka ofruar kombëtarja. Dëshiroj t'i falenderoj të gjithë ata që më kanë respektuar dhe më kanë ndihmuar për të arritur këtë kapitull të karrierës sime. Shpresoj se edhe unë ua kam shpaguar një pjesë me lojë dhe angazhim maksimal",- tha Hasi. Futbollisti 36-vjeçar do të vazhdojë të luajë futboll me ekipin e ligës së parë të Belgjikës, Cercle Brugge, duke patur një formë konstante dhe paraqitje të rregullt, që i mungon shumë futbollistëve shqiptarë në Europë. E megjithatë, Besnik Hasi, me iniciativën e tij kishte kërkuar të përfundojë ditët kuqezi, duke i dhënë kështu shansin futbollistëve të rinj, që të japin kontributin e tyre për fanellën e shtrenjtë të kombëtares.

Driton Latifi

Euro 2008

Sot

Grupi A

Kazakistan – Belgjikë2-2

Finlandë ‑ Poloni0-0

Portugali ‑ Serbi1-1

Grupi B

Lituani ‑ Ishujt Faroe2-1

Ukrainë ‑ Itali1-2

Francë ‑ Skoci0-1

Grupi C

Norvegji ‑ Greqi2-2

Turqi ‑ Hungari3-0

Bosnje ‑ Moldavi0-1

Grupi D

Sllovaki ‑ Uells2-5

Qipro ‑ San Marino3-0

Çeki ‑ Irlandë1-0

Grupi E

Andora ‑ Kroaci0-6

Maqedoni ‑ Estoni1-1

Angli ‑ Rusi3-0

Grupi F

Danimarkë ‑ Lihtenshtein4-0

Islandë ‑ Irlanda Veriut2-1

Spanjë ‑ Letoni2-0

Grupi G

Bullgari ‑ Luksemburg3-0

Slloveni ‑ Bjellorusi1-0

Shqipëri ‑ Holandë0-1



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora