E diele, 11.01.2026, 02:35 PM (GMT)

Intervista » Marku

Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtarin dhe ish-të përndjekurin politik Eduard M. Dilo

E shtune, 10.01.2026, 04:00 PM


INTERVISTË ME SHKRIMTARIN DHE ISH-TË PËRNDJEKURIN POLITIK EDUARD M. DILO

EKSKLUZIVE NGA GËZIM MARKU

Eduard M. Dilo ka lindur në Sheper të Zagorisë (Gjirokastër) më 5 gusht 1958. Ai rrjedh nga një familje me themele të forta patriotike dhe intelektuale, e njohur për kontributin e saj në historinë kombëtare, por edhe për vuajtjet e rënda gjatë regjimit komunist. Babai i tij, Margariti Ilia Dilo, i biri i Ilia Dilo Sheperit, ishte i shkolluar në Shkollën e Fullcit në Tiranë dhe i diplomuar për Matematikë në Universitetin e Athinës. Me ardhjen e regjimit komunist në pushtet, ai u dënua si i burgosur politik dhe vuajti dënimin fillimisht në burgun e kalasë së Gjirokastrës dhe më pas në kampin famëkeq të Kënetës së Maliqit. Të njëjtin fat e pësuan edhe vëllezërit e tij, ndërsa një tjetër xhaxha, Koço I. Dilo, vuajti burgun e Spaçit. Familja Dilo u përball me internime, burgosje, tortura, zhvarrosje të të vdekurve dhe eliminime fizike, si pjesë e terrorit sistematik të ushtruar nga lufta e klasave.

Nëna e Eduard M. Dilos, Viktoria Xhamballo (Dilo), ishte motra e dy dëshmorëve të Luftës Nacionalçlirimtare, Pano dhe Spiro Xhamballo, dhe mbesa e Çajupit (babai i saj ishte kusherinj i parë me Çajupin). Pavarësisht kësaj, asaj iu mohua statusi dhe e drejta morale si motër dëshmorësh, vetëm për faktin se ishte martuar në familjen Dilo, e shpallur armike nga regjimi.

Për shkak të biografisë politike të familjes, Eduard M. Dilo dhe pjesëtarët e tjerë të saj u përballën me diskriminim të vazhdueshëm. Atij iu mohua e drejta për të vazhduar normalisht shkollimin dhe, gjatë viteve të gjimnazit, u përjashtua dy herë nga shkolla, i cilësuar si “bir i armikut të popullit”. Në vitin 1991, në shtëpinë e saj në Sheper, u vra në mënyrë makabre Kaloipi Dilo, bashkëshortja e xhaxhait të tij. Ajo u masakrua barbarisht, duke iu prerë koka, duke iu nxjerrë sytë dhe duke iu hedhur acid në kafkë, ndërsa familjarët gjetën vetëm kafkën e kokës së prerë. Në vitet ’90, familja Dilo u detyrua të largohej nga atdheu, duke u shpërndarë në vende të ndryshme të botës, si pasojë e rrethanave të rënda politike dhe shoqërore.

Eduard M. Dilo është nip i Ilia Dilo Sheperit, gjuhëtar, edukator dhe martir i gjuhës shqipe, i dekoruar me titullin e lartë “Nderi i Kombit”; nip i firmëtarit të Pavarësisë Aristidh Ruci, gjithashtu i dekoruar me të njëjtin titull; nip i figurës legjendare Pano Xhamballo; si dhe nip i Dr. Jani Dilo-s, një nga figurat më të shquara të diasporës shqiptare antikomuniste, i cili ia kushtoi jetën idealit “Shqiptarë të lirë në një Shqipëri të lirë”.

Si pasojë e biografisë politike, Eduard M. Dilo u privua nga e drejta për të ndjekur arsimin e lartë në Shqipëri. Ai përfundoi shkollën e mesme të arsimit të përgjithshëm dhe shkollën e mesme ekonomike pa shkëputje nga puna. Pas emigrimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku jeton dhe punon, ai vazhdoi studimet dhe u diplomua në Globe Institute of Technology në New York. Në Amerikë, Eduard M. Dilo është aktiv në jetën kulturore dhe atdhetare të diasporës shqiptare. Për më shumë se dhjetë vjet ai është zgjedhur anëtar i Kryesisë së Federatës Panshqiptare “Vatra”, si dhe ka shërbyer si sekretar i Komitetit të Edukimit pranë kësaj organizate. Ai është gjithashtu anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë.

Ai ka botuar artikuj publicistikë dhe ese në gazeta dhe revista shqiptare si “Illyria”, “Dielli”, “Balli i Kombit”, “Tema”, “Rrënjët”, etj. Në fushën letrare, ka botuar librat “Diloiada” (bashkëautor me Jorgo Telo), “Shpirt i trazuar”, “Ta duam atdhenë”, “Brenga Mërgimtare”, “Kështjella e ëndrrave”, “Vargu në përjetësi” dhe “Ne krahët e shqiponjës” (bashkëautor me Bardhyl M. Dilo). Ai gjithashtu është pjesëmarrës në disa botime kolektive, ndër të cilat “Zemra Prindërore” dhe “Ekzili i ëndrrave”. Ai ka botuar poezi në disa numra të Revistës amerikane International Writers’ Journal. Poezitë e tij janë publikuar edhe në Kosovë, në një antologji kushtuar dëshmorëve, si dhe në një antologji tjetër të botuar në Gjermani me poete shqiptare, ndër të tjera.

Krijimtaria e tij poetike dhe publicistike buron nga trashëgimia e pasur kulturore dhe patriotike familjare, nga fëmijëria e dhimbshme nën diktaturë, nga përjetimi i padrejtësive ekstreme dhe nga përvoja e lirisë pas përmbysjes së regjimit komunist. Titulli “Shpirt i trazuar” pasqyron simbolikisht këtë jetë të trazuar, por të palëkundur në vlera. Eduard M. Dilo ruan lidhje të ngushta me personalitete të shquara të diasporës shqiptare dhe të botës akademike, veçanërisht në fushën e studimeve gjuhësore mbi veprën e gjyshit të tij, Ilia Dilo Sheperi, e vlerësuar ndërkombëtarisht si një nga bazat shkencore të gramatikës së gjuhës shqipe.

Sot, Eduard M. Dilo jeton me familjen e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat i konsideron si atdheun e dytë, duke shprehur mirënjohje të thellë për Amerikën, vendin ku ai shprehet se “u rilind përsëri”.

Në këtë intervistë ekskluzive për “Zemra Shqiptare”, shkrimtari dhe ish-i përndjekuri politik Eduard M. Dilo rrëfen me ndershmëri dhe thellësi një jetë të shënjuar nga trashëgimia e madhe atdhetare, dhuna e egër e diktaturës komuniste dhe rilindja shpirtërore në lirinë e Amerikës. I lindur në Sheper të Zagorisë, në një familje simbol të dijes, sakrificës dhe qëndresës kombëtare, nip i Ilia Dilo Sheperit – “Nderi i Kombit”, Dilo sjell dëshmi të gjalla mbi persekutimin politik, mohimin e të drejtave themelore, tragjeditë familjare dhe plagët e pashëruara të një shoqërie të traumatizuar.

Ai flet jo vetëm si dëshmitar i historisë, por edhe si poet dhe shkrimtar i angazhuar, duke ndarë rrugëtimin e tij krijues, jetën në mërgim, kontributin në diasporë dhe besimin e palëkundur tek atdheu, fjala e lirë dhe identiteti kombëtar.

GM: Ju vini nga një vatër e dijes dhe patriotizmit. A mund të na tregoni për fëmijërinë tuaj në Sheper të Zagorisë dhe për kujtimet tuaja më të hershme nga vendlindja?

ED: Fëmijërinë time: një tmerr që uroj të mos e përjetojë asnjë fëmijë në planetin ku jetojmë.

Në vitin kur linda unë, në fshatin tonë u krye kolektivizimi. Babai im nuk vendosi të bëhej anëtar i kooperativës bujqësore, për arsye se ishte i sëmurë, pra i paaftë për punë. Ai nuk kundërshtoi marrjen nga kooperativa bujqësore të tokës, as të atyre pak bagëtive që kishte familja jonë.

Pjesëtarë të familjes Dilo, 1934

Megjithatë, filluan masat ndëshkimore që diktatura ushtroi kundër prindërve të mi dhe nesh, fëmijëve të vegjël: na u pre kontingjenti i drithit që shteti jepte për çdo pjesëtar familjeje në atë kohë dhe, më vonë, me krijimin e furrës së bukës, nuk na lejohej fare blerja e bukës në të.

Nuk na lejuan të mbanim as dhi, as lopë.

Disa nga kuadrot që u vendosën në drejtimin e kolektivizimit dhe të pushtetit, fillimisht në fshat e më vonë në krahinë, ishin ekstremistë, të tillë që nuk i ndeshëm më kurrë në jetë, as kur u rritëm e jetuam në pjesë të tjera të Atdheut.

Shkurt, po e përmbledh:

Rrjedh nga një familje me ndjenja thellësisht patriotike, vatër dijesh dhe virtytesh të larta njerëzore, si nga ana e babait, ashtu edhe nga ajo e nënës.

Babai im ishte biri i Ilia Dilo Sheperit, vëllai i Jani Dilos dhe nipi i Aristidh Rrucit.

Nëna ime ishte motra e Pano Xhamballos dhe mbesa e Andon Zako Çajupit.

Historia flet vetë për këto personalitete të Kombit Shqiptar.

Orest Dilo, Pano Xhamballo, Margarit, Jani dhe Mihal Dilo

Fëmijërinë time në Sheper e ruaj si një nga gjërat më të shtrenjta në kujtesën time. U rrita me përkëdhelinë e prindërve, të gjyshes, të afërmve dhe me lodrat e gëzimet që na jepte bashkëjetesa me vëllezërit, motrën, kushërinjtë dhe bashkëmoshatarët.

Kjo ishte njëra anë e medaljes.

Sa të lumtur me motrën në krahët e Babait

Me vëllezërit, motrën dhe kushërinjtë në Sheper

Ana tjetër: uria për bukë (në furrën e bukës së fshatit nuk na jepnin bukë), arrestimet dhe sekuestrimet në familje, deri edhe të ndërresave të trupit, më lanë plagë të pashërueshme.

GM: Cilat janë kujtimet tuaja nga koha e gjimnazit, dhe si e përjetonit faktin që sistemi ju konsideronte "djalë i armikut të popullit", si dhe humbjen e të drejtave për arsim të lartë në Shqipëri?

ED: I mbaruam shkollat e mesme ne, fëmijët e "armikut të popullit" (kështu i cilësuar nga "nëna parti" dhe Sigurimi i Shtetit), Margarit Dilo, duke u strehuar te të afërmit tanë në qytete të ndryshme.

Një parantezë këtu: me dekonspirimin e dosjeve, kam sot në dispozicion dokumentacionin e përndjekjes që na bëhej nga Sigurimi i Shtetit neve, pjesëtarëve të familjes Dilo.

Këtu e gjej shpjegimin e përjashtimeve që më janë bërë nga bankat e shkollës gjatë viteve të gjimnazit, por falë rrjetit të gjerë familjar që patëm në qytete të ndryshme dhe që na strehoi, munda ta përfundoj shkollën e mesme.

