Kulturë
Lekë Mrijaj: Romani “Klasiku V”, pasqyrë e një epoke
E merkure, 15.04.2026, 06:52 PM
ROMANI “KLASIKU V”, PASQYRË E NJË EPOKE
NGA
LEKË MRIJAJ
Gjatë leximit të romanit “Klasiku V” të
shkrimtarit Ndue Dedaj, nuk e ndien veten thjeshtë si një lexues që kalon faqe
pas faqeje për të ndjekur një rrëfim dhe për mësuar një histori, por si një njeri
që hyn në një botë tjetër, në një kohë të zymtë, në një rend shoqëror ku jeta e
njeriut nuk peshohej me dinjitetin e tij, por me heshtjen dhe frikën e regjimit
që ai ishte i detyruar të mbante mbi supe. Kjo vepër nuk rrëfen vetëm fatin e
disa personazheve, por ajo shfaqet si një pasqyrë e një epoke, si një hartë e
dhimbshme e shpirtit njerëzor nën shtypje, si një dëshmi artistike për atë që
ndodh kur pushteti e humb masën dhe kur njeriu detyrohet të jetojë jo sipas
ndërgjegjes, por sipas frikës. Pikërisht këtu qëndron edhe vlera kryesore e
romanit “Klasiku V”, që Dedaj nuk e ndërton vetëm mbi ngjarjen, por mbi
atmosferën.
Që në fillesë, lexuesi përballet me një
skenë në dukje të zakonshme, me një mjedis urban, me të rinj që bisedojnë,
qeshin, bëjnë ndonjë shaka, ndoshta jetojnë për pak çaste iluzionin e
normalitetit. Por shumë shpejt kjo pamje e zakonshme thyhet dhe zbulohet e
vërteta e kohës. Pra, aty ku mungon liria, asgjë nuk është vërtet e zakonshme.
Edhe fjala më e lehtë mund të bëhet akuzë, edhe humori më i pafajshëm mund të
shndërrohet në faj, edhe spontaniteti njerëzor mund të kthehet në shkak dënimi.
Kjo hyrje është jashtëzakonisht domethënëse, sepse autori i këtij romani nuk na
e shpjegon sistemin me parulla apo me fjalime ideologjike, por ai si një
romansier na e jep atë përmes klimës së frikës. Dhe kjo është një arritje e
mirëfilltë letrare.
Liria si themel i qenies njerëzore dhe procedim letrar
Në këtë kuptim, romani del përtej
kornizës së një rrëfimi linear dhe bëhet një lloj anatomie e rendit monist, ku
pushteti nuk sundon vetëm mbi institucionet, por dhe mbi gjuhën, mendimin,
marrëdhëniet dhe vetë frymëmarrjen morale të njeriut. Sistemi i paraqitur në
këtë vepër nuk është i dhunshëm vetëm sepse arreston, dënon e internon, por ai
është i dhunshëm sepse e fut frikën në përditshmëri, e bën njeriun të dyshojë
në fjalën e vet, në mikun e vet, në heshtjen e vet. Pikërisht për këtë arsye,
romani fiton një dimension të thellë analitik, i cili nuk flet vetëm për
represionin si akt, por për represionin si klimë, si psikologji, si helm që
shpërndahet në tërë trupin e shoqërisë.
Arsen Petrela, si figurë qendrore e
rrëfimit, është ndërtuar në mënyrë të tillë që të mos mbetet vetëm individ, por
të marrë peshën e një simboli më të gjerë. Ai nuk është hero i ngritur mbi
piedestal në mënyrë artificiale, por krejt njerëzor pikërisht sepse është i
prekshëm, i cenueshëm, i hedhur në vorbullën e një realiteti që e tejkalon.
Arrestimi i tij nuk ka rëndësi vetëm si kthesë narrative, por si moment zbulimi:
nëpërmjet tij kuptojmë se sa lehtë një regjim i padrejtë mund ta këpusë fillin
e jetës normale të një njeriu. Një ditë ai mund të jetë në një tavolinë, në
bisedë, në një atmosferë rinore; ditën tjetër mund të gjendet i shkëputur nga
bota, nga e dashura, nga familja, nga vetja e dikurshme.
Ky transformim i menjëhershëm nga jeta
e zakonshme në fatin tragjik është një prej nyjeve më të forta të romanit. Pikërisht
për këtë, romani të shtyn të mendosh jo vetëm për personazhin, por për natyrën
e lirisë. Liria, në këtë vepër, nuk paraqitet si koncept abstrakt filozofik,
por si nevojë themelore njerëzore. Lexuesi e kupton se liria nuk është vetëm e
drejta për të lëvizur, por e drejta për të folur pa frikë, për të menduar pa u
ndëshkuar, për të bërë një shaka pa e paguar me jetën nën pranga. Kjo e bën
romanin të fuqishëm jo vetëm artistikisht, por edhe etikisht, sepse ai e
rikthen lirinë nga niveli i sloganeve në nivelin e përvojës njerëzore konkrete.
Kur rrëfimi zhvendoset në Pirust,
romani hyn në një nga shtresat më të dhimbshme dhe më të fuqishme të vetat.
Pirusti, gjëgjësisht Karma si burg
politik, nuk është thjeshtë hapësirë gjeografike apo kamp pune, por shndërrohet
në figurë të materializuar të ferrit tokësor të kohës. Ai është vendi ku
pushteti përpiqet ta zbresë njeriun në nivelin e mjetit, ku puna humb kuptimin
e saj njerëzor dhe kthehet në mekanizëm ndëshkimi. Aty lodhja nuk është thjesht
fizike; është rraskapitje e trupit, e shpirtit, e kujtesës dhe e shpresës. Por
pikërisht në këtë hapësirë të errët romani zbulon bërthamën e vet më të
ndritshme: edhe kur njeriut mund t’i merret liria e jashtme, nuk është e lehtë
t’i merret krejt liria e brendshme.
Kjo është ndoshta një nga shtyllat më
të forta analitike të romanit. Arseni nuk del si hero sepse përmbys me forcë
mekanizmat e sistemit, por del si figurë e qëndresës, ngaqë ruan një bërthamë
të papushtueshme brenda vetes. Kjo qëndresë është e heshtur, por e thellë. Nuk
është qëndresë spektakolare, por qëndresë ontologjike. Ai vazhdon të mbetet
njeri në një mjedis që është ndërtuar për ta zhveshur nga njerëzorja. Dhe në
këtë pikë romani bëhet jo vetëm rrëfim historik, por edhe meditim mbi qenien
njerëzore: çfarë e bën njeriun njeri kur gjithçka tjetër i merret? Përgjigja që
vepra sugjeron është e qartë: kujtesa, ndërgjegjja, shpresa dhe aftësia për të
mos u dorëzuar shpirtërisht.
Justina, gruaja me “qelinë” brenda vetes
Figura e Justinës është po aq e
rëndësishme, ndoshta pikërisht sepse përfaqëson një trajtë tjetër të vuajtjes.
Në shumë rrëfime të kësaj natyre, vëmendja përqendrohet kryesisht te ai që
burgoset, internohet apo ndëshkohet drejtpërdrejt. Por ky roman e zgjeron
fushën e dhimbjes dhe na tregon se sistemi nuk godet vetëm individin e përzgjedhur
si fajtor; ai godet rrethin e tij, dashurinë e tij, pritjen e tij, shtëpinë e
tij. Justina mbetet jashtë kampit, por jo jashtë vuajtjes. Në të kundërt, ajo
bart një barrë të heshtur, të rëndë, të vazhdueshme. Ajo përfaqëson gjithë ata
njerëz që nuk futen në qeli, por që jetojnë me qelinë brenda vetes; që nuk
mbajnë pranga në duar, por mbajnë në zemër ankthin, pasigurinë dhe vetminë.
Analitikisht mund të them se kjo figurë
është jashtëzakonisht e rëndësishme, sepse zbulon natyrën rrethore të
padrejtësisë. Padrejtësia politike nuk është vijë e drejtë që shkon nga
pushteti te viktima; ajo është valë që godet gjithçka përreth viktimës. Ajo hyn
në familje, në dashuri, në pritje, në reputacion, në të ardhme. Justina,
kështu, nuk është thjesht personazh mbështetës; ajo është një strukturë morale
e romanit. Ajo shfaq forcën e heshtur, durimin e gjatë, martirizimin pa zë, që
shpesh është edhe më i rëndë se vetë britma.
Në të njëjtën kohë, romani është i
pasur me figura të tjera më anësore, por jo të parëndësishme, sikurse Bib’dod
Orosi, për shembull, që del si figurë e arsyes së kthjellët dhe e ndërgjegjes
së pamposhtur. Ai është nga ata personazhe që nuk mbajnë gjithë barrën e
ngjarjes, por mbajnë një dritë morale brenda veprës. Nëpërmjet tij, lexuesi
kupton se edhe në kohë errësire nuk shuhen krejt njerëzit e mençur, të drejtë
dhe të kthjellët. Ky personazh dëshmon se njeriu, edhe kur nuk ka fuqi për ta
ndryshuar tërë sistemin, prapëseprapë ka fuqi për të mos rënë moralisht. Dhe ky
është një mesazh i madh i romanit: në kohë të padrejta, drejtësia e vogël
personale ka një madhështi të veçantë.
Në një anë tjetër, romani paraqet edhe
tipologjinë e atyre servileve që bashkëjetojnë me pushtetin, përfitojnë prej
tij ose bëhen zgjatim i tij. Këta personazhe kanë rëndësi të veçantë, sepse
tregojnë se e keqja historike nuk mbahet gjallë vetëm nga strukturat abstrakte,
por nga njerëz konkretë, nga ata që zgjedhin të heshtin, të spiunojnë, të
shtypin, të përshtaten me të padrejtën për interesa të vogla ose nga frika.
Kështu, vepra nuk ndërton një botë të thjeshtëzuar në të cilën kemi vetëm
viktima të pastra dhe xhelatë të dukshëm, por na paraqet një peizazh moral më
të ndërlikuar, ku njeriu vihet vazhdimisht përballë zgjedhjes: të mbetet njeri
apo të bëhet vegël.
Klasiku V si metaforë e pushtetit total
Figura e Klasikut V është një nga
ndërtimet më domethënëse simbolike të romanit. Ajo nuk ka rëndësi vetëm si
personazh, por si prani. Madje, forca e saj vjen pikërisht nga fakti se nuk ka
nevojë të jetë gjithmonë në skenë për të sunduar skenën. Ai është simbol i
pushtetit që është bërë sistem nervor i frikës kolektive. Nuk është thjesht
njeri; është mekanizëm, emblemë, hijeshi e errët e autoritetit të
pakontrolluar. Ai ndihet edhe kur nuk flet, shihet edhe kur mungon, imponon edhe
kur nuk vepron drejtpërdrejt. Kjo e bën figurën e tij artistikisht të fuqishme,
sepse autori e shndërron në simbol të një rendi që ka hyrë në vetë psikikën
shoqërore. Pikërisht në aspektin analitik, kjo figurë na ndihmon ta kuptojmë
një të vërtetë themelore: regjimet shtypëse nuk sundojnë vetëm me dhunë të
dukshme, por edhe me prani të padukshme. Frika është armë më e qëndrueshme sesa
dënimi fizik, sepse ajo vazhdon të jetojë brenda njerëzve edhe kur dera e
burgut nuk është para syve. Klasiku V si figurë bëhet kështu jo vetëm portret i
një njeriu, por metaforë e pushtetit total, që kontrollon jo vetëm trupin, por
edhe imagjinatën morale të shoqërisë.
Një ndër vlerat e spikatura të romanit
është se ai nuk mjaftohet të përshkruajë të keqen, por kërkon të depërtojë në
mekanizmat e saj. Nuk pyet vetëm se çfarë ndodhi, por edhe si ndodhi, pse
ndodhi dhe çfarë bëri kjo te njeriu. Kjo e bën veprën të ketë jo vetëm vlerë
narrative, por edhe peshë reflektuese. Lexuesi del prej saj jo thjesht me
emocione, por me pyetje. Dhe letërsia që lë pyetje është letërsi që vazhdon të
jetojë. Një pyetje e tillë del sidomos në fundin e romanit, kur sistemi fillon
të lëkundet dhe hapet mundësia e një ndryshimi historik. Këtu vepra nuk bie në
thjeshtëzim triumfalist. Nuk thotë se me rënien e sistemit gjithçka shpëtohet
menjëherë. Përkundrazi, ajo lë të hapur një problem shumë më të thellë: a
ndryshon shoqëria vetëm kur bie pushteti, apo ndryshon vërtet vetëm kur
shërohet njeriu nga frika, nga servilizmi, nga plagët morale që sistemi ka lënë
në të? Kjo pyetje është e rëndë, por e domosdoshme. Ajo ia jep romanit një
gravitet të veçantë, sepse e zhvendos reflektimin nga historia e jashtme te
ndërgjegjja e brendshme.
Andaj këtu romani bëhet bashkëkohor,
edhe pse flet për një kohë të kaluar. Ai nuk është i rëndësishëm vetëm si
kujtesë historike, por si paralajmërim moral. Ai na kujton se çdo shoqëri që e
nënvlerëson lirinë, çdo sistem që e sakrifikon të vërtetën për kontroll, çdo
kohë që e kthen njeriun në mjet, rrezikon ta përsërisë errësirën. Prandaj kjo
vepër nuk është vetëm për të kaluarën; është edhe për të tashmen, madje edhe
për të ardhmen.
Raporti mes konkretes historike dhe domethënies simbolike
Nga pikëpamja letrare, “Klasiku V”
fiton forcë të veçantë sepse ndërton një raport të qëndrueshëm mes konkretes
historike dhe domethënies simbolike. Ngjarjet janë të rrënjosura në një
realitet të njohshëm shoqëror e politik, por njëkohësisht ngrihen në nivel më
të gjerë universal. Arseni nuk është vetëm një i dënuar i një kohe të caktuar,
ai është njeriu i privuar nga dinjiteti. Justina nuk është vetëm e dashura apo
gruaja që prêt, ajo është figura e dashurisë së plagosur nga historia. Pirusti dhe
Karma nuk është vetëm kamp; është metafora e ferrit tokësor të ndërtuar nga
ideologjia. “Klasiku V” nuk është vetëm personazh, por është emri i frikës që
merr formë pushteti. Kjo ngritje nga konkretja te simbolikja është një nga
shenjat e letërsisë së mirë. Ajo bën që romani të mos mbetet i lidhur vetëm me
një kontekst, por të fitojë fuqi më të gjerë leximi. Pikërisht për këtë arsye,
unë e shoh këtë vepër më shumë se një roman i kujtesës: e shoh si një roman të
ndërgjegjes. Ai nuk kërkon vetëm të tregojë një kohë, por të zgjojë një kujtesë
morale ndaj asaj kohe.
Në fund, ajo që mbetet më fort nga kjo
vepër nuk është vetëm dhimbja, as vetëm errësira, as vetëm padrejtësia. Ajo që
mbetet është ideja se njeriu, edhe kur shtypet, nuk shkatërrohet
domosdoshmërisht në thelb. Brenda tij mund të mbetet një bërthamë drite. Kjo
dritë mund të jetë e vogël, e fshehur, e drobitur, por mjafton për të mos
lejuar zhdukjen e plotë të shpresës. Dhe pikërisht kjo është madhështia e
romanit: ai nuk e mohon ferrin, por as nuk e lë njeriun pa qiell.
Prandaj, me plot kuptimin e fjalës e
them se për mua, “Klasiku V” është një vepër me peshë të madhe njerëzore,
shoqërore dhe letrare. Është një tekst që të mëson të kesh frikë nga
padrejtësia, por edhe të besosh te qëndresa. Është një roman që të kujton se
liria nuk është luks, por themel i qenies njerëzore. Është një rrëfim që e bën
lexuesin të heshtë, të mendojë dhe të kthehet te vetja me më shumë përgjegjësi.
Dhe mbi të gjitha, është një vepër që dëshmon se, edhe në kohët kur errësira
duket absolute, njeriu mund të mbajë brenda vetes një dritë që nuk shuhet.
Pikërisht ajo dritë është kujtesa, është ndërgjegja, është dinjiteti, është
shpresa. Dhe pa të historia do të ishte vetëm plagë; me të historia bëhet edhe
mësim.









