Mendime
Albert Zholi: Prof. Dr. Enriko Ceko - Ekonomia shqiptare ka krizë pasi ka marrë tiparin e një ekonomie konsumi, me pothuajse aspak tipare prodhimi
E premte, 30.01.2026, 06:55 PM
Flet Prof. Dr. Enriko Ceko:
Ekonomia shqiptare ka krizë pasi ka marrë tiparin e një ekonomie
konsumi, me pothuajse aspak tipare prodhimi
-
Ekonomia shqiptare ka nevojë për një strukturë ku sektorët të jenë të mirë
zhvilluar, të integruar dhe të mbështesin njëri tjetrin.
-Modeli
optimal për ekonominë shqiptare duhet të orientohet drejt një ekonomie
prodhuese, të hapur, me orientim drejt eksporteve, me një rol aktiv të shtetit
- Në
vend të kalimit të butë nga kooperativat dhe fermat e mëdha bujqësore në
shoqatat e fermerëve, zgjodhëm Ligjin 7501
-Privatizimi,
i zgjedhur pa aspak kujdes si shpëtimtari i ekonomisë shqiptare, u bë pa marrë
parasysh mundësinë e ristrukturimit, pa politika industriale dhe pa mbrojtje të
kapitaleve prodhuese.
- Pa
industri të lehtë dhe ushqimore, pa industri të rëndë, pa bujqësi konkurruese,
pa turizëm gjithëvjetor, pa krijueshmëri, pa inovacion dhe pa standard,
ndërtimi dhe turizmi nuk janë motor zhvillimi
Intervistoi: Albert Z. ZHOLI
Prodhimi i Brendshëm Bruto
po mbahet në këmbë vetëm nga rritja e pagave në administratën publike, ndërsa
sektorët kryesorë që gjenerojnë rritje reale e punësim janë në rënie ose në
stanjacion, në një sinjal që ekonomia ndodhet në udhëkryq. INSTAT bëri të ditur
se Produkti i Brendshëm Bruto (PBB), në terma realë, në tremujorin e dytë të
vitit 2025 vlerësohet me rritje 3,51%, në krahasim me tremujorin e dytë të
vitit 2024. Ky është ritmi më i ulët i rritjes që nga tremujori i fundit i
vitit 2023.
Bujqësia dhe industria, dy kontribuues të rëndësishëm në
punësim mbeten me efekt negativ. Aktiviteti "Bujqësi, Pyje dhe
Peshkim" kontribuoi me -0,46 pikë përqindje dhe "Industri, Energji
dhe Uji" kontribuoi me -0,18 pikë përqindje.
Z.
Ceko! Ekonomia shqiptare po ndryshon strukturën, duke i dhënë përparësi
sektorëve si ndërtimi dhe turizmi, në vend të bujqësisë, blegtorisë dhe
industrisë përpunuese.
Sipas INSTAT-it, bujqësia ka humbur
pozitën e saj tradicionale si sektori më punëdhënës, duke u kaluar nga bashkimi
i sektorëve të ndërtimit dhe pasurive të patundshme.
A është në interes të ekonomisë ky
ndryshim?
Kur bëhet fjalë për strukturën e ekonomisë së një
vendi në parim kjo strukturë nuk është e dhënë dhe e pandryshueshme dhe ajo nuk
ndryshon rastësisht. Struktura ekonomike e një vendi zakonisht kalon nëpër
cikle të qarta historike, në të cilat, zgjedhjet dhe zgjedhjet me natyrë
politike janë po aq të rëndësishme dhe po aq vendimtare sa edhe kushtet
ekonomike nën të cilat struktura e ekonomisë ngjizet.
Në aspektin historik, në vitet 1920–1939, pra,
gjatë periudhës së Mbretërisë Shqiptare, nën drektimin e Mbretit Zogu, ekonomia
shqiptare ishte kryesisht agrare. Dhe në ato pak panaire ndërkombëtare ku kjo
ekonomi u përfaqësua, dominonin produktet bujqësore dhe blegtorale. Megjithatë
në atë periudhë u bënë përpjekjet e para për institucionalizim financiar, për
qëndrueshmëri monetare dhe për ndërtimin e infrastrukturës bazë.
Më pas, përgjatë tërë periudhës së ndikimit italian
dhe më tej nën atë gjerman, pavarësisht kontekstit të një ekonomie koloniale
dhe të ekonomisë së luftës, Shqipëria gëzoi një modernizim të shpejtë për kohën
dhe në disa parametra makroekonomikë, në fushën e investimeve në
infrastrukturë, kryesisht në rrugë, porte, energji, industrinë e lehtë dhe në
aspektin e forcimit të administratës fiskale pati ecuri dhe zhvillime që vetëm
pushtuesi mund t'i jepte në një kohë aq të shkurtër. Bëhet fjalë për një
ekonomi me papunësi pothuajse zero (sipas të dhënave të kohës) dhe për pagë
lehtësisht të krahasueshme me pagat e punonjësve të disa sektorëve të
rëndësishëm në Italinë dhe Gjermaninë e asaj kohe, si në ndërtim, transport,
kërkim, zbulim dhe nxjerrje mineralesh, etj.
Paradoksalisht, po shumë paradoksialisht, nga
pikëpamja tepër strikte e strukturës ekonomike dhe e bilanceve publike të asaj
kohe, që janë në dispozicion edhe të studiuesve aktualë, kjo periudhë mund të
konsiderohet (disa studiues të huaj e konsiderojnë tashmë) si një ndër
periudhat më të "rregullta" të ekonomisë shqiptare në dy shekujt e
fundit, edhe pse ekonomia e Shqipëridë në fakt nuk ka qenë me natyrë sovrane në
kuptimin politik.
Më pas, në periudhën e komunizmit krijuam një
strukturë ekonomike reale dhe funksionale. Kjo në kuptimin klasik të ekonomisë,
sektorëve të saj dhe amalgamën e forcave prodhuese dhe amalgamën e kapitalit,
që nën një drejtim politik rreptësishtë të kanalizuar, sollën segmentimin e
sektorëve të ekonomisë nën këtë linjë: bujqësi, industri përpunuese, energji,
miniera dhe një zinxhir të plotë prodhimi. Në atë kohë, problemi i ekonomisë
shqiptare nuk ishte struktura, por izolimi, mungesa e eficiencës dhe e
efektivitetit, që të dyja sjellin produktivitetin. Problem ishte teknologjia që
nuk mundi të rinovohej sipas cikleve të biznesit. Problem ishte shtetëzimi
total dhe shtypja e iniciativës private.
Megjithatë, në vitet '90, edhe pse Shqipëria e pati
mundësinë e shkëlqyer që të reformonte këtë strukture, ajo e shkatërroi.
-Pse e shkatërroi?
Kjo sepse në vend të ristruktiurimit zgjodhëm
privatizimin. Në vend të kalimit të butë nga kooperativat dhe fermat e mëdha
bujqësore në shoqatat e fermerëve, zgjodhëm Ligjin 7501 dhe modelin e fermave
të vogla dhe tashmë kemi ferma të vogla me rreth 2 - 3 hektarë dhe secila prej
tyre e ndarë në pesë a gjashtë parcela që janë larg nga njëra tjetra
mesatarisht 5 – 6 kilometra. E si mund të quhet kjo një fermë dhe ai që drejton
këtë një fermer dhe familja e tij një familje fermere? Privatizimi, i zgjedhur
pa aspak kujdes si shpëtimtari i ekonomisë shqiptare, u bë pa marrë parasysh
mundësinë e ristrukturimit, pa politika industriale dhe pa mbrojtje të
kapitaleve prodhuese. Ekonomia që nga ajo kohë dhe deri më sot ka marrë tiparin
e një ekonomie konsumi, me pothuajse aspak tipare prodhimi. Ndryshe nga Europa
Lindore (Polonia, Çekia, Sllovenia) apo edhe Kina dhe së fundmi edhe Vietnami,
që privatizuan duke ruajtur dhe modernizuar industritë, Shqipëria e zëvendësoi
tiparin prodhues të ekonomisë së saj në veprimtari thjesht dhe vetëm tregtare,
në nxitje të importeve dhe në pasjen e disa sektorëve tërësisht dhe thellësisht
jo-produktivë. Ne ndërtuam magazina e kapacitete importi kur të tjerët ndërtuan
kapacitete prodhuese konkurruese.
Në ditët tona, zhvendosja e ekonomisë drejt
sektorëve të ndërtimit dhe të turizmit nuk është dhe nuk duhet parë thjesht dhe
vetëm domosdoshmërisht si një problem në vetvete. Jo. Problem është mungesa e
balancës edhe midis atyre sektorëve që ende i kemi në këtë ekonomi të
shpërfytyruar. Përse e artikuloj kështu këtë konstatim. Sepse, ndërtimi nuk po
udhëhiqet nga kërkesa reale, por nga (1) kapital i pashpjeguar, (2) çmimet
spekulative dhe (3) mungesa e alternativave të investimit të orientuar. Sepse,
turizmi në fakt po rritet, por nuk ka sektorë që t'a mbështesin. Bujqësia nuk
është e lidhur me tregun dhe agrobiznesi punon me lëndë të para importi. Pra në
këtë kombinim të pamundur bujqësi, agrobiznes, turizëm, mungon procesi i
krijimit të vlerës përmes zinxhirit të furnizimit dhe prodhimi, monitorimi dhe
planifikimi i sistemeve të prodhimit dhe të përcjelljes së produkteve dhe
shërbimeve nga prodhuesi te konsumatori përfundimuar.
Ndërkohë, sektorë jo-produktivë ose me vlerë të
ulët të shtuar, janë mbështetur dhe vazhdojnë të mbështeten në mënyrë të
drejtpërdrejtë dhe të tërthortë, duke sjellë dëm kolosal në strukturën e
ekonomisë shqiptare. Për shembull, për më shumë se 30 vite kemi mbështetur
industrinë fason, që është një gabim shumë i madh në nivel makro dhe
mikro ekonomik, pasi edhe nëse një sektor duhet të mbështetet pasi mendohet se
është premtues, kjo jo më shumë se 5 – 10 vite, e jo 30 vite me radhë. Ose, në
vend që të krijojmë mundësi për shqiptarët që të investojnë vetë, paratë e tyre
që kanë vendosur në banka ua marrim dhe i bëjmë bono thesari, për të financiar
ëndrrat e netëve të verës të atyre që drejtojnë vendin por që asnjë prej tyre
nuk ka qenë ekonomist me këmbë në tokë. Ose mbështesim ndërtimin, kur paratë
për blerjen e apartamenteve të dyta mund të ishin bërë shumë mirë ndërmarrje të
vogla dhe të mesme. Shto këtu edhe problematikën e krijuar nga firmat
piramidale, keqmanaxhimi i financave përgjatë periudhës së pandemisë, etj. Të
tëra këto gabime trashanike të krijoj në idenë e atyre parkingjeve ku në vend
të makinave janë parkuar miliona e miliarda euro, që rrinë kot dhe nuk përdoren
për asgjë për shumë e shumë vite.
Pyetja thelbësore pra, nuk është
thjesht fakti apo ideja nëse ekonomia po ndryshon strukturë, por nëse kjo
strukturë që tashmë e kemi, i shërben zhvillimit afatgjatë?
Dhe përgjigja është se pa industri të lehtë dhe
ushqimore, pa industri të rëndë, pa bujqësi konkurruese, pa turizëm
gjithëvjetor, pa krijueshmëri, pa inovacion dhe pa standard, ndërtimi dhe
turizmi nuk janë motor zhvillimi, por janë thjesht dhe vetëm simptoma të një
ekonomie që nuk di ku të investojë dhe si rezultat është e destinuar të
dështojë në çdo hap që hedh, në cilindo drejtim që ta hedhë. Jemi në një rreth vicioz,
që vështirë se do dalim me këto mendësi me të cilat drejtohet vendi dhe
ekonomia jonë.
Shqipëria e së ardhmes që e duam të tërë, nuk mund
të jetë vetëm ekonomi konsumi dhe një ekonomi ku të dominojnë vetëm shërbimet,
edhe këto të cunguara, por ajo nuk mund të jetë as edhe një ekonomi e rëndë
industriale klasike, së cilës i ka ikur koha me revolucionin e katërt
industrial. Ekonomia shqiptare ka nevojë për një strukturë ku sektorët të jenë
të mirë zhvilluar, të integruar dhe të mbështesin njëri tjetrin. Pra, modeli
optimal për ekonominë shqiptare duhet të orientohet drejt një ekonomie
prodhuese, të hapur, me orientim drejt eksporteve, me një rol aktiv të shtetit
në ndërtimin e kapaciteteve dhe me një treg privat funksional.









