Kulturë » Vataj
Albert Vataj: Sot në përvjetorin e 558 të kalimit në përjetësi të Skënderbeut, udhëprijësit arbër që u ngjit në legjendë
E shtune, 17.01.2026, 03:56 PM

Sot në përvjetorin e 558 të kalimit në përjetësi të Skënderbeut, udhëprijësit arbër që u ngjit në legjendë
Nga
Albert Vataj
Sot,
kujtesa kombëtare ndalet me nderim dhe përulësi para një date që nuk i përket
vetëm kronologjisë historike, por vetë ndërgjegjes sonë si komb. 558 vite më
parë u shua fizikisht Gjergj Kastrioti–Skënderbeu, por jo vepra, jo fryma dhe
as misioni i tij që u lartësua në kufinjtë e legjendë. Ai nuk ishte thjesht një
udhëprijës ushtarak i kohës së vet, një strateg që triumfoi mbi një prej
ushtrive më barbare të kohës, por themeli moral dhe politik mbi të cilin u
ngrit ideja e qëndresës shqiptare dhe dinjiteti i një populli që refuzoi
nënshtrimin. Me Skënderbeun, historia jonë fitoi përmasën e epopesë dhe Evropa
një mburojë të gjallë përballë errësirës së pushtimeve osmane dhe thundrës
mizore të zezonës.
Marin
Barleti, dëshmitari dhe kronikani i madh i kësaj figure, na e përcjell çastin e
fundit të Heroit jo si një fund të zakonshëm njerëzor, por si një akt solemn
dorëzimi para Zotit dhe historisë. Në fjalët e tij, vdekja e Skënderbeut është
një ngjarje që trondit jo vetëm Arbërinë, por vetë rendin e shpresës dhe të
sigurisë në këtë pjesë të botës.
Sot
558 vite më parë
...atë
natë- shkruan Marin Barleti në "Histori e Skënderbeut", që ushtria
turke dhe barbare mori arratinë, Skënderbeut, pas pendimit të shenjtë dhe
rrëfimit dhe pas misteresh të tjera kishtare që i bëri me respektin e duhur,
vdiq duke e dorëzuar veten dhe shpirtin Zotit të madh, më 17 janar të vitit
1468.
Skënderbeu,
vijon Barleti, thuhet se u nda këso jete në moshën 63-vjeçare, në vitin e 24 të
mbretërimit të tij.
Kur
e dëgjoi se po qanin të vdekurin, Lekë Dukagjini, princi epirot, doli me vrap
në mes të pazarit dhe me fytyrë të pikëlluar e më zë të mbytur tha, duke
shkulur mjekrën dhe flokët: "Mblidhuni, mblidhuni me vrap të gjithë o
princër e sundimtarë arbëror. Sot u bënë copë dyer e Epirit dhe të Maqedonisë,
sot u rrëzuan muret dhe fortesat tona, sot fluturoi tërë forca dhe fuqia jonë,
sot u përmbysën fronet e pushtetit tonë, sot u shumë krejt së bashku me këtë
njeri çdo shpresë e jona."
Gjithashtu,
gjatë kohës që ai (Skënderbeu) po vdiste, kali, të cilin e shalonte kur e
kishte për tu përleshur, u bë aq shumë i egër, i tërbuar dhe i pafrenueshëm,
saqë s'donte të mbante më njeri mbi shpinë dhe pas pak mbaroi edhe ai.
Britma
e Lekë Dukagjinit, e regjistruar nga Barleti me një ngarkesë dramatike të
jashtëzakonshme, nuk është vetëm vajtim për humbjen e një njeriu, por shpallje
e një tragjedie kolektive, rënia e shtyllës mbi të cilën mbështetej qëndresa.
Në ato fjalë të thëna mes pazarit, përmblidhet ndjenja e një epoke që e kuptoi
se me Skënderbeun nuk po varrosej vetëm një trup, por po vihej në provë fati i
një kombi të tërë.
Edhe
kali i tij, i tërbuar dhe i papajtueshëm me çdo dorë tjetër, sikur dëshmon se
disa figura nuk mund të pasohen dhe disa misione nuk mund të trashëgohen pa
sakrificë të jashtëzakonshme. Skënderbeu mbetet kështu jo vetëm Heroi Ynë
Kombëtar, por edhe një masë krahasimi për çdo brez, sa jemi të denjë për lirinë
që ai mbrojti, sa të gatshëm për ta ruajtur atë me të njëjtin përkushtim moral
dhe shpirtëror.
Pas
560, Skënderbeu nuk është një figurë e së shkuarës, por një thirrje e
përhershme për vetëdije, përgjegjësi dhe dinjitet kombëtar. Në këtë përvjetor,
kujtimi i tij nuk kërkon vetëm nderim ceremonial, por reflektim të thellë mbi
atë që jemi dhe mbi atë që duhet të jemi.









