E diele, 01.03.2026, 11:26 PM (GMT)

Mendime » Radovani

Fritz Radovani: Tradhëtarët Enver Hoxha e Ramiz Alia na nxorën nga Europa (3)

E diele, 01.03.2026, 06:55 PM


PREJ LIBRIT  FRITZ RADOVANIT: PJESA E III.

Tradhëtarët

Enver Hoxha e Ramiz Alia

na nxorën nga Europa...

Melbourne 2010

Ua kushtoj të Parëve të mi,

Ejëllorëve (ose Radovanve) të vjetër,

dhe Gurakuqëve po aq Atdhetarë,

që menduen, punuen e u salvuen

për Shqipninë Europjane të

Gjergj Kastriotit - Skenderbeut!

Autori

Melbourne, Gusht 2010.

Redaktor: Daniel Gàzulli. 2010.

III.BURRI  I  FJALËS  DHE  I  VEPRAVE CAFO BEG  ULQINI

Kur veriu i ftohët i Stom Golemit përshkohej nëpër rrugën Rus, apo murrlani i Rrencit vinte e shkapetej tek Dugajtë e Reja të Shkodrës për gjoksin e Burrit të njohun Cafo Begut, gjithënjë kam pasë përshtypjen se të dy kthehëshin mbrapsht...

E njoha të moshuem, aty nga vitet 1961 – 62, kur çeli dyqanin e cigareshitësit. Ishte plotësisht i thijun, me krejt flokët të bardhë, që i jepnin një hijeshi Burri, por trupi i madh sportiv, gjithmonë i mbajtun dhe i kërpitun, i veshun me palldysy ngjyrë qumështi, apo kostume kafe e krem, të tërhiqte në çast vëmendjen. Ishte mjaft i pashëm, me sy shqipojë, gjithmonë vrojtues, nofulla të gjana, që ngërthehëshin kur nxirnin çdo tingull të ambël të fjalës së Tij joshëse. Për pak kohë shihej se edhe klientët që hynin në dyqanin e Tij ishin të zgjedhun...

Cafo Begu kishte një histori interesante të jetës së Tij. Ai jetonte tek disa miqë të tij, dikund kah stadiumi. Nuk kishte familje as të afërm, mbasi ishte detyrue me i lanë në anën e Jugosllavisë, që në ditët e para mbas luftës së Dytë Botnore, kur andej e këndej në pushtet erdhën komunistët. Në Shqipni kërkohej se kishte kenë Anëtar i katërshes së Regjencës në periudhën e pushtimit gjerman, me Maliq Beg Bushatin, At Anton Harapin dhe Lef Nosin. Ndërsa nga jugosllavët paguhej me napolona ar kryet e Tij, mbasi kishte deklarue botnisht se: “Trojet e mija janë Tokë Shqiptare!”.

Kjo deklaratë nuk ishte thjeshtë e një pronari apo çifligari tokash, po ishte: “Një shtytje ma andej e atyne piramidave të vume paderjtsisht në vitit 1913, në Tokën Shqiptare!”

Me largimin e trupave gjermane kishte shkue në trojet e veta dhe aty ishte strehue, madje, edhe ruejtë kryet ndër miqë e besnikë të vet. Kishte provue jetën e shpellave, gropave, të skamit dhe të vuejtjes për disa vite, deri me rastin e amnistisë së bame për faljen e jetës së atyne që dorëzohën në Shqipni, dhe që nuk do të dënoheshin me vdekje nga gjykatat komuniste. Kishte kalue hetuesitë speciale dhe ishte dënue me shumë vite burg, i përfshimë në nenët e “krimeve të luftës”. Mbasi u lirue, erdhi në Shkodër.

Në vitin 1968 u njoha ma afër me Té. Ai më tregoi se kishte njohë edhe babën tim dhe se kishte pasë edhe ky hobi për hipizëm. Kishte disa foto ndër plantacionët e veta me kuaj. Ruente si relike fotografi të grues së vet dhe të vajzave, të para vitit 1945.

Në dhjetorin e vitit 1968, hapi bisedën për At Anton Harapin: “Asht kenë një dhe nuk bahen dy si Ai!”. Në vitin 1944, kur At Antoni, aty nga fundi i nandorit, po këthehej nga Gjermania mbas një takimi me Hitlerin, ishte ndalue në Podgoricë, dhe në një hotel ai asht takue me komandantin e trupave gjermane që po largoheshin nga Shkodra, Komandanti gjerman e kishte njoftue At Antonin për largimin nga Shqipnia dhe e kishte ftue me ikë edhe ky me ata, tue i sigurue që do ta çonin ku do të dëshronte vetë At Antoni, për mos me ra në duert e komunistëve, të cilët, me 28 Nandor do të hynin në Shkodër.

At Antoni nuk ka pranue me u largue nga Shqipnia dhe, po t’ishte nevoja, do të pranonte edhe vdekjen, për të cilën ai vetë nuk dinte shkak. Por kishte kërkue nga gjenerali gjerman, largimin e trupave të fundit të ushtrisë gjermane me datën 29 Nandor 1944, dhe jo me 28, si kishin planifikue ata, mbasi i kishte shpjegue që, “nuk asht mirë me na njollosë  Ditën e Flamurit dhe të Pavarsisë me ditën e pushtimit komunist të Atdheut!”. Komanda gjermane e ka pranue kërkesën e At Antonit dhe ushtarët e fundit gjermanë janë largue nga Shkodra në mengjesin e datës 29 Nandor. Për këtë veprim At Antoni kishte vue në dijeni atë natë edhe Cafo Begun. Të nesërmen ishte nisë për Shkodër, ndonse edhe Cafo Begu e kishte ftue me qendrue aty ku do të strehohej ky vetë, por as Cafo Begut Ai nuk i kishte pranue me qendrue andej mbasi “nesër kanë me thanë, paska shkue At Antoni me ruejtë kryet tek serbët...”.

Cafo Begu e përfundonte bisedën me një konkluzion:

“Shërbimi i At Antonit për mosnjollosjen e Ditës së Madhe të Flamurit, asht shërbimi ma i madh që një Atdhetar si At Anton Harapi mundej me i ba Atdheut të vet. Ka me ardhë një kohë që për këte vepër Ai do të zanë vendin që meriton!”.

Në vitin 1995, këtë fakt historik unë e kam bisedue me At Kondrad Gjolaj, kur ky po më tregonte sesi asht tradhëtue At Antoni nga një kushri i tij shirokas (L.B.), kur ai (L.B.) asht mbajtë në Sigurimin e Shkodrës dhe asht shtërngue nga frika dhe torturat me tregue se ku ishte strehue At Antoni, pse dyshohej që ky mund ta kishte nxjerrë nëpër liqe dhe ta kishte çue aty ku mund t’ishte edhe Cafo Begu, ndër trojet e veta. Atëherë forcat e Ndjekjes kanë shkue në Dukagjin dhe e kanë arrestue At Antonin. Mënyrat tjera At Kondradi nuk i pranonte, madje i quante trillime të Sigurimit.

Edhe At Kondradi e dinte ndryshimin e datës së largimit të trupave gjermane, me 29 Nandor 1944, mbasi ato ditë ky ishte kenë në Kuvendin Françeskan, ku kishte pak ushtarë gjermanë dhe mjaft nga njerëzit e politikës që po kalonin ditët e fundit aty n’atë vend derisa ikën.

Dhe ja si e shpjegon në librin “Çinarët”, faqe 70: “Gjermanët, për mos me njollosë festën e Flamurit me ditën e ardhjes së “çlirimtarëve” në Shkoder, lëshuene këtë qytet të fundit me datën 29 Nandor 1944. Partizanët “çlirimtarë” zbritën prej “malëve” të Bardhejve, Shtojt, Postrribës e përbrij Shkodres dhe hynë në qytet në orët e para të mengjesit. …Në drekë morëm vesht se një treçikël me tre gjermanë, rreth orës 11 paradite, kishte kalue nëpër Fushën e Qelës dhe kishte marrë drejtimin e rrugës së Koplikut. Kështu ikën edhe gjermanët e fundit

Në fjalorin enciklopedik të Akademisë së Shkencave të Tiranës, botue në vitin 1980, faqe 197, 262, 1019, 1049 etj. shkruhët: “Dita e çlirimit = 29 Nëntori....”Po ku ishin këta “shokët” akademikë, dr. profesorë e mashtrues të historisë që për gati 50 vjet, njohtën 29 nandorin 1944, ndërsa mbas vitit 1991, “heshtën” sëpse Kuvendi Popullor, tue ndryshue datën e tue e kthye me 28, Kuvendi Popullor po realizonte andrrën e komunistëve…

Sigurisht, tue pasë parashikue se shpejt Populli Shqiptar do të fshinte nga memoria e vet historike këte ditë robnije, i dolën punës para dhe u kthyen tek andrra e vjetër: “me përjetësue ditën e çlirimit” tue njollosë Festën e Flamurit, 28 Nandorin e 1912!...

Ky asht edhe një tjetër turp i pashembullt në fallsifikimin e Historisë së Lavdishme të Popullit Shqiptar.

Fallsifikatorët e historisë së Shqipnisë mbesin bijtë e pandreqshëm të baballarëve të vet! A nuk ju dalin boll miljonat e dollarëve që po mbushni xhepat, po doni me mbushë edhe faqet e historisë me gënjeshtra, shpifje e mashtrime? Deri kur kështu?

Më thonte i ndjeri Cafo Beg: “Kaq shumë kanë rrejtë komunistat, sa vërej tashti në 1974, se tue lexue dokumentat historike të botueme në këta 30 vjet, e tham sinqerisht, nuk gjej asnjë fakt historik të shkruem pa fallsifikime dhe shtremnime, madje, as edhe vetë aktin e Pavarësisë në Vlonë me 28 Nandor 1912, até që kanë botue “këta’...!”.

PARTIA KOMUNISTE SHQIPTARE ASHT TRADHËTARE

E ATDHEUT  DHE  E  POPULLIT SHQIPTAR

Rraja e komunizmit duhet kerkue në idetë e klasikëve të tij.

Një porosi tjetër e Marksit, drejtue Kongresit të Berlinit  në 1878: "Arnautët (Shqiptarët)...përsa i njohim, janë pak të përgatitun për t' u qytetnue. Primja e tyne grabitqare duhet t’a detyrojë çdo qeveri fqinje t’i mbajë ata nën trysni të rreptë ushtarake, përderisa përparimi industrial në vendet fqinjë të mos u sigurojë punë atyne, si p.sh. dru-prerës dhe ujë-bartës.” Nuk mund të mohohet fakti se gadishullin e quejti "Turqi Europjane". “...Rivalë të sllavëve janë vetem barbarët arnautë dhe turqit, të cilët prej kohësh quheshin dendur si kundërshtarët ma të egjër të qytetnimit e të përparimit... (M.Mali, publicistikë, 2010. USA)

Ky mentalitet me të vertet racist i krijuesit të materializmit dialektik zuni vend në trunin e “shokut” Tito, i cili, tue u bazue në teori të Marksit, që Arnautët me kenë se janë me “primje grabitqare” duhen mbajtë nën trysni të rreptë “nga vendet fqinjë”, i vuni detyrë vetës ate që ishte prej kohësh me interes për shovenistët jugosllavë, me mbajtë Popullin Shqiptar “nën trysninë” e tyne. Se ku e kishte gjetë “shoku” Marks të shkrueme se Shqiptarët janë kundershtarë të qytetnimit dhe të përparimit nuk e di... Di vetëm një fakt, se mbi bazen e këtij citati Tito dërgoi emisarët e tij, që me 8 nandor 1941 themeluen Partinë Komuniste Shqiptare, me të gjitha tiparet bolshevike staliniste, tue ruejtë në themel porositë e Marksit. Për me kenë të saktë me parimin e Marksit, se gadishulli i Ballkanit asht edhe “Turqia Europjane”, ata zgjodhën edhe drejtuesin e kësaj partie një injorant anadollak, që do t’ ju shërbente atyne besnikrisht, Enver Hoxhën, që ishte edhe karrierist i pacipë, por edhe terrorist i njohun që në kabaretë e masonistëve francezë. Në formimin e tij ai plotsonte të gjitha kushtet e një drejtuesi të partisë komuniste, tue fillue tek prejardhja e tij, mungesa e kulturës, megallomania, pabesia, karrierizmi, lufta e pamëshirshme për kolltuk, tradhëtia e shokut, plaçkitja e pronës, paburrnia dhe tradhëtia e Atdheut, që për një komunist mbetet parim bazë qysh në organizimin e tij në atë parti. Ajo që një komunist e ban të “pranueshëm” në parti asht përkushtimi i tij në shërbim të sigurimit të shtetit bolshevik, ku jep provat e spijunllekut dhe të kriminalitetit të vet. Të gjitha këta kushte Enver Hoxha i plotësonte dhe mbas një kohe shumë të shkurtë shkon edhe mysafir tek Tito në Beograd e te Stalini në Kremlin. Me siguri, ndër këto vizita, si Tito, si Stalini, duhet të kenë konstatue ndonjë “cilësi” personale të Enver Hoxhës, e mbetun nga e kaluemja e tij “rinore”, mbasi në protokollin e pritjes së Nikita S. Hrushovit, më 1959 në Tiranë, Hrushovi, porsa zbriti nga avioni dhe u afrue tek podi i mikrofonit me përshëndetë popullin që kishte shkue në Rinas me i urue “mirëseardhjen”, i tha: “Nuk po e heqë kapelen, se këtu asht dielli i fortë, mandej tek ju flitet edhe me kapelë në kokë, se ju jeni popull musliman...”. Unë po shkruej ate që kam ndigjue me veshtë e mi se ba me shkrue se çfarë ka shkrue ai në kujtimet e tij...për udhëheqësit e partisë sonë, jam i sigurtë se edhe Marksit nuk i ka shkue mendja se në trupin e kujt do të zanë vend “tesera” e partisë komuniste “marksiste”...

Të gjitha veprimet e Enver Hoxhës përputhen me politikën e të gjitha vendeve komuniste që luftonin në Europë, por e veçanta e partisë komuniste shqiptare ishte se, mbas “fitores” mbi nazizmin, na ishim vendi  i vetëm që nuk u quejtëm Shtet i pavarun “demokratik” etj., epitete të cilat ua vune “demokracive” popullore të vendeve të Lindjes komuniste, ndërsa nga pushtimi fashist e nazist Shqipnia kaloi nën pushtimin e ri komunist bolshevik të Jugosllavisë së Titos, tue ndrrue zgjedhën e robnisë me këte që i kishte mbetë pa provue ndër njëzet shekuj... Historikisht vet Tito e kishte gjetë formulën e pushtimit, mbasi askush nuk mund ta akuzonte se ai ka aneksue një tjetër “republikë të shtatë”, mbasi dihej prej të gjithëve ajo që nuk dihej vetem prej nesh: “Ishte Jalta e shkurtit 1945, ku Ruzvelti i dhuroi Titos, për hir të Stalinit, gjysën e Ballkanit...” Shqipnia e quejti vetën Republikë “demokratike” që ishte e kontrollueme nga Jugosllavia dhe si figurë “drejtuese” e qeverisë ishte Enver Hoxha, që i sherbente ma mire se me ardhë vetë Tito në Tiranë...

Shqipnia ishte ndër të paktat shtete që nuk u çlirue as nga forcat e Aleatëve dhe as nga Ushtria e Kuqe e Stalinit. Asnjë ushtar jugosllav apo grek nuk asht vra për çlirimin e një fshati në Shqipni. Vetë Ruzvelti ka deklarue se çlirimi i Ballkanit “nuk asht detyrë e jona”...Kur Ushtria e Kuqe çliroi edhe Jugosllavinë, forcat gjermane ishin largue nga vendi ynë atëherë, pse Shqipnia, i vetmi vend në Europë që po i themi se u “çlirue” nga vetë shqiptarët, mbas tërheqjes së forcave gjermane, nuk u la si shtet i pavarun, por iu aneksue Jugosllavisë komuniste bolshevike? Edhe një sqarim i nevojshëm duhet theksue, se gjatë pushtimit italian dhe gjerman, asnjë ushtar shqiptar nuk asht kenë pushtues i huej.

Përkundrazi, ushtarët dhe “komandantët” partizanë shqiptarë që janë kenë në Kosovë, apo që kanë kalue në Veri nga Hoti në drejtim të Podgoricës dhe Tivarit, me brigadën e formueme në Shkodër me datën 29 nandor 1944, me qellim me çlirue Tokat Shqiptare e, që në të gjithë tekstet e “historisë” shkruhet: “Kalimi i divizioneve tona në Veri për çlirimin e ‘tokave’ të Jugosllavisë”, tregon qartë marëveshjen e fshehtë të asaj kohë mes Titos dhe Enver Hoxhës, që Tokat Shqiptare për të cilat bahet fjalë ndër tekste, ishin cilësue “toka të Jugosllavisë” pa u “çlirue” ende, kur të gjitha ishin shqiptare dhe të banueme edhe sot nga shqiptarët, dëshmi që e kam edhe nga daja im, Mikel Pjeter Prennushi, ish oficer akademist në Itali, që asht mobilizue nga forcat partizane me shumë oficerë të tjerë të kohës së pushtimit. Ndërsa për veprimtarinë tradhëtare të Ramiz Alisë, Haxhi Lleshit, Fadil Hoxhës, Shefqet Peçit, Rahman Perllakut etj., me forcat çlirimtare të Kosovës, tue i lanë pre në pabesi të forcave jugosllave, tashma dihen nga të gjithë, edhe pse në Kosovë ende kjo tradhëti që u asht ba kosovarve, nuk kërkohet me u shpallë botnisht, kur dihet se mija e mija prej djemëve të tyne u morën në Kukës e nuk mërrijti as gjysa e tyne në Tivar, ku edhe ajo pjesë e vogël kosovarësh që pat teprue rrugës, iu dorzuen “druzhe” Titos me u masakrue dhe me ushqye peshqit e Adriatikut në brigje të Tivarit.

Anglezi A. Glen, shkruen: “... Ato që i përcaktuan ngjarjet kanë qenë armët, të cilat iu dhanë Enver Hoxhës, e partizanëve... Na bëmë shumë pak me u shpërblye besnikrinë miqve tanë (nacionalistëve e Abaz Kupit). Në vend të kësaj, pa qenë nevoja na lejuam që ata të mundëshin dhe disa të tradhëtoheshin.” (“Albania’s National Liberation Struggle” fq. 363).

Besoj se asht thanë e shkrue padoreza e vërteta e atyne viteve të zeza, me të cilat mburreshin “komandantët e brigadave tona partizane”, kur donin me tregue “burrërinë e tyre komuniste”. Asht fatkeqësi e madhe për Popullin Shqiptar, i cili i ka besue dhe vazhdon me i besue tradhëtisë që aleatët i kanë ba jo, vetem gjatë luftës por, edhe mbas luftës. Këte fakt historik sot na e kemi të gjallë me qendrimin që ata mbajnë ndaj komunistëve dhe bijve të tyne, tue ua sigurue edhe “pushtetin” për t’ ardhmen..

Për mue ma i sinqerti asht Lokharti, i cili po aty shkruen: “Shqipëria është në fund të listës për prioritetët tona në Evropë”( fq 68). Aty asht e shkrueme edhe një porosi e dhanun prej tyne në vitin 1943:“Shërbimi më i madh që mund t’i bëni armikut në vendin tuaj, është që të nisni ... një luftë civile “. Edhe këte e kemi ba! ..Kjo tradhëti e Enver Hoxhës dhe e Ramiz Alisë, bashkë me të tjerë pasues “heroj të popullit”, ndaj forcave  tona nacionaliste çlirimtare dhe lanja nën robninë komuniste e Trojeve tona në Kosovë, Hot, Grudë, Ulqin dhe Tivar, bashkë me të gjithë Popullin Shqiptar, këndej e andej kufinit, në dorën e neoshovinistëve komunistë jugosllavë të Titos, as kjo nuk asht tradhëti ndaj Atdheut dhe Popullit Shqiptar..?

Veprimet e komunistëve shqiptarë gjithnjë janë pasue me lufta, tradhëti, vrasje, plaçkitje, burgosje, internime ose e thanun ma shqip “me vllavrasje”...e, kjo, sot dëshmohet në të gjitha trojet shqiptare, ku ende sot nuk vendoset as drejtësia, as paqa...

As kjo nuk asht tradhëti e Enver Hoxhës dhe Ramiz Alisë, thonë ata..?

Shenim F.RADOVANI: Vazhdon Pjesa e IV.

Melbourne, 1 Mars 2026.

CAFO BEG ULQINI (1893 - 1977)



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx