Mendime » Radovani
Fritz Radovani: Tradhëtarët Enver Hoxha e Ramiz Alia na nxorën nga Europa (5)
E diele, 15.03.2026, 06:55 PM
PREJ LIBRIT FRITZ RADOVANIT: PJESA E V.
Tradhëtarët
Enver Hoxha e Ramiz Alia
na nxorën nga Europa...
Melbourne
2010
Ua kushtoj
të Parëve të mi,
Ejëllorëve
(ose Radovanve) të vjetër,
dhe
Gurakuqëve po aq Atdhetarë,
që menduen,
punuen e u salvuen
për
Shqipninë Europjane të
Gjergj
Kastriotit - Skenderbeut!
Autori
Melbourne,
Gusht 2010.
Redaktor: Daniel Gàzulli. 2010.
11 MARS 1948 - PUSHKATOHEN PRELATET
E KLERIT KATOLIK
SHQIPTAR NË SHKODER !
Pushkatohen në Zallin e Kirit në Shkoder: IMZOT
FRANO
GJINI, Imzot Nikoll DEDA, At Mati PRENNUSHI O.F.M.,
At Çiprian NIKA dhe 14 intelektual të Shkodres!
EDHE
SOT PA ASNJË
SHENJË TEK KOKA !
HIDHEN NË ERË URAT
EUROPJANE !
“Vetëm në vitin 1945, 80 katolikë, intelektualë të shquar,
prej 500 të zgjedhunve nga lista e pajtimtarëve të ‘Hyllit të Dritës’ ekzekutohen.”, shkruen në librin e Tij
Prof. Zef Mirdita (fq. 212).
Arkitektët, mendimtarët,
dijetarët, shkencëtarët, profesorët, mjekët, ingjenjerët, avokatët,
ekonimistët, intelektualët apo klerikët dhe kushdo që ka projektue ose punue
për ndërtimin e urave lidhëse me Europën
e Përparueme Perëndimore, që nga viti 1944, në çastin e të deklaruemit “pushtues” i asaj ide, nga komunistët
asht shpallë “armik i popullit”!
Nuk ishte e pa studjueme
vrasja e Ndok Gjeloshit apo e Ludovik Zojzit ndër trotuarët e Tiranës nga
njësitet guerrile të komunistëve…
Dikujt nuk i ban përshtypje
fare…Po, Ata, që as nuk i ka shkue ndër mend se puna e tyne i vlenë atij
qellimi, dhe përkrahën edhe levizjen nacional – çlirimtare tue e konsiderue
veten në blokun e Aleatve të Luftës dhe, njëditë heret në mengjes, vetëm, kur e
pane vetën… të rreshtuem në Zallin e Kirit para brigadave të pushkatimit…të
lidhun përdore me shumë prej atyne që në mëngjes përshëndetnin me grusht në
ballë “vdekje fashizmi e liri populli...!” – As kjo nuk u ban përshtypje atyne
që përdornin një nga shprehjet e vjetra shkodrane: “I ka ba hysmetin e, t’i
ndijnë lezetin..!” Andrrat e rinisë së dikurshme ndër kabaretë e Parisit Enver Hoxha dita me ditë i shihte tashti
“me sy të çelur”…
Europa, Papa, Vatikani dhe
“veglat e tyre”, dita ditës po zhduken!
Ishte ndër ditët e para të
“çlirimit”. Një burrë i njohtun, edhe pse shumë i vobektë, i quejtun Gjon
Radoja, porsa del nga shtëpija e tij në rrugën e vjetër Vaso Pasha, ndeshet me
një nga partizanët e njohtun në Shkoder, i quejtun Gjovalin Luka. Ishte mjaft
heret. Përshëndetën dhe rruga i ban me ecë bashkë. Gjoni, me një strajcë nën
sqetull, po dilte në Pazarin e vjetër me hapë dyqanin e vet… teneqexhi.
Gjovalini e pyet nëse e kishte
takue apo jo komshinë që kishte gati karrshi deret Gjoni, a e ke pa këto ditë
Ndoc Muzhanin? – Jo, i thotë Gjoni, – ka disa ditë që nuk e kam pa…Gjovalini
ndalon për një moment dhe i thotë: Gjon, i kam thanë Ndoc Muzhanit, pa të ba si
Gjon Radojen, nuk kam çajre as derman…a more vesh, edhe do t’ ia baj atë punë!?
Gjoni e shikon Gjovalinin në
sy e aty për aty i përgjigjet: “Heee… mor Gjovalin, çka të paska shkue
mendja…Me ba Ndocin si Gjoni, këte e ban për një ditë…Po ku je me ba Gjon
Radojen si Ndoc Muzhani, se për me ba zotnitë horra, asht kollaj, po ku jeni me
ba horrat zotni…këte a po mund ta bani…?
Ishte ngulë në tru “shokve”
komunistë se duhen ba të gjithë horra!
A e kishin prej Marksit këte
ide apo prej Enverit…Nuk e di!
Prishën Pazarin e vjetër të
Shkodrës, me i marrë frymën qytetit tue i shkatrrue gjendjen ekonomike…mbyllen
shkollat fetare për mos me pasë ma intelektualë të kulturës Europjane…vunë
piramidat tek Ura e Bunës për me vra njerzit që mendojnë me shkue kah “Perëndon”
dielli…hapen 26 burgje e hetuesi për
me rrah e me torturue Rininë Shkodrane…
Vranë e prenë Llesha e Pjetra
ku mujtën me i xanë ndër male (se, kjo ishte porosia e komandantit!)…vranë
kosovarët, se ashtu desht Ramizi…e Omer Nishani … zhduken oficerat akademikë,
se sollen nga Jugu edhe ma trima e të përgatitun për me vra e me pre…kështu,
thonte Koçi …mbushën burgjet edhe me vajza të reja se kështu…i donte Nexhmija…vranë
e zhduken klerikët, se kështu thonte Partia …fshatarët i banë me tokën e tyne
ndër të gjitha kooperativat e vendit…deri maje malit…”zotërinjtë” i dërguen në
ferma e internime bashkë me “zonjat e tyre”…se, kështu e donte “Lufta e
kllasave” …A doni ma…? – Nuk besoj se ka mbetë kush i pakënaqun..?
“Të gjitha rrugët të çojnë në
socializem…”, thonte Molotovi.
Na nuk e patem besue, por edhe
ate e provuem…
Vdiq Stalini. Erdhi Malenkovi,
mbas tij Hrushovi…Njeni kishte mustakë e bolshevik, tjetri si hije, ndërsa tollaci
erdh edhe tek na…Ik njeni e eja tetri!
Enveri ishte ngulë…nuk e
zhgulte as dreqi… as Zoti!
Shqipnia tashma…po i thonte
përgjithmonë “lamtumirë” Qytetnimit Europjan Perëndimor…edhe kuadrot e “larta”
tashti po përgatiteshin në vendin e sovjetëve bolshevikë…edhe shoku Ramiz
Alia…”përfundoi” studimet në Bashkimin Sovjetik në vitin 1954…edhe “ay” erdhi
“maksist – leninist i sprovuar…” ashtu si të gjithë spijunët tjerë të KGB – së
sovjetike, bijtë e Stalinit…
U kujtuen xhelatët bolshevikë
të Tiranës, aty nga 1958, se tre priftën nuk kanë firmue Statutin e Kishës më
1951…e, dy prej Tyne i pushkatoi, Don Ejëll Kovaçin më 1958 e Don Dedë Malaj më
1959, ndërsa, At Kondrad Gjolaj…u kalb burgjesh e kampesh shfarosjeje…E pse..?
– Aty i rrinte mendja Enver Hoxhës, tek Vatikani …Ate që nuk e bani as
Stalini, as Hrushovi në B.S. me kishën atje, ate mendonin me e ba “këta” në
Shqipni…ndonse, Ramiz Alia në një bisedë “miqësore” ka pasë deklarue se,
“nxjerrja e fesë jashta ligjit, na asht imponue nga Kina..!”
Po, “Revolucioni ideollogjik e
kulturor”, Ramiz efendia, nga kush t’u imponue? Fjete e u zgjove me netë e ditë
të tana në shtëpinë e Mihajl Priftit në Shkodër, tue mendue se kujt me i vue
prangat e kujt me i dhanë plumbin ballit? Shfletove rregjistrat e 1945 për me
pa se kush ju ka mbetë pa pushkatue…? Nuk u ngope me arrestimet e At Gegë
Lumës, At Pjetër Mëshkallës, Don Mark Hasit…e sa të tjerëve, derisa i vune hekurat
edhe Imz. Ernesto Çobës…e, tue mos pasë të ngime me Ta, pushkatove Don Marin
Shkurtin, që të sollen “axhat tuej” nga Mali i Zi, e mbas tij Don Shtjefen
Kurtin, pse Pagëzoi një fëmijë…Urdhnove në Shkodër, me 10 korrik 1968, me u
hapë ekspozita “Mbi rolin reaksionar të fesë” dhe, me 3 qershor 1973, hape edhe
“muzeun ateist” faqen e zezë tanden…E prap nuk u ngope…po lëshove demat e
sigurimit Shyqyri Qokët me shokë për me shkye së gjalli Don Mikel Beltojën…vetëm
se ishte Prift Katolik…
E prap nuk u ngope.. Po gjete
një anadollak tjetër, kopjen tande ndër zallishtat e Vaut të Dejës, njëfarë
Fadil Ymeri, e hodhe në erë edhe Kishën e Vaut të Dejës, pse aty mendohej se
asht kunorzue Skenderbeu …!
Shkatrrove Urën ma të vjetër
të Shqipnisë së shekullit XIII, vetëm mos me kenë vendi i kunorzimit të Atij
Burrë që lidhi Shqipninë përjetësisht me Europën, por edhe me u hakmarrë ndaj
Atij që shpëtoi po atë Europë, nga pushtuesit barbar, vëllaznit tuej të një
gjaku…e të një mishi, po edhe të një vesi… E nuk u ngope me kaq, po më
1972...organizove edhe kongresin e “gjuhës së njësuar” …vetëm me zhdukë nga
faqet e letersisë shqipe 70 % të shkrimtarve Veriorë…arrestove prof. Nikollë
Dakaj e Mark Demen…
Vetëm se vazhdonin me përkthye
nga ajo letërsi që ishte urë lidhje e jona me Europën…vazhduet me plaçkitë
libra e me burgosë intelektualë…
E prap nuk u ngope…por bane
ate që nanës sate i paten lanë amanet Malazezët…prishe edhe Katedralen 100 e sa
vjeçare të Shkodrës … e ktheve në “pallat sporti”…prishe kishën e Tiranës,
prishe kishën françeskane të Shkodrës…bane sallë gjyqesh për Klerikë kishën e
motrave Stigmatine…Prishe Xhaminë e Durrësit dhe i vune dinamitin Xhamisë me dy
minare në Shkodër…
Vetëm rrenove dhe hodhe në erë
gjithshka fliste për kulturën, artin e traditat tona shekullore, që ishin ura
lidhje të Shqipnisë Europjane me kontinentin plak.
Ti, Ramiz Alia, je ai tradhëtar
që me veprat tuaja kërkove me i hy në bark, “se zemer nuk kishte”, Enver
Hoxhës, tue rrenue e mbyllë 2169 kisha,
xhami e teçe, nga të cilat 268 ishin
Kisha e kapela katolike…
Unë në lidhje me vepren tuej
barbare dhe antieuropjane nuk do t’i referohem asnjë kleriku të asnjë besimi,
madje, do të citoj pikërisht atë shkrimtar që bota sot diskuton ma shumë se
kedo tjetër për atë kohë:
Prof. Arshi Pipa, në
përkufizimin shkencor që i ban vepres antiatdhetare në lidhje me gjuhën,
shkruen: “Si mund t’i shkojë mendja njeriut
me mend se na qenka gjuhë e ‘njësuar’ një gjuhë tek e cila 80%
elementesh të një idiome u shtohen 20% elementesh të idiomës tjetër? Termi i
drejtë për këte dukuri nuk është ‘njësim’ por thjeshtë: pushtim ose nënshtrim.”
(Dy letra të Prof. A.Pipës, Prof. L.Omarit. Tiranë 1993.)
Nëse as këta mendime nuk
vlejnë me arrijtë për me pranue se Enver Hoxha dhe Ramiz Alia janë dy bishat e
Urave Europjane, atëherë, jemi para një katastrofe të madhe historike, e cila
shpejtë do të rroposin shtetin shqiptar!
Por, aprovimi i kësaj
katastrofë historike nuk duhet pranue me heshtje, por Shqiptarët Atdhetarë e të
gjithë ata që e kuptojnë rrezikun që i kanoset Atdheut, nga veprimet e këtyne
tradhëtarëve duhet të ngrihen në kambë dhe, të dënojnë pamëshirë veprat dhe
pasojat e tyne historike, damin që i kanë sjellë ata dhe vazhdimin e rrezikshëm
të rrugës së tyne tradhëtare nga pasardhësit e sotëm.
Duhet thanë padoreza: ju jeni
shpartalluesit e kulturës, artit dhe arësimit kombëtar Shqiptar, ju jeni plaçkitës
e dhunues i të gjitha veprave të artit që kishin këto Kisha… e prap nuk
ngopeni…por edhe rrenuet afreske e daltime guri e druni që ruheshin në shekuj
ndër Kishat katolike e bizantine…
E nëse doni filloni nga fundi
i shkatrrimit të tyne…
Se çka u ba me 7 miliardë
dollarët të treguem nga shtypi shqiptar që ishin përvetsue prej firmave
piramidale?
Po me dosjen e florinit të
grabitun simbas raportit të paraqitun prej ministrit të kontrollit të shtetit,
Blerim Çela, në vitin 1993 në parlamentin shqiptar, ku thohej për 279 ton ar të zhdukun pa adresë…
Unë po flas me gazeten tuaj,
gazeta RD denoncoi më 1991 prap një grabitje rishtas të arit në Shqipni me
urdhën të R. Alisë.
U dhanë edhe hollësi lidhun me
përmasat e arkave ku ishin vendosun lingotat e florinit që fluturoi me avion
dhe emri i “sipërmarrësit të mallit” – zvicerani Xh. Megou.
Ku përfundoi gjithë ky flori i
grabitur prej këtyne tradhëtarëve?
Ky flori asht vetëm me shembë e me hjedhë në erë
urat tona të lidhjes me Europën Perëndimore…së cilës i përkasin të gjithë
Shqiptarët…po e përsëris, të gjithë Shqiptarët pa përjashtim, përveç
tradhëtarëve të shitun të Atdheut, që kanë punue e punojnë me nxjerrë Shqipninë
nga Europa…E ata që kanë krye këte vepër tradhëtije, e që vazhdojnë edhe sot,
jeni ju të dy: Tradhëtari Enver Hoxha e pasuesi i tij Ramiz Alia…
“ATO MAJA RRIPA…RRIPA..!”
Besoj ju kujtohet kanga e
vjetër partizane…”Ato maja rripa, rripa”? Malësori e këndonte me dialektin e
tij për me kombinue rrima, po unë nuk kam sesi me e shkrue ashtu si e këndonte
ai…
Në ndërmarrjen e etiketave në
Tiranë punonte një shkodran i vjetër Luigj Filipi, i cili ishte edhe përgjegjës
i atij reparti. E pata njohë aty nga viti 1975 kur më ndihmonte për etiketat e
prodhimëve të fabrikës së Pëlhurave...E takova mbas sa vitesh tek Pazari i Ri i
Tiranës, aty nga vera e vitit 1999 dhe u pëshëndetëm me té. Mbas një bisede të
shkurtë për At Mëshkallën, më tregoi sesi në vitin 1945, nga fundi i muejt mars,
kur asht pushkatue Don Ndre Zadeja, një natë Luigji, tue bisedue me Tuk
Jakovën, me të cilin njihëj që më 1936 në grupin e komunistave të kryesuem nga
Zef Mala në Shkodër, i kishte thanë Tukut, se asht e mira me bisedue ai me
Enver Hoxhën që mos të vazhdohën pushkatimët e priftënve të Veriut, por të
zgjidhën rreth 50 vetë prej tyne, ma të prëgatitunit me shkolla të nalta në
disa fusha dhe të shpërndahën në tre apo katër qytete të Shqipnisë tue përfshi
edhe Jugun, nga Korça, Gjinokastra dhe Vlona e, sigurisht, me qendër në Tiranë,
të hapën universitete me këta profesora dijetarë që ka Kleri Katolik Shqiptar,
dhe të japin mësim simbas programeve të parapërgatituna prej nesh, mbasi po të
realizohet kjo, me siguri do të prëgatitët një brez i ri i kulturuem, që do të
na e kishte lakmi gjithë Ballkani. Tuku e kishte pritë mirë mendimin e Luigjit,
por do t’i tregonte pak ditë ma vonë edhe mendimin e Enverit mbasi ta bisedonte
me té. Kishin kalue gati 10 ditë pa u takue Luigji me Tukun. Luigji ishte
thirrë një natë në një mbledhje urgjente të partisë komuniste dhe mbasi asht kritikue
për disa “pikëpamje” të vjetra dhe krahinore, gati ishte edhe përjashtue prej
partie, tue u shkarkue nga posti i drejtuesit të atij grupi organizate të
partisë komuniste...
Luigji vërtet që nuk kishte
shkollë të naltë, por dëshira me pasë kulturë ai vetë dhe rinia shqiptare, si
dhe shkolla të nalta në të ardhmen, atij nuk i mungonte. Kjo lidhej edhe me një
fakt tjetër, se Luigji njihte përgatitjen, aftësinë dhe mundësinë që kishte
Kleri Katolik Shqiptar për me formue tek na një inteligjencë të mirëfilltë Europjane
Perëndimore, gja për të cilën kishte dhe ka edhe sot nëvojë Shteti Shqiptar.
Kleri Katolik kishte krye shkollat e nalta në rreth 24 Universitete të Europës,
tue mos e llogaritë fare se të gjitha fakultetët ishin të njohuna prej tyne, sepse
ishin të paisun me kulturë universale, tue fillue nga historia, letërsia,
matematika, juridiku, muzika, piktura, skulptura, sportet etj., pa zanë me gojë fare filozofinë apo degët tjera që
kishin karakter fetar.
Në mbyllje të bisedës unë, për
me e ngacmue, i thash atij: “Po a kishe harrue ti, Luigj, se kuadri i përgatitun
në këta universitete do t’i bahej havale “shokut” Enver?”
– Jo jo, – m’u përgjegj
Luigji, – havale do t’i baheshin Titos, se Enverit vetëm do t’i kishe nxjerrë
“pak punë” sa me pushkatue edhe nja 500 vetë ma shumë se ka vra, nga
intelektualët që do t’ishin prëgatitë ndër ata universitete!...
Unë nuk kam pasë fatin me kenë
nxanës i shkollave të Jezuitëve apo Françeskanëve të Shkodrës, por kam njohë
pak e aspak nga Ata dijetarë për të cilët bisedonte Luigji...
Komunizmi, që në vetkuptimin e
tij, asht një mbretni errësine, nuk kishte sesi me pranue me u shartue me
kulturën europjane të klerit. Kjo errësinë e mënershme përhapet kudo aty ku çdo
dritë apo shkëndi e saj kulturore dhe përparimtare, nga komunistët shuhet me
dhunë!
Shkëlqen fort deri në
marramandje vetëm një pallat, “pallati i diktatorit”. “Drita” që shpërndan ai,
mprehtësija e tij, dija, kultura, elokuenca, madhështia, forca e depërtimit të
mendimit dhe fjalës së tij janë absolute, të pagabueshme, të sakta dhe të
pandryshueshme, deri tek veprat terroriste, pra, nënkuptohet, të padiskutueshme
nga askush, “as nga djali i tij”...Ai asht “dija e pafund”!... Edhe njerëzit që
kanë pasë rast me i dhanë dorën, janë ba të dijshëm, të mendshëm, të mprehtë,
mbasi janë takue me té. Kur fliste ai duhej ndigjue, por duhej nxjerrë edhe
mësim ashtu si e “donte” ai, mbasi kuptimi i shtrembët nga ana e yte mund të të
kushtonte “me kokë”...Duhej lexue një fjalim i tij në kolektiv, pra në shkolla,
fabrika e kooperativa, minjera e zyra shtetnore, por duhej ripërsëritë në
shtëpi, shpesh edhe duhej konspektue tue nxjerrë edhe detyrat për të ardhmen,
mbasi vetëm ata ishin “udhërrëfyese” për secilin shtetas. Fotografia e tij
ishte në krye të vendit!..Kudo, në zyre, rrugë kryesore, shkolla e deri edhe në
mjaft shtëpija...jo vetëm komunistësh, por edhe njerëzish të thjeshtë...
Bustet e shtatoret e tij
mbizotnonin qytetet e mbarë vendit!
Ai ishte “atdhetar”, tradhëtar,
komunist, fanar ndriçues, bishtuk, pishë, kandil, korrent elektrik, elektroshok
e gjithshka tjetër …veç, njeri jo!
Shqipnia, paraqitej nga
fqinjtë me tre besime “kontradiktore” që, edhe mbështetëshin nga ana e tyne për
të sigurue sundimin e vet ...me orthodoksët nga sllavët dhe me myslimanët nga
lindorët, për me arritë me zhdukë çdo element Europjan, që simbas parimit të
komunistëve ishte çdo atdhetar shqiptar Katolik ose mik i tyne!
Pra, përveç kenjes “pakicë”,
popullsia Katolike ishte përballë një “bishës së përgjumun” anadollake, shumë e
egërsueme dhe terroriste, që përkonte dhe përputhej me cilësitë komuniste
sllave në të gjitha mendimet dhe vëprimet e përbashkëta të tyne, për shkombëtarizimin total. Ajo që përdorej
si argument “sulmi” ishte lufta kundër inteligjencës me pikëpamje të shëndoshta
europjane Perëndimore, që pjesa Katolike kishte marrë nga universitetet dhe
shkollat kur ishte përgatitë e formue
nga Kleri Katolik Shqiptar, që i hapi, i formoi dhe i konsolidoi në Shqipni,
por edhe universitetet Perëndimore, që ishin shkollat e kulturës Europjane. Kjo bahej vetëm nga zilia apo smira
dhe kenja inferior ndaj këtyne shkollave si nga ana e shumë Myslimanëve, si nga
ana e mjaft Ortodoksëve, që mbizotnonin pjesën jugore të vendit tonë si dhe
Kryeqytetin e tij, ndonse i ndodhun në Veri formalisht...që asht qendra
politike, sociale dhe ekonomiko kulturore e vendit.
Komunizmi, terrorizmi dhe
krimi i organizuem nga shteti mbi popullin e pambrojtun dhe të mbyllun mbrenda
“perdes së hekurt” arrijnë me kthye të gjithë njerëzit në një kope të lidhun
kambësh e duersh, me një leckë të kuqe të zhublosun në gojë, që vetëm shohin
një dorë nalt, të gjakosun me thikë të shtërngueme fort, që asht dora e
diktatorit që mbjell frikë, terror, pasiguri, dhe kërcënim tue shpërba edhe
pamjen e njeriut.
Kjo farë e keqe zhvillohet në
vëndet ma të pazhvillueme, sepse aty gjen terrenin e vet me mashtrue me parullën
ma të njohun, por edhe ma të pelqyeme nga turmat, “barazi për të gjithë pa
dallim feje, krahine dhe ideje!”, ndërsa, fshatarët analfabetë i siguron me hy
në vathën e tij me “reformën agrare”, që asht praku i kapërcyellit për në kooperativën apo “kolkozin”
e fshatarit rus. Kështu përgatitë terrenin me zhdukë me vrasje, burgime,
tortura, pushkatime, interrnime dhe gjyqe fallse të “popullit” krejt kastën shtetnore,
të ashtuquejtun borgjeze, tue shfarosë krejt aparatin e vjetër të kulturuem dhe
përparimtar dhe tue e zëvendsue ate me kastën e “re”, të paditun dhe pa
kurrfarë tradite për me organizue shtet të zhvilluem.
Komunistët luftojnë nën kauzën
e tyne të internacionalizmit bolshevik proletar dhe vrasin kedo që mbas
çlirimit “do t’u sillnin telashe” për me realizue pajtimin e tyne me parimet e
neoshovenistëve komunistë.
Prej piktorit dhe mësuesit tim
fort të dashtun dhe të paharrueshëm Simon Rrota, kam njohë vëllanë e Tij,
shkencëtarin e madh të Gjuhës Shqipe, At Justin Rrota OFM, një nga Françeskanët
ma të dijtun që ka pasë Kleri Katolik Shqiptar. Në vitin 1951 e kujtoj në mesin
e Elterit të madh të Kishës Françeskane të Gjuhadolit, të mbajtun për parmakët
e mermerit, tue predikue, mbasi nuk kishte mundësi me hypë në predikatore, se
ishte me një paralizë të fortë, që i kishte pushtue gjysën e trupit. Kisha
ishte aq e mbushun me njerëz, sa një pjesë ishin jashtë tri dyerëve të hymjes.
Ishin ditët e adhurimit të Sakramendit dhe, ishim pikërisht në ata vite kur
endè ishin të pathame plagët e të pushkatuemve nga tragjedia e organizueme prej
komunistëve me sigurimin e shtetit, ku pak vite ma parë kishin futë armë e
municione nën Elterët e Kishës ku po predikonte At Justini...
Kujtoj mirë temën për të cilën
foli: “Krishti në Kopshtin e Gjetsemanit rrëthohet nga xhullinjtë dhe, Juda,
afrohet dhe e puthë...”. Sa domethanse ishte kjo ngjarje atëherë!... Pra, isha
fëmijë, por fjala e Dijetarit dalton edhe gurin... Në mbrendësinë e zemrës së
Tij ishte hapë edhe një plagë e re, se ato ditë ishte arrestue një Dijetar
tjetër i madh, At Marin Sirdani OFM., vëlla, mik dhe bashpunëtor i At Justinit
në të gjitha vëprimet e tyne. At Marini asht kenë vëlla me një tjetër shkencëtar,
Don Aleksandër Sirdanin, që edhe Ate e mbytën në gropat e zeza, në hetuesinë e
Koplikut, në vitin 1947. At Marin Sirdani ishte nga kolosët e studimeve
historike dhe një nga analistët ma të mëdhej të Historisë së Shqipnisë.
Veprat e Tij janë të shumta,
por botimi i vitit 1941 “Shqipnia e Shqiptarët”, e them pa frikë, edhe pse nuk
jam kompetent, asht libri që për çdo të panjohun i jam referue dhe kam gjetë
rrugën e vërtetë në të. Nëse do të nisemi nga gryka e lumit Buna në drejtim të
Tivarit dhe të ecim në të gjitha fshatrat për të gjatë kufinit, ashtu si i
rreshton emnat e tyne At Marin Sirdani, pa ma të voglim dyshim them se do të
mërrijmë në pikën e fundit të kufinit në fshatrat e Jugut dhe do të ndalojmë në
Kepin e Padanës, ku me siguri gjatë kësaj rruge të gjatë dhe të panjohun do të
mësojmë edhe ngjarjet historike të atyne fshatrave, që jam i bindun se nuk i
kemi ndigjue as lexue askund që nga viti 1941, kur At Marini i ka botue në
Shkoder.
Kalimi ndër ata pika kufini që
ka përcaktue At Marini asht Kufini i
vërtetë i Shtetit Shqiptar.
E ky Kufi kalon në cakun e saktë të tokave tona të
plaçkituna nga shovenistët serb, maqedonas e grek. Prandej At Marin Sirdani
asht i përjashtuem nga Historia e Shqipnisë së shkrueme nga komunistët. Pa At Marin Sirdanin asnjëherë nuk ka me u shkrue
Historia e vertëtë e Shqipnisë, ashtu si nuk asht ende e shkrueme pothuej asgja
nga veprat e Tij, tue përjashtue “Hylli i Dritës” para vitit 1944, kur At
Marini zinte fletët ma të rendësishme të asaj Reviste.
Në gjuhësi vazhdonte punën
shkencore pa ndërpremje At Justini, i cili ka plot 46 vjet që ka vdekë, tek Kuvendi i Arrës së Madhe, me 21 Dhetor 1964,
në pragun e shkatrrimit të atij Kuvendi në 1967 nga “Revolucioni Kulturor”. Ka
punue shumë për me përcaktue saktësisht se cila duhet me kenë Gjuha e Njësueme Shqipe.
Edhe punimet e Tij mbetën ata
të para vitit 1944, ndonse ka punue deri në fundin e jetës pa u lodhë
asnjëherë...
Por, fatkeqësisht, mbas vitit
1951, punimet e At Justinit u vodhën nga “vagabondi”, spijun i Sigurimit
shtetit komunist, mik dhe veprimtar “besnik” i Ramiz Alisë, “maturanti i natës”, “dr... prof...Jup Kastrati”, që me mundin e
djersën rrëkajë të At Justin Rrotës, u shpërblye nga PKSH dhe Sigurimi i
shtetit, të cilit i ka shërbye deri sa ka ngordhë, me “titujt” e sa e sa
privilegje të pameritueme për hajninë ndaj vepres shkencore të At Justinit.
Ja një fakt. Librat që ka
marrë tek At Justin Rrota kishin stampën J.R.
Jupi fshinte me brisk shkronjën R
nalt dhe, ajo bahej K, kështu, libri J. R. këthehej J. K. Shihni me kujdes “Bibliotekën përsonale” të J.K. dhe do të bindeni se sa vepra ka
vjedhë Jupi!
Po a vetëm At Justini e
vëllaznit Sirdani u vodhën e plaçkitën nga pseudo
dr.. prof... e Enver Hoxhës e
Ramiz Alisë? Jo, e kam shkrue disa herë dhe po e përsërisë prap, se: Biblioteka Kombëtare e Tiranës në vitin
1998, kishte në podrumet e saj mbi Njëmijë tituj e vepra shkencore të
Klerit Katolik Shqiptar, të plaçkituna nga
sigurimi i shtetit komunist që nga viti 1945, në Bibliotekën Françeskane, të
Jezuitve dhe tek Kisha Kathedrale në 1967. Po, veprat e Don Nikollë Gazullit,
ku janë..?
Jo jo, dhe Jo, duhet të
ngulitët në trunin e çdo Atdhetari Shqiptar: Jo heshtje! Shkenca dhe Kultura
Shqiptare duhet të vihët në shinat e së vërtetës! E kjo asht e domosdoshme e
duhet të fillohet nga të gjitha shkollat Fetare, për me u pasue nga ato
shtetnore, që vazhdojnë me kenë të prangosuna nga ideologjia marksiste –
leniniste, tue përfshi edhe të gjitha botimet shkollore në të gjitha Trojet
Shqiptare, e kryesisht në Kosovë. Janë pikërisht ata libra e tekste shkollore
që shpërndahën në gjithë Botën tue helmatisë Rininë Shqiptare nga SHBA e deri
këtu në Australinë e pastër e të qytetnueme...demokratike.
Kulturës Shqiptare i mungojnë themelet ndër librat që botohen edhe
sot, gati mbas 20 vjetësh të ramjes së Murit Berlinit, i cili “nuk pranon” me u
rrëzue në koken e komunistëve në Shqipni! Ku asht ndër libra të shkollave At
Fishta, Don Ndre Zadeja, Don Lazër Shantoja, Don Nikollë Gazulli, At Shtjefën
Gjeçovi, At Gjon Shllaku, Don Ndoc Nikaj, At Bernardin Palaj, At Donat Kurti,
Don Aleksandër e At Marin Sirdani, Imzot Vinçenc Prennushi, At Pjetër
Mëshkalla, At Zef Saraçi, At Zef Valentini, At Anton e At Mark Harapi, e sa të
tjerë që janë ende me “epitetet” e komunistëve kriminelë në Historinë e
Shqipnisë, bazat e së cilës i vune Vetë Ata, dhe i çimentuen Ata Themelët e Saj
me Gjakun e Shejtë të Tyne!
Cili universitet i Botës së
Qytetnueme përjashton nga Katedrat e Tij Përparimtare At Shtjefën Gjeçovin apo
At Gjergj Fishtën ? Kush mund të flasi për publiçistikën tonë pa zanë me gojë
Faik Konicën e Don Lazër Shantojën ?! Cili nga Shqiptarët e Jugut mundet me
folë për Çerçiz Topullin e Mustafa Qullin pa zanë me gojë At Anton Harapin?
Kush di sot me kja mbi vorrin e Avni Rustemit si kjau Don Lazër Shantoja ?...
Kush asht Ai Shkodran apo Vlonjat e Korçar që do me vue një “Rubë” pa lexue Don
Ndre Zadejën e, me i këndue Asaj pa ndigjue melodinë e pavdekshme të Don Mikel
Koliqit ? Kush mundet me mohue sot Themelet e muzikës Shqiptare të vume nga
duert e At Martin Gjokës...
Kush mund të flasi për
etnografinë tonë sot pa njohë veprat e Prof. Simon Rrotës ? Botanisti i madh At
Mark Harapi SJ. ka zbulimet e veta në florën shqiptare, që as nuk i ze kush me
gojë.
Vetëm në pikturë kishte dy
akademista që jetuen deri vonë 1980 – 2003, At Gegë Luma dhe At Leon Kabashi,
pa mujtë me dhanë asnjëherë kontributin e tyne në atë art.
Asnjëherë nuk duhet harrue se
kryeveprat e Kolë Idromenos janë krijue dhe ruejtë në Kishën Katedrale të Shkodrës,
dhe se, nga bankat e shkollës françeskane dhe asaj jezuite dolën artistët ma me
vlerë të letërsisë dhe artit shqiptar në shekullin e XX-të, Poeti Kombëtar At
Gjergj Fishta, kompozitori i madh Prenkë Jakova, aktori Zef Jubani, kangëtari
Lukë Kaçaj, piktori Lin Delia dhe futbollisti i pahurrueshëm Loro Boriçi etj.
etj...
Kush mund të quejnë vetën
Shqiptar e stërnip i Gjergj Kastriotit Skenderbeut, pa pranue se “lotoret” e At
Shtjefën Gjeçovit janë të stërgjyshëve tanë, që i kënduen Lirisë dhe i vajtuen
robnisë ndër shekuj të shekujve? Jo, Shqiptarë, kështu, jo! Shqipnia asht prej
nalt në Grudë e deri poshtë ku shkruen At Marin Sirdani...po, mësoni historinë
se mund të jeni shumë të pasun me dollarë e Euro, po jeni shumë të “vorfën” në
gëdhenje kulturore të trunit dhe të shpirtit! Shqipnia ka pasë dhe ka edhe sot
Dijetarë e Njerëz Përparimtarë! Shqipnia ka pasë e ka me pasë nëvojë për
Dijetarë, por, po përsërisë, për Dijetarë që e kanë dashtë dhe duen edhe sot me
shpirt e me gjithë zemër: Një Shqipni Europjane!
Populli Shqiptar sundohej nga
Enver Hoxha dhe Ramiz Alia, dy tradhëtarë,
që nëpërmjet dhunës që ushtronin me institucionin e tyne të paligjshëm,
Sigurimin komunist, kishin vetëm një parim terrorist: frikësimin, kërcënimin
dhe shtypjen e pashoqe, pse secili Shqiptar ishte i lidhun “për kafshatën e
bukës”, siç ka thanë At Pjetër Mëshkalla, kur u arrestue në “Revolucionin
Ideologjik e Kulturor” të vitit 1967 në qytetin e Shkodrës.
Kjo ishte reforma me të cilën
krenohën shokët e Partisë komuniste: “Arësimimi i gjerë i masave dhe
revolucionarizimi i shkollës sonë...” Qendrat ku Shqiptari humbi tiparet e Tij
shekullore, Burrni, Besë e Bujari. Ja vendi ku u shemb Ideali “Atdhé e Fé”, ja
çerdhja ku Shqipja Dykrenare çili zogjët e vet: Malësia tue ikë rrugëve të mërgimit
dhe tue harrue zakon e traditë mijavjeçare. Ja “shkolla” ku formohej breznia e
“re socialiste” pa korajo civile, servile dhe hipokrite, opurtuniste pa pikë
burrnije, me parime marksiste – leniniste dhe ateiste bolshevike, parime të
cilat synojnë me shpartallue Atdhetarizmin dhe Familjen Shqiptare.
E kush ia imponoi Shqiptarit europjan
këto vese të flligta? Tradhëtarët, pikërisht ata që për me sigurue kolltukun e
tyne dhe me pasunue edhe trashigimtarët e vet me pasuni përrallore, shitën
Atdheun.Një nga vendet ma të vjetra dhe me tradita europjane shpartallohet nga
dy komunistë tradhëtarë aq keq, sa kalojnë dekada njenambastjetres, tue
ngushllue vetën: “Po, jemi dishka ma mirë se vjet...!” E deri kur kështu?
Nëse Populli Shqiptar nuk do
të çveshi tradhëtarët e Atdheut nga rrobat tradhëtisë dhe nuk do t’i thejë
përtokë piedestalët që i kanë vue me duert e tyne terroristët komunistë, ashtu
si Populli mori zvarrë statujen e diktatorit Enver Hoxha gjatë rrugëve të
Shkodrës dhe Tiranës, poashtu duhet të shkrryhen ndër balta edhe dekorata e
meritat e pameritueme të tyne ose, përndryshe, në vendin e tyne, mu në atë llom
ku kanë zhytë për njëgjysë shekulli Popullin, Populli aty të vazhdojë me qëndrue!
Jo, asnjëherë Shqiptari nuk i ka puthë prangat e robnisë!
Shenim nga F.Radovani: Vazhdon Pjesa VI.
Melbourne, 10 Mars 2026.









