E shtune, 11.04.2026, 11:20 PM (GMT+1)

Editorial » Zejneli

Xhelal Zejneli: Engjëll, do të jetosh i gjallë në kujtesën e kombit shqiptar!

E shtune, 11.04.2026, 07:05 PM


VAJTJA NË QIELLIN ENGJËLLOR TË ELIOT ENGEL

ZË I FUQISHËM I KAUZËS SË DREJTË TË SHQIPTARËVE

Ndodhej pranë Kosovës të dalë nga lufta çlirimtare, mu në kohën kur shkruhej historia.

Engjëll, do të jetosh i gjallë në kujtesën e kombit shqiptar!

Nga Prof. Xhelal Zejneli

Ish-kongresisti amerikan, nga gjyshër hebre të Ukrainës, Eliot Engel, ishte një nga mbështetësit më të mëdhenj të Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Vajti në qiell në moshën 79-vjeçare. Ishte figurë kyçe për sigurimin e mbështetjes në Kongresin e ShBA-së  për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia në vitin 2008. Kongresisti demokrat Riçi Tores (Ritchie Torres, 1988- ) thotë se Eliot Engel ishte “mbështetës i zëshëm i Kosovës dhe i komunitetit shqiptar, në një kohë kur pak kush u kushtonte vëmendje”.

Mbështetja e kongresitit për Kosovën – Demokrati Engel, që nga viti 1989 përfaqësonte pjesë të Bronx-it një lagje e Nju-Jorkut, që kishte një popullatë të madhe shqiptare dhe politikisht aktive. Ishte figurë kyçe në sigurimin e mbështetjes së Kongresit për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia në vitin 2008. Mbështetja e tij e gjatë dhe këmbëngulëse për Kosovën e bëri atë të njohur ndër shqiptarë. Një rrugë dhe një autostradë në Kosova e mban emrin e tij. Me portretin e tij është lëshuar edhe një pullë postare

Në Serbi ndërkaq, ai ishte një figurë e urryer, pasi ajo nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe vepron pandërprerë kundër njohjes ndërkombëtare të saj. Në dhjetor të vitit 2020, Engel foli në Dhomën e Përfaqësuesve për Ballkanin Perëndimor, veçanërisht për Kosovën.

Me këtë rast ai theksoi:

“Nuk e dija se çfarë pasioni do të manifestoja për një pjesë të vogël të Evropës, të quajtur Ballkan. Kam udhëtuar shumë herë në çdo vend të Ballkanit Perëndimor, kam takuar shumë liderë partish të ndryshme dhe e kam çmuar begatinë e kulturave, i kam çmuar edhe dallimet etnike dhe fetare. Por asnjë vend nuk më ka prekur më shumë se Kosova.”

Engel hyri në Kongres në kohën kur Jugosllavia po shpërbëhej përgjatë vijave etnike. Si anëtar i Komitetit për Punë të Jashtme, ai ishte i përfshirë në shumë çështje rajonale dhe fitoi reputacion si ekspert për Ballkanin.

Ishte ndër ligjvënësit e parë amerikanë i cili në vitin 1998 i bën thirrje administratës së presidentit Bill Klinton (William Jefferson Clinton, 1946- ) të ndërhyjë politikisht dhe ushtarakisht për të ndalur në Kosovë krimet e forcave serbo-jugosllave dhe krizën humanitare.

Një dekadë më vonë, ai ishte ndër mbështetësit më të zëshëm në Kongres për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Shtetet e Bashkuara.

*   *   *

Eliot Lance Engel lindi në New York City, ShBA, më 18 shkurt 1947. Vdiq në New York City, ShBA më 10 prill 2026. Është i Partisë Demokratike. Bashkëshorte e tij ka qenë Patricia Ennis. Kanë pasur tre fëmijë. Është shkolluar në Lehman College (BA, MS), New York Law School (JD). Ishte politikan amerikan. Në vitet 1989-2021shërbeu si kongresist në Kongresin e ShBA-së nga Nju-Jorku. Përfaqësonte një distrikt që përfshinte pjesë të veriut të Bronx-it dhe të jugut të Qarkut Westchester. Zgjedhjet e para për Kongres i fitoi në vitin 1988, duke mposhtur në primaret e demokratëve Mario Biaggi-n (1917-2015). Në vitin 2019, pas fitores së demokratëve në zgjedhjet e vitit 2018, Engel u emërua kryetar i Komitetit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve. Që nga viti 2013 ka qenë anëtari kryesor (ranking member). Në vitin 2020, pas 16 mandatesh në detyrë, në primaret e demokratëve u mposht nga drejtori i një shkolle të mesme, Xhamal Boumen (Jamaal Bowman, 1976- ).

Engel lindi në Bronx më 18 shkurt 1947. Ishte djalë i Sylvia (mbiemri i vajzërisë Bleend) dhe i Filip Engel (Philip Engel), punëtor hekuri. Gjyshërit e tij, hebrenj të Ukrainës, ishin emigrantë nga Perandoria Ruse. Në vitin 1969, në kampusin e Bronx-it të Hunter College, Engel diplomoi historinë – bachelor. Në vitin 1973 mori titullin master shkencor në orientim dhe këshillim, nga i njëjti institucion i cili pas ndarjes nga Hunter College ishte riemëruar në Lehman College. Në shkurt të vitit 1987, nga New York Law School mori diplomën Juris Doctor.

Në vitin 1977, Engel hyri në zgjedhjet e posaçme për një vend në Asamblenë e shtetit të Nju-Jorkut pasi demokrati në detyrë Alan Hochberg u detyrua të japë dorëheqje. Në këto zgjedhje ai ishte kandidati i Partisë Liberale. Më 1 mars 1977 fitoi me 103 vota diferencë, duke e mundur kandidatin demokrat Ted Weinstein dhe kandidaten republikane Arlene Siegel.

Në vitet 1977-1988 Engel ishte anëtar i Asamblesë së shtetit të Nju-Jorkut duke shërbyer në legjislaturat e 182-të, 183-të, 184-të, 185-të, 186-të dhe 187-të. Ai drejtoi Komitetin për alkoolizëm dhe abuzim të substancave, si dhe Nënkomitetin për programin e banesave Mitchell-Lama.

*  *   *

Engel ishte figurë kryesore e Kongresit të ShBA-së i cili në vitin 2008 vepronte për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia. U tërhoq nga Kongresi amerikan në janar të vitit 2021, pas më shumë se tri dekadash shërbimi.

Me vajtjen në amshim të kongresistit Engel, Kosova humbi një mik të dëshmuar dhe një mbështetës të palëkundur të shtetësisë së vet. Mbi tridhjetë vjet, në Kongresin amerikan, ai qëndroi në anën e drejtë të historisë.

Bëri thirrje për ndërhyrjen e NATO-s në vitin 1999 kundër regjimit pushtues dhe kolonialist të Slobodan Milosheviqit. Bëri thirrje për mbështetjen e pavarësisë në vitin 2008 dhe për konsolidimin e shtetit të Kosovës. Ishte mik i fuqishëm i Dardanisë në çdo fazë të ndërtimit të shtetësisë së saj. Engjëlli që vajti në qiellin engjëjve ndodhej pranë Kosovës së dalë nga lufta çlirimtare mu në kohën kur shkruhej historia.

Me zërin kumbues dhe plot urti, Engjëlli e trasoi rrugën e Kosovës drejt dritës së lirisë.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx