Kulturë
Sabile Basha: Anatomia e krizës dhe demonstratat e vitit 1981 si artikulim i kërkesave kombëtare (1)
E merkure, 15.04.2026, 06:59 PM
ANATOMIA E KRIZËS DHE DEMONSTRATAT E 1981-IT SI ARTIKULIM I KËRKESAVE KOMBËTARE (1)
(Broshura
e ilegales: Eksploatimi i egër nën prangat e rënda kolonialiste, Zëri i
Kosovës, Zvicër, 1987)
Nga
Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Ditë
më parë, teksa po kthehesha me vëmendje në labirintin e arkivit tim personal,
më ra në dorë një broshurë që—me një lloj ironie të qetë arkivore—më kishte
humbur nga kujtesa, megjithëse dikur e kisha gjetur në një prej vendeve më
domethënëse për kërkimin dokumentar: arkivin e Gjykatës së Qarkut në Prishtinë.
Ky rikthim i papritur i një materiali të tillë nuk është thjesht episod
rastësor i rishfletimit, përkundrazi, ai e vë në lëvizje një reflektim më të
gjerë mbi mënyrën se si kujtesa personale dhe kujtesa institucionale
kryqëzohen, ndërthuren dhe nganjëherë e humbasin njëra-tjetrën, derisa një
shenjë e vogël—një fletë e zverdhur, një titull i prerë, një shënim botues—i
risjell sërish në qendër të vëmendjes.
Broshura
u shfaq në mesin e një materiali të bollshëm dokumentar, të përfshirë në dosjen
e Hydajet Hysenit—dosje që, si çdo fond i tillë gjyqësor, nuk është vetëm
grumbullim shkresash, por një hartë e tensioneve politike, e mekanizmave të
kontrollit dhe e gjuhëve të pushtetit që e shoqëruan një periudhë të caktuar
historike. Prania e kësaj broshure brenda një dosjeje të tillë sugjeron, në
mënyrë të heshtur por të fuqishme, se materialet e shtypura—pamflete, broshura,
tekste propagandistike apo analitike—kanë luajtur rol jo vetëm në qarkullimin e
ideve, por edhe në kategoritë e dyshimit institucional dhe në mënyrën se si
prodhohej “prova” në kontekste represive. Në këtë kuptim, broshura nuk është
thjesht tekst, por ajo është edhe objekt, edhe gjurmë- dëshmi e një rrjeti
komunikimi dhe e një kulture politike që e përdorte fjalën e shkruar si mjet
rezistence, mobilizimi ose artikulimi ideologjik.
Materiali
mban titullin domethënës “Eksploatimi i egër nën prangat e rënda
kolonialiste”—një titull që, në planin diskursiv, përmbledh një pozicionim
të qartë interpretues- realiteti social dhe ekonomik përshkruhet jo si
marrëdhënie e zakonshme pabarazie, por si eksploatim i dhunshëm i strukturuar
brenda një rendi “kolonialist”. Vetë metafora e “prangave të rënda” e ngarkon
tekstin me një regjim kuptimi ku shtypja nuk është vetëm administrative apo
politike, por e trupëzuar, e materializuar në imazhin e lidhjes, kufizimit dhe
pamundësisë së lirisë. Kjo gjuhë e fortë figurative—tipike për botimet polemike
të kohës—synon të prodhojë jo thjesht informacion, por një ndërgjegjësim moral
dhe politik: t’i japë lexuesit një kornizë të gatshme për ta kuptuar realitetin
si padrejtësi të vazhdueshme dhe si gjendje që kërkon reagim.
Nga
të dhënat bibliografike, broshura rezulton e botuar më 1987 nga biblioteka
“Liria”, nën shenjën “Zëri i Kosovës”. Vetë këto emërtime (“Liria”, “Zëri”) nuk
janë neutrale: ato funksionojnë si kode simbolike të një projekti
kulturor-politik ku shtypi shfaqet si instrument i artikulimit kolektiv dhe i
pretendimit për të folur “në emër” të një përvoje të përbashkët. Edhe më e
rëndësishme është adresimi botues: “c/o Buchandlung KB badhausstr.35, CH-2503
Biel/Bienne, Zvicër”[1].
Ky detaj e vendos tekstin në një gjeografi tipike të prodhimit dhe qarkullimit
të botimeve politike shqiptare të asaj periudhe, ku diaspora—veçanërisht në
Zvicër—shërbente si hapësirë relative lirie për botim, organizim dhe
shpërndarje. Në aspektin historik dhe sociologjik të komunikimit, kjo e kthen
broshurën në një nyje të lidhjeve transnacionale. Një tekst i prodhuar jashtë,
por i orientuar drejt një publiku dhe një realiteti brenda, një dokument që
dëshmon se fjalët udhëtonin edhe kur njerëzit dhe institucionet përballeshin me
kufizime.
Fakti
që kjo broshurë më “kishte ikur nga mendja” për një kohë të gjatë, e më pas u
rikthye përmes hulumtimit në arkivin personal, na kujton edhe një dimension
tjetër: arkivi privat nuk është vetëm depo, por proces. Ai nuk i ruan
materialet thjesht si objekte të palëvizshme, i ruan edhe si potencial
interpretimi, si mundësi për t’u lexuar ndryshe në kohë të ndryshme. Një tekst
i gjetur dikur në një dosje gjyqësore mund të mos e shpalosë menjëherë gjithë
peshën e vet, ndërsa kur rishfaqet, në një kontekst të ri kërkimi dhe me një
përvojë të pasuruar akademike, ai mund të kthehet në dritare analitike, për të
kuptuar gjuhën politike të kohës, rrjetet e diasporës, mekanizmat e kontrollit
institucional dhe mënyrën se si prodhohej e shpërndahej narrativa e
rezistencës.
Prandaj,
kjo broshurë, e botuar më 1987 dhe e gjetur në dosjen e Hydajet Hysenit, mund
të lexohet njëkohësisht në disa nivele: si tekst polemik me fjalor të fortë
ideologjik; si objekt dokumentar që dëshmon qarkullimin e shtypit politik; si shenjë
e marrëdhënies midis diasporës dhe hapësirës së brendshme; dhe si fragment i
një arkivi gjyqësor ku fjala e shtypur përfshihej në logjikën e survejimit dhe
të ndëshkimit. Në këtë mënyrë, rikthimi i saj nga harresa nuk është një rast i
vogël personal, por një rast studimor i vlefshëm, sepse na tregon se historia,
shpesh, nuk vjen vetëm përmes ngjarjeve madhore, por edhe përmes dokumenteve të
vogla që mbajnë brenda tyre gjuhën, frikën, shpresën dhe strategjitë e një
epoke.
Të
tjera të dhëna nuk kam. E pranoj këtë mungesë jo si dobësi të rrëfimit, por si
një nga ato heshtje që arkivat dinë t’i ruajnë me kokëfortësi—heshtje që, herë
pas here, duken më elokuente se vetë fjala. Nuk e di se të kujt janë shkrimet e
botuara; emri i autorit, apo i autorëve, nuk del askund si dritë e qartë mbi
faqet. Dhe megjithatë, brenda broshurës përmendet se këto shkrime kanë pasur
një jetë më të hershme: janë botuar më parë në vazhdime, në gazetat e
ilegales—ato fletë të fshehta që udhëtonin nën pseudonime, përmes kufijve dhe
rrjeteve të padukshme, duke u shtypur “gjithandej nëpër botë”, sikur fjala, kur
ndalohet në një vend, merr frymë në një tjetër.
Ka
diçka tronditëse në këtë qarkullim, një tekst që, në vend se të ketë një atdhe
të vetëm, e ka botën si strehë, një zë që, në vend se të ketë një adresë të
qartë, ka rrugë të fshehta, një letër që s’është thjesht fletë, por shenjë e
një kohe kur shkrimi ishte rrezik dhe kur rreziku—paradoksalisht—e bënte
shkrimin më të domosdoshëm. Dhe, në këtë rrjedhë, identiteti i autorit shpesh
mbetej në hije jo nga mungesa e krenarisë, por nga domosdoshmëria e mbijetesës-
emri bëhej luks, ndërsa fjala—mision.
Për
çudi, broshura është gjetur në burg, pra në një hapësirë ku çdo gjë zakonisht
regjistrohet, ku çdo send e bart mbi vete një gjurmë kontrolli, ku çdo faqe
mund të kthehet në provë. Por, pikërisht aty, ajo shfaqet si e zhveshur nga
shënimet, pa emër, pa iniciale, pa asnjë të dhënë identifikuese për autorin apo
autorët. Një objekt që do të duhej të ishte i “annotuar” nga dora e pushtetit,
del si i paprekur, një tekst që do të duhej të ishte i shënuar me gërvishtjet e
hetimit, mbetet i pastër, i heshtur, i padepërtuar nga lapsi i zyrtarit. Kjo
mungesë, kjo “asgjë e shënuar”, ngjan si një boshllëk i qëllimshëm- ose dikush
nuk arriti të zbulojë asgjë, ose dikush zgjodhi të mos lërë gjurmë—dhe në të dy
rastet, heshtja fiton një peshë të veçantë.
Sepse,
nga përvoja ime në hulumtime, kam hasur shpesh të kundërtën- gazetat dhe
dokumentet që janë marrë nga të burgosurit politikë rrallë kanë mbetur pa
“shënjimin” e organeve hetuese. Hetues të ndryshëm, me durimin e ftohtë të
administratës dhe etjen e pushtetit për të emërtuar, zakonisht kanë shkruar mbi
to atë që kanë zbuluar—emra, dyshime, lidhje, vendbotime, rrugë qarkullimi. Aty
ku fjala kërkonte të mbetej e lirë, ata përpiqeshin ta lidhin me pranga të reja,
pranga të shkruara, pranga të dokumentuara. Dhe këtë e kam parë me sytë e
mi—siç e kam hasur, fjala vjen, te numrat e gazetës “Liria” dhe “Zëri i
Kosovës”, ku dora e hetuesit, e padukshme por e pranishme, ka lënë gjurmë:
shënime anash, emra autorësh, nënvizime, identifikime, një lloj “përkthimi” të
tekstit në gjuhën e dyshimit.
Prandaj
kjo broshurë, e gjetur në burg dhe megjithatë e pashënuar, më mbetet si enigmë
e vogël, por e mprehtë. Është si një dhomë e mbyllur në shtëpinë e kujtesës, e
di që ka brenda diçka, e ndiej peshën e saj, por çelësi mungon. Dhe, në vend të
përgjigjeve të qarta, më jep një pyetje të gjatë, si është e mundur që në një
hapësirë ku gjithçka rregullohet nga kontrolli, të mbijetojë një tekst pa
identitet të regjistruar? A është kjo një shenjë e dështimit të hetimit, një
pakujdesi, një vakum rastësor në mekanizmin e survejimit? Apo është, ndoshta,
një shenjë e një suksesi të heshtur, që fjala, të paktën një herë, ia doli t’i
shpëtojë etiketës, të mbetet pa emër, të jetë thjesht zë?
Në
këtë pikë, mungesa e të dhënave kthehet në praninë e një atmosfere. Edhe pa
autor, edhe pa shpjegime, broshura flet për një kohë kur shkrimet qarkullonin
si pulsi i një trupi të padukshëm, për një kohë kur gazetat e ilegales
botoheshin larg, por lexoheshin afër, me frikë e me shpresë, për një kohë kur
hetuesit përpiqeshin ta kthenin çdo fjali në provë, ndërsa të burgosurit e
mbanin fjalën si dëshmi të dinjitetit. Dhe ndonjëherë, pikërisht aty ku pritet
shenja, mbetet boshllëku—si një hapësirë e papushtuar, si një faqe që refuzon
të dëshmojë për të tjerët, dhe vendos të dëshmojë vetëm për veten: se ka
ekzistuar, se ka udhëtuar, se ka mbijetuar.
Broshura
vjen me përmasën e saj të thjeshtë e të zakonshme, A5—ajo madhësi që të rri në
dorë si një fletore e vogël shënimesh, si një send i përditshëm, thuajse i
padukshëm në shikim të parë. Por pikërisht ky përulurim i formës e bën edhe më
të mprehtë përmbajtjen: sepse brenda këtij trupi të vogël letrash, të numëruara
në 75 faqe, është ngjeshur një botë e tërë shqetësimesh, një kohë e tërë
tensioni, dhe një mënyrë e të menduarit që kërkon të mos mbetet vetëm dëshmi
emocionale, por të marrë pamjen e analizës dhe të akuzës së argumentuar.
Teksti
hapet me Parathënien—si një prag shtëpie ku autori (apo autorët e
padukshëm) i fton lexuesit të hyjë në një rrëfim që nuk është vetëm rrëfim, por
edhe orientim, një mënyrë për ta drejtuar shikimin, për t’ia mprehur
ndjeshmërinë dhe për t’ia rregulluar busullën e kuptimeve. Më pas vjen Hyrja,
ku nyjet e para të argumentit lidhen me kujdes, si të ishin fijet fillestare të
një rrjete që do të shtrihet më tej nëpër kapituj. Dhe pastaj broshura ecën,
hap pas hapi, duke u ndarë sipas temave që trajton—një ndarje që i jep tekstit
jo vetëm rregull, por edhe një disiplinë të brendshme. Çdo kapitull si një
dritare, çdo temë si një kënd vështrimi prej nga realiteti ekonomik i Kosovës
shfaqet jo si statistikë e ftohtë, por si përvojë e rëndë shoqërore.
Në
fillim vendoset “Strategjia e politikës ekonomike”—si të thuhet së pari
duhet kuptuar logjika që e udhëheq sistemin, mendësia që e organizon varfërinë
dhe e arsyeton pabarazinë. Pas saj vjen “Struktura e rendit ekonomik e
Kosovës”, ku ekonomia shfaqet si trup me skelet të caktuar, me nyje të
ngurta, me një arkitekturë që nuk është ngritur për zhvillim të lirë, por për
varësi. Dhe kur flitet për “Vëllimin e pamjaftueshëm dhe strukturën e rendit
të investimeve”, fjala “pamjaftueshëm” tingëllon si diagnozë e gjatë, jo
mungesë rastësore, por mungesë e programuar, jo harresë, por metodë.
Një
nga titujt më goditës është “Fondi – lak në fytin e ekonomisë së Kosovës”.
Vetë metafora e lakut e zhvendos ekonominë nga fjalori teknik në fushën e
përjetimit, këtu nuk flitet thjesht për mekanizma financiarë, por për një
shtrëngim që ia merr frymën zhvillimit, ia ngushton hapësirën jetës, e lë
ekonominë të rrotullohet rreth vetes me një frymëmarrje të vështirë. Më tej,
kapitujt mbi “Shpërndarjen primare” dhe “Shpërndarjen sekondare”
e nxjerrin në pah rrugën e pasurisë: ku krijohet, kush e prek, kush e bart, dhe
si shpërndahet ajo që në fund shndërrohet në paga, privilegje, dhe në atë
pabarazi që s’është vetëm ekonomike, por edhe morale.
Në
vazhdim vjen pyetja “Çfarë akumulimi realizon ekonomia e Kosovës”—një
pyetje që në vetvete është akuzë e heshtur sepse akumulimi, në teori, duhej të
ishte themeli i zhvillimit, e në praktikë shpesh kthehet në pasqyrë të
grabitjes. Dhe pastaj teksti zbritet në thellësi me kapituj si “Kriza e
thellë ekonomike”, “Humbjet në ekonomi – dukuri të krizës së thellë”, dhe “Mosrealizimi
i planeve – pasojë e krizës”. Këtu, kriza nuk lexohet si episod i
përkohshëm, por si gjendje e strukturuar, një çarje që nuk mbyllet, një plagë
që nuk lidhet, sepse vetë sistemi e ushqen.
E
trishtueshme, por thelbësore, është pjesa ku papunësia përkufizohet si “sëmundje
e pashërueshme në shoqërinë jugosllave”. Sëmundje—sepse prek trupin
shoqëror; e pashërueshme—sepse nuk është thjesht rezultat i rastësisë, por
simptomë e një rendi të ndërtuar mbi përjashtimin dhe mbi pabarazinë. Dhe si
një vijë e drejtë që del nga kjo sëmundje, shfaqet “Kurbeti – plagë e rëndë
për shqiptarët”, një fjalë e vjetër, e ngarkuar me mall, me ikje, me rrugë
të gjata dhe me zemra të lëna pas. Në këtë kapitull, ekonomia nuk është më
vetëm tabelë e numrave, ajo bëhet histori familjesh, valixhesh, stacionesh, dhe
gjuhësh të huaja ku njeriu shkon të jetojë për të mbijetuar.
Broshura
vijon me “Detyrimet – diktat kolonialist”, ku detyrimi nuk paraqitet si
marrëveshje, por si urdhër, jo si rregull i përbashkët, por si imponim. Pastaj,
“Humbjet ekonomike – barrë e rëndë për punëtorët” e zhvendos peshën e
krizës aty ku ajo bie më fort, mbi shpinën e atij që punon, mbi duart që
prodhojnë, mbi jetën e atij që e mban sistemin në këmbë, por që shpesh është i
fundit që përfiton prej tij. Dhe kur përmenden “Kushtet e vështira të punës”
që “rrezikojnë shëndetin dhe jetën e punëtorëve”, shfaqet dimensioni më i
ashpër, kriza si rrezik konkret, jo abstrakt, si lodhje që shndërrohet në
sëmundje, si punë që shndërrohet në kërcënim.
Në
këtë rrjedhë, teksti nuk mbetet vetëm te ekonomia, ai prek edhe nervat
shoqërorë dhe politikë të kohës. “Propaganda shoviniste e Beogradit nxit
urrejtjen në mes punëtorëve”—ky kapitull e zbulon se si pabarazia ekonomike
shoqërohet me manipulim të ndërgjegjes, si urrejtja mbillet për të mbuluar
padrejtësinë, si përçarja shërben për ta fshehur burimin e vërtetë të krizës.
Dhe, si një kulm dramatik, broshura arrin te “Vullkani i protestës”—një
titull që e kthen shoqërinë në terren të zjarrtë, ku poshtë sipërfaqes zien
pakënaqësia, dhe ku shpërthimi nuk është çështje dëshire, por pasojë e
pashmangshme e presionit të gjatë.
Në
fund, ajo mbyllet me një përfundim të shkurtër—por të rëndë, si fjala e fundit
e një dëshmitari. Shkurtësia e përfundimit nuk e ul peshën e tij përkundrazi, e
bën më therëse, sepse duket sikur autori ka dashur të lërë një thikë të vogël
në letër, një fjali që të mos harrohet, një mesazh që t’i rezistojë kohës, një
shenjë që, në rrethanat e asaj epoke, mund të ketë qenë po aq e rrezikshme sa
edhe e domosdoshme.
Dhe
kështu, kjo broshurë e vogël A5—me 75 faqe, me parathënie e hyrje, me kapituj
të renditur si stacione analize—del të jetë më shumë sesa një tekst. Ajo është
një hartë e një krize, një regjistër i një padrejtësie, një kronikë e një
shoqërie që lufton për frymë, për punë, për dinjitet. Është një copë letre që
mban mbi vete jo vetëm fjalë, por edhe rënkimin e një kohe—dhe një paralajmërim
se, kur lakët shtrëngohen shumë gjatë, vullkani, herët a vonë, zgjohet.
Gjatë
leximit të këtij materiali, një lexues i zakonshëm—pa qenë domosdoshmërisht i
specializuar në histori ekonomike apo në analizën e sistemeve socialiste—do të
krijonte lehtësisht përshtypjen se teksti është hartuar nga një njohës i mirë i
raporteve ekonomike që karakterizonin Jugosllavinë e atëhershme, në veçanti
Serbinë dhe Kosovën. Kjo ndjesi buron jo vetëm nga terminologjia e përdorur,
por edhe nga mënyra se si autori/autorët e strukturojnë arsyetimin nëpërmjet
një leximi të lidhjeve ndërmjet politikave ekonomike, mekanizmave të
shpërndarjes, investimeve dhe pasojave sociale, pra duke i trajtuar dukuritë jo
të izoluara, por si pjesë të një konfigurimi më të gjerë të sistemit.
Që
në faqet hyrëse—konkretisht në Parathënie—lexuesit i jepet një orientim i qartë
mbi prejardhjen dhe natyrën e tekstit. Aty bëhet e ditur se kjo broshurë (ashtu
siç është theksuar edhe më herët) nuk përbën një botim tërësisht të ri në
kuptimin e prodhimit fillestar të përmbajtjes, por është rezultat i një
publikimi të mëparshëm “në vazhdime” në organin e Lëvizjes Popullore për
Republikën e Kosovës, “Zëri i Kosovës”.[2]
Ky sqarim është i rëndësishëm në planin metodologjik, sepse tregon se materiali
ka qarkulluar fillimisht në format periodik, ndërsa më pas është konsoliduar në
trajtë broshure—proces që shpesh lidhet me synimin për ta sistematizuar
argumentin, për ta bërë më të qëndrueshëm në kohë dhe më të përdorshëm si
referencë.
Po
në Parathënie, teksti vetë-përkufizohet si material i “shtjelluar mbi baza
shkencore”, duke pretenduar një qasje analitike që synon të kapë dimensionin
ekonomik të një varg problemesh të ndryshme të ekonomisë jugosllave[3].
Në këtë optikë, krizat dhe vështirësitë ekonomike nuk paraqiten thjesht si
dukuri të brendshme të ekonomisë, por lidhen ngushtë me intensifikimin e
shtypjes dhe me atë që Parathënia e artikulon si “shfrytëzim kolonialist” të Kosovës.
Pra, pretendohet se ekziston një marrëdhënie shkakësore ose të paktën
funksionale ndërmjet krizës ekonomike, politikave të menaxhimit të saj dhe
mënyrës se si këto politika reflektohen në raporte të pabarabarta ndërmjet
qendrës dhe periferisë, duke e vendosur Kosovën në pozitë të disfavorshme
brenda rendit ekonomik-politik të federatës.
Në
këtë mënyrë, Parathënia nuk shërben vetëm si hyrje formale, por si një kornizë
interpretimi: ajo i paraprin leximit duke i sugjeruar lexuesit se materiali
duhet kuptuar si analizë ekonomike e ndërthurur me një tezë politike mbi
shtypjen dhe varësinë strukturore. Pikërisht ky kombinim—pretendimi për “bazë
shkencore” dhe përfundimi politik mbi “shtypjen” dhe “shfrytëzimin
kolonialist”—e bën tekstin të duket, në sytë e lexuesit të zakonshëm, si
produkt i një autori me kompetencë të konsiderueshme në fushën e raporteve
ekonomike të kohës, edhe nëse autorësia mbetet e paidentifikuar.
Në
vijim të materialit, theksohet një ide qendrore që e orienton leximin drejt një
kornize shpjeguese me natyrë socio-ekonomike, për ta kuptuar në mënyrë të plotë
logjikën e shpërthimit të demonstratave dhe të revoltës masive të vitit 1981 në
Kosovë, nuk mjafton të merret si pikënisje vetëm dinamika politike e atyre
ditëve, as vetëm repertori i kërkesave që u artikuluan publikisht. Përkundrazi,
sipas tekstit, një analizë e tillë kërkon domosdoshmërisht që vëmendja të
zgjerohet dhe të zhvendoset edhe te rrethanat strukturore, veçanërisht te
kushtet ekonomike në të cilat Kosova dhe popullsia shqiptare ndodheshin para
vitit 1981.[4]
Ky
argument e vendos revoltën e vitit 1981 në një horizont interpretimi ku demonstratat
nuk trajtohen si reagim i çastit, as si përplasje e izoluar, por si rezultat i
akumulimit të një gjendjeje të zgjatur tensioni. Në këtë kuptim, kushtet
ekonomike paraqiten si një “infrastrukturë” e pakënaqësisë, një terren ku
pabarazitë, varfëria relative, politikat e investimeve, mekanizmat e
shpërndarjes dhe mundësitë e kufizuara të zhvillimit prodhojnë jo vetëm
vështirësi materiale, por edhe një ndjesi të thellë padrejtësie shoqërore. Pra,
ekonomia nuk lexohet thjesht si sektor i veçantë i jetës publike, por si një
faktor që ndërton marrëdhënie pushteti dhe përcakton kapacitetin e një shoqërie
për të jetuar me dinjitet.
Teksti
shkon edhe më tej duke nënvizuar se pikërisht kjo gjendje ekonomike—e
interpretuar brenda raportit qendër–periferi dhe në kontekstin e administrimit
politik nga Beogradi—përbën një nga shkaqet kryesore që çuan në shpërthimin e demonstratave
gjithëpopullore të vitit 1981 në Kosovë.[5]
Kësisoj, demonstratat e 1981-shit paraqiten si pasojë e një strukture të
caktuar dominimi, e cila, sipas materialit, lidhet me “pushtetin serbomadh të
Beogradit”.[6]
Në termat e analizës që sugjeron broshura, ky formulim synon të shpjegojë se
pakënaqësia nuk buronte vetëm nga kriza ekonomike në kuptimin e ngushtë, por
nga mënyra se si ajo krizë përjetohej si produkt i një rendi politik që i
riprodhonte pabarazitë dhe i përforconte ato përmes instrumenteve të
administrimit, planifikimit dhe shpërndarjes.
Në
planin shkencor, kjo tezë mund të kuptohet si një ftesë për analizë
shumëdisiplinore: demonstratat dhe revolta masive lexohen përmes një
ndërthurjeje të ekonomisë politike, historisë sociale dhe analizës së
marrëdhënieve të pushtetit. Kjo do të thotë se, për autorin/autorët, viti 1981
nuk është vetëm pikë kulmore e një mobilizimi shoqëror, por edhe moment ku
duken qartë pasojat e një gjendjeje të mëparshme ekonomike e sociale—gjendje
që, sipas tekstit, e ka ushqyer revoltën dhe e ka bërë atë të pashmangshme.
Materiali
i dalë nga lëvizja ilegale, në mënyrën e vet të drejtpërdrejtë dhe të ngarkuar
me domethënie, ngjan si një dëshmi që nuk kërkon vetëm të rrëfejë, por të
shpjegojë—të vendosë shkakun në vendin e tij, ta zbërthejë rrënjën dhe ta
tregojë se pse shpërtheu ajo pranverë e trazuar e vitit 1981, kur demonstratat
studentore u përhapën si dallgë e fortë dhe e tronditën deri në themelet e veta
shtetin e Jugosllavisë. Sipas këtij materiali, ky shpërthim nuk ishte thjesht
një flakërim i momentit, as një ngjarje e izoluar në oborret universitare: ai
ishte pasojë e një bazamenti të gjatë e të rëndë—gjendjes së mjeruar ekonomike
në Kosovë, një gjendje që jo vetëm ekzistonte si realitet i përditshëm, por që,
siç nënkupton teksti, ishte e ndikuar, e ushqyer dhe e mirëmbajtur nga pushteti
jugosllav me logjikë okupimi. Pra, varfëria nuk paraqitet si fat; ajo shfaqet
si mekanizëm.
Në
këtë rrëfim-analizë, ekonomia del si fije që i lidh të gjitha: punën e rëndë,
papunësinë, kurbetin, pamundësinë e investimeve, pabarazinë në shpërndarje—dhe,
në fund, reagimin shoqëror që merr formën e revoltës. Gjendja ekonomike nuk
përshkruhet vetëm si sfond, ajo vendoset në qendër, si toka e thatë ku mblidhet
pluhuri i padrejtësisë, derisa mjafton një hap i fortë për ta ngritur stuhinë.
Analizuesi
i kësaj situate—zëri që flet brenda materialit—e ndërton argumentin me një
përkushtim të dukshëm, sikur të kishte marrë mbi vete një detyrë të dyfishtë,
të mos lejojë që dhimbja të mbetet vetëm dhimbje, por ta shndërrojë në provë,
të mos e lërë revoltën si thirrje emocionale, por ta pajisë me arsyetim. Me
synimin për të shqyrtuar kushtet dhe rrethanat ekonomike në Kosovë para vitit
1981, ai përpiqet t’i japë tekstit një gravitet “shkencor”- të faktojë, të
argumentojë, të rendisë shkaqet dhe pasojat, të tregojë—me një logjikë të
brendshme—bazat mbi të cilat ndërtohej politika ekonomike e Beogradit ndaj
Kosovës. Në këtë kuptim, ai e paraqet këtë politikë si një ndërtim të menduar,
jo si një seri vendimesh të rastësishme, me qëllime të qarta, me dimensione të
caktuara, me mekanizma që prodhojnë varësi dhe me përmasa alarmuese të pasojave
të mundshme.
Broshura
e trajton këtë politikë sikur të ishte një hartë e ftohtë, ku vijat e
planifikimit ekonomik shndërrohen në vija kufizuese për zhvillimin e një vendi.
Dhe, në këtë hartë, Kosova shfaqet si periferi e dënuar të mos bëhet qendër, e
destinuar të japë më shumë sesa merr, të mbetet pas për t’i shërbyer një rendi
që e lë prapa. Kështu, diskriminimi ekonomik nuk përmendet si një ndjesi, por
si një realitet i argumentuar, një rrjedhë e pabarabartë e resurseve,
investimeve, mundësive, dhe e të drejtës për zhvillim.
Por
autori—nuk ndalet vetëm te diagnoza. Ai shkon edhe një hap më tej, sikur të
donte ta largonte tekstin nga thjeshtësia e akuzës dhe ta vendoste në terrenin
e një “projekti” të mundshëm zgjidhjeje. Përveçse e përshkruan në mënyrë të
arsyetuar diskriminimin ekonomik në Kosovë, ai propozon edhe rrugën që, sipas
tij, duhet ndjekur nga regjimi i Beogradit për ta zhdukur këtë padrejtësi. Ky
është një moment domethënës, sepse teksti, edhe kur është i lindur në rrethana
ilegale, nuk e mbyll veten vetëm në refuzim—por hap një dritare të vogël drejt
një “mundësie” reformuese, drejt një ideje se, nëse do të kishte vullnet
politik, do të kishte edhe rrugëdalje.
Në
fund, materiali të mbetet në dorë si një dokument që përpiqet të jetë
njëkohësisht thirrje dhe analizë, një tekst që e sheh ekonominë si zemër të një
rendi politik, një dëshmi që i shpjegon demonstratat e 1981-shit jo si rastësi,
por si rrjedhë e gjatë e një padrejtësie të grumbulluar. Ai ngjan me një
kronikë ku varfëria flet me gjuhën e shifrave, por edhe me gjuhën e njerëzve,
ku politika ekonomike përshkruhet si arkitekturë e pabarazisë, dhe ku
demonstratat, në fund, shfaqen si zëri i një shoqërie që, kur nuk i mbetet më
frymë, e kthen frymën në protestë.
Duke
u zhytur më thellë në leximin e broshurës, bie në sy një element që krijon
befasi të menjëhershme- autori shfaqet jo vetëm si njohës i raportit ekonomik
ndërmjet Kosovës dhe qendrave vendimmarrëse në Jugosllavi, por edhe si një
vëzhgues i informuar i zhvillimeve ekonomike në shkallë botërore. Në mënyrën si
e ndërton argumentin, ai duket se e ka të qartë se ekonomitë nuk mund të
kuptohen jashtë kontekstit të sistemeve politike që i prodhojnë dhe i drejtojnë
ato, prandaj, në trajtimin e tij, sistemet e ndryshme politike botërore shfaqen
si korniza që ndikojnë drejtpërdrejt në ekonominë globale dhe në mënyrën se si
shpërndahet pushteti ekonomik. Kjo qasje e zgjeruar—që e lidh realitetin vendor
me prirjet më të gjera ndërkombëtare—i jep tekstit një ton më ambicioz, sikur
autori të synojë të tregojë se çështja e Kosovës nuk është vetëm problem
periferik i një federate, por nyje e një rendi më të gjerë marrëdhëniesh
politike dhe ekonomike.
Në
këtë sfond, Hyrja e librit—edhe pse jashtëzakonisht e shkurtër dhe e
përmbledhur, me vetëm tri faqe tekst—përmban një pohim thelbësor që e vendos
Kosovën në një kontrast të mprehtë, midis potencialit të saj natyror dhe
realitetit ekonomik që përjetohej. Autori e nis analizën duke e karakterizuar
Kosovën si hapësirë me pasuri të konsiderueshme, duke e theksuar njëkohësisht
pasurinë e nëntokës dhe të sipërfaqes- nëntoka paraqitet si depo e mineraleve
me vlerë, ndërsa toka mbi sipërfaqe përshkruhet si “shumë pjellore”[7].
Ky lloj formulimi ka funksion të qartë argumentues, synon të vendosë premisën
se prapambetja ekonomike nuk mund të shpjegohet nga mungesa e resurseve, por
duhet kërkuar në mënyrën e administrimit, të shfrytëzimit dhe të shpërndarjes së
atyre resurseve.
Më
tej, autori e konkretizon këtë pretendim për pasuritë nëntokësore duke ofruar
një listim të gjerë mineralesh dhe elementesh, duke deklaruar se “Brendia e
tokës së Kosovës përmban në sasi të mëdha thuaja se të gjitha elementet e Sistemit
të Mendeljevit” dhe duke përmendur shembuj si: “plumb, zink, thëngjill, nikel,
ari, argjend, magnezit, antimon, etj...etj...”[8]
Në planin retorik, ky listim shërben si strategji e dyfishtë, nga njëra anë,
krijon përshtypjen e një baze “faktike” dhe të një njohjeje të mirë të burimeve
natyrore, nga ana tjetër, përforcon idenë se Kosova përfaqëson një hapësirë me
potencial të jashtëzakonshëm ekonomik, por që, sipas broshurës, nuk e shndërron
dot këtë potencial në mirëqenie shoqërore.
Në
këtë mënyrë, edhe pse Hyrja është shumë e shkurtër në volum, ajo kryen një
funksion të rëndësishëm konceptual- e përcakton kornizën e debatit si një
problem të mospërputhjes ndërmjet resurseve dhe rezultateve. Nënteksti i këtij
argumenti është i qartë: nëse një vend ka pasuri minerare dhe tokë pjellore,
atëherë varfëria dhe stagnimi nuk janë “gjendje natyrore”, por tregues të një
rendi ekonomik-politik që e kanalizon pasurinë në mënyrë të pabarabartë ose e
shfrytëzon atë në funksion të interesave të tjera. Pikërisht këtu, autori e
ndërton bazën për tezën më të gjerë të broshurës se ekonomia e Kosovës duhet
lexuar jo vetëm me instrumente ekonomike, por edhe me instrumente të ekonomisë
politike, duke e parë kontrollin mbi resurset si formë pushteti dhe si element
vendimtar në marrëdhëniet qendër–periferi.
Vijon
[1] Eksploatimi i egër nën
prangat e rënda kolonialiste , 3
[2]Parathënia, bëhet njoftimi
se broshura është botuar më herët “në vazhdime” në organin e Lëvizjes Popullore
për Republikën e Kosovës “Zëri i Kosovës”.
[3] Po aty, 3
[4] Strategjia e politikës
ekonomike, 9
[5] Po aty
[6] Po aty, 10
[7] Struktura e rëndë
ekonomike e Kosovës, 11,
[8] Po aty, 12









