E marte, 14.04.2026, 06:00 AM (GMT+1)

Editorial

Ndue Dedaj: Gegnishtja, gjuhë e Buzukut dhe e shtetit shqiptar

E hene, 13.04.2026, 06:58 PM


GEGNISHTJA, GJUHË E BUZUKUT DHE E SHTETIT SHQIPTAR

NGA NDUE DEDAJ

Gjuha shqipe në rrjedhën e saj historike është një, para se të jetë e ndarë në dy dialekte dhe të folme trevash të ndryshme, të cilat kanë vlerën se e pasurojnë dhe nuk e ndajnë kurrësesi, ndaj askush nuk mund të përjashtojë apo zvogëlojë njërin apo tjetrin krah të saj. Gjuha nuk pranon “tutorë” të asnjë natyre. Asnjë urdhër nuk e vdes dot paskajoren, aq më pak krejt gegnishtën, muzikalitetin e saj. Marjana nga Dukagjini është dëshmi e gjallnisë së gegnishtes si gjuhë shqipe e lashtë, ndaj në “duelin” e stisur nga rrjetet sociale Marjana – Standardi, nuk ekziston problemi, nuk ka një konflikt. Gjuha rron më gjatë se gjithë breznitë njerëzore të shekujve, ajo pret dhe përcjell folësit e saj të rinj, sigurisht duke mos i shpërfillur kodet e kohëpaskohshme të funksionimit të saj publik, por duke mos i parë ato si tabu, që nuk mund të ndryshojnë në asgjë, me çka nuk kuptojmë kalimin e “stafetës” nga njëri dialekt te tjetri.

Asgjë nuk do të kishte ndodhur, nëse ajo që foli në dialekt nuk do të ishte deputetja Koçeku dhe ku, në Kuvendin e Shqipërisë. Përkundrazi, nëse do të kishte folur në dialekt ajo Mariana e djeshme e bujtinës në Lumin e Shalës, kur ende nuk ishte bërë deputete, do ta kishim përmendur pozitivisht, duke shkruar sa mirë që një vajzë që ka studiuar jashtë vendit flet në gjuhën e Gjon Buzukut! Dhe vërtetë ky është lajmi. Një vajzë që flet ambëlsisht gjuhën e gjyshes së saj. Ajo nuk foli në gjuhë të huaj në Kuvend, por në shqipen e të parëve dhe të mbramëve të vet. Nuk ka arsye për keqkuptim këtu. Edhe në rastin e një diskutimi me shkrim në gegnisht të asaj apo dikujt tjetër. Do të ndryshonte puna te aktet e Kuvendit si institucion.

Përpos identitetit të saj gjuhësor, ka gjasë që Marjana ka “gabuar” qëllimisht, pasi ka kujtesë dhe kulturë gjuhësore të para vitit 1972, dhe ajo e di se gazeta e parë e pavarur e shtetit shqiptar, “Përlindja e Shqipnisë”, 24 gusht 1913, është e shkruar në gegnisht. Në tituj janë fjalët gege: Shqipni, Vlonë etj. Dhe ajo gazetë kishte për kryeredaktor një toskë të ndritur si Dhimitër Beratin dhe mbështetës shkrimtarin dhe luftëtarin e njohur Mihal Grameno. Historiani deputet Ardit Bido shkruan se kjo gazetë “u bë zëri i Shqipërisë së re dhe se në faqet e saj u pasqyruan ligje, vendime zyrtare, thirrje për bashkim kombëtar” etj.

Po ashtu deputetja e re e di se dhe në kohën e Zogut gjuhë zyrtare e shtetit shqiptar ishte gegnishtja, siç e kishte pasë përcaktuar Komisia Letrare e Shkodrës, dëshmi e përdorimit të së cilës në administratë është dhe pasaporta shqiptare, në kapakun e së cilës ishin renditur disa këshilla të shkruara në gegnisht, që do të kishin vlerë dhe sot, si “Ta dish dhe të jesh i sigurt se fatbardhsia dhe lumturia e jote gjindet në Shqipni e cila t’ep nder e të fal emnin shqiptar”, “Ruaje mirë karakterin komtar dhe kryenaltsin shqiptare; bindju ligjeve dhe urdhnave të vendit kudo që të jesh”, “Çdo shqiptar asht vëllau Yt: nderoje kurdoherë dhe ndihmoje kur të ket nevojë”, “Mos e përbuz gjuhën e nanës s´ate, tue fole në gjuhë të huej kur nuk asht nevoja”, “Ndero flamurin e atdheut tand: kush nuk e nderon Shenjin e komsis, shnderon vehten e vet”, “Dashuria për atdhe ndihet ma tepër në mërgim, prandaj ketë dashuri ruaje edhe kur të këthejsh në vendin t’and”. Këtë pasaportë kanë mbajtur asokonë në Europë e Amerikë dhe ata që më vonë do ta fshinin gegnishten nga ligjërimi zyrtar.

Në dialekt ka folur e shkruar dhe shkrimtarja e parë shqiptare Musine Kokalari, por kjo nuk e ka kufizuar aspak ligjërimin e saj artistik, përkundrazi toskërishtja e saj e pasuron shqipen me një visar gjuhësor të rrallë, ashtu si dhe ajo e Konicës, Lasgushit, Kutelit etj. Çfarë do të thoshim nëse një “zonjëzë” (siç e thërriste Sotir Kolea, Musinenë) e re do të na fliste sot në Kuvend me gjuhën e gjallë të novelës “Siç më thoshte nënua plakë?”...

Duhet shmagur çdo “debat” artificial, në punë të gjuhës dhe dialekteve.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx