Editorial » Latifi
Blerim Latifi: Ulurima e historisë midis pranimit dhe përjashtimit
E premte, 06.02.2026, 06:59 PM
Ulurima e historisë midis pranimit dhe përjashtimit
Nga
Prof. Blerim Latifi
Në
"Fenomenologjinë e Shpirtit", Hegeli e zhvillon konceptin e luftës
për pranim si faktor themelor që e përcakton strukturën e marrëdhënieve
njerëzore.
Dëshira
për pranim, si thelb i qenieve humane, i shtyn individët drejt përplasjes,
shpesh deri në forma ekstreme që marrin karakterin luft?s për jetë a vdekje.
Të
kërkosh pranim do të thotë të kërkosh të njihesh nga tjetri si subjekt, e jo si
objekt apo si qenie inferiore.
Mendimtari
amerikan, Joseph S. Nye, JR, e kontekstualizon këtë koncept hegelian në
ngjarjet e mëdha të shekullit XX dhe fillimit të shekullit XXI.
Teza
e tij është se dy Luftërat Botërore shpërthyen sepse fuqitë dominuese të kohës,
Britania e Madhe dhe Franca, refuzuan ta pranonin Gjermaninë si fuqi të
barabartë në politikën botërore. Në vend që Gjermania, e fuqizuar në çdo
pikëpamje, të integrohej në rendin ekzistues ndërkombëtar, ajo u mbajt jashtë
tij. Ky përjashtim prodhoi përplasjen e parë të madhe 1914-1918.
Në
Versajë, e njëjta logjikë u përsërit, madje në mënyrë edhe më të vrazhdë:
Gjermania u poshtërua politikisht, ekonomikisht dhe simbolikisht. Ky refuzim i
pranimit krijoi kushtet për lindjen e ideologjisë naziste dhe, në fund, për
shpërthimin e Luftës së Dytë Botërore. Pra këto dy luftëra nuk ishin thjesht
konflikte interesash, por një revoltë e një subjekti kundër një rendi që e
përjashtonte.
Sot
shfaqet një situatë pak a shumë analoge.
Dy
fuqi të mëdha kërkojnë t’u njihet statusi i subjekteve të barabarta në rendin
ndërkombëtar: Kina dhe Rusia. Por, ndryshe nga rasti gjerman, integrimi i tyre
shtron një dilemë themelore ideologjike për Perëndimin. Pyetja nuk është vetëm
nëse këto fuqi duhet të pranohen, por me çfarë çmimi normativ.
Integrimi
i Kinës dhe Rusisë, dy fuqi autoritariste, nënkupton relativizimin e parimeve
mbi të cilat Perëndimi ka ndërtuar rendin e vet pas vitit 1945: demokracinë
liberale, të drejtat e njeriut, sundimin e ligjit dhe pretendimin për
universalizëm moral të këtyre vlerave.
Pranimi
i tyre si subjekte të barabarta do të thotë që Perëndimi nuk do t’i njohë më
vetëm si fuqi, por edhe si modele legjitime të organizimit politik, ndonëse autoritare.
Në këtë rast, rendi liberal ndërkombëtar rrezikon të shndërrohet në një rend
thjesht pluralist fuqish, ku vlerat bëhen relative dhe jo më detyruese.
Por
edhe alternativa e mosintegrimit mbart rreziqe të mëdha. Përjashtimi prodhon
ndjenjën e poshtërimit historik, veçanërisht në rastin e Rusisë, dhe ambicien
për rishkrimin e rendit botëror, siç e kërkonn Kina. Kështu, refuzimi i
pranimit ushqen pikërisht ato dinamika revanshiste dhe konfliktuale që rendi
liberal pretendon t’i shmangë.
Perëndimi
ndodhet, pra, përballë një dileme gati tragjike: ose e pranon Kinën dhe Rusinë,
duke e pranuar rrjedhimisht erozionin e hegjemonisë së vet normative, ose i
mban jashtë, duke rrezikuar përshkallëzimin e konflikteve dhe një botë gjithnjë
e më të dhunshme.
Në
terma hegelianë, pyetja bazike mbetet kjo: a mund të ruajë identitetin e vet
një subjekt edhe pasi ta pranojë tjetrin si të barabartë?
E
thënë ndryshe: A është rendi liberal perëndimor i dënuar të zgjedhë midis
pranimit të autoritarizmit lindor që e dobëson dhe përjashtimit të tij që e
shtyn drejt betejave të mëdha, si ato që i kemi pa në shekullin e kaluar?
Për
Hegelin historia gjithmonë ndjek shtegun e saj të zgjidhjeve. Ai quhet
Aufhebung. Forca që i përplasë kontradiktat dhe i sintetizon ato në forma të
reja të realitetit historik.









