Mendime » Radovani
Fritz Radovani: Tradhëtarët Enver Hoxha e Ramiz Alia na nxorën nga Europa (4)
E marte, 10.03.2026, 06:53 PM
PREJ LIBRIT FRITZ
RADOVANIT: PJESA E IV.
Tradhëtarët
Enver Hoxha e Ramiz Alia
na nxorën nga Europa...
Melbourne 2010
Ua kushtoj të Parëve të mi,
Ejëllorëve (ose Radovanve) të vjetër,
dhe Gurakuqëve po aq Atdhetarë,
që menduen, punuen e u salvuen
për Shqipninë Europjane të
Gjergj Kastriotit - Skenderbeut!
Autori
Melbourne, Gusht 2010.
Redaktor:
Daniel Gàzulli. 2010.
82 VJETË MA
PARË...ATËHERË,
“KUR PATEN HY KËTA..!”
Edhe pse të veshuna me borë e akull si çmos asnjë vjet, tymnaja e zezë e komunizmit pushtoi
edhe majat ma të nalta të Alpeve tona, të pashkeluna kurrë nga pushtuesit shekullorë...
Ra Hoti e Gruda, ra Kelmendi e Dukagjini, ra Dibra, Mirdita e Puka, ra
Kosova e Shkupi, ra Korça e Gjinokastra, ra Çamëria, ra Jugu e ra
Veriu...Ulqini e Tivari u banë gropa vorrimi për vëllaznit tonë Shqiptarë të
Kosovës, të premë në besë... nga “herojt e popullit” Enver Hoxha, Ramiz Alia,
Omer Nishani e sa tradhëtarë të tjerë…
Në sfondin e zymtë të tallazit t’ Adriatikut të çuem peshë, Flamuri i
Skenderbeut përdhoset me yllin e kuq...
Malësori nuk do të përshëndesë ma “tungjatjeta!”,
por do të shkapesë përballë grushtin partizan. Kryet e vendit në sofer do ta
zanë serbët, malazezët e sherbëtorët e tyne, bolshevikët tanë, tue ngritë
dollitë e tue urue jetë të gjatë Titos e Stalinit. Besa, bujaria e burrnia do
t’u lëshojnë vendin tradhëtisë,
turpit dhe frikës, që nuk do t’i ndahën Shqiptarit për sa e sa vjet...Portaria
e shtëpisë nuk do të mbyllet ma, cilido anmik hyn e del si në shtëpinë e vet.
Lahuta nuk do t’u këndojë ma
armëve të lirisë.., por do t’i ulërijnë ariut të Gjeorgjisë...Ja, edhe një
popullore nga Jugu: “Enver, Koçi ka parë ëndërr, Shqipërinë nuse, Titon
dhëndërr...” - dhe vazhdonte kori partizan eeeeeeeee...Asht ajo kangë që
fëmijtë e tyne e këndojnë edhe sot..!
Edhe për një grusht katolikë që mbetën ndër ata Troje, do të vërriste tradhëtari i Atdheut, pikërisht udhëheqësi i Partisë Komuniste Shqiptare, katili
gjakatar Enver Hoxha, ai që kurrë s’asht kenë udhëheqës i asaj pjese Katolike
të Popullit Shqiptar, por edhe do ta linte të shkrueme: “...meqenëse, katoliçizmi shqiptar, dhe në veçanti kleri, ishin pengesa më e madhe për
triumfin e komunizmit në Shqipëri, qeveria nuk do të kursente asnjë përpjekje
për t’i shpartalluar ata.” (E.H, V.I, fq. 438, 1974.).
Porosia e Leninit, e lanun që në vitin 1922, ishte: “Duhet të angazhohemi në luftë përfundimtare kundër klerit reaksionarë,
të asgjësojmë qëndresën e priftërinjve dhe të murgeshave me një mizori të
tillë, që ta mbajnë mend me dekada të tëra.”
Terrori në masë, si mjet qeverisje, kishte fillue që në vitin 1944 në Jug
të Shqipnisë dhe, me largimin e trupave të hueja, kjo luftë vëllavrasëse
shpartalloi edhe Veriun, tue fillue nga Kryengritja e Prenkë Calit në vitin
1945, rezistenca e “Besëlidhjes së Veriut”, rezistenca e Berdicës dhe Anës së
Malit, luftëtarët e shpellave të Dukagjinit, me Heroin Gjergj Vata etj., në
Pukë me Mirakajt dhe të pathyeshmit e Mirditës, Mark e Llesh Gjomarkaj. Alush
Leshaku do të shkruente me germa t’arta Epopenë e qendresës në Shqipninë e
Mesme, me çetën e Sulë Selimes...
Në muejt janar e shkurt të 1945, tradhëtarët Enver Hoxha e Ramiz Alia kishin “vistue” garancitë e tyne
tek “shoku” Tito me vrasjen dhe humbjen e ma shumë se 12.000 vëllazënve shqiptarë të Kosovës, vepër për
të cilën krimineli i Luftës Ramiz Alia e ka vendin në dhomen e mbetun “bosh” të
mikut të tij Millosheviç.
Shqipnia kishte hy në vathën “bolshevike” të
Jugosllavisë Titiste e, bashkë me te, nën sundimin stalinist të Rusisë, qysh me
29 nandor 1944…
Enver Hoxha tashti i paisun me “mburojen” e trathtisë së Atdheut dhe i
deklaruem zyrtarisht “vasal” i Jugosllavisë, fillon veprimet e tij në drejtim
të prishjes së “urave lidhëse” të Shqipnisë me Europën Perëndimore.
Pa përfundue Lufta e Dytë Botnore, ashtu si pat veprue për lanjen e Kosovës
dhe Trojeve Shqiptare nën sundimin e Jugosllavisë, në Mukje, me atë model të instruktuem nga padroni Tito, me 21 Prill
1945, kur delegati apostolik i Vatikanit në Shqipni Imz. Leone G.B. de Nigris,
do të shkonte në Romë për konsultime të veta si zakonisht ndër ato situata të
krijueme nga Lufta, qeveria provizore “kukull” e Tiranës, i premton Atij: “Liri
të plotë të Kishës Katolike dhe marrëdhanje të mira me Vatikanin” (po aty,
Prof. Z.Mirdita, fq. 212).
Porsa delegati Nigris kthehet në Tiranë, në ditët e para të majit 1945, Ai
nuk lejohet me shkue në selinë e Tij në Shkodër, mbasi cilësohet se asht “persona
non grata”, gja e cila e detyron me thirrë Argjipeshkvin e Shkodrës, Imz. Gaspër Thaçin, për me i lanë
porositë për t’ ardhmen. Për arësye shëndetësore Argjipeshkvi nuk mundet me shkue në Tiranë, por dergon
Famullitarin Don Tomë Laca dhe sekretarin e vet Don Mark Hasi, të cilët shkojnë
dhe marrin porositë e Tij. Zv. Delegat të Vatikanit Ai len porosi
me kenë Imz. Frano Gjini, deri atëherë Abat i Mirditës. Ky do të vazhdonte
derisa Vatikani do të sillte dokumentin e emnimit me shkrim. Përsa i përket
marëdhanjeve me shtetin komunist, ishte gjithshka e qartë për të dy palët,
mbasi “moslejimi i delegatit L. Nigris me qendrue këtu, tregonte edhe këputjen
e marëdhanjeve të qeverisë shqiptare me Shtetin e Vatikanit, ndonse ky veprim
binte në kundershtim me vendimin e vet, që qeveria shqiptare i kishte komunikue
me datën 21 prill 1945, para se po Ky delegat do të nisej për Vatikan”. Gati
mbas 20 ditësh, kur L. Nigris nuk ishte ma në Shqipni, me datën 24 maji 1945,
qeveria shqiptare lëshon edhe vendimin me shkrim që i dergohet Vatikanit.
Por E. Hoxha nuk mjaftohet vetëm me premjen e
marëdhanjeve diplomatike…Duhej shembë “Ura lidhëse” e Shqipnisë me Europën.
E kjo “urë” shekullore…kishte themele,
“Gurtë’” e të cilit ishin të pathyeshëm,
të palëvizëshëm, të qëndrueshëm, të vendosuna mbi Gjakun e Martirëve të Kishës Katolike Shqiptare, Besnike e Përjetëshme e Porosisë së Imz.
Pal Engjëllit, që la me shkrim në vitin 1462
e që vazhdonte me kenë e daltueme mbi “Vorrin”
e Gjergj Kastriotit - Skenderbeut, Aty,
ku asht sot e që Ky Kler, vazhdonte me u betue.., Me u betue mbi Elterin e
Shejtë të Atdheut..! Në Janarin e 1945, asht i pari At Mati Prennushi,
Provinçial i Françeskanve të Shqipnisë në Kuvendin e Gjuhadolit në Shkodër, që me rastin e vizitës në atë
kuvend të kriminelit Shefqet Peçi, e pak ditë mbas tij të terroristit Mehmet
Shehu, ua përplasë ndër sy të dyve, se: “Lidhjet me Papën dhe Vatikanin nuk
mund të shkëputën kurrë e për asnjë arësye.”
Ky ishte sinjali i parë gjoja i një “Kishe Katolike Kombëtare” për të cilën
nuk u shuen përpjekjet asnjëherë edhe pse Enver Hoxha e Ramiz Alia përdorën Genocidin komunist bolshevik për zhdukjen jo vetëm të Saj, por edhe të të gjithë Atyne Shqiptarëve që ishin të
Pagëzuem Katolikë.
Mbas largimit të Delegatit Apostolik nga Shqipnia, shteti komunist fillon
haptas masat e veta, tue i kombinue me ato ekonomike, të shfaquna direkt me
shtetëzimin e tokave të Kishës dhe marrjen
e pronave të tjera të saj.
Reforma tjetër kundër Fesë vazhdon po në Maji të vitit 1945, kur mbyllen shkollat
fetare. Asnjë qeveritar nuk pranon në takim Prelatët e Klerit për sqarim
problemi. Fillojnë presionet kundër Argjipeshkvit të Durrësit dhe Tiranës, Imz.
Vinçenc Prennushit, po në lidhje me shkëputjen nga Vatikani si dhe represionet
që i bahen elementit katolik në Shqipni. Vazhdojnë përpjekjet e qeverisë me
Imz. Luigj Bumçin, i cili edhe vdes ato ditë, dhe pasojnë me Zv. Delegatin
Apostolik, Imz. Frano Gjinin, i cili jo vetëm që nuk pajtohet, por edhe
proteston për reprezaljet që komunistët ushtrojnë haptas kundër intelektualëve shqiptarë të Veriut, të cilët përbuzen dhe denigrohen si miq të pjesës
së popullsisë katolike, që tashma asht e
cilësueme haptas “e padëshrueshme” nga
pushteti bolshevik i komunistëve. Në këte
kasaphanë përshkohen edhe shumë intelektualë muslimanë e ortodoksë, të cilët
nuk pajtohen me veprimet e hapta anadollake e fanatike të udhëheqësit të
shtetit bolshevik E. Hoxha me pasuesit e tij.
Në gjyqin e Prof. Filip Fishtës, avokati Kol Dhimitri deklaron: “Filip Fishta ka pasuruar kulturën shqiptare me shkrimet e
tij, të cilat janë aq të vlefëshme dhe të çmueshme, sa është e madhe vobegsia
jonë letrare. Nga ana tjetër, si mund të bëhët vëgël informator një shkencëtar,
që gjithë jetën e tij e ka dedikuar në librat e kulturës, në mbrojtje të
idealeve kombëtare. Kërkoj që të merrën si shkaqe lehtësuese veprimet
kombëtare.” (Dosja
7842, Arkivi M.Mbrendshme Tiranë 1998.)
Ndersa turma e oficerëve të sigurimit që ka mbushë lozhat e sallës së
kinemasë së Tiranës, thërret: “Avokati është tradhëtarë, duhet varur në
litar..” E mbas një viti po e njajta ngjarje përsëritet në sallën e kinema
“Rozafat” në Shkoder kundrejt avokat Myzafer Pipës, vetëm se asht tue mbrojtë
një Klerik antifashist, të cilit Enver Hoxha, me porosi të spijunëve
jugosllavë, jo vetëm i jep “plumbin ballit”, por edhe masakron në mënyrë
shnjerzore edhe avokatin e tij mbrojtes, i cili vdes tue u torturue ndër duert
e kryetarit të degës së mbrendëshme të Shkodrës, Zoji Themeli, poaq kriminel sa
prokurori i çashtjes, famëkeqi Aranit Çela. Në fund të vitit 1945, kur sigurimi
i shtetit zbulon Organizatën e Parë Antikomuniste “Bashkimi Shqiptar” të
formueme nga Mark Çuni, Organizatë me parime të vërteta demokratike, mbasi
mendon dhe punon për zgjedhje të lira dhe me parime europjane Perëndimore, por
e padëshrueshme nga terroristi E. Hoxha, i cili punonte që më 1941 për
terrorizmin shovenist bolshevik stalinjan dhe jo për Shqipni Demokratike,
përfundon me shkatrrimin e plotë të organizatës dhe pushkatimin e të gjithë
organizatorëve të saj, tue përshi edhe tre Klerikë të pafajshëm, vetëm për
përmbushjen e qellimeve të terroristëve jugosllavë kundër Klerit Katolik, që me
komunistët bolshevikë, ata me kambngulje kërkojnë shkëputjen e Shqipnisë së
robnueme nga Europa.
Dështimi i Lëvizjes së Postribës me 9 Shtator 1946, do të sjelli atë
tragjedi, që rrallë herë ka mujtë me pa Populli i Veriut me qendër Shkodrën, ku
kishte 26 burgje të mbushuna plot me atdhetarë nga të gjitha shtresat, tue
fillue nga fshatarë analfabetë e deri tek studenta e deputetë të Kuvendit
Popullor. Pikërisht në këte valë arrestimesh, torturash e vorfnije,
pushkatimesh e internimesh, zhdukjesh pa gjyq e me gjyq, dhe përndjekjesh të
panumurta në masë, Sigurimi i Shtetit, nën udhëzimet e padronëve jugosllavë,
organizon ngjarjën ma të shëmtueme kundër Klerit Katolik Shqiptar, ashtu si
kishin veprue “specialistët” e KGB-së sovjetike në Rusi, Poloni, Kroaci, Mal të
Zi, dhe tashti në Shqipni, në Kishën Françeskane të Gjuhadolit, në Shkoder, me
16 Nandor 1946; në mengjes herët, pa dalë drita e datës 17, fusin arsenale
armësh nën Elterët e Kishës dhe akuzojnë Françeskanët si organizatorë të “një
kryengritjes së armatosur kundër Pushtetit Popullor...”. Kuvendi u këthye në
burg..., dhe, thirrej “Burgu i Kishës së Fretënve”.
Për masakrat e torturat çnjerëzore të bame mbi ata të mjerë që vuejten në
këte hetuesi, vite ma vonë do të dëshmojnë bashvuejtësit e asaj kohë: Adem
Bazhdari, Drita Kosturi, Ragip Meta, Elez Troshani, Hafiz Derguti, Hoxhë Xhemal
Najpi, Terezina Pali, Viktore Kuka, Ana Daja, etj., që janë një libër në vedi.
Mija e mija faqe procesh fallse, mija e mija shpifje e trillime, mija e
mija orë dite e nate me hetime, tortura, masakra të pashembullta, shpifës e
spijunë hetuesë, që errën e çohën tue plotësue dosje të përgatituna nga ky
skenar makabër, tue xhirue mija metra film për me kënaqë “druzhe Titon e baba
Stalinin..,” me dhunimin që po i bahej Kerit Katolik Shqiptar. Ky ishte roli që
luenin komunistët shqiptarë, në forcimin e simpatisë prej jugosllavëve, ky
ishte qendrimi i paturp antikatolik, ky ishte kurbani që komunistët e
tradhëtarët shqiptarë i dhuronin anmikut shekullor serb, vetëm e vetëm që Enver
Hoxha me pasues me sigurue karrigat e veta në pushtetin gjakatar. Seksioni
Katolik i Degës së Punëve të Mbrendëshme në Shkodër, nuk i shuente dritat as
ditën as natën, ku kriminelat terroristë të Sigurimit të Shtetit ishin lëshue
si bishat me shkye njerëzit e veshun me zhgun e veladon e, këta kafshë t’egra
ishin vetëm pjellë e shkollës së krimit
të partisë komuniste bolshevike dhe që punonin për sigurimin e kolltukut:
Hulusi Hako, Dilaver Sadiku, Zoji Themeli, Spiro Pano, Mestan Ujaniku, Aranit
Çela, Misto Bllaci, Dali Ndreu, Qamil Gavoçi, Hysni Ndoja, Lilo Zeneli, Fadil
Kapisyzi, Bastri Beqiri, Anastas Koroveshi,
Pjerin Kçira, Ali Xhunga, Dul Rrjolli, Nesti Kopali, Zoji Shkurti, Kasem
Troshani, Nexhat Hysejni, Mustafa Iljazi, Thoma Rino, Xhevdet Miloti, Ali
Çorri, Nevzat Haznedari, Cuf Lohja, Ndrekë Nallbani, Jonuz Dini, Hamdi
Ulqinaku, Namik Qemali, Dulaq Lekiçi, Elez Mesi, etj. etj., që edhe sot
rrashtat e tyne vrrasin si qentë e terbuem nga vorret e mermerit: “Plumbin
ballit Priftërinjëve Katolikë Shqiptarë dhe inteligjencës përparimtare!...”.
Mbas 16 muej përpjekje për me provue akuzat fallse, tue mos mujtë me realizue
asnjë nga “gjyqet e popullit” ashtu si donin padronët jugosllavë e sovjetikë,
ndër skutat e errta të bodrumeve të hetuesive, pa dije të asnjë vezhguesi apo
avokati, u zhvilluen “gjyqet” e mëshefta, dhe u mbyllën dosjet pa i pa njeri
fare me sy Ata Herojë, as ditën e egzekutimit.
Hetuesit katilë, edhe pse bajnë njëmijë të zezat mbi trupat e Klerikëve të
pafaj, përgjegja asht vetëm një: “Na nuk
kemi futë armë në Kishë, as nuk dimë kush i ka vue ato nën Elterë!..”
U arrestuen: Imzot Frano Gjini, Imzot Gjergj Volaj, Imz. Nikollë Deda, At
Mati Prennushi, At Çiperian Nika, At Donat Kurti, At Pal Dodaj, At Frano Kiri,
At Bernardin Palaj, At Buon Gjeçaj, At Aleks Baqli, At Gjon Karma, At Mëhill
Miraj, At Çiril Cani, At Leon Kabashi, At Rrok Gurashi, Don Mark Xhani, Don Tom
Laca, Don Anton Muzaj, Don Mark Hasi, Don Nikollë Shelqeti, Fra Ndue Vila, Fra
Zef Pëllumbi, etj.
Me datë 11 Mars 1948, në orën 05.00 të mëngjesit, në Zallin e Kirit, pranë
Rrëmajt, (në tokën e Zef Sylës) u pushkatuan këta Prelatë të Klerit Katolik
Shqiptar: Imzot FRANO PJETER GJINI, Regjent i Delegacionit të Vatikanit në
Shqipni, Imzot GJERGJ VOLAJ, Ipeshkëv i Sapës, Imzot NIKOLLË DEDA, Ipeshkëv, At
MATI PRENNUSHI OFM, Provinçial i Françeskanëve të Shqipnisë. At ÇIPRIAN NIKA,
OFM, Rektor i Françeskanëve të Shkodrës.
Fjala e Tyne e fundit ishte: “Rroftë
Krishti Mbret, Rroftë Papa! Po vdesim në krye të detyrës të pafajshem! Rrofshin
Katolikët! Rroftë Shqipnia! Ua bajmë hallall gjyqit dhe atyne që do të shtijnë mbi trupat tonë të
pafajshëm!” (Dosja 1302/2A. Arkivi M.M.Tiranë.)
Me Këta Martirë u pushkatuen edhe Atdhetarët: CIN SERREQI; Ing. FAHRI RUSI,
DULO KALI; GULJELM SUMA; MURAT HYSEN HAXHIJA, BILBIL HAJMI, Mësuesi PJETER P.
PALI, GASPER SIMON GASPRI, XHELAL HARDOLLI, ABDULLAH KAZAZI, CAF DRAGUSHA dhe
ZEF KOL PRELA.
Ndërsa arrestimet vazhdojnë, projekte të reja vijnë nga Moska stalinjane
për vazhdimsi terrori deri në shkëputjen e plotë nga Vatikani.
Stalini dhe Enver Hoxha ma në fund përqafohen dhe puthen tue i shtërngue
dorën fort njeni tjetrit në premtimin e ruejtjes së kolltukut të Enver Hoxhës,
mbas prishjes formale me Titon, tue i sigurue njenitjetrit “besnikni”
komuniste, mbrenda blokut komunist ku tashti janë të gjitha shtetet e
“demokracive” popullore e socialiste, satelite të B. S.
Enver Hoxha i siguron se Shqipnia do të vazhdojë luftën për të forcue
lidhjet me Lindjen komuniste, simbas porosisë së diktatorit Stalin, mësuesit
dhe udhëheqësit shpirtnor të tij, i cili asht i knaqun me të gjitha veprimet që
tradhëtari i Popullit shqiptar asht tue ba në favor të padronit të kampit
socialist, Stalinit “math”, “shpëtimtarit” të njerëzimit…
Po qendrimi i injorantit Enver Hoxha kundrejt inteligjencës sonë cili
ishte? Për këte do të ju paraqes pak rreshta nga procesi kundër një avokati të njohtun
në Shqipni në vitin 1946 – 47, kundër av. Paulin Palit:
“Në 1942-43 isha në Kosovë. Mbas 1944
erdha në Shkodër. Për çlirimin e Shqipnisë pa Kosovën, e kam konsiderue nji
gja të mangët, se Kosova asht Shqiptare dhe asht marrë padrejtësisht nga shovenistët
serb. Me forcë nuk mund ta marrim, por me drejtësi internacionale dhe simbas
Bllokut Antifashist do të pyetej populli, dhe kjo mund të zgjidhesh në mënyrë
miqësore.
Korça dhe Gjinokastra janë shqiptare
dhe i kërkon Greku. Mendimi i
Gjykata e Naltë mblodhi Këshillin e
saj me datën 23 mars 1948 dhe me vendimin nr.108, e përbame nga : Kryetar,
major Niko Çeta, antarë, kap. I Nexhat Hysejni dhe kap II Mustafa Iljazi,
asistent, aspirant Thoma Rino, prokuror ushtarak i Ushtrisë K. Shqiptare, kap. I
Nevzat Haznedari, vendosi: “Refuzimin e kërkesës së të pandehurve për falje
jete, të dënuar nga Gjykata Ushtarake e Shkodrës 1. PAULIN
PALI 2. KOL PRELA. Mbetet në fuqi edhe shtetizimi i
pasurisë.”(dosja 1333).
Kështu u mbyllë edhe një dosje, po
“fjala e fundit” e tyne nuk u dijt kurrë, as vendi ku u egzekutuen këta Burra,
as kush ua dha atë të shkretë “plumb mbas koke”...sepse donin “Shqipninë
Demokratike”, donin Shqipninë të bashkueme me Kosovën...
Ky “faj” i Tyne nuk falej!
Fillojnë përpjekjet e dyta për shkëputje nga Vatikani nga qeveria
shqiptare, mënjëherë mbas pushkatimit të Prelatëve të Kishës Katolike, por edhe këto pa sukses si të
parat. Hartohet nga shteti komunist, me
porosi si gjithnjë të Moskës, “Projekti i Statutit të Kishës Katolike Shqiptare”,
ku Enver Hoxha nuk do të kursente asgja për aprovimin e tij, me të gjitha
mjetet e terrorit dhe të pabesisë karakteristike të tij.
Nga Kleri Katolik ngarkohet Don Kolec Prennushi, i porsa liruem nga
hetuesia mbas 11 muej torturash, për shqyrtimin e Projektit të Statutit. Ja
konkluzioni i Tij i shpjeguem nga At Kondrad Gjolaj (1995): “Kisha Katolike nuk mund të jetë kurr
nacionale, ndonse, Ajo nuk asht kundër nacionalizmit.
Ajo nuk pranon
asnjëherë identifikimin e Fesë me Kombin. Në pamjen e tyne kristjane dhe
teologjike ky identifikim asht i papranueshem dhe jashta kohe, sepse Feja do të
shndrrohej në ideologji, që nuk asht tjetër veçse tjetërsim i Dogmave të
Vërteta të Kishës sonë Katolike dhe Apostolike, Dogma, të cilat asnjëherë nuk
janë kundër dashnisë që besimtarët shqiptarë kanë tregue për nacionalen e
tyne.” Dhe, në shpjegimin e atyne
ngjarjeve, At Kondrad Gjolaj, i pranishëm vetëm ndër dy mbledhjet e para të
bame në Argjipeshkvinë e Shkodrës, shkruen:
“Don Koleci tha: Këta do të na kërcënojnë
se do të mbyllim Kishat tueja, në kjoftë se nuk e aprovoni këte Projekt Statut,
kështu si asht këtu. Ky Projekt nuk duhet aprovue prej nesh, se edhe mbas
aprovimit të tij këta kanë me i mbyllë Kishat prapseprap. Jam i sigurtë se do t’ na thonë që do t’ ju vrasim, por asht ma mirë
me e ba shka kanë ndër mend sot, se ma vonë.
Le të na vrasin ma
mirë sot me faqe të bardhë, se me firmue dhe, nesër, prap kanë me na mbytë, por
na do të vdesim me faqe të zezë. E nuk duhet me harrue se me këta, na jemi hupë
se hupë. Komunistat kështu kanë ba ku kanë marrë pushtetin, në Rusi, Spanjë e
kudo. Na nuk jemi të parët që po i njohim se kush janë. Këta janë gjithkund
njësoj..!” (fq. 125).
Don Kolec Prennushi me 2 korrik 1950 vdiq si pasojë e torturave dhe mbas
një viti, me 30 korrik 1951, Statuti i Kishës Katolike u firmue nga Kleri
Katolik, me përjashtim të Don Dedë Malaj, Don Ejëll Kovaçit dhe At Kondrad
Gjolaj, fundin e të cilëve e shohim në
vitet 1958 – 59.
Ndërsa, Kisha Ortodokse Shqiptare e thëmelueme nga Imz. Noli, e që
drejtohej nga Imz. Kristofor Kissi, me seli në Tiranë, vetëm nga idea e
shprehun nga At Shtjefen Gjeçovi, se: “Imz. Kissi, Kryeipeshkëv i Beratit asht
ma tepër Katolik se Ortodoks” (Prof. Z.M. fq. 209, po aty.), pëson përndjekje
nga bolsheviku E. Hoxha, i cili kërkon të kundërten e asaj që i kërkon Kishës Katolike, pra, që të
shkombëtarizohet dhe të bashkohet me Patriarkën e Moskës, si mbas një “Projekt
Statuti të Kishës Ortodokse” të hartuem “gjoja” në Tiranë, njëherit me Kishën Katolike. Ky Projekt Statut u kundërshtue nga Imz. K.
Kissi, i cili në gusht të vitit 1949 shkarkohet dhe egzekutohet nga komunistët.
Ja pra, me fakte, Ajo Kishë që ishte ba kombëtare, dhe mund të bahej “urë
lidhje” me Europën, duhej shkatrrue!
Me 5 prill 1950 goditja tjetër i bahet Bektashijëve dhe Sunitëve, të cilët, nuk
paraqisnin problemet e Katolikëve e Ortodoksëve, mbasi edhe në “veprat” e veta E. Hoxha mundohet me
justifikue qendrimin e qeverisë së tij anadollake, se: “Kleri musulman është i
pangritur nga ana kulturore dhe nuk paraqet rrezikshmërinë e klerit katolik…”.
Ky ishte vlersimi që i bante injoranti
që drejtonte shtetin, E. Hoxha, Klerit Musliman Shqiptar.
Në vitin 1952, diktatori Hoxha organizon në Tiranë “Konferencën e Paqës” me
të gjitha besimet në Shqipni. Asht një libër i botuem me të gjitha fjalimet dhe shamjet e paskrupull
që “klerikët”, po i themi, por ma shumë spijunët e sigurimit të shtetit, kanë shpreh aty kundër
Papës së Romës e Vatikanit. Ajo “konferencë” asht dëshmia e “hedhjes në erë” të
urës sonë shekullore me Europën…Edhe pse mbas vitit 1991 kishte ende gjallë nga
“ata klerikë” që kanë shpifë në atë “konferencë”, asnjeni nuk ka pasë guximin
me tregue të vërtetën sesi u përgatitën fjalimet
e tyne, dhe ua dhanë me i lexue
“këtyne” papagalave mjeranë.
Shqipnia komuniste bolshevike tashma ishte e “lumtur” se mbrohej nga
Stalini i “math” dhe, sigurisht ishte edhe pjesë e “pandarë” e kampit socialist, që “me hapa vigane” marrshonte nga
“fitorja në fitorje”, drejt së ardhmës komuniste
…bolshevike anti Europjane.
Shenim
nga F.Radovani: Vazhdon Pjesa V.
Melbourne,
6 Mars 2026.