E nisa në Fier, shkova në Tiranë, në Gjirokastër dhe e përfundova sërish në Fier.

Dua të vë në dukje dashurinë me të cilën më rrethonin shokët dhe shoqet e shkollës, si edhe përkushtimin dhe kujdesin e mësuesve dhe mësueseve të mirë, të cilët asnjëherë nuk më diferencuan nga nxënësit e tjerë. Ky kontingjent i ndershëm pati kurajon të evidentojë talentin që shfaqej në këtë gjeneratë të familjes Dilo.

Por, kudo, dyert mbetën të mbyllura për vazhdimin e shkollës së lartë. Nëna ime, me dëftesat e maturës së fëmijëve të saj, me rezultate shumë të larta, nuk la derë pa trokitur dhe nuk la shok të vëllait të saj (funksionarë të lartë partie e shteti në atë kohë) pa takuar; por, megjithë pritjen e mirë, nuk mundi të siguronte një vend në auditorët e universitetit për fëmijët e saj.

Për hir të së vërtetës, po dëshmoj: pas një takimi që pati me një nga shokët e Panos, funksionar i lartë partie, përgjigjen e mori nga gruaja e tij, gjithashtu funksionare e lartë, nëpërmjet një letre që i dërgonte organizatës bazë të partisë së Zagorisë.

Në këtë letër kërkohej që ne, fëmijët e Viktorisë, të grumbulloheshim në fshat dhe, në rast mosbindjeje, të na dërgonin në Spaç, ku ndodhej xhaxhai ynë.

Për fat të mirë, kjo letër, nga postieri, ra në duart e kushëririt tim të parë, funksionar partie në atë kohë në Zagori. Kjo letër sot ndodhet në arkivin tonë familjar, së bashku me shumë "karakteristika" të nxira, të dërguara në ndërmarrjet ku punonim nga dhëndurë të sojit të saj, funksionarë partie në atë kohë në Zagori.

Kudo në Shqipëri pati njerëz të ndershëm, të cilëve u dhimbsej Atdheu; njerëz që, pavarësisht se militonin në parti ose mbanin poste drejtuese, nuk pajtoheshin në ndërgjegjen e tyre me padrejtësitë që bëheshin.

Me ndryshimin e sistemit, jo vetëm që na treguan për përndjekjen që na bëhej, por na dorëzuan edhe këto "karakteristika".

GM: Çfarë do të thotë për ju të jeni nip i Ilia Dilo Sheperit, "Nderi i Kombit", dhe si ka ndikuar gjyshi juaj në formimin e dashurisë suaj për gjuhën dhe atdheun?

ED: Qënien time si nip i Ilia Dilo Sheperit e kam konsideruar dhe e konsideroj detyrim për ti sherbyer Atdheut me devotshmëri, gjuhës dhe krijmtarisë me përkushtim.

ILIA DILO SHEPERI "NDER I KOMBIT"

GM: Babai juaj, Margariti, ishte një intelektual i formuar në Tiranë dhe Athinë. Si e përshkruani figurën e tij si prind dhe mësues, pavarësisht traumave që pësoi në burgjet e Kalasë së Gjirokastrës dhe të Maliqit?

ED: Babai im, Margarit I. Dilo, ishte një intelektual që kishte përfunduar shkollën e Fullcit (Instituti Politeknik Amerikan) në Tiranë dhe Universitetin për Matematikë në Athinë, në vitin 1936. Ai zotëronte katër gjuhë të huaja: anglisht, greqisht, italisht dhe gjermanisht.

Babai kishte gjashtë vëllezër dhe tri motra.

Vëllezërit Dilo (Jani ulur, nga e majta Margarit, Mihal, Orest)

Gjyshja Sava Rruci me një pjesë të fëmijëve: nga e majta Hrisanthi, Margariti, Qirjako, Viktoria. V. 1940

Në nëntor të vitit 1944, pasi qeveria e Enver Hoxhës hyri në Tiranë, Qirjako dhe Margarit Dilos iu ndalua të punonin në vendet e punës ku kishin shërbyer më parë: përkatësisht, Qirjakoja si kryetar i Zyrës së Hipotekave në Ministrinë e Financave dhe Margariti si kryetar i Zyrës së Ndërtimeve në Ministrinë Botore.

Të brumosur me një kulturë perëndimore, ata dorëzuan punën dhe zyrat ku shërbenin. Për të siguruar jetesën, filluan të merreshin me tregti. Aktiviteti u ecte mbarë dhe përballonin shpenzimet e jetesës për familjen prej dymbëdhjetë vetash që jetonte në atë kohë në Tiranë.

Babai im ishte në listën e dëbimeve nga Tirana, bashkë me vëllanë e tij, Qirjakon, familjarisht, duke i internuar.

Ata u thirrën në Komitetin Ekzekutiv, ku Qirjakos dhe Margaritit u komunikua se duhej të largoheshin menjëherë nga Tirana, së bashku me familjet.

Urdhri ishte i prerë: nëse nuk largoheshin brenda dy ditësh, do të arrestoheshin.

Në të njëjtën kohë, Koçua, i cili shërbente si ushtar në Komandën e Ndërlidhjes në Tiranë, u transferua në postën kufitare të Peshkopisë. Babai, Qirjakua familjarisht sëbashku me familjarët e tjerë u larguan për në Sheper, ku u strehuan në kasollen që kishte shpëtuar pa u djegur gjatë luftës. Filluan të merreshin me bujqësi për të mbijetuar.

Në qershor të atij viti, Mihali dhe Margariti u thirrën në Gjirokastër. Mihalin e emëruan veteriner në Ndërmarrjen Blegtorale të Qarkut, ndërsa Margaritin inxhinier në Ndërmarrjen e Ndërtimit të Qarkut.

Me këto emërime, gjendja ekonomike e familjes ndryshoi ndjeshëm dhe filloi rikonstruksioni i kasolles ku jetonin pjesëtarët e familjes në Sheper, duke krijuar kushte jetese të kënaqshme për kohën.

Në vitin 1947, babanë e arrestuan dhe e dënuan me dy vjet burg si "armik i popullit", megjithëse ai dhe e gjithë familja Dilo kishin ndihmuar pa rezerva luftën kundër pushtuesve.

Megjithë torturat e tmerrshme në kalanë e Gjirokastrës dhe trajtimin mizor në kanalet e Myzeqesë dhe të Maliqit, ai mbeti i dëlirë në karakter dhe thellësisht patriot në bindje.

Ndjej dhe do të ndjej sa të jetoj praninë e ngrohtë të tij, si prind dhe si mësues.

Ai, xhaxhai im Qirjako, si dhe halla Viktoria, ishin mësuesit e parë dhe edukatorët që mbrujtën tek ne virtytet e larta njerëzore dhe ndjenjën patriotike.

GM: Nëna juaj, Viktoria Xhamballo (Dilo), vinte nga një familje dëshmorësh, por u ndëshkua pasi u martua me një "armik".

Si e përjetonte ajo këtë paradoks të dhimbshëm, kur regjimi i mohonte statusin e saj për shkak të dashurisë?

Nëna ime, Viktori Xhamballo (Dilo), vinte nga një familje me dy dëshmorë: Pano dhe Spiro Xhamballo.

Kur u fejua me babanë tim, ajo u thirr në Komitetin e Partisë në Gjirokastër nga Subi Bakiri dhe Mihal Bisha, të cilët i bënë presion për ta ndarë, pra për ta prishur fejesën. Meqenëse nëna ime nuk pranoi, i thanë: "Mendohu mirë, se ne, bashkë me të Dilos, do të të luftojmë edhe ty."

Dhe porosia e "partisë" u zbatua edhe ndaj nesh, fëmijëve.

Theksoj se në vitin 1992 nënës sime iu dha statusi "Veterane e Luftës", për kontributin e madh që kishte dhënë në luftën kundër pushtuesve.

Viktori Xhamballo (Dilo)

Viktoria me tre nga djemtë e saj

GM: Ngjarja e vitit 1991 në Sheper është e papërfytyrueshme. Pse mendoni se u ushtrua kjo dhunë kaq makabre ndaj një gruaje të moshuar në agimin e demokracisë, ndaj bashkëshortes së xhaxhait tuaj, Kalopi Dilo?

ED: Në vitin 1991, në grupin e afaristëve shqiptaro-amerikanë të ftuar nga shteti shqiptar ishte edhe xhaxhai ynë, Dr. Orest Dilo, M.D. Ai i premtoi shtetit shqiptar se do të investonte kapitale të rëndësishme në atdheun e tij.

Me t'u kthyer në Shtetet e Bashkuara, ai dërgoi në Shqipëri një komision specialistësh për të bashkërenduar aktivitetin e investimeve.

Pikërisht në këtë kohë, në Shepër, një dorë e fshehtë me pseudonimin "Dora e Zezë" shpërndante trakte kërcënuese, ku flitej për hakmarrje në rast se shteti përmbysej. Në këto lista kërcënimesh përfshihej edhe emri i nënës së moshuar, Kalopi Dilo, e cila jetonte e vetmuar në trojet e familjes Dilo.

Një natë të errët në fundin e Janarit të vitit 1991 një bandë kriminelesh ekzekuton tek pragu i shtëpisë Nënë Kalopin.

Një ekzekutim që ngjason me epokën kur njeriu ishte në barbarizëm; ekzekutim me goditje me shkopij, nxjerrje syshë dhe prerje kokë me thikë. Për të humbur shenjat, përdorën dhe acidi në kafkë. Punonjësit e degës së punëve të Brëndshme dhe hetuesi që morën pjesë në kqyrjen dhe ekspertizën deshën ta mbulonin krimin me vdekje klinike dhe ngrenia e kafkës nga qeni i shtëpisë. Por falë këmbënguljes së banorëve të fshatit dhe krahinës për zbardhjen e së vërtetës, si edhe deklaratave profesionale të mjekut të zonës, Dhimo Shituni, u provua se vdekja ishte pasojë e një krimi të qëllimshëm dhe u bë e mundur arrestimi i autorëve.

Ngjarja tronditi jo vetëm familjen, por gjithë fshatin dhe krahinën, si një akt barbar që nuk ishte njohur më parë në historinë e asaj zone.

Në gjyqin e zhvilluar në Gjirokastër pati përpjekje për lirimin e kriminelëve.

Vetëm nën presionin e opinionit publik dhe praninë në sallë të ish-punonjësve të drejtësisë, gjykata u detyrua të japë dënime që varionin nga 2 deri në 14 vjet burg për anëtarët e bandës.

U provua gjithashtu se ngjarja makabre e janarit 1991, vrasja e Kalopi Dilos, bashkëshortes së xhaxhait tim Mihal Dilo, ishte kryer nga elementë të lidhur me ish-Sigurimin e Shtetit. Kjo u dëshmua qartë gjatë procesit gjyqësor në Gjirokastër, përmes ballafaqimeve dhe reagimeve në sallën e gjyqit:

-Kryekrimineli -mos e zgjat më shumë se do t'ja hap petët lakrorit.

-operativi -heshti.

-prokurori-ulu poshtë i pandehur dhe mos fol.

Për të ardhur keq, shtypi i kohës i cilësoi autorët si "adoleshentë", ndonëse bëhej fjalë për persona 25 dhe 40 vjeç, duke përhapur gjithashtu aludime të pavërteta për motive grabitjeje.

Në shtëpinë e Nënë Kalopit u gjetën vetëm 2 000 lekë të vjetra dhe disa libra të bibliotekës së Ilia Dilo Sheperit, libra që kishin shpëtuar nga djegia e shtëpisë prej nazistëve dhe nga grabitjet e mëparshme të Sigurimit të Shtetit gjatë arrestimeve të bijve të tij.

Pas një viti, me ndërhyrjen e një funksionari shteti që mbulonte "drejtësinë", kriminelët u lanë të lirë dhe si shpërblim morën viza e shkuan jashtë shtetit.

Kalopi, Mihali, djali i tyre Etieni dhe Orest Dilo

GM: Po për kalvarin e të afërmve të tjerë, çfarë do të dëshironit të ndani me ne?

ED: Në vitin 1953 arrestuan Qirjakon, duke e akuzuar se i gjetën armë dhe fishekë në strehë të kalives (të cilat vetë ia kishin vendosur). E torturuan çnjerëzisht, por nuk e mposhtën që të pranonte ndonjë faj.

Qirjako I. Dilo

Në vitin 1970 arrestuan në Fier Koço Dilon, djalin e vogël të Ilisë, për tentativë arratisjeje në Greqi. Pas 105 ditësh torturash klandestine, ai u dënua me 10 vjet burgim. Burgun e kreu në Spaç të Mirditës. Doli andej i drobitur dhe i sëmurë; si rrjedhojë, nuk jetoi gjatë dhe ndërroi jetë në moshën 63-vjeçare.

Koço I. Dilo

Gjithashtu, në këto kohë, çvarrosën gjyshin tonë, Ilia Dilo Sheperin, duke ia hequr eshtrat zvarrë dhe duke i lënë jashtë varrit.

Theksoj se gjatë çdo arrestimi dhe burgimi në familjen tonë, na sekuestronin gjithçka: rrobat e trupit, ato pak ushqime që kishim, pjesë nga ambientet e shtëpisë ku jetonim, shqyenin muret si dhe grabitën pajat e vajzave të pamartuara.

Të gjithë pjesëtarët e familjes Dilo vuajtën kalvarin e persekutimit të diktaturës: lufta e ashpër e klasave, kamzhiku në dorë, burgime, internime, pushime nga puna, linçime, përjashtime nga shkollat dhe gjurmim nga Sigurimi i Shtetit.

Kur pjesëtarët e familjes thirreshin të punonin në kooperativë, u caktonin normën e punës. Ata e realizonin normën, por brigadieri kurrë nuk e pranonte. Brigadieri caktonte pikët sipas dëshirës dhe, në fund të muajit, i diskretitonin para gjithë brigadës, duke thënë se "këta dembelë dhe parazitë të shoqërisë kanë bërë vetëm dy ose tre ditë punë".

Këto nuk janë delire; ato bazohen mbi dosje hetimi dhe dokumente të lëshuara nga organet kompetente, si dhe mbi kujtimet e njerëzve që i panë me sytë e tyre dhe përjetuan këtë trajtim mizor dhe çnjerëzor, të cilët edhe sot jetojnë për të dëshmuar të vërtetën.

GM: Si ishte marrëdhënia juaj me bashkëqytetarët gjatë komunizmit? A kishte njerëz që guxonin t'ju qëndronin pranë, apo mbizotëronin izolimi dhe përbuzja?

ED: Mardheniet tona me bashkëqytetaret kanë qënë normale. Kjo falë reputacionit që kishte familja jonë dhe shqiptarizmit që ekziston në genet e popullit tonë.

Në shkrimin "A humbi shqiptarizmi në skëterrën komuniste" unë e kam trajtuar këtë çeshtje - shkrim i botuar dhe në gazetën tuaj.

Izolim patëm dhe të thekesuar: neve hapëm vetë varret e të afërmve tanë (fëmijve të Ilia Dilo Sheperit) dhe mbi supet tanë mbajtëm arkivolet e tyre për t’i shpurë në varre.

Nuk na është dhënë dërrasë për të bërë arkivolin e Babait, por duke prishur kosheret e bletëve e bëmë atë!

Ne shkrimin "Nëna Shqiptare" botuar gazeta "DIELLI" ne mars 2002, Ylli M. Dilo e trajton këtë temë të bandës kriminale që drejtonte Shqipërinë.

Përbuzje nuk patëm asnjëherë se bashkëfshataret na shifnin si Idhuj mirësie dhe virtytesh të larta.

GM: Pas gjithë vuajtjeve dhe sakrificave të familjes suaj nën komunizëm, çfarë mendoni se është më e rëndësishme të mbahet mend dhe të transmetohet tek brezat e ardhshëm?

ED: Pas gjithë vuajtjeve dhe privacioneve që përjetuam në atë sistem gjakatar, falë bindjeve të larta morale dhe patriotike që paraardhësit tanë edukuan në ndërgjegjen tonë, ne ruajmë në kujtesë nga Atdheu "ato mëngjeset e arta me gishta trëndafili", siç shprehet Homeri, ose "flladin e amël të erës", siç shprehet Fishta i Madh.

Për brezat që vijnë, deviza jonë është amaneti që na lanë të parët:

Atdheu, altar i shenjtë në ndërgjegjen e çdo shqiptari.

Dhe edukim, edukim dhe përsëri edukim, nëse duam të ecim përpara.

GM: Si e përjetuat ju rrëzimin e komunizmit, si nga pikëpamja emocionale ashtu edhe nga ajo praktike, dhe cilat ndryshime më të dukshme vuri re familja juaj pas këtij momenti historik?

ED: Rënien e komunizmit e përjetoi e gjithë familja jonë si një mbushje me oksigjen e mushkërive të një njeriu që ka qenë i mbyllur në një ambient të mbushur vetëm me tym dhe blozë. Kjo, sa i përket anës emocionale.

Nga pikëpamja praktike, ne vrapuam drejt vendeve demokratike për të rikuperuar kohën e humbur, si për veten tonë ashtu edhe për pasardhësit tanë. Dhe rezultatet janë të dukshme: sa mundëm, në emigracion plotësuam studimet tona, ndërsa për pasardhësit sakrifikuam gjithçka.

Dhe kemi me se të krenohemi: 11 pasardhës tanë kanë përfunduar studimet universitare dhe japin një kontribut dinjitoz në dy kontinente.

Por... Ah, moj Shqipëri, të qofsha falë! Tek ti kemi lënë një pjesë të shpirtit tonë.

GM: Cili do të ishte një përshkrim i përgjithshëm mbi dekadat e komunizmit në Shqipëri?

ED: Për dekadat e komunizmit në Shqipëri do të citoj mendimin e Kadaresë:

"Ashtu si kapitalizmi ka varrmihësin e vet, proletariatin, edhe komunizmi ka varrmihësin e vet: intelektualët."

Me eliminimin e intelektualëve që kishin studiuar në Perëndim, e nisi banda kriminale që mori pushtetin dhe, me ekzekutimin e tyre, e përfundoi këtë proces deri në vitet '90.

Tendenca për shpërfytyrimin e njeriut krenar shqiptar dhe zëvendësimin e tij me "njeriun e ri" (pa virtyte, fe dhe tradita) është shkaku pse sot Atdheu lëngon.

Vetëm me edukim shërohet kjo sëmundje.

GM: Edhe pse e kuptueshme, mund të na tregoni si u mor vendimi për t'u larguar nga Shqipëria dhe pse zgjodhët pikërisht Amerikën?

ED: Qysh i vogël, u rrita në shtëpi me një dashuri shumë të madhe për Amerikën. Kjo lidhej edhe me faktin se aty kishim dy xhaxhallarë, Jani dhe Orest, të cilët na mbushnin me shpresë se një ditë do të përmbysej diktatura enveriane.

Përveç kësaj, ndihma ekonomike nga ata ishte gjithmonë e pakursyer.

Largimi nga Shqipëria u bë për arsyet që përmenda më lart: për të kapur kohën e humbur në arsim dhe për të siguruar një ecuri të garantuar për pasardhësit tanë.

Sa i përket Amerikës, ajo ishte një ëndërr jo vetëm për mua, por edhe për pjesëtarët e tjerë të familjes.

Arsyeja ishte se dy xhaxhallarët tanë kishin arritur maja të larta në shoqëri dhe shkencë. Ata nderuan me kontributin e tyre jo vetëm veten, por edhe Atdheun: Dr. Jani I. Dilo dhe Dr. Prof. Orest I. Dilo, M.D.

Është e njohur botërisht se në demokracinë amerikane, i ndershmi ecën përpara.

GM: Cilat janë kujtimet tuaja të para nga jeta në Amerikë? Si shkoi integrimi juaj në komunitetin shqiptar atje, dhe cilat dallime kryesore keni vënë re midis shqiptarëve të Amerikës dhe atyre të Shqipërisë?

ED: Jeta në Amerikë na duket se na priti me dashamirësi; ndihej liria në çdo hap që hidhnim dhe merrnim frymë lirshëm.

Pata gjithashtu fatin të takoj personalitete të shquara të botës shqiptare, shokë dhe miq të xhaxhallarëve të mi, Dr. Jani dhe Dr. Prof. Orest Dilo, M.D.

Shqiptarët që gjeta këtu në Amerikë ishin shumë të respektuar, me kulturë dhe personalitet që të impononin respekt.

Prof. Dr. Orest I. Dilo me bashkëshorten

GM: Ju u diplomuat në "Globe Institute of Technology" në New York. Çfarë do të thoshte për ju të merrnit më në fund një diplomë në një vend të lirë, pas gjithë viteve të mohuara arsimore në Atdhe?

ED: Një ëndërr që vetëm Amerika mundi ta realizojë!

Mu duk sikur edhe Gjyshi im, Ilia Dilo Sheperi, Babai im dhe xhaxhallarët, halla Viktoria, që i dhanë aq shumë gjuhës dhe shkollave shqiptare që në vitet 1900, levizën aty ku pushojnë në përjetësi, duke ndjerë krenarinë time.

GM: Mund të na tregoni për angazhimin dhe aktivitetin tuaj në Federatën Panshqiptare "Vatra"?

ED: Në sugjerimin që më bëri i ndjeri Kryetar i Vatrës, Ing. Agim Karagjozi, u bëra anëtar i Vatrës me kënaqësi.

Gjatë kohës që kam qenë aty, jam angazhuar në çdo drejtim.

U zgjodha unanimisht për më shumë se 14 vite në Këshillin dhe Kryesinë e Vatrës, ku kam shërbyer gjithashtu si Sekretar për sektorin që mbulonte ndihmat për studentët shqiptarë që vinin në Shtetet e Bashkuara.

Gjatë kohës që kam qenë sekretar, nuk pranova të merrja ndihma për fëmijët e mi që ishin në shkollë, duke shmangur çdo dyshim ose keqkuptim.

Në Washington DC

Tek varri i Mit'hat Frashërit në NY

GM: Si lindi ideja për "Diloiadën" dhe si ishte përvoja e bashkëpunimit me Jorgo Telon? Po ashtu, si e kujtoni atë si njeri?

ED: Në bisedat që bëja shpesh me të ndjerin Jorgo Telo, përfshiheshin shumë kujtime dhe ndodhi nga Zagoria jonë.

Ishte ende shumë e freskët masakra që kishte ndodhur në familjen tonë, Dilo.

Duke biseduar, biseda shpesh shndërrohej në poezi; vargjet sikur radhiteshin vetë nga rrjedha e fjalëve.

Ndjenja e adhurimit për njerëzit e mirë, mendimi i lirë dhe neveria ndaj ligësisë dhe padrejtësisë na nxiten të shkruajmë këtë poemë-baladë, të pasur me shkrime të tjera mbi një të vërtetë sa rrenqethëse, aq dhe e pamohueshme.

Ishte një bashkëpunim shumë korrekt, i mbushur me respekt reciprok, edhe pse u realizua në distancë të madhe: Gjirokastër – New York.

E kujtoj me shumë respekt dhe konsideratë të jashtëzakonshme Jorgon, i cili, edhe pse me kushte të vështira shëndetësore, punoi me vetmohim dhe la mbi 30 vepra të shkruara.

GM: Çfarë ju frymëzoi të shkruani "Shpirt i trazuar" dhe cilat emocione ose përvoja personale pasqyrohen në veprën tuaj?

ED: "Shpirti trazuar", vepra ime e parë si autor me poezi. Frymëzimi ishte i grumbulluar ndër vite, gjen në të poezi të shkruara qysh në moshë të njomë, në vitet '70 kur dhe frymë e kisha të ndaluar të merrja. Pra na ishte mohuar e privuar gjithçka.

Një shpirt i dashuruar me librin, i krijohet mundësia dhe ato që ka grumbulluar ndër vite i përmbledh në këtë vepër.

GM: Titulli "Ta duam atdhenë" do të thotë shumë; megjithatë, a mund të na tregoni pak më shumë se cili është mesazhi kryesor që dëshironit t'i përcillni lexuesit?

ED: Ky vëllim është një kontribut kushtuar shqiptarizmit me disa personalitete e subjekte. Në të janë përfshirë artikuj për personalitete patriotike shqiptare si për Nanën Terezë, Naim Frashëri, Sevasti Qiriazi, Lasgush Poradeci, Ilia Dilo Sheperi, Mit'hat Frashëri, Motrat Safete S. dhe Lume M. Juka, Petro Zheji, Dr. Nazim F. Qehaja, shkrime për burgun e tmerrshëm të Spaçit, (kam shkuar disa herë kur xhaxhai im Koçua vuante dënimin aty), rrefime nga i mbijetuari i atij ferri, mikut tim Pellumb Lamaj etj. Vlerësime për krijimtarinë e poetëve Kozeta Zylo, Donika Hamitaj, Silva Tërnava, Koço Sterjo etj.

GM: Si pasqyrohet në veprën 'Brenga Mërgimtare' përvoja e jetës në mërgim dhe lidhja me vendlindjen?

ED: Është vepër me poezi, ku në të gjendet brenga e largimit të detyruar nga ana jonë nga Atdheu.

Aty prehen eshtrat e të parëve tanë që vuajtën shumë të qënit shqiptar, "më shqiptar se shqiptaret".

Na lidh vendlindja, brenga që ndjejmë na mundon.

GM: Cilat tema dhe vizione shprehen në "Kështjella e ëndrrave" dhe si lidhen ato me përvojat tuaja personale?

ED: "Kështjella e Endrrave" është një Antologji poetike ku në të gjenden autorë shqiptarë të përfshirë nga mbarë globi ku kanë mërguar .

Poezi nga Kozeta Zylo, Pal Sokoli, Miradije Ramiqi, Neki Lumaj, Ramadan Emini, Ylli (Ilia) M. Dilo, Liman Zogaj, Silva Tërnava, Jeta Xhelili, Eduard M. Dilo.

Malli në shpirt është barra më rëndë që i mundon shqiptarët që janë të shpërndarë kudo. E kjo lidhet dhe me pervojen time personale. "Të arratisur nga Atdheu".

GM: Për ju, çfarë e dallon "Vargun në përjetësi" nga veprat e tjera, dhe si mendoni se prek lexuesin?

ED: Vargu ne perjetesi, është vargu që kur behet pronë e lexuesve dhe pëlqehet prej tyre merr pavdekesi. Në këtë vepër Antologji poetike, një album i ri poetik, gjendet gërshetuar bukur krijimtaria e poetëve në mosha të ndryshme: nga i mirënjohuri Prof. Vangjush Ziko, mjeshtri i shquar ilirikës erotike Kalosh Çeliku, poeti i stinëve Ramis Kuqi, Ramadan Asllani, Shahadije Lohaj, Hasnie Beqiri nga Kosova, Ismet Hasani nga Suedia, Silva Ternava nga Zelanda e Re, Arben Dulaj, A. Hoxha, J. Duda nga USA, si dhe poetesha e re që i jep bukuri, embëlsi antologjisë - vogëlushja nëntëvjeçare Altina Zeqiri.

Kur shfleton faqet e "Vargut në përjetësi", përfshihesh në të dhe bëhesh njësh me botën e poetëve.

GM: Si lindi bashkëpunimi juaj me Bardhyl M. Dilon për "Në krahët e shqiponjës" dhe cili është mesazhi që dëshironi të përcillni me këtë vepër?

ED: Qysh në vegjeli shkruanim dhe diskutonim me njeri-tjetrin për çka shkruanim. Kështu që shkrimet tona i mblodhëm tani në një vepër të përbashkët.

Në këtë vepër përcjellim veç mesazhe dashurie për Atdheun, Kombin tonë.

GM: Cili ishte kontributi juaj në botimet kolektive "Zemra Prindërore" dhe "Ekzili i ëndrrave" dhe si e përjetuat këtë përvojë?

ED: Kontributi im në këto vepra është modest. Kur mu ofrua kjo mundësi ndjeva kënaqësi.

GM: Si u ndjetë kur poezitë tuaja u botuan në një revistë ndërkombëtare si "International Writers' Journal", dhe çfarë rëndësie ka ky moment për krijimtarinë tuaj?

ED: Një kënaqësi kjo. Realizova një ëndërr dhe dëshirë të madhe. Sëbashku me mua në këtë revistë janë botuar dhe poezi nga vëllai im poet, Ylli M. Dilo.

Kam filluar qysh 9-të vjeç të shkruaj poezi.

Dikur kisha ëndërr që të botoja diçka në shtypin letrar në Shqipëri (gjë krejt e pamundur), ndersa sot mundëm të botojmë në USA!

GM: Çfarë përjetuat kur poezitë tuaja u përfshinë në antologjinë kushtuar dëshmorëve në Kosovë dhe në një antologji në Gjermani, dhe çfarë do të thotë kjo për ju si poet?

ED: Ndjej kënaqësi dhe lumturohem kur poezitë e mia botohen në Kosovë, Gjermani ose gjetkë. Do të thotë për mua një vlerësim që më bëhet.

GM: Jeni anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë. Si ka qenë përvoja e bashkëpunimit me personalitete të tjera të diasporës?

ED: Kënaqësi që jam antar i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro -Amerikanë.

Përvoja e mrekullueshme se kam miq plot vlera aty si Poetja Kozeta Zylo, poetët Dalan Luzaj, Adnand Mehmeti, Mëhill Velaj, Maki Canoli etj.

Kënaqësi tejet e veçantë takimi me poetin e madh Gjek Marinaj.

GM: Me publicistikën tuaj jeni i pranishëm në media të ndryshme. Cili është vlerësimi juaj për rolin e medias dhe për situatën aktuale mediale në Shqipëri?

ED: Mediat në Shqipëri janë vetëm partiake.

GM: Cilat janë disa vepra të shkrimtarëve tanë dhe të huaj që ju kanë shoqëruar gjatë jetës?

ED: Jam rritur me poezi dhe vepra nga Çajupi, Naim Frashëri, Fishta. Më kanë shoqëruar gjatë jetës, Noli, Kadare, Migjeni, Asdreni, Agolli, S. Spasse, P. Marko, Gj. Zheji

Hygo, Balzak, Pushkin, Esenini, Miskevic, Tolstoi , Shollohov, Gete, Stendal, Drajzer, Xh. London, M. Twen. Schopenhauer, Çehov, Etel Vojnic, A.Dyma, E. De Amici's, D. Aligeri, W. Uitman, etj.

"Perandoria ime"

GM: Si do ta përshkruanit familjen tuaj të ngushtë, Dilo?

ED: Gjithë Familja Dilo, veç të mirë nuk dinë të jenë ndryshe.

GM: Cilat personalitete shqiptare, që keni pasur mundësinë t'i njihni gjatë udhëtimit tuaj jetësor deri tani, ju kanë lënë më shumë përshtypje dhe i vlerësoni më shumë?

ED: Më kanë bërë shumë pershtypje për kulturën e madhe që kanë pasur dhe që mua Zoti ma bëri mbarë të njifem, ti takoj dhe bisedoj duke u fituar zemrën me personalitete që rrallë i kanë kombe të vegjël si yni si me Motrat Juka (Prof. Safete dhe Lume Juka), Petro Zheji, At Zef Pllumi, Prof S. Rrepishti, Ing. Agim Karagjozi, At Arthur Leolin.

Letërkembimi gjithashtu me këto Motra, me Prof. Rrepishtin, bisedat e gjata në telefon me ta, leterkembimi me At Zef Pllumin, Prof. I. Luzaj, Prof. P. Prifti, etj.

I ruaj dhe i çmoj këto miqesi dhe letërkëmbime si gjëra me shumë vlerë.

Me Prof. Sami Rrepishtin

GM: Si do ta përkufizonit ju ndryshimin e shoqërisë dhe politikës në Shqipëri gjatë tre dekadave të fundit?

ED: Shoqëria dhe politika në Shqipëri vazhdon në një demokraci që ka vazhduar trashëgiminë diktatoriale.

GM: Si e vlerësoni Amerikën si vend që ju dha mundësinë të rilindni, dhe çfarë përfaqëson Amerika për ju?

ED: Amerikën e shikoj tamam sikur të jetë vendi im, mund të them me bindje të plotë se unë lindjen time quaj kur kam mbritur në Amerikë, ku jam ndjerë një njeri i lirë dhe i barabartë mes të barbartëve.

Amerika është vendi ku ndihesh i lirë dhe mund të përparosh.

Në ditët e para në Amerikë (V. 1999)

GM: Sipas mendimit tuaj, a është i pathyeshëm identiteti kombëtar i shqiptarëve të Amerikës?

ED: Është i pathyeshëm indentiteti i Shqiptarve të Amerikës, (të vjetrit), ata janë shumë patriotë dhe Shqiptarë të vërtetë. Ruajnë me krenari zakonet dhe traditat tona.

GM: A mendoni se dy shtetet shqiptare do të bashkohen një ditë, edhe falë përkrahjes së miqve të përhershëm amerikanë?

ED: E kam bindje këtë që veç Amerika, mbrojtësja dhe shpëtimtarja e Kombit tonë, mund dhe do të na bashkojë.

GM: Çfarë ju sjell qetësi pas një dite të ngarkuar dhe si e kaloni zakonisht kohën tuaj të lirë?

ED: Qetësi dhe kënaqësi më sjell kalimi i ditës me mbesën dhe nipërit.

Kohën e lirë e kaloj duke lexuar ose shkruar diçka.



(Vota: 12 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx