E enjte, 10.10.2024, 07:19 PM (GMT+1)

Kulturë » Berisha

Sejdi Berisha: Sherri i Elbit ose litari i vdekjes...!

E diele, 19.04.2009, 06:21 PM


Sejdi BERISHA:

E S E

SHERRI I ELBIT OSE LITARI I VDEKJES...!

Po e shoh vetveten duke e varur mendjen, e cila, nuk e di se me ndihmën e kujt ma kishte goditur litarin e vdekjes...! Kjo, ndoshta është mashtrim apo dëshpërim i njeriut me plagët vragë, që nga përplasjet, apo edhe nga trakullima e jetës të largon aq shumë nga kënaqësitë, duke i përjetuar ato në mënyra të ndryshme, dhe në fund, duke i ndrydhur ato në mënyrën më poshtëruese.      
    Nga kjo, kanë dalë dhe janë kënduar këngët e mallit, të hidhërimit dhe të nostalgjisë, të cilat gjithmonë kanë qenë të pashkëputshme nga rrugëtimi i çuditshëm i njeriut. ...Pavarësia është emër i gjinisë femërore! Hë,... sa i poshtër është njeriu...!

_____________
 Njeriu para se të lindet, sikur e krijon veprën e vet jetësore, por asnjëherë nuk është vërtetuar se a ka krijuar vepër të mirë apo të keqe. Këtu e zë fillin ajo lufta e mendjes, e cila, në mos luftoftë për të kundërtën e jetës, ajo së paku dyshohet se është mbase edhe mbetët për të dyshuar se është apo do të jetë pikërisht ashtu. Andaj, këtu lindin apo mugullojnë ata sythët e lëngët për të bërë diçka interesante, e cila gjithnjë shoqërohet me enigmat më të tmerrshme për të mirën dhe të lumturën, për të keqën dhe për smirën si piramidë individuale dhe kolektive.
    Ndoshta, pikërisht për këtë ishte dashtë për t’ia marrë inat vetvetes, që asnjëherë nuk je në gjendje të nxjerrësh definicionin përfundimtar të ndjenjës dhe karakterit, të cilat sikur janë armiq dhe kurrë nuk duan të takohen në mes vete!


1.
    Ka kohë që dëshiroja t’ia dhuroja njërit disa nga veprat e mia, për të cilin kisha dëgjuar se ka një shpirt kryeneç mbase edhe asnjëherë të papajtueshëm as me veten e tij. Por, kjo nuk ndodhi shpejtë, por pas një kohe bukur të gjatë. E kisha rënduar çantën me ato libra, dhe e takoj atë njeri me të cilin u ula për të pirë kafe.
   Edhe ai, sikur mëzi kishte pritur rastin të takohej me mua. Pasi u ulëm, i them për librat që moti kisha vendosur për t’ia dhuruar. M’u falënderua duke më thënë se ato duhet paguar, sepse libri ka vlerë të madhe. Duke nxjerrë nga xhepi goxha shumë lekë, më thotë
   -Po, ne kemi krijuar një traditë të çoroditur për të mos e çmuar librin.
    Nuk ia ktheva përgjigjën as nuk ia pranova lekët, por ia dhurova librat të paketuara bukur me pedanteri, ashtu siç gjithnjë e kam në merak këtë punë. Hapim llafin për jetën e tij, i cili krahas rrëfimit, sikur ma ofron edhe një pasqyrë historie të ecjes së njeriut tonë ndër më të pa pushuarit duke lënë trojet e veta nga trysnit e ndryshme.
    Tani, ai ishte thelluar në jetën e tij dhe të familjes duke ma shfletuar atë kujdesshëm fletë për fletë.
   -Iku atëherë babai për në Turqi, dhe kemi hequr të zitë e ullirit. Isha shumë i ri, kalama, por më duhej të punoj për ta fituar kafshatën e bukës.-më shpjegon burri i botës se si njëherë ka kthyer në Shoqatën humanitare për të kërkuar ndihmë për familjen e të vëllait, i cili për momentin kishte qenë duke shërbyer në armatën e këtij vendi. Dhe, i autorizuari i kësaj shoqate ia paska thyer zemrën e shpirtin. Nuk e kishte pritur mirë, por ishte sjellë me një burokraci rrënuese dhe të paparë.
   -Më pyeti se a kishim marrë ndonjë ndihmë nga ndonjë i afërm. I tregova se një i largët na kishte sjellë para do ditësh një gjysmë thesi me elb.    
    Dhe, këtu zu sherri i teposhtëzës së ngjarjes.
I paska thënë ai njeri gjakthartët se mjaftuaka një gjysmë thesi elb për ta ushqyer familjen. Kështu, ai ishte kthyer në shtëpi për t’i rrëfyer të ëmës për ngjarjen:
   -Nuk më dhanë gjë, sepse, më thanë se ai gjysmë thesi me elb po mjaftuaka për ne!-i kishte thënë i zemëruar të së ëmës. Por, nëna e tij, pastaj, tërë kohën, edhe pas shumë vitesh ia kishte përmendur atë viran elbi.
   -E sheh, ia pash sherrin elbit...! Kështu që, drama e jetës vazhdoi duke ngritur tonin e pasigurisë dhe zjarrminë djaloshare për të ndërtuar apo për të rrënuar jetën fare. Por, ndodhi ajo e para...

2.
Thuhet se më të ftohtë se akulli nuk ka gjë tjetër. Por, ai ishte i ngrohtë mbase edhe zjarr. Jeta nuk niset as nuk mbaron as në Parajsë, por as në Ferr. Këto përplasje, aq mirë e vëllazërisht koordinohen dhe nganjëherë kompozohen sa që as mendja nuk ta kapërthen.
    Sërish koha e njëjtë. Sërish lufta për kafshatën e bukës në tokën e huaj. Burri, të cilit ia kisha dhuruar librat, të cilit nganjëherë fytyra i merrte ngjyrë gaforreje, tash rrëfen për punën e tij me akullin...
   -Hë, more i nderuar. Atëherë nuk kishte frigoriferë, por gjërat i ftohnin me akull, sidomos lëngjet, të cilat njiheshin me emrin-kraker. Nga qyteti, fabrika e akullit ishte bukur larg, ndërsa unë me karrocë i furnizoja me akull disa dyqane. Por, isha shtalb ore, kalama. Dhe, përgjatë tërë asaj rruge, fëmijët tjerë më të rritur e lakmonin akullin dhe zemrën time vullkan. Tërë atë rrugë e bëja me dy “bomba” shpirti e mendjeje; njëra ishte ajo e gëzimit dhe e mburrjes se fitoja lekë me akull, dhe e dyta; ajo bomba e akullit, sepse duhesha mbrojtur me të gjitha forcat akullin, sepse ma “shpërlanin” për pak çaste...
    Që të dyja këto “bomba”, plasnin në çdo hap, sa që shkapërderdheshin si dy motra shumë të dashura. Por, kjo për mbrojtjen e akullit, më bëhej se është shpresë e jetës dhe e gëzimit të familjes. Le ta marrë djalli edhe këtë gëzim, kur gjithnjë duhet mbrojtur akullin!- sikur kishte harruar ky miku i librave se duhet folur edhe dikush tjetër e jo vetëm ai.
    Sa dhembje, sa alegori, sa satirë është jeta! Jo, more jeta, por akulli... Por, ani. Ecim tutje...!

3.
 Një pikëpyetje e madhe?! Po,... pikëpyetjet, si të vogla si të mëdha, një funksion e kanë, një kuptim, një mesazh...
   -Ishim kthyer sërish në vendlindje. Por, çfarë e do. Sërish ishte shkruar të ndodhemi në rrugët e kurbetit që të ha edhe zemrën edhe ta djegë shpirtin. Që, thjeshtë të harxhon, shumë shpejtë të bën shkrumb e shpuzë duhani! Caku ishte Belgjika. Atje, malli për atdhe ishte ndryshe nga ai atje ku ishim në vitet e pesëdhjeta të shekullit kaluar. Shpjegon miku im, dhe sikur nëpër dhëmb flet:
   -Po e shoh vetveten duke e varur mendjen, e cila, nuk e di se me ndihmën e kujt ma kishte goditur litarin e vdekjes...!
    Kjo, ndoshta ishte mashtrim apo dëshpërim i njeriut me plagët vragë, që nga përplasjet, apo, edhe nga trakullima e jetës, po po, të largon aq shumë nga kënaqësitë, duke i përjetuar ato në mënyra të ndryshme, dhe në fund, duke i ndrydhur ato në mënyrën më poshtëruese. Por, kjo nuk është as dorëzim as pezmatim. Është një kronikë e llahtarshme si kështjellë me dyer të kapërthyera nga merimangat e të shoqëruara nga zërat e lakuriqëve, që kështjellën e kanë si vendin e shenjtë të tyre. E tërë kjo, mos mendoni se është kush e di se çfarë, por është vetëm një pelegrinazh i mendjes së njeriut, apo, jo?!!
    Pas kësaj, ky miku im i librave, duke biseduar gjerë e gjatë, si zgjidhje apo përgjigje ndaj tërë asaj që na rrethon, apo si përgjigje ndaj vetvetes e kishte zgjedhur një mendim me shumë mister:
   -Pra, ku mbetët puna dhe gëzimi për veprën e mirë dhe të mbarë, pasi tmerri të shoqëron edhe atëherë kur je më i lumtur, dhe ti, atë tmerr, assesi nuk mund ta diktosh dhe as ta vëresh kurrë. Por, as për ta shpjeguar dhe as për ta zbërthyer, kurrë nuk do të kesh rast dhe as mundësi...!
    Pas këtij mendimi, sikur e shëtita mendjen gjithkah, apo nëpër tërë botën time. Thash, se e tërë kjo të detyron të luftosh me vetveten, dhe, edhe kësaj here assesi nuk e di fituesin. Sepse, kjo luftë ngatërresash të mendimeve as nuk është luftë, por as paqe. Edhe ndryshe; as nuk është luftë dhe as paqe e përkryer. Por, kjo mund të shoqërohet me naivitetin më të madh dhe se këto elemente nuk përputhen as natyrshëm, as logjikshëm dhe as në çfarëdo mënyre deskriptive qoftë. Për këtë arsye, po që se e zgjerojmë lërimin e analizës, edhe e keqja lëviz përbrenda të së mirës. Sa keq. Por është realitet, nëse kapet drejtë ky mendim ironik, por shumë simpatik dhe provokativ për të ecur tutje, hajt të themi, drejtë sherrit të elbit...!

4.
E kishte ngulitur shikimin në beharin e hershëm të thanës, e cila paralajmëronte pranverën. Por, nuk ishte vetëm kjo. Aq etshëm e me zjarrmi i bënte panoramë shikimi bjeshkëve të thepisura dhe atyre bukurive me histori të veçantë e misterioze që i qëndrojnë besnike Bjeshkëve të Nemuna.
    Nuk shkapet dot nga ajo ndjenjë, e cila sikur ta imponon mendimin se do t’i merr me vete malet dhe fushat. Edhe aromën e luleve sikur e rezervon vetëm për vete. Nuk është shenjë e mirë kjo, sepse, në të sosur, gjërat e kanë peshën e plagëve të pashëruara dhe të dhembjes së shpirtit... Nga kjo, kanë dalë dhe janë kënduar këngët e mallit, të hidhërimit dhe të nostalgjisë, të cilat gjithmonë kanë qenë të pashkëputshme nga rrugëtimi i çuditshëm i njeriut.
    E, kush mund t’i merr me vete malet dhe fushat. Askush. Por, lulet askush s’mund t’ua ndalojë. Tërë këtë gjë mund ta bëjnë vetëm njerëzit e krisur, por, me shpirt shumë të madh, ama shumë shumë të madh...! Ama, rrjedhat askush nuk mund t’i ndalë. Le t’i presim gjërat që s’kanë të ndalur, por, kujdes, sepse nganjëherë pavarësia mund të jetë edhe robërim. Pra, si t’ua bëjmë hyzmetin këtyre gjërave?!
    E dëgjoj njërin duke i thënë mikut të pandashëm: ec, ec...!
    Shumë më bëri përshtypje kjo, kur njeriu e mendon lëvizjen, ecjen,... mbase edhe shkuarjen! ...Pavarësia është emër i gjinisë femërore! Hë,... sa i poshtër është njeriu...!

5.
I kisha premtuar priftit se do ta vizitoja, pasi ishe transferuar në një kishë të një qytetit tjetër e me famulli shumë më të madhe. Posa hyra në kishë, që ende nuk kishte përfunduar së ndërtuari, përbrenda sikur përjetova dy gjëra; një madhështi të këtij tempulli me shpresën dhe me zërin e faljes së mëkateve të njeriut, dhe një qetësi e ftohtë dhe shurdhuese që kishte kapluar tërë atë sipërfaqe dhe ulëset prej drurit të fortë. Në atë vetmi, vetëm hapat e mi krijonin jehonë që tregonte drejtimin kah isha duke shkuar.
    E kërkova priftin nëpër kishë, por nuk e gjeta. Por, u bë mirë, sepse e vizitova këtë tempull ende të papërfunduar, i cili nga jashtë kishte pamje të katedraleve madhështore të metropoleve të Evropës.
    Në objektin tjetër të kishës, takoj priftin, i cili, dorën në zemër ende nuk ishe adaptuar me këtë ambient, të them, të ri! Thash, tërë jeta na shkon duke u ruajtur, duke u tkurrur, duke u adaptuar. Bile, edhe në tempujt e besimit.
    Me priftin biseduam gjerë e gjatë për jetën,... ama vetëm për jetën! Por, sherri i elbit, mbrojtja e akullit dhe e kundërta e jetës, dot nuk u anashkaluan gjatë kësaj bisede të ngrohtë dhe shpirtërore. Edhe një ditë suksesshëm sikur kishte ikur nga kalendari...!



(Vota: 7 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora