E shtune, 27.04.2024, 02:05 PM (GMT+1)

Mendime

Xhavit Haliti: Ekstremizëm i nxitur shtetërisht dhe fetarisht

E enjte, 05.03.2009, 08:04 PM


EKSTREMIZEM I NXITUR SHTETERISHT DHE FETARISHT

Nga Xhavit Haliti

Çdo popull, që ka arritur të formësohet si komb, jo vetëm politikisht dhe ekonomikisht, por edhe në rrafshet kulturore e nacional-psikologjike, ndihet i obliguar për t‘i mbrojtur dhe për të bërë sakrifica në emër të vlerave të krijuara. Populli serb ka një traditë disashekullore para krijimit të kombit dhe mbi 100-vjeçare në krijimin e kombit. Ndjesia e nacionalitetit serb u sfumua disi me krijimin e ish-Jugosllavisë pas Luftës së Parë Botërore dhe, ca më tepër pas Luftës së Dytë Botërore. E dënuar dhe e përjashtuar nga komunizmi stalinist më 1948-ën, Jugosllavia, e udhëhequr nga Titoja, u përshtat dhe aplikoi, herë-herë, edhe me shumë druajtje, disa elemente, gjithsesi të minimizuara e deformuara të parimeve demokratike për njohjen dhe legjitimimin e vetëqeverisjes së kombeve, të kulturës së tyre arsimimit, madje, edhe të njohjes së dy krahinave autonome, në kuadër të Republikës së Serbisë, Kosovës dhe Vojvodinës si subjekte shtetërore në kuadër të ish-Federatës së Jugosllavisë.

Nuk kam vetëm përshtypjen, por edhe mjaft informacion nga burime mediatike e shoqërore, se autoritetet më të larta shtetërore serbe, duke filluar nga Millosheviçi, vazhdojnë t‘i konsiderojnë e t‘i trajtojnë njohjen e Krahinës së Kosovës si subjekt federativ dhe përcaktimin zyrtar shtetëror të kufijve të saj. Millosheviçi pati kurajon ta quante të paqenë autonominë e njohur e të pranuar të Kosovës, të delegjetimonte e të dënonte çdo shfaqje të identitetit kombëtar të dy milionë shqiptarëve. Finalja e politikës millosheviçiane tashmë dihen, dhjetëra e qindra mijë të vrarë e të dhunuar dhe një eksod, që përfshin rreth një milion shqiptarë.

Thuhet se koha është ilaçi më i mirë për të shëruar plagët dhe për të harruar vuajtjet, por shtetarët e djeshëm e të sotëm të Beogradit nuk na lejojnë ta ndiejmë efektin e këtij "ilaçi". Deklaratat e Tadiçit, Jeremiçit, Bogdanoviçit etj., që "Kosova është Serbi", edhe pas një viti pavarësie të shpallur e të njohur të shtetit të Kosovës nga 55 shtetet, përcjellin me mbështetjen e pakursyer e të fuqishme të kishës ortodokse serbe dhe të hierarkëve të saj, te bashkëqytetarët tanë serbë në Kosovë një mesazh të përqasur me atë që përcjell "Xhihadi" i Bin Ladenit në besimtarët syni në Afganistan, në Pakistan etj. Por, në përqasjen e mësipërme, e ndiejmë për detyrim të bëjmë diferencën:

Qytetari serb i Republikës së Kosovës bëhet veprues në kundërvënie të shtetit të Kosovës nga frymëzimi politiko-fetar nacional, nga nxitja morale tradicionale, nga mbështetja financiare dhe nga respektimi i tabuve nacionaliste. Ai sulmon dhe djeg pikat doganore, sulmon dhe pushton gjykatën, kundërshton me armë ndërkombëtare UNMIK-un, EULEX-in dhe KFOR-in, bllokon rrugë e pengon ndërtimin e ujësjellësit për komunat e banuara nga shqiptarë. Por, qytetari i Kosovës, me përkatësi etnike serbe, nuk ka qenë kurrë (megjithëse për dhjetëravjeçarë është ndier qytetar i dorës së parë në raport me dy milionë shqiptarët e Kosovës) i prirur dhe i gatshëm për t‘u bërë "kamikaz". Tradita historike shtetërore e kombëtare, identiteti gjuhësor, kulturor, fetar, arsimor e social, të ndërtuara dhe ekzistente në mesin e Evropës Demokratike, nuk e lejon qytetarin serb të Kosovës ta humbë logjikën dhe të shndërrohet në "kamikaz".

Bin Ladeni u premton "kamikazëve" Xhenetin, kurse politika beogradase dhe ortodoksia serbe, e verbuar nga nacionalizmi, u premton qytetarëve kosovarë të etnisë serbe një Kosovë pjesë të Serbisë. Në të dyja rastet të pushtetshmit, shtetërorë apo fetarë, shfrytëzojnë dhe "luajnë" me ndjenjat. E para është ndjenjë nacionale, që lind, formësohet dhe rrënjoset në një apo më tepër se në 100 vjet, e dyta, është ndjenjë, besim dhe identitet personaliteti që matet me qindra vjet. Beogradi zyrtar dhe kisha serbe po veprojnë me serbët, qytetarë të shtetit të Kosovës, në interesat e synimeve të veta politike dhe gjeostrategjike, por kurrsesi në favor të minoritetit serb të Kosovës. Këta e dinë mirë dhe besoj se janë bërë të ndërgjegjshëm për të sotmen, të nesërmen dhe të ardhmen e tyre. Kanë lindur, janë rritur, janë arsimuar e kanë punuar në Kosovë. Kanë në Kosovë varret e të parëve, kanë shtëpitë, pronat dhe bizneset. Qytetarët e etnisë serbe janë më të mbrojtur, të mirëçmuar dhe të respektuar nga Kushtetuta e Kosovës, nga gjithë legjislacioni ekzistues dhe nga institucionet e gjithë organizmat civilë e ushtarak, të pranishme e supervizuese te ne. Kam mendimin se këto dihen nga të gjithë ata. Por këto nuk dëshiron e nuk pranon t‘i dijë Beogradi zyrtar, që, për interesa të politikës së brendshme dhe ndërkombëtare, nxit ekstremizmin nacionalist mes tyre.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora