| E shtune, 11.04.2026, 07:05 PM |

VAJTJA NË QIELLIN ENGJËLLOR TË ELIOT ENGEL
ZË I FUQISHËM I KAUZËS SË DREJTË TË
SHQIPTARËVE
Ndodhej pranë
Kosovës të dalë nga lufta çlirimtare, mu në kohën kur shkruhej historia.
Engjëll, do të jetosh i gjallë në kujtesën e
kombit shqiptar!
Nga Prof. Xhelal Zejneli
Mbështetja
e kongresitit për Kosovën –
Demokrati Engel, që nga viti 1989
përfaqësonte pjesë të Bronx-it një lagje e Nju-Jorkut, që kishte një popullatë
të madhe shqiptare dhe politikisht aktive. Ishte figurë kyçe në sigurimin e
mbështetjes së Kongresit për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia në
vitin 2008. Mbështetja e tij e gjatë dhe këmbëngulëse për Kosovën e bëri atë të
njohur ndër shqiptarë. Një rrugë dhe një autostradë në Kosova e mban emrin e
tij. Me portretin e tij është lëshuar edhe një pullë postare
Në Serbi ndërkaq, ai ishte një
figurë e urryer, pasi ajo nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe vepron
pandërprerë kundër njohjes ndërkombëtare të saj. Në dhjetor të vitit 2020,
Engel foli në Dhomën e Përfaqësuesve për Ballkanin Perëndimor, veçanërisht për
Kosovën.
Me këtë rast ai theksoi:
“Nuk e dija se çfarë pasioni do
të manifestoja për një pjesë të vogël të Evropës, të quajtur Ballkan. Kam
udhëtuar shumë herë në çdo vend të Ballkanit Perëndimor, kam takuar shumë
liderë partish të ndryshme dhe e kam çmuar begatinë e kulturave, i kam çmuar
edhe dallimet etnike dhe fetare. Por asnjë vend nuk më ka prekur më shumë se
Kosova.”
Engel hyri në Kongres në kohën kur
Jugosllavia po shpërbëhej përgjatë vijave etnike. Si anëtar i Komitetit për Punë të Jashtme, ai ishte i përfshirë në
shumë çështje rajonale dhe fitoi reputacion si ekspert për Ballkanin.
Ishte ndër ligjvënësit e parë amerikanë
i cili në vitin 1998 i bën thirrje administratës së presidentit Bill Klinton (William Jefferson Clinton, 1946- ) të ndërhyjë
politikisht dhe ushtarakisht për të ndalur në Kosovë krimet e forcave serbo-jugosllave
dhe krizën humanitare.
Një dekadë më vonë, ai ishte ndër
mbështetësit më të zëshëm në Kongres për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga
Shtetet e Bashkuara.
* * *
Eliot Lance Engel lindi në New York
City, ShBA, më 18 shkurt 1947. Vdiq në New York City, ShBA më 10 prill 2026. Është i Partisë
Demokratike. Bashkëshorte e tij
ka qenë Patricia Ennis. Kanë pasur tre fëmijë. Është shkolluar në Lehman College (BA,
MS), New York Law School (JD). Ishte politikan amerikan. Në vitet
1989-2021shërbeu si kongresist në Kongresin e ShBA-së nga Nju-Jorku. Përfaqësonte
një distrikt që përfshinte pjesë të veriut të Bronx-it dhe të jugut të Qarkut
Westchester. Zgjedhjet e para
për Kongres i fitoi në vitin 1988, duke mposhtur në primaret e demokratëve Mario Biaggi-n (1917-2015). Në vitin
2019, pas fitores së demokratëve në zgjedhjet e vitit 2018, Engel u emërua
kryetar i Komitetit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve. Që nga viti
2013 ka qenë anëtari kryesor (ranking member). Në vitin 2020, pas 16 mandatesh
në detyrë, në primaret e demokratëve u mposht nga drejtori i një shkolle të
mesme, Xhamal Boumen (Jamaal Bowman, 1976- ).
Engel lindi në Bronx më 18 shkurt
1947. Ishte djalë i Sylvia (mbiemri i
vajzërisë Bleend) dhe i Filip Engel (Philip Engel), punëtor
hekuri. Gjyshërit e tij, hebrenj të Ukrainës, ishin emigrantë nga Perandoria Ruse. Në vitin 1969, në kampusin e Bronx-it
të Hunter College, Engel diplomoi historinë
– bachelor. Në vitin 1973 mori titullin master shkencor në orientim dhe këshillim, nga i njëjti institucion i cili pas ndarjes
nga Hunter College ishte riemëruar në Lehman College. Në shkurt të vitit 1987, nga
New York Law School mori diplomën Juris Doctor.
Në vitin 1977, Engel hyri në
zgjedhjet e posaçme për një vend në Asamblenë e shtetit të Nju-Jorkut pasi
demokrati në detyrë Alan Hochberg u
detyrua të japë dorëheqje. Në këto zgjedhje ai ishte kandidati i Partisë
Liberale. Më 1 mars 1977 fitoi me 103 vota diferencë, duke e mundur kandidatin
demokrat Ted Weinstein dhe
kandidaten republikane Arlene Siegel.
Në vitet 1977-1988 Engel ishte
anëtar i Asamblesë së shtetit të Nju-Jorkut duke shërbyer në legjislaturat e
182-të, 183-të, 184-të, 185-të, 186-të dhe 187-të. Ai drejtoi Komitetin për alkoolizëm
dhe abuzim të substancave, si dhe Nënkomitetin për programin e banesave
Mitchell-Lama.
* * *
Engel ishte figurë kryesore e
Kongresit të ShBA-së i cili në vitin 2008 vepronte për njohjen e pavarësisë së
Kosovës nga Serbia. U tërhoq nga Kongresi amerikan në janar të vitit 2021, pas më
shumë se tri dekadash shërbimi.
Me vajtjen në amshim të
kongresistit Engel, Kosova humbi një mik të dëshmuar dhe një mbështetës të
palëkundur të shtetësisë së vet. Mbi tridhjetë vjet, në Kongresin amerikan, ai
qëndroi në anën e drejtë të historisë.
Bëri thirrje për ndërhyrjen e
NATO-s në vitin 1999 kundër regjimit pushtues dhe kolonialist të Slobodan
Milosheviqit. Bëri thirrje për mbështetjen e pavarësisë në vitin 2008 dhe për
konsolidimin e shtetit të Kosovës. Ishte mik i fuqishëm i Dardanisë në çdo fazë
të ndërtimit të shtetësisë së saj. Engjëlli që vajti në qiellin engjëjve ndodhej
pranë Kosovës së dalë nga lufta çlirimtare mu në kohën kur shkruhej historia.
Me zërin kumbues dhe plot urti,
Engjëlli e trasoi rrugën e Kosovës
drejt dritës së lirisë.