E enjte, 22.01.2026, 11:09 PM (GMT)

Mendime » Xharra

Fahri Xharra: Shqiptarët katolikë dhe Serbia

E enjte, 22.01.2026, 06:55 PM


Shqiptarët katolikë dhe Serbia

Nga Fahri Xharra

Këtë që dua ta trajtoj sot nuk është e panjohur as për ne si shqiptarë e as për qarqet diplomatike të Europës. Shtypi botëror e di me saktësi qëllimin e serbëve dhe lojën e tyre me shqiptarët e të dy konfesioneve: mysliman dhe katolik. Kësaj radhe nuk do të trajtoj qëndrimin dhelpërak serb ndaj shqiptarëve ortodoksë në mbarë tokat shqiptare, të cilat mbetën nën okupimin serb.

Duke i lexuar kronikat e kohës dhe duke bërë një analizë shumë të thjeshtë, arrijmë në përfundimin e njëjtë se:

“Rrezikun më të madh për Kishën Ortodokse Serbe, e kjo do të thotë edhe për popullin serb, e paraqet Kisha Katolike në kufijtë tanë të rinj.”

(“Vesnik Srpske Crkve”)

Ndarja e Shqipërisë pas 1913-tës ishte një favor shumë i madh për Serbinë, por edhe ajo ndarje dhe ai copëtim i tokave tona kërkonte një “marifet” menaxhimi, në mënyrë që të kryhej me sukses kolonizimi i atyre tokave dhe përfundimisht të zhdukej shqiptari nga faqja e dheut.

“Rrezikun më të madh për Kishën Ortodokse Serbe, e kjo do të thotë edhe për popullin serb, e paraqet Kisha Katolike në kufijtë tanë të rinj. Ky do të jetë një demon i cili nuk do të na lërë të qetë dhe i cili në vazhdimësi do të jetë barrë edhe për shtetin edhe për popullin. Katolicizmi në këto anë është zgjeruar dhe, ç’është më e keqja, është përhapur dhe ka lëshuar rrënjë… Të rralla janë vendbanimet në krahinat e reja ku katolicizmi nuk e ka kapur ndonjë shpirt serb (!) dhe nuk ka fituar ithtarë.”

Priftëria katolike shqiptare dhe besimtarët e tyre janë fajtorë, sipas popit Bojoviq, për të gjitha mossukseset serbe.

(“Vesnik Srpske Crkve”)

Këto janë thëniet e tyre, jo të miat, por unë u besoj shumë qëllimeve të tyre. Qëllimet e tyre janë ende të parealizuara në masën 100%. Nëse realizimi i tyre deri në vitet 1940-ta është kryer pa kufizim, pa dro dhe me dhunë, ai ende nuk është përfunduar. Ata sot kërkojnë mënyra të tjera për likuidimin e plotë të elementit katolik nga tokat shqiptare.

Dhuna dhe zbrazja e tokave me forcë për momentin nuk është opsion, falë rrethanave të reja në botë, por kërkohet dhe synohet bashkëpunim nga vetë ne shqiptarët në realizimin e zhdukjes totale të elementit katolik shqiptar.

Më 20 mars 1913, gazeta “Reichpost” shkruante:

“Në rrethin e Janjevës, mbi 400 vjet nga sot, rreth 8000 shqiptarë katolikë, të ashtuquajtur laramanë apo katolikë të fshehur, jetonin aty. Kur mbërritën serbët, me qindra nga këta laramanë deshën që haptazi të deklarohen se janë katolikë. Kur përfaqësuesi i shtetit serb të instaluar rishtas dëgjoi për këtë, tha: ‘Ose mysliman ose ortodoks. Jo katolik!’”

Po pse, ose mysliman ose ortodoks? Shumë e lehtë për t’u kuptuar. Në momentin kur këto toka mbesin tërësisht myslimane, janë dy mundësi: ose të bëhet Sanxhaku i dytë i Novi Pazarit, ose lehtësohet shpërngulja e tyre nëpër botën islame. Çubrilloviqi në projektin e tij thoshte:

“Pasi që shqiptarët të binden se i takojnë një bote tjetër, asaj lindore, atëherë e kemi më lehtë. Por kjo do kohë.”

“Numër i panumëruar i katolikëve ishin vrarë në Ponoshec, nga dora e sllavit (rrethi i Gjakovës). Afër Zhurit (rrethi i Prizrenit), kryetari i fisit ishte vrarë e thërrmuar nga shteti, mu pse ishte katolik. E njëjta gjë ndodhi edhe në Gjakovë, në famullinë e Nikajve, kur mbi 70 katolikë u vranë nga malazezët.”

(20.03.1913, gazeta “Reichpost”)

Po unë si shqiptar, apo ti gjithashtu si shqiptar që rastësisht i kemi takuar besimit mysliman, a pranojmë që bashkëkombasit tanë shqiptarë të fesë katolike t’i katandisim nëpër botë dhe në këtë mënyrë të bëhemi bashkëpjesëmarrës në çfarosjen e një pjese të madhe kombëtare, të jemi në vijën e Serbisë?

Jo. Unë jo. Por as ti, jo!

Tek e fundit, shqiptarët katolikë nuk janë mall tregtar me të cilin ne mund të bëjmë tregti!

Gazeta e kohës “Neue Freie Presse”, më 20 mars 1913, shkruan:

“Më 7 mars, soldateska e prirë nga një pop ortodoks, në dhe rreth Gjakovës, deshi me forcë të konvertojë popullatën katolike në besim ortodoks. Mbi 300 vetë, gra, burra dhe fëmijë, nën kërcënimin me vdekje duheshin të konvertoheshin. Popi ortodoks u tha: ‘Ose nënshkruani deklaratën se e keni pranuar fenë e vërtetë ose këta ushtarë të Zotit do t’ua dërgojnë shpirtrat tuaj në ferr.’”

Të gjithë e nënshkruan, përveç Patër Angjelit. Rezultati ishte skena më trishtuese e paparë në atë shekull.

Serbia aspak nuk brengoset që sot nuk mund të përdorë të njëjtën metodë si atë të viteve 1913 për pranimin e “fesë së vërtetë” (sllavo-ortodokse), sepse po tenton në mënyra të tjera të realizojë qëllimet e veta. Pse ne sot duhet të jemi “altoparlantë” (zëritës dhe zëdhënës) të Serbisë? E mendojmë këtë?

Më 1919, qeveria jugosllave “nënshkruante” çdo akt ndërkombëtar kundër diskriminimit. Të njëjtën e bën edhe sot. Por persekutimet ndaj katolikëve kosovarë vazhdonin. Në Shkup, patriotit shqiptar, të atin e Nënës Terezë, e helmuan serbët. Serbët e shihnin rrezikun te shqiptarët katolikë, sepse për ata myslimanë kishin plane të tjera. Më 1929 u vra At Shtjefën Gjeçovi, një françeskan shumë i respektuar nga shqiptarët.

Edhe pse K. Jireçek i përshkruante shqiptarët si “popull i vjetër me kulturë qytetare”, edhe pse organizimi qytetar ishte i rëndësishëm edhe për ilirët, sllavët medoemos bënin sllavizimin e shqiptarëve, e turqit turqizimin e tyre, herë ndaras e herë në bashkëpunim. Pra?

Magazin für die Literatur des Auslandes, 1843, shkruan:

“Serbët ishin armiq të betuar të malësorëve katolikë (…) serbët kishin një urrejtje shfrenuese ndaj katolikëve shqiptarë.”

Ndërkaq, një historian i shekullit XIX shkruante se serbët i urrenin shqiptarët katolikë për dy arsye: e para, sepse ata ishin pengesa e parë dhe e fundit në realizimin e politikave të tyre doktrinare-religjioze në mbështetje të Rusisë dhe përkrahjen herë pas here të Turqisë; dhe së dyti, sepse ata, e sidomos kleri i tyre, u mësonin brezave të kaluarën dhe mbanin trashëgiminë e saj në origjinalitet.

E unë pse të kem urrejtje shfrenuese ndaj dikujt që flet shqip, frymon shqip?

Një kronist tjetër në vitin 1841 thotë:

“Në malet e larta të Gjakovës dhe Prizrenit jetojnë malësorët shqiptarë katolikë dhe dominojnë ato pjesë… ndërsa serbët janë armiq të betuar të tyre dhe shpesh armiqësia ka qenë e përgjakshme dhe shkatërrimtare.”

Vendbanime të arnautëve të besimit të krishterë në terrenin serb në kohët e kaluara kishte kryesisht në qytete si Prishtina, Vidini, Novi Pazari, Krushevci, Prokupla, Nishi dhe Çuprija.

(Acta Bulgariae polissimum ecclesiastica – Monumenta spectantia historiam Slavorum Meridionalium, vol. XXIII, 339)

Në çdo shkrim të së kaluarës mund të hasësh të njëjtën urrejtje të serbëve ndaj elementit katolik shqiptar.

Çka po përgatitet? Jemi ne të vetëdijshëm dhe të ndërgjegjshëm që diçka po përgatitet?

“Thonë ose krijojnë përshtypjen sikur t’u ketë ardhur koha të vendosin ndërmjet Perëndimit apo Orientit. Mirëpo kjo është një luftë me fantazma. As myslimanët e as katolikët (shumica) nuk jetojnë në hënë, por në Evropë. As njëra e as tjetra nuk e vënë në pikëpyetje rrugën evropiane të Kosovës. Muajve të fundit në Kosovë vërehet të ketë marrë hov një rrjet fanatikësh pseudoislamikë që punojnë për supranacionalizma të ndryshëm: saudit, turk, arab, iranian. Këta e bëjnë zhurmën me sukses sepse mediat reagojnë dhe bien në kurthin e agjendave të tyre. Bash këtyre ditëve në rrjetet sociale u hap tema e interdiskriminimit në Kosovë. Katolikët duket të mos jenë në gjendje të mirë. Këtë e dëshmon edhe migrimi i madh i tyre drejt Evropës; bëhet fjalë për të rinj e të reja me suksese të mahnitshme në shkencë e biznes jashtë Kosovës. Këtij diskriminimi duhet rënë në gjurmë; ai duhet të studiohet, analizohet dhe të ndërpritet menjëherë, sepse dëmton Kosovën në aortë.”

(Xhemal Ahmeti, studiues)

Politikanë dhe drejtues të Kishës Ortodokse Serbe, herë nën zë e herë haptazi, mundohen ta quajnë Kosovën një shtet të tipit mysliman, bile një shtet të tipit fundamentalist, dhe kur Kisha Katolike Shqiptare nuk është gjendur në anën e tyre si falsifikatore e historisë dhe fakteve, atëherë edhe ajo është kthyer në objekt sulmi dhe shpifjesh. Ky sulm dhe këto shpifje, ashtu si edhe lufta e përhershme ndaj shqiptarëve, janë të hershme.

(Gjon Marku)

Gjithnjë udhëheqësit shpirtërorë, e në mënyrë të veçantë klerikët katolikë, shpalleshin armiqtë më të mëdhenj të popullit serb, jo rastësisht. Por Faik Konica në revistën e tij “Albania” shkruante se katolikët shqiptarë janë shkaku që u mbajt gjallë gjer më sot kombësia jonë.

Përfundimisht, të bindemi se Kisha Serbe harton, shpif dhe përçan. Boll mo!

Fahri Xharra

Gjakovë, 19.01.26



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx