Faleminderit
Lekë Mrijaj: Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, Jobi Biblik i Epokës Moderne
E enjte, 22.01.2026, 06:52 PM
Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, Jobi Biblik i Epokës Moderne
Shkruan:
Lekë Mrijaj
Në
20-vjetorin e amshimit të Presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova,
kujtesa jonë ndalet me respekt dhe reflektim te figura e udhëheqësit që e
konceptoi, e udhëhoqi dhe e shënoi një epokë të veçantë të historisë sonë
kombëtare. Ky përvjetor jubilar nuk është vetëm një datë përkujtimore, por një
grishje për të reflektuar mbi rrugën që ka kaluar Kosova Dardane dhe mbi vlerat
që e kanë udhëhequr këtë rrugë.
Në
këtë këndvështrim timin, figura e Presidentit historik të Kosovës, Dr. Rugovës
mund të shihet jo vetëm në aspektin politik, por edhe në atë moral, si një
figurë që me plot të drejtë i ngjan Jobit biblik – njeriut të drejtë që u vu e
u sprovu në prova të rënda, por që nuk e humbi kurrë besimin dhe dinjitetin.
Ashtu
si Jobi, i cili u përball me vuajtje të pamerituara, edhe Dr. Ibrahim Rugova u
gjend përballë një realiteti të ashpër historik, pranë popullit të tij të
shtypur, të internuar, të persekutuar dhe të vrarë nga sundime të ndryshme, e
veçanërisht nga sundimi okupues serb, në një vend pa të drejtë, pa liri dhe me
një të ardhme të pasigurt.
Megjithatë,
ai nuk zgjodhi rrugën e dhunës, të urrejtjes dhe as të hakmarrjes. Përkundrazi,
ai u mbështet në qëndresë, urti dhe mençuri, si dhe në bindjen e thellë se
drejtësia nuk humbet, edhe kur vonon. Qëndrimi i tij paqësor ishte shprehje e
një force të brendshme dhe e një vizioni të qartë, jo shenjë dobësie.
Dr.
Rugova e konceptoi dhe e ndërtoi rezistencën dhe të drejtën për Republikën e
Kosovës mbi parimin e miqësisë euroatlantike, mbi paqen dhe mbi dinjitetin
njerëzor. Me fjalë të qeta dhe me një qëndrim të matur, ai arriti ta mbajë
gjallë shpresën e popullit në kohë të errëta. Ashtu si Jobi biblik, i cili nuk
e mohoi Zotin edhe kur gjithçka dukej e humbur, edhe Dr. Rugova nuk i mohoi
vlerat themelore njerëzore dhe as besimin në të ardhmen e Kosovës.
Gjatë
rrugëtimit të tij politik dhe moral, ai u keqkuptua dhe u kritikua nga
shumëkush, si nga kundërshtarë të brendshëm politik ashtu edhe nga armiq të
jashtëm (serb etj.) njësoj si Jobi që u gjykua padrejtësisht nga “miqtë” e vet.
Megjithatë,
historia dëshmoi se vizioni i Dr. Rugovës ishte themelor për ndërtimin e
shtetit të Republikës së Kosovës dhe për afirmimin e saj në arenën
ndërkombëtare euroatlantike.
Qëndrueshmëria
e tij morale u shndërrua në një trashëgimi të qëndrueshme politike dhe
shpirtërore.
Në
fund të këtij reflektimi, në këtë 20-vjetor të amshimit të Dr. Ibrahim Rugovës,
më mbetet një mesazh i qartë: vuajtja e përballuar me dinjitet dhe paqja e
ruajtur me këmbëngulje janë forca që e ndërtojnë historinë tonë në përgjegjësi.
Dr.
Rugova, si një Job i epokës moderne, na mëson se e drejta dhe e mira nuk
fitojnë gjithmonë shpejt, por, ato edhe kur vonojnë, në fund triumfojnë. Andaj kujtimi i tij mbetet një udhërrëfyes i
vlefshëm, veçanërisht për breza të sotëm politikanësh dhe intelektualësh, që ta
ideojnë dhe ta ndërtojnë së bashku të ardhmen e Republikës së Kosovës, së
bashku me miqtë tanë euroatlantikë, mbi vlera, qëndresë dhe përgjegjësi.
Lavdi
veprës së Presidentit historik dr. Rugovës. Pushoftë në paqe!
Klinë, më 21 janar 2026









