Mendime
Visar Zhiti: Vjen drita e yllit, edhe kur është i shuar…
E merkure, 18.03.2026, 06:57 PM

VJEN DRITA E YLLIT,
EDHE
KUR ËSHTË I SHUAR…
Nga
Visar Zhiti
Sot,
ndoshta më shumë se në ditët e tjera, ndjejmë të na bjerë mbi supe drita e
poetit Vilson Blloshmi, ka datëlindjen dhe është në Qiell, e feston me engjëjt…
bukur trishtueshmërisht.
…në
tokë, në baltën e atdheut të tij, ky emër vazhdimisht trondit, djajtë e kuq ia
morën jetën gati gjysmë shekulli më parë, e pushkatuan kur ishte 29 vjeç, se
ashtu u duhej, se nuk e donin familjen e tij me tradita patriotike,
kundërshtarë të regjimit, nuk donin mbiemrin dhe emrin e tij, nuk ia donin
poezinë…
La
vejushe gruan dhe një vajzë të porsalindur, la porosi emrin e saj: Eni, la
ëndrra e libra, familjen prindërore, motër e vëlla e miq… dhe një heshtje të
zymtë si zija, atdheun-burg, kriminelë e mëkatarë… Por la dhe diçka të madhe
dhe të rëndësishme, pamposhtmërinë në tortura, dinjitetin heroik dhe para
skuadrës së pushkatimit, janë të dëshmuara, i kemi treguar dhe do t’i tregojmë,
- ne jemi ajo që kujtojmë, - thoshte një poet i madh europian dhe unë e
përsëris shpesh.
Dhe
Vilson Blloshmi na la një tufë me poezi antologjike. Dhe dritë siç ndodh me
yjet, që edhe kur janë të shuar, ajo vërshon nga qiejt, udhëton drita e tyre
drejt nesh.
Mund
t’u bjerë mbi duar kujdo që e duan këtë dritë.
Vilsoni
ynë sikur e kishte parandjerë, kur shkruante në mesnatën e diktaturës më të
egër, atje në kullën e tij në një fshat të Librazhdit, kur kthehej i lodhur nga
puna e rëndë si punëtor miniere… dhe sillte dhe grimca ari që vezullojnë
pikëllueshëm:
Nëse
nuk munda brengës
t’i
bëj ballë,
Zjarr
përsëri unë kam
në
shpirt të djegur.
Nëse
më i vdekur jam
nga
çdo i gjallë,
Mirë
pra, m’i gjallë jam
se
çdo i vdekur.
Pra,
ai e dinte si po jetonte dhe si do të mund të shuhej, me dritën e tij të
pashuar mes një bote të egër, të pamëshirshme, që dhe pa varr të lë…
Eshtrat
e tij i kërkoi me vite i vëllai i tij, bashkëvuajtësi ynë burgjeve, Bedriu, i
gjeti. Tani ai e ka emrin në mermer, por të gjallë e mban dhe nipi i tij,
Vilson Blloshmi i ri.
Dhe
datëlindjet veç shtohen… sot është e 78-ta… sa herë të lexojmë poezinë e tij,
aq herë e festojmë.
Por
tê shohim për një çast nga qielli të gjithë!









