E hene, 02.02.2026, 11:38 PM (GMT)

Speciale » Alia

Lutfi Alia: Shën Nënë Angjelina Arbërore (6)

E hene, 02.02.2026, 07:01 PM


SHEN NËNË ANGJELINA

SHPIRTI I SHENJTË ARBËROR (6)

Nga Dr. Lutfi ALIA, Siena – Itali

Një vend të nderuar në historinë arbërore dhe të kishës ortodokse europiane, ka Shen Nënë Angjelina Arianiti, themeluesja e shumë manastireve dhe kishave ortodokse, e adhuruar dhe e nderuar nga besimtarët në disa shtete europiane. Jeta dhe veprimtaria e saj si murgeshë ortodokse janë si një film ku shpaloset përunjtësia e madhërishme e Shen Nënë Angjelinës, vezullon besimi në Krisht, përkushtimi në emër të Tij për t’iu shërbyer të tjerëve, atyre që kishin më shumë nevojë, atyre që ishin më të varfërit e të varfërve, iu shërbeu me devocion të përbuzërve, të braktisurve, të pastrehëve, jetimëve, të sëmurëv të cilëve iu shëronte plagët dhe vuajtjet shpirtërore. Besimtarët vendas dhe pelegrinët, që vinin nga vendet e tjera, kur e takonin për të marrë bekimet e saj i drejtoheshin Nënë Angjelina, e bekuara Nënë, e nderuara Nënë, e adhuruara Nëna e jonë, e lumja Nënë Angjelina, çka shprehnin nderim, adhurim, dashuri dhe respekt për misionin e saj si murgeshë e krishterë, mëshirmadhe e përkushtuar në misionet shpirtërore dhe humanitare.

Në korrik të vitit 1522 Patriarkana e Kostantinopojës, bazuar në virtytet e krishtera, në mrekullitë dedikuar Nënë Angjelinës dhe për kontributin e saj në ngritjen dhe organizimin e manastireve dhe kishave ortodokse, për shpirtin e saj mëshirëmadhe dhe shërbimet humanitare, për adhurmin dhe nderimin nga besimtarët e shumtë, e kanonizoi shenjëtore, e shpalli Shen Nënë Angjelina, ndër shenjëtoret e rralla të kishës ortodokse e cilësuar Shen Nënë Angjelina.

Pasi u kanonizua shenjëtore, Shen Nënë Angjelina u përjetësua duke i dhënë emrin e saj disa manastireve dhe kishave në Vojvodinë, Vllahi, Serbi, Kroaci, Bosnje, Rusi etj, ashtu si dhe e prezantuar në qindra ikona, afreske dhe mozaikë në manastiret dhe kishat në shumë shtete europiane. Krahas hymnografit dedikuar Shen Nënë Angjelinës, që këndohet gjatë riteve liturgjike dhe në meshat, besimtarët e shumtë, adhurimin dhe nderimin për shenjëtoren arbërore e shprehin edhe me një lutje drejtuar Shen Nënë Angjelinës, kësisoj luten të ulur në gjunjë para varrit të saj, para ikonës, para afreskut dhe mozaikut të saj.

Ne shqiptarët kemi nderin dhe krenarinë se kemi dy shenjëtore dhe si asnjë nga shenjtoret e tjera, të dyja murgeshat arbërore janë kanonizuara Nënë e Shenjtë, kështu kisha ortodokse ka Shën Nënë Angjelinën dhe kisha katolike Shën Nënë Terezën. Ndërsa Shen Nënë Tereza u bë e njohur pas vizitës së parë në Shqipëri në gusht të vitit 1989, Shen Nënë Angjelina u njoh nga publiku shqiptar rreth 500 vite pas kanonizimit shenjëtore. Në Shqipëri, Angjelina Arianiti njihej pak, vetëm si vajza e vogël e Pirncit Gjergj Arianitit dhe e Maria Muzakës, por jo si shenjëtore dhe pse ishte murgeshë arbërore e kanonizuar shenjëtore që në fillim të shekullit XVI. Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë e ka harruar Shën Nënë Angjelinën, madje nuk organizon aktivitete për të kremtuar ditën e shenjtërimit, në manastiret dhe në kishat ortodokse shqiptare nuk ka asnjë ikonë, afresk, apo mozaik të Shen Nënë Angjelinës arbërore, nuk ka asnjë kishë me emërin e saj, si janë në Vojvodinë, Vllahi, Kroaci, Serbi, Bosnje, Rusi etj.

Këtë vakum të memories të historiografisë shqiptare dhe të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare për

Shen Nënë Angjelinën, e plotësoi përkthimi në shqip i librit “Rrëfime shpirti” i shkrimtares serbe Lilana Habjanoviç Gjuroviç, vepër kushtuar Shen Nënë Angjelinës, e përkthyer në katër gjuhë: italisht, rusisht, maqedonisht dhe shqip. Pasi lexoi këtë vepër të rrallë, gazetaria Zenepe Luka, shkruan: “Thellë në shpirt përjetova dy ndjenja të kundërta, por që bashkëjetonin me njëra tjetrën, ndjeva lumturi, por edhe dhimbje. U ndjeva e lumtur, që kjo kolege serbe, me një mjeshtëri të rrallë, kish sjellë në gjuhën shqipe, për ta njohur bashkëkombësit tonë portretin dhe shpirtin e shenjtë të bijës së Arbërisë, Angjelina Arianitit. Ndjeva dhimbje për jetën e vështirë me shumë brenga, që kish kaluar Angjelina jonë, por falë virtyteve dhe kurajos së saj, mundi t’i përballojë vshtirësitë e jetës me dashuri dhe besim, duke shpresuar te Zoti, që i lutej jo vetëm për vete, por për të gjithë të varfërit. Bijë princi, që dashuroi dhe u martua, u bë nënë e fëmijëve me një burrë të verbër, Stefanin II Brankoviç, princin serb, i cili kurrë nuk e pa fytyrën engjëllore të saj. Zor se do të gjejmë një tjetër Angjelinë, në faqet e ndonjë libri, apo skenar filmi, si kjo bija arbërore, me virtyte kaq të larta, e bukur, e mençur, që nga shpirti i saj i shenjtë përcjell mirësi, urtësi, dashuri për Zotin dhe njerëzit e varfër. Ishin këto virtyte dhe forca hyjnore, që e ndihmuan të përballojë vuajtjet, varfërinë, largimet sa në një vend në tjetrin për të shpëtuar veten dhe fëmijët. Mbi të gjitha Ajo mposhti dhimbjet e vdekjes të Stefanit II, të djemëve dhe të vajzave. Fundi i jetës së saj, është po aq i shenjtë: Jetoi në manastiret që themeloi vetë, veshi rrobën e murgeshës, duke u lutur e duke falur dashuri njerëzve të varfër dhe të sëmurëve, pavarësisht nga vendi apo etnia. Pena e autores Lilana i ka skalitur me mjeshtëri të lartë virtytet e krishtera të Shen Nënë Angjelinës, pastërtinë, mëshirën, durimin dhe mençurinë, dinjitetin e saj si bashkëshorte, sakrificat e nënës dhe përkushtimin me devocion në fenë ortodokse”.

Pasi u njoh me jetën dhe veprimtaritë e Shen Nënë Angjelinës, gazetaria dhe shkrimtaria dinjitoze Zenepe Luka, presidente e Shoqatës Kulturore Mbarëshqiptare “Nermin Vlora Falaski”, mori një vendim të guximshëm, vendosi të shkoi të takohet me shenjëtoren arbërore, të vizitonte manastiret dhe kishat ku ajo shërbeu me devocion, duke lënë pas një histori të pasur shenjëtërie ortodokse.

Zenepe Luka, shquhej për nisma të guximëshme, mendonte dhe ideonte ngjarje, takime dhe udhëtime nga më të pamundurat dhe përherë e gjente çelësin magjik për t´i vënë në jetë, kësisoj organizoi dhe realizoi me sukses një udhëtim disa ditor, në kërkim të vendeve ku jetoi dhe kontribuoi me aktivitetet ekleziastike Shen Nënë Angjelina Arbërore.

Më 4 mars 2020, Zenepe Luka e shoqëruar me poeten Vllasova Musta, aktoren Lavdie Bisha dhe me Kristo Goçi - zv./drejtori i Institutit të Pakicave në Shqipëri, u nisën për në Serbi. Nuk ishte vizitë turistike, por një udhëtim tepër imepenjativ, i shoqëruar me përgjegjësi, me dilema dhe ngarkesa emocionale dhe për faktin se ishte ekipi i parë shqiptar që vizitonte Serbinë. Ata vizituan manastire dhe kisha të themeluara nga Shen Nënë Angjelina dhe ku ajo kishte shërbyer si murgeshë dhe në përfundim, përshtypjet e këtij turneu, Zenepe Luka i botoi në monografinë “Angjelina Arianiti Komnena, shpirti i shenjtë arbëror”, botim i Triptik – Tiranë 2020”.

Në këtë monografi, autoria Zenepe Luka, me synim të sjellë para publikut shqiptar fakte dhe dokumenta historike për arbëroren e shquar Shen Nënë Angjelina, bashkoi publicitikën me studime historike të shumë autorëve, të dedikuara dinastisë Arianiti dhe aktiviteteve të murgeshës arbërore Shën Nënë Angjelina. Vllasova Musta, Lavdie Bisha dhe Kristo Goçi, nuk ishin thjesht bashkudhëtar në këtë vizitë, por dhe bashkautorë të monografisë të Zenepe Luka, me reportazhe dhe meditime, ku shprehën përshtypjet plot ndjenja dhe emocione për vizita dhe takimet e shumta me funksionar dhe klerikë të manastireve dhe kishave ku kishte shërbyer Shen Nënë Angjelina.

Ndër të tjera, në këtë monografi Zenepe Luka thekson: “Dhe tashmë, pas 500 vitesh, ne po shkonim të gjenim gjurmët e kësaj shenjtoreje, aty ku ajo jetoi, ku ngriti manastiret, ku mbolli fjalën e mirë dhe ku la pas dritën e saj. Misioni ynë merrte rëndësi të veçantë edhe për faktin, sepse ishim shqiptarët e parë, që do të “zgjonim” nga gjumi Shenjtoren shqiptare, bijën e Arbërisë Shen Angjelina Araniti Komneni, që më 30 korrik të këtij viti ka datën e 500 vjetorit të vdekjes”.

Në monografi, autoria Zenepe Luka tregon: “Udhëtimi me makinë ishte tepër i gjatë. Herë pas here na telefononte për vendndodhjen zoti Demo Berisha, Kryetar i Shoqatës së Shqiptarëve të Serbisë “Matica Albanica”, i cili edhe pse ne mbërritëm pasmesnate, po na priste dhe ishte i pari person që takuam dhe na shoqëroi hap pas hapi, në të gjithë ditëqëndrimin tonë, përherë me ne, duke na mundësuar përpikmërinë e  takimeve dhe gjithë lëvizjet nëpër gjurmët e Shën Angjelinës. Kishte diçka të veçantë në praninë e tij, në dashamirësinë, në saktësinë në fjalën dhe përkujdesin ndaj gjithçkaje për të përmbushur më të mirën dhe për të prekur vendet dhe ngjarjet më pikante të lidhura me Shen Nënë Angjelinën arbërore, për të cilat ne interesoheshim. Kur je larg tokës amë, dashamirësia dhe përkujdesi i bashkëkombësit tënd, që të gjendet në një vend të huaj, merr tjetër vlerë, të bëhet më i afërt dhe provon se genetika e gjakut ka forcë, që i lulëzon edhe drurët nën savanë ngrice”.

Në vazhdim, shkrimtaria Zenepe Luka shkruan: “Për ne, ishte befasuese mikpritja dhe përzemërsia me të cilat u përballëm kudo që shkuam, në Manastirin e Krushedol dhe në mënastriret dhe kishat e Vojvodinës ku kishte shërbyer Shen Nënë Angjelina, në Arkivin Shtetëror të Vojvodinës, në Bibliotekën e Bashkisë të Novi Sad, në takimin me shkrimtaren Lilana Hambjanoviq Gjuroviç, në takimin me ekipin e televizionit të Vojvodinës ku gazetaria Sonja Ljukovqan na dhuroi CD me dokumentarin dedikuar Shen Nënë Angjelinës; në Muzeun e Patrikanës Serbe në Beograd, në takimin me Ljubica Boshkoviç drejtore e turizmit e komunës Peqinci, në takimin me zotin Gavrilo Grban zv. ministër i Drejtësisë dhe marrëdhënieve kulturore e fetare në Qeverinë Serbe etj, etj. Kudo flisnin me një përkushtim gati ngazëllyes për gjithçka ruanin nëpër dosjet e tyre prej qindra vitesh dhe që kishin lidhje me fakte të plota për jetën dhe veprimtarinë e Majka Angjelinës, siç e quanin serbët. Ata ndiheshin mjaft mirë teksa na dëshmonin reliktet e ruajtura prej qindra vitesh, ndërsa ne, krahas emocioneve që përjetonim teksa njihnim së pari dëshmitë e shenjtores, njëherazi ndjenim dhe keqardhje, që për të, nuk na kish folur historiografia jonë”.

Shrimtaria Zenepe Luka shkruan: Në këtë libër timin, shumë të vogël në raport me atë që duhet e që meriton Shenjtorja Angjelinë, përveç se përcjell emocionet e mia dhe të delegacionit të Fondacionit, që prekëm gjurmët, dorën e Shenjtores e gjithçka rreth saj në Manastirin e Krushendol, gjenden edhe materiale të tjera, fakte e foto, që publikohen për herë të parë si: kisha ortodokse Fan Noli në Boston ku janë dy ikona të Shen Nënë Angjelinës; kisha Notre-Dame-du-Coral (Prats de Mollo La Preste) në Francë, ku gjendet shtatorja e Angjelina Arianiti – Komnenit, ashtu si dhe në Itali, Austri etj, të gjitha këto i japin dritë portretit të Shenjtores shqiptare, e cila vjen në Arbërinë e saj, në ditën e 500 - vjetorit të ndarjes nga jeta, për të mbetur një meteor, që do të ndriçojë në shekujt që vijnë, duke e mbushur me krenari vendlindjen e gruas së shenjtë shqiptare”.

Vllasova Musta, në reportazhin e përfshirë në monografinë e Zenepe Luka, rrëfen: “Zenepja, presidente e Fondacionit “Nermin Vlora Falaschi”, më njoftoi se, në vijim të Projektit për të rizgjuar dhe ringjallur figurat e grave të shquara të kombit ndër shekuj, duhej që unë të përgatitesha për një udhëtim, ku veç Zenepes, do të ishte aktorja vlonjate Lavdie Bisha dhe Kristo Goçi, që mbështeste udhëtimin tonë. Do të niseshim drejt Serbisë, e do të ndaleshim në Novi Sad, në një vend ku prehej një shenjtore e rrallë, krejt e veçantë, jo vetëm për mrekullitë e saj, por për atë, që kjo ishte një shqiptare nga familje e madhe e Arbërisë. Do të shkonim, aty ku prehej Shën Angjelina, e shpallur shenjtore pas vdekjes nga Kisha Ortodokse.     Misioni ynë merrte rëndësi të veçantë edhe për faktin, sepse ishim shqiptarët e parë, që do të “zgjonim” nga gjumi Shenjtoren shqiptare, bijën e Arbërisë Angjelina Araniti Komneni, që më 30 korrik të vitit 2020, ka 500 vjetorin e vdekjes. Mbi supet tona, rëndonte një përgjegjësi e madhe, shoqëruar me dilema edhe ngarkesa emocionale dhe nderimi, që i bënin në shekuj popujt e Vojvodinës, Vllahisë, Bosnjes, Serbisë dhe nga shumë popuj të tjerë europianë. Shen Nënë Angjelina ishte epiqendra në të gjitha bisedat, që u ndoq me interes dhe emocione, pasi të dy palët ndjeheshim krenarë për vajzën e Arbërisë, për faktin që kish shpalosur vlera të rralla si bashkëshorte, si nënë, si murgeshë e devotshme e mbi të gjitha si humaniste, që jetën ua kushtoi të varfërve, të vuajturve. Në të gjitha takimet, bashkëbiseduesit theksonin, se nusja e denjë arbërore, është modeli i gruas së shquar, që falë virtyteve, guximit dhe qëndresës gjatë gjithë jetës, vlerësohet e nderohet nga të gjithë popujt të cilëve iu shërbeu dhe populli serb lutet përpara Shenjtërisë së saj. Mes nesh vjen zonja Milena Popoviq Subiq, specialiste e arkivit që merrej me studime, që kishin në epiqendër gruan, pavarësisht se kujt kombi ju përkisnin. Në manastirin e Krušedol, në një vend të dukshëm, është një pikturë murale me stemën e familjes Brankoviç, ku janë prezantuar Stefan II Brankoviqi, Gjoni, Maksimi dhe Nënë Angjelina. Na shpjegojnë, se kjo pikturë është realizuar në vitin 1750 nga piktori ukrahinas Jovan Vasiljeviç, financuar nga tregtari Racko Jovanoviq nga Novi Sadi i Vojvodinës. Gjithashtu në ikonostasin e kishës së Manastirit të Krushedolit, ndodhet dhe ikona familjare ku shihen katër shenjëtorët e kësaj kishe: Shen Maksimi, Shen Angjelina, Shen Gjoni dhe Shen Stefani II”.

Plot ndjenja dhe emocione janë dhe përshtypjet e aktores Lavdie Bisha: “Vizita në kishën e Shën Angjelinës, ku gjen çdo detaj dhe objekt të historisë së jetës dhe familjes së Shenjtores, ishte sa prekëse, aq edhe magjepse. Mësuam, se ne ishim shqiptarët e parë, që vinim këtu dhe teksa qëndrojmë e prekim arkëmortin, ku ndodhet dora e saj, na u duk se ajo lëvizi e sikur donte të thoshte: “Mirë se erdhët”. Qëndrimi ynë përgjatë 72 orëve në këtë Manastir, na mbushi me emocione e përjetime të fuqishme, njëherësh edhe me krenari për bijën e Arbërisë, që fatkeqësisht vendlindja, nuk ja njeh vlerat dhe historinë”.

Kristo Goçi, rreth kësaj vizite shkruan: “Kudo na pritën me buzëqeshje dhe me respekt. Angjelina, nusja e tyre ishte vajza e Arbërisë dhe këtë serbët e dinin, andaj e pohonin në çdo bisedë dhe takim. Çuditërisht, paskemi qenë dy popuj miq! Ka shumë kohë që nuk jemi.! Por duhet të jemi, ne emër të bashkekzistencës, dhe të historisë së përbashkët, në emër të së ardhmes!”

Zenepe Luka tregon: “Ndër çastet më emocionuese ishte vizita në Kishën e Shen Nënë Angjelina në fshatin Kupinovo, ku Pop Predrag, na mirëpriti më shumë respekte. Kjo kishë, nuk ka vetëm emrin “Shën Angjelinë”, por gjithçka aty, i përket asaj dhe familjes së despotit Brankoviç. Pika më e dhimbshme është arkëmorti, ku ndodhet dora e majtë e Shenjtores. Në shënimin mbi të lexojmë: “Në vitin 1716, kur turqit u vunë zjarrin kishave dhe manastireve, murgeshat arritën të shpëtojnë vetëm një pjesë të eshtrave të Shën Angjelinës, dorën e majtë e ruajtur në arkëmortin e vendosur në vendin më të dukshëm të kishës. Mbi të përulen me nderim dhe mirënjohje të thellë, të gjithë besimtarët dhe pelegrinët, që vijnë nga e gjithë bota”.

Në vitin 1518, në shpinën e duarve të kryemurgeshës Nënë Angjelina u shfaqën stigmat, plagë njëlloj si ato në duart e Jezu Krishtit të kryqëzuar, shenja mistike që shprehnin vuajtjet e saj, dhimbjen, misterin dhe lidhjen shpirtërore me Jezu Krishtin. Shafqia e stigmave ishte shenjë paraprake e shenjtërimit të Angjelinës arbërore, andaj murgeshat, murgjit, priftërinjtë dhe besimtarët e shumtë kur e takonin e thërrisnin e Lumia, e bekuara, e shenjta Nënë Angjelina. Lajmi i shfaqies të stigmave në shpinën e duarve të Nënë Angjelinës u përhap në të gjitha trojet ku shtrihej aktiviteti i saj fetar, çka ndikoi në shtimin e numërit të pelegrinëve që vinin ta takonin dhe të admironin stigmat në duart e saj.

Në vitin 1716, hordhitë barbare turke vranë shumë klerikë, dogjën kisha dhe manastire në Vojvodinë, ndër ato dhe manastirin e Krušedolit, ku shkatërruan dhe dogjën lipsanet e shenjëtorëve, të patriarkëve dhe të fisnikëve që ishin varrosur në këtë manastir dhe çka mbeti pa u djegur, i morën dhe i groposën në një varr të  përbashkët. Barbarët turq dogjën dhe lipsanet e Shen Nënë Angjelinës, por murgeshat e manastirit ndërhynë mes flakëve dhe mundën të shpëtojnë vetëm dorën e majtë, e cila aktualisht ruhet në një kuti xhami e mbyllur hermetikisht, e ekspozuar në kishën e Shen Angjelinës në Kupinova të Sremit - Vojvodinë.

Lavdie Bisha, Kristo Goçi, Vllasova Musta dhe Zenepe Luka, ne kishën Shen Nënë Angjelinës, para kutisë me xham, ku ruhet dora e majtë e Shen Nënë Angjelinës Arbërore

Dora e majtë e Shen Nënë Angjelinës, me stigmën (shenjën) në shpinën e dorës, e ruajtur në kuti xhami

Për herë të parë, fotografinë e dorës së majtë të Shen Nënë Angjelinës me stigmën në shpinën e dorës, ia prezantoi publikut shqiptar, gazetaria Zenep Luka, në monografinë “Angjelina Arianiti Komnena, shpirti i shenjtë arbëror”, botim i Triptik – Tiranë 2020”.

Reth vizitës në kishën e Shen Angjelinës, ndër të tjera Zenepe Luka shkruan: “Mbi të përulen me nderim dhe mirënjohje të thellë, të gjithë besimtarët, që vijnë nga e gjithë bota. Dhe unë u afrova pranë arkëmortit, e pafuqishme për të përballuar emocionet dhe u përkula para dorës, e vendosa dorën time sipër dorës së saj e m’u duk se dora e saj lëvizi, kërkoi të dalë e të shtrëngojë dorën time, për të thënë: Mirë se erdhët! Të fala Arbërisë! Duke puthur xhamin e ftohtë të arkëmortit, më dolën nga shpirti fjalët: Na fal e shenjta Angjelinë, shpirti i shenjtë arbëror”.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx