E shtune, 10.01.2026, 10:18 PM (GMT)

Faleminderit

Luljeta Pula: Kam luftuar kundër Serbisë, por kam luftuar edhe me ndërskamcat e brendshme

E premte, 09.01.2026, 06:57 PM


Shkrimin e Ardianë Pajazitit për Luljeta Pulen, politikanen, atdhetaren dhe profesoreshën e njohur nga Prishtina, e lexova me kurreshtje dhe dëshirë të madhe, se Luljetën e kam njohur dhe e përcillja aktivitetin e saj të bujshëm – jo vetëm politik, sa ishte aktive në politikën kombëtare të Kosovës së paraluftës.

Pas luftës une isha në mërgim dhe i detyruar që të merresha me “punët e mija”, që nuk më kishin lënë t’i zgjidhja në Kosovën e paraluftës ata që kishin ndikim në gazetari dhe që kryesisht ishin në shërbime të partisë së LDK-së, andaj edhe i kisha humbur lidhjet me Luljeta Pulen si me shumëkend tjetër.

Pa Luljeta Pulën paralufta në Kosovë, nuk do ta kishte as kuptimin e as porosinë e duhur. Megjithë faktin se u munduan që ta mënjanonin, që të mos ishte zë që dëgjohej, Luljeta ishte një femër e guximshme, intelektuale dhe mjaft e ditur, që e theu stereotipin për femrën shqiptare që janë munduar ta ndërtonin serbët, duke i dhënë asaj femre karakteristike jomoderne, që nuk kanë qenë shenja të kohës.

Luljeta Pula është si metalet e çmuara, që edhe nëse i mbulon me dhe për vite e vite, atë ditë që u heqet dheu “prej fytyrës”, rikthehet me shkëlqimin dhe shndritjen e vjetër.

Shumë vite pas luftës nuk kisha dëgjuar gjë për të për shkak të rrugëve të ndryshme, e sigurisht as ajo për mua, por botimi i librave të saj që i kishte shkruar ndër vite, e rikthyen Luljeta Pulen në vendin që i takon si mendimtare që ka bërë shumë për vendin.

Pastaj, me aktin e rikthimit në religjionin e të parëve në familje, që e bëri para disa muajsh në Kishën Shën Abrahami të Llapushnikut, Luljeta Pula u rikthye plotësisht me aftësitë e veta të veçanta në vendin që i takon, vend që natyrshëm nuk mund t’ia zë askush.

(Gjergj – Bajram Kabashi, www.drini.us)

***

Luljeta Pula: Kam luftuar kundër Serbisë, por kam luftuar edhe me ndërskamcat e brendshme

Nga Ardianë Pajaziti, Prishtinë

Është e kuruar deri në detajin e fundit. E veshur me shumë shije, veshje që i dominon ngjyra e zezë. Flokë të krehura mirë, me një buzëkuq me ngjyrë të dukshme e që nëpërmjet një pasqyreje të vogël e që e nxjerr shpesh nga çanta e kontrollon dukjen e jashtme për tu siguruar se është në përpikshmërinë e duhur.  Dhe krejt këtë pamje sikur e forcon edhe më shumë me perlat e saj në qafë, perla që më kanë lënë shumë përshtypje te kjo grua. Jo vetëm në këtë takim, por edhe atëherë kur isha shumë e re. E shihja nëpër emisione televizive, në protesta, në kongrese, dhe kjo zonjë kishte po këtë detaj. Perlat në qafën e saj tepër delikate.

Dhe më habisnin. Sepse, këtë aksesor e kisha menduar për zonjat që shkonin vetëm në teatër, zonjat që frekuentonin vetëm operat, apo zonjat që shkonin vetëm nëpër gosti dhe pinin ndonjë gotë verë, por kurrë nuk e kisha menduar një aksesor te një grua kaq rebele, një grua që luftoi sistemin, një grua që ishte në çdo protestë të Kosovës, një grua që e arrestuan dhe e mbajtën për tetë herë, një grua që drejtoi për herë të parë një parti politike dhe një grua që për herë të parë e shpalli kandidaturën për presidente të Kosovës.

Por jo vetëm perlat, por krejt dukja e Luljeta Pulës ishte tejet delikate dhe elegante, një dukje që ‘mbulonte’ skajshmërisht shpirtin e saj prej rebeli.

Tashti, një zonjë që ka mbushë 73 vjet, para meje gjurmon shkakun e krijimit të këtij shpirti rebel, që sipas saj, edhe sot, në këtë moshë vazhdon të mos i bindet.

Rrëfimet e vazhdueshme të prindërve për çështje kombëtare janë njëra anë e medaljes që Luljeta Pulën, atëherë si pesë vjeçe e kishin provokuar shumë, dhe këto rrëfime kishin ndikuar që karakteri i saj të shndërrohej në një karakter luftarak. Diskutimet e tyre për Bujanin, për Tivarin e masakrën e Gjilanit, po ia rrisnin kureshtjen kësaj vajze të vogël që daja e saj e kishte pagëzuar me emrin Luljeta, e ata kishin uruar të jetë një Lule Jete për familjen e tyre, por se kishin menduar se kjo do të ishte Lulja e Jetës për gjithë Kosovën.

Por, përderisa në familje merrte këtë zjarr kombëtar, ajo si nxënëse përjetonte një ndjesi tjetër. Ajo po vërente se në shkollë, nxënëset serbe po e nënvlerësonin, dhe ky nënvlerësim i bënte shumë përshtypje. Ky detaj ishte i mjaftueshëm që të kuptonte se ajo dhe gjithë shqiptarët nuk po trajtoheshin të barabartë. Edhe pse, ajo nuk mbanë në mend që ta kenë fyer ose t’ia kishin thënë ndonjë fjalë, e kishte ndjerë zhvlerësimin, supremacinë. “Trajtohesha ndryshe, ishte shumë ndryshe prej mënyrës se si e trajtonin njëra tjetrën”, kujton Pula kohën kur po formonte mozaikun e asaj se çfarë po ndodhte me popullin e saj, por pavarësisht kësaj supremacie që shfaqnin shoqert serbe ndaj saj, ajo asnjëherë nuk është ndjerë inferiore.

Dhe, në njërën anë rrita me dashuri kombëtare, dhe në anën tjetër supremacinë që shpërfaqnin nxënësit serb, dalëngadalë po zgjonte ‘bishën’, brenda kësaj vajze të brishtë, ‘bishë’ që ia mori fëmijërinë dhe e shndërroi në një vajzë, grua luftarake.

“Kurrë nuk më kanë interesuar lojërat e fëmijëve, dhe e ndjej se kurrë nuk kam qenë fëmijë. Qysh në atë moshë e kuptova që serbet nuk i kemi miq” tregon ajo për fëmijërinë e ‘humbur’,  fëmijëri që e shkëmbeu me aktivizmin për çështje kombëtare e që çmimin e këtij aktivizimi filloi ta paguajë qysh në moshë të vogël.

Është edhe një figurë që ka pas një rol të madh në formësimin e Luljeta Pulës, figurë që e përcjell edhe sot, e që nuk mjaftohet me veprat e tij, edhe pse, veprën e tij e ka më se të njohur. Është figura e Gjergj Fishtës, e cila përderisa më flet për rolin e kësaj figure në jetën e saj, sytë e saj marrin tjetër shkëlqim.

Përderisa më flet për kohën kur e kishte lexuar veprën e Fishtës, si 14 vjeçe, Luljeta Pula merr tjetër pamje, kopertinat ngjyrë kafe të atij libri, fletët e shkëputura dhe era e fletëve të vjetra vijnë natyrshëm edhe te unë, prej atij shpjegimi kaq emocional, libër, që sipas saj e kishte lexuar brenda nate, sepse, të nesërmen i duhej që ta kthente.

“Edhe sot më kujtohet ai libër, që kishte një kopertinë ngjyrë kafe, me fletë të shkëputura, një libër shumë, shumë i vjetër. Por që e lexova brenda natës, se nesër më duhej t’ia ktheja shoqes time që ia kisha huazuar. Gjergj Fishta është fanari i kombit tonë, veprat e tij me qetësojnë dhe përsëri, përsëri e përsëri më frymëzojnë”, thotë Luljeta Pula për formësimin e saj në rrugëtimin e saj politik, e që edhe pas gjithë këtyre viteve e quan aktivizëm për çështje kombëtare e asnjëherë politik.

Përderisa bashkëmoshatarët e saj merreshin me çështje të moshës së tyre, Luljeta Pula kishte zgjedhur një tjetër rrugë, aktivizëm që mundohej ta shtrinte te njerëzit që e rrethonin. Jo me sforcim, por me ndjenjë të pastër, ajo mundohej që të rriste dashurinë për kombin, për lirinë, për ndërtimin e një shteti që e ëndërronte.

Dhe e denoncuan. Shokët e paraleles tjetër e kishin denoncuar për rolin e saj në shoqëri, për aktivizimin e saj për çështje kombëtare, për angazhimin e saj për Kosovën Republikë.  Dhe pas denoncimit, Këshilli i Arsimtarëve kishte marr vendim që ta përjashtonte nga shkolla këtë vajzë rebele që po synonte të prishte rendin, e këtë denoncim e kishte përjetuar në një moshë të vogël, ishte vetëm 16-të vjeçe kur kishte kuptuar se ajo për një grup të caktuar ishte halë në sy.

“Edhe përkundër faktit se isha nxënësja më e mirë në gjimnaz, Këshilli i Arsimtarëve e mori vendimin që të më përjashtonte. Riza Bicaj, kujdestari i klasës ma kumtoi vendimin e Këshillit të Arsimtarëve të gjimnazit “Ivo Llolla Ribar” në Prishtinë, dhe pikërisht kujdestari bëri të pamundurën që vendimi të zbutej dhe të zëvendësohej me vendimin me parapërjashtim”, kujton Luljeta Pula, vendim që nuk e frikësoi. Dhe jo vetëm që nuk e frikësoi por nuk e vuri në asnjë mëdyshje zmbrapsjen.

Ishte një lëvizje kur edhe e vulosi se kjo vajzë nga Prishtina do te jetë pjesë e protestave, pjesë e kryengritjeve, pjesë e kongreseve e pjesë e zhvillimeve të Kosovës, pikërisht në kohët më të vështira.

Dhe zhvillimet po merrnin hov, ajo po e ndjente se momentet që i kishte ëndërruar tashmë e sa kohë, ishin momente të kohës që po i jetonte. Po në atë vit kur e denoncuan, po në atë vit po rebelohej edhe shpirti i të pakënaqurve me sistemin e kohës. Po organizoheshin demonstratat e vitit 1968, dhe ishte hera e parë kur ajo po i bashkohej një turme, turmë që kishte për qëllim ndryshimin, kryengritje që zgjoi përfundimisht të pabindurën e sistemit, aktivizëm që nuk u shua asnjëherë, moment që e shkundi sa ishte gjimnaziste, e pastaj vazhdoi si studente, profesoreshë, aktivizëm që i rikthehet herë pas here edhe në ditët e sotme.

Shqipërinë e pashë me sytë e mi në vitin 1976, nuk pata guxim të flas për të vërtetën që e kisha parë

Idetë kombëtare, Pavarësia e Kosovës, krijimi i shtetësisë, ishin dashuritë e Luljeta Pulës si nxënëse. Dhe kur flasim për idetë kombëtare, pishtarët e asaj kohe kishin sytë në një drejtim, drejt Shqipërisë. Dhe si një mollë e ndaluar, ata e adhuronin po atë Shqipëri me të mirat dhe të këqijat, ku këto të fundit nuk i shihnin as në figurën e Enver Hoxhës.

Ajo nuk e mbanë të fshehtë edhe tashti, se në atë moshë të vogël e kishte adhuruar Enver Hoxhën, edhe pse, sipas saj, shumë bashkëkohanik të saj, tani e fshehin admirimin e asaj kohe.

“E kam mbajte fotografinë e tij gjithmonë me vete, sepse në atë kohë ne nuk e dinim të vërtetën e Shqipërisë, nuk dinim për politikën e tmerrshme që Enver Hoxha e udhëhiqte ndaj popullit të vet. Ne nuk dinim për vrasjet dhe likuidimet e intelektualeve, ne nuk dinim për presionin e madh që i bënte popullit të vet, për internimet, burgosjet, vrasjet, për tmerrin që ai e ushtronte” rrëfen Pula, e cila shpjegon më tutje se edhe pse e ka kuptuar më vonë se ajo qasje ishte krejt gabim.

“E adhurova deri sa u vetëdijesova, deri sa u rrita dhe e pash të vërtetën. Ishte një identifikim i gabueshëm, ishte një identifikim që vinte nga ndjenja kombëtare, nga emocioni kombëtar, dhe nuk donim që të shihnim asgjë të keqe me Shqipërinë, e aq më tepër kur propaganda e ish Jugosllavisë kundër Shqipërisë ishte shumë e fuqishme” tregon Luljeta Pula, e cila edhe pas vizitës së parë në Shqipëri, në vitin 1976, pas prekjes së realitetit, nuk pati guxim që të fliste për realitetin e parë.

“Nuk pata guxim të flas asgjë për të vërtetën që e kisha parë, sepse, propaganda jugosllave ishte aq e fuqishme kundër Shqipërisë, sa që një prononcim i yni kundër Shqipërisë do të binte në të njëjta linja me propagandën jugosllave,  e cila bëhej e menduar mirë, me strategji dhe teknikë shumë të ndërtuar”, tregon Luljeta Pula për ballafaqimin e saj të parë me Shqipërinë dhe për mos deklarimet e saj se çfarë në të vërtetë kishte parë, por ishte pikërisht momenti kur ia hapi sytë Luljeta Pulës se Shqipëria nuk ishte ajo Shqipëri që e kishte ëndërruar prej kur ishte e vogël.

Ndërkohë, vitet ecin, zhvillimet në Kosovë gjithnjë e më shumë rëndoheshin, dhe pavarësisht faktit se Luljeta Pulën vitet e 80-ta e gjejnë të sistemuar mirë, si një profesoreshë e e lëndës “Kimi Fizike” në Fakultetin e Gjeoshkencave dhe Teknologjisë në Mitrovicë, kjo arritje profesionale nuk i mjaftonte që të gjente qetësinë.

Protestat e vitit 1981 profesoreshën Pula e gjejnë sërish në rrugë, bashkë më studentët e asaj kohe, dhe sipas rebeles me emrin Luljetë, ishte e vetmja intelektuale e asaj kohe që publikisht kishte mbështetë protestat e atij viti.

“Kam qenë e vetmja nga të gjithë intelektualët shqiptarë të  asaj kohe që kam mbështetë haptas demonstratat e vitit 1981” vazhdon rrëfimin Luljeta Pula, e cila tashmë ishte nën llupën e UDB-së jugosllave, dhe, edhe pse nuk e kishin arrestuar me rastin e protestave të vitit 1981, në hollin e fakultetit tashmë kishin zënë vend rojtarët e UDB-së jugosllave, dhe të njëjtit po vëzhgonin çdo lëvizje të saj brenda dhe jashtë fakultetit.

Ajo kishte marr informacione të sigurta se dy kolegë të fakultetit po raportonin UDB-në jugosllave për çdo komunikim të saj me studentët. Sepse, edhe përkundër faktit se jepte një lëndë shkencore, ajo kishte dhënë një betim brenda vetes. Se me studentët, për çdo ligjëratë të ndante 15-të minuta për çështje kombëtare. Dhe e bënte, fliste për kombin, fliste për figurat e rëndësishme të kombit, për lirinë dhe për shumë gjëra të rëndësishme për kombin shqiptar, dhe pikërisht në orën kur do te duhej të ligjëronte për formulat e fizikës dhe kimisë.

“I pata vënë vetes këtë qëllim, se në gjeneratat e reja të investojmë edhe në edukim kombëtar”, tregon Pula për përjetimet e asaj kohe, dhe sipas saj, nuk kishte student që nuk i admironte ato biseda, edhe pse ishte thyer më pas kur kishte kuptuar se disa prej studentëve të saj ishin arrestuar në protestat e vitit 1981.

Por aktivizimi i saj kishte kosto. Luljeta Pulës po i ngushtohej rrethi. Si një grua e zëshme, një grua aktiviste, atë kishin filluar ta refuzonin si pjesë të shoqërisë. I kishin mbete njerëz të paktë rreth vetes, si kolegë ashtu edhe miq.

Emri i saj ishte tashmë i njohur për UDB-në, dhe një njohje e tillë krijonte më pas distancë. Dhe këtë distancë po e ndjente. “E kuptueshme, kishin frikë të shoqëroheshin me mua, ishin rrethana të vështira”, arsyeton Luljeta Pula distancimin e njerëzve të asaj kohe.

Dhe si në përralla, një grua që ishte shndërruar ‘mollë sherri’ për një pjesë të shoqërisë, te një profesor po krijohej një kimi, jo ajo kimia që ligjëronte Luljeta, por një kimi dashurie. Ata aksidentalisht po ndanin të njëjtin objekt universiteti, dhe po në atë objekt po krijohej një dashuri platonike që zgjati për dhjetë vjet, derisa vendosën ta lidhnin me martesë, martesë që u solli një vajzë e një djalë, e që prej asaj dashurie, Luljeta Pula sot gëzon edhe epitetin e gjyshes, epitetin më të dashur të krejt jetës së saj.

“Ndanim të njëjtin objekt, njohja me të kishte ndodhë në vitin 1971, atëherë isha 20 vjeçe”, kujton Luljeta, e cila shpjegon se afria me Ekrem Beqirin kishte ndodhë në një udhëtim për Vitin e Ri në Greqi, udhëtim ku kishte pas mundësi ta njihte pak më afër, por një afri që nuk i dha emër njohjes së tyre për dhjetë vjejt, përpos asaj, dashuri platonike.

Luljeta kujton se Ekremi ishte dhjetë vjet më i madh se sa ajo, dhe se lëndën e Operacioneve Teknologjike, lënda më fundamentale e drejtimit të saj e jepte po Ekremi. Duke mos u besuar emocioneve të saj, ajo kishte marr një vendim, që këtë lëndë ta jepte në Beograd, (mundësi e kohës për dhënie të provimeve mes Prishtinës dhe Beogradit), vetëm që të mos ballafaqohej me profesorin, burrin që i kishte trazuar ndjenjat.

Dhe në vitin 1982, ata dy e kurorëzuan dashurinë e tyre me martesë, një martesë me burrin më të mençur që kishte njohur përgjatë jetës së saj, edhe pse, sipas saj, pavarësisht mençurisë, mbështetjes pa kushte dhe shumë virtyteve të tjera, ajo kujton se bashkëshorti i saj, asnjëherë nuk arriti të ikte nga mentaliteti konservativ dhe patriarkal i Pejës.

Idealet e saj nuk e lanë që të bënte rolin e nënës, të një nëne të përkushtuar

Vitet e 80-ta dhe 90-ta ishin vite uragani për jetën e Luljeta Pulës. Ajo nuk mjaftohej me një punë të rregullt prej profesoreje, me epitetin e bashkëshortes dhe asaj të nënës. Në këtë trekëndësh që kërkonte një dinamikë shumë të madhe, ajo kishte zgjedhë të fuste brenda familjes një çështje shumë madhore. Kosovën. Dhe Kosova, një vend me gjithë ato probleme vetëm sa s’po pëlciste muret e banesës së familjes katëranëtareshe, dhe po sipas Luljetës, ajo kishte mbështetjen e bashkëshortit të saj për aktivizimin e saj kombëtar, po pa iu lehtësuar në anën tjetër edhe roli i nënës, bashkëshortes e nikoqires së shtëpisë. Edhe pse, ajo thellë, thellë në palcë e ndjen se idealet e saj nuk e lanë që të bënte rolin e nënës, të një nëneje të përkushtuar.

E kur jemi te epiteti nënë, po si pasojë e angazhimit të saj për lirinë e Kosovës, në njërën nga protetstat në fund të 80-tave, ajo humbi fëmijën. Po, si pasojë e gazit lotësjellës që e hodhën serbet në turmën e protestuesve, turmë që ishte edhe Luljeta Pula, ajo humbi fëmijën në muajin e shtatë të shtatzanisë, pikërisht në atë periudhë kur Kosovës iu morr Autonomia.

Megjithatë, disi përballohej situata deri sa në familjen Pula-Beqiri trokitën arrestimet e njëpasnjëshme. Zonja e shtëpisë përfundonte shumë shpesh prapa grilave, e edhe më shpesh në biseda informative.  Jo a zakonshme për rrethanat e kohës, por shumë e pritshme, sepse ajo tashmë kishte ‘kaluar’ caqet, dhe sipas sistemit, kush kalonte caqet duhej ndëshkuar.

E arrestuan pikërisht më 2 korrik të vitit 1990, në ditën kur po synonin ti vendosnin themelet e shtetësisë së Kosovës, ditën kur edhe u shpall Deklarata e Pavarësisë. Luljeta Pula u arrestua bashkë me shtetasen amerikane Eva Brendlli.

“Eva Brendlli erdhi në shtëpinë time, ishte një grua që bëri shumë për Kosovën, një profesoreshë që ligjëronte në gjashtë universitete amerikane dhe ishte anëtare e e Lidhjes Shqiptaro- Amerikane. Si hebreje që ishte, vuajtjet e tona i shihte po prej atij këndvështrimi. Eva ishte ajo që bëri thirrje për shpalljen e Deklaratës së Pavarësisë, jashtë objektit të Kuvendit. Si rezultat i insistimit të saj edhe u bë. Atëherë nuk e dinim, por mos të ishte ajo, nuk do të ishte shpallë Deklarata e Pavarësisë më 2 korrik, sepse po të arrestohej ndonjë delegat nuk do të kishte kuorum për shpalljen e Pavarësisë. Dhe menjëherë pas shpalljes së Pavarësisë, mua dhe Evën na arrestuan mu para Kuvendit të Kosovës. Menjëherë e lajmërova vëllain tim që të më siguronte një avokat, i cili ishte edhe këshilltari im. Ai më angazhoi avokatin e njohur Bajram Kelmendin, dhe menjëherë erdhi. Gjatë marrjes në pyetje ata më kërcënuan se do të ngrisin aktakuzë për disa vjet burgim, por pas gjashtë orëve na liruan të dyjave. State Departamenti kishte kërkuar lirimin e Evës, dhe pas presionit të madh na liruan të dyjave. Mirëpo Evën e përzunë prej Kosovës me një dënim që mos të hyjë në Kosovë për tri vjet. Pas tri viteve, ajo ka ardhë vazhdimisht në Kosovë, gjithmonë ka qenë mysafire në shtëpinë time, e kisha shoqen më të ngushtë”, tregon Luljeta, e cila është e zhgënjyer, shumë e zhgënjyer me institucionet e Kosovës që asnjëherë nuk u kujtuan që ta dekoronin Eva Brendllin, një grua që ishte realizatore e shpalljes së Deklaratës së Pavarësisë.

Dhe të mendosh rrethanat e kohës dhe patriarkalizmin e asaj kohe, nuk pranohej lehtë aktivizmi i një gruaje në krye të proceseve, aktivizëm që në të shumtën e rasteve injorohej nga shumica e burrave, për të kapërcyer më pas edhe në xhelozi.

Ishte periudha e vitit 1990, kur shqiptarët përjetuan dëbimin masiv nga puna, e që Luljeta Pula edhe në atë kohë ishte prijëse e refuzimit të sistemit.

“Kam vërejte një injorim nga burrat, sepse, përderisa nuk kishin guximin të rezistonin e të flisnin hapur, unë vazhdoja të luftoja dhe të mbaja flamurin e rezistencës e të isha prijëse e proceseve. Kur u futën masat e dhunshme në fakultet, na urdhëruan që për çdo ditë të paraqitemi në vend të punës. Vendosa të kundërshtoj këto padrejtësi me një letër proteste me titullin Akuzoj, ku akuzova politikën shoveniste të Serbisë ndaj Kosovës në përgjithësi, dhe si pasojë, menjëherë më përjashtuan nga puna, isha e para që u përjashtova.  Dhe aty e pashë hezitimin dhe mllefin e shumë kolegëve të mi. Tentuan që atë aktivizëm timin të ma mveshnin si përpjekje timen për lavd. Dhe kjo më pat prekë shumë, se nuk kam ditur dhe nuk kam dashur asnjëherë të punoj për lavde dhe merita. Ishin rrethana të vështira dhe përpjekja ime e vetme ishte që të punoja për çështje kombëtare”, ka shpjeguar Luljeta Pula.

Dhe zonja me perla, zonja me një veshje tejet ekstravagante për kohën, shumë larg kohës, po bënte namin.  Ajo po trazonte ujërat, dhe sistemi nuk e duronte ujin e trazuar. Përgjatë viteve të 90-ta ajo përjetoi tetë arrestime, dhe më të rëndin e kujton atë që kishte ndodhë në Istog, ku e kishin arrestuar në prani të fëmijëve. Traumat që ua shkaktoi fëmijëve përgjatë gjithë jetës, Luljeta Pula i ka peng edhe sot, dhe sikur përcolli te fëmijët e saj fatin e fëmijërisë së humbur. Ajo nuk kishte fëmijëri, dhe fëmijëri të rehatshme nuk u fali as vajzës e as djalit të saj.

“Ishte një konferencë që do të mbahej në Gjermani, dhe në makinë kisha materialet e asaj konference. Isha me bashkëshortin dhe dy fëmijët e mi në makinë kur na ndali policia. Gjatë bastisjes më gjetën materialin dhe na urdhëruan menjëherë, edhe mua edhe bashkëshortin që të shkonim në polici. Na përcollën deri në stacion me tyta të automatikëve në shpinë, krejt këtë ngjarje e panë fëmijët e mi. Dhe neve na dërguan në stacion, fëmijët mbetën në makinë. Vajza ishte shtatë vjeçe, djali vetëm pesë. Ju luta, u thash që me mua të bënin çfarë të donin, sepse, kur kam hyrë në këto punë i kam ditë edhe pasojat, por i luta që të më lejonin që ta thërras kunatin që të vij e ti merrte fëmijët. Nuk më lejuan, më thanë se kur punon kundër shtetit jugosllav, duhet të jesh e gatshme edhe për pasojat. ‘Edhe fëmijët e tu janë punë e jona’, më thanë policët serb. E përderisa më merrnin në pyetje, nga zyrat e dëgjoja vajin e vajzës në makinë.

Pas një kohe u ndal vaji, tmerrin e asaj qetësie nuk e kam harru kurrë. Se nuk e dija se pse s’po qante më vajza, por kur dola nga aty, e kuptova që njëri nga policët ishte sjell shumë mirë me fëmijët, kishte arrite që ti qetësonte. Ia di shumë për nder atij polici serb, që nuk e gjeta kurrë që ta falënderoja, sepse ai bëri një punë shumë të madhe për qetësimin e fëmijëve të mi”, vazhdon Luljeta Pula.

Tetë arrestime dhe rreth 30 ftesa për marrje në pyetje është bilanci i ballafaqimit të Luljeta Pulës me policinë e atëhershme jugosllave

Tetë arrestime dhe rreth 30 ftesa për marrje në pyetje është bilanci i ballafaqimit të Luljeta Pulës me policinë e atëhershme jugosllave. Disa përfundonin me disa orë qëndrim, e disa zgjatnin edhe me ditë. Dhe kur e pyes se si ishte të kaloje natën në burgjet jugosllave, ajo thotë se edhe në ato raste se kishte hallin e saj, por të fëmijëve. Ishte përvjetori i Kuvendit të Bujanit kur u arrestua përsëri në prani të vajzës, dhe me atë rast e mbajtën më gjatë në burg.

“Ishte përvjetori i Kuvendit të Bujanit dhe organizuam një konferencë. Ishte viti 1996. Nuk kishim para për organizime të tilla dhe pata ftuar vajzën me shoqet dhe shokët e saj që ta këndonin himnin kombëtar. Brenda asaj konference hynë policia jugosllave dhe më arrestuan përsëri në prani të vajzës. Edhe këtë arrestim e kam shumë peng, se, përpos që më arrestuan në prani të vajzës, atë natë ishte edhe nata e Vitit të Ri, dhe ju prisha festën krejt familjes”, kujton Luljeta Pula ballafaqimet me sigurimin e asaj kohe, që ishte me shumë kërcënime e shantazhe.

Aktivizmi i saj për çështje kombëtare ditë për ditë po ndërtonte mozaikun e figurës së Luljeta Pulës, dhe po nga ky aktivizëm ajo bartë mbi supe tituj të prijëses për shumë procese, që nuk i kishte asnjë grua në rajon dhe historia di ti dhurojë vetëm njëherë.

Ajo është gruaja e parë që drejtoi një Shoqatë të Gruas Politike, ishte gruaja e parë që drejtoi një parti politike dhe gruaja e parë që u kandidua si presidente e vendit. Grua që kapërceu mendësinë e kohës se gratë mund të merren edhe me politikë, dhe jo vetëm me trajtim të çështjeve të grave dhe te fëmijëve.

Këto përplasje ishin në kohën kur drejtonte Shoqatën e Gruas së LDK-së (Forumi I Gruas së LDK-së) ku burrat e asaj kohe i kishin thënë se me gratë nëpër terren nuk duhej të fliste për politikë, po për rolin e tyre si gra e si nëna. Luljeta Pula shpjegon më tutje se ky adresim nga burrat bëhej më qëllim, se ata e kuptuan se  gruaja po fuqizohej, dhe sipas tyre, shoqata e gruas nuk guxonte të dilte paralel me fuqinë e partisë ku dominohej nga burrat.

“U zgjodha kryetarja e parë e Shoqatës së Gruas në LDK dhe aktiviteti ishte i jashtëzakonshëm, për shtatë muaj tubuam 80 mijë gra. Bënim shumë aktivitete, protesta, aktivitete të padëgjueshmërisë së qytetarëve. Kishte aktivizëm të hatashëm të grave edhe nga fshatrat më të thella.  Po burrat e LDK-së shumë shpejt e panë një rrezik prej shoqatës, dhe më akuzuan mua që po e minoja LDK-në, se sipas tyre gratë nuk kanë pse të merreshin me politikë. Dhe sipas tyre, shoqata e gruas duhet të merrej vetëm me gruan dhe rritjen e fëmijëve. Të gjithë burrat që ishin anëtarët e kryesisë së LDK-së me akuzuan, të gjithë, vetëm se disa e miratuan në heshtje, e disa të tjerë ishin shumë të zëshëm. Atë ditë kur deshën të më shkarkonin, e në fakt unë nuk lejova të vinte deri te shkarkimi, sepse dhashë dorëheqje. Shkova të Ibrahim Rugova dhe kërkova që të më përkrahte, që të mos lejonte shkatërrimin e gjithë asaj pune që e kishim ndërtuar. Sepse, sikurse i thash edhe Rugovës në atë takim, se vetëm gruaja mund të bëj sensibilizimin e opinionit ndërkombëtar për atë se çfarë po ndodhte në Kosovë. Më premtoi se do të më përkrahte, por në fakt në mbledhjen e kryesisë nuk e bëri. Më sulmuan anëtarët e kryesisë së LDK-së, por i kishin mobilizuar edhe gratë e kryesisë së Shoqatës, e kuptova se këtu më nuk do të mund të epja kontributin tim dhe dhashë dorëheqje, nuk prita që të më shkarkonin”, rrëfen Luljeta Pula për goditjen e parë që mori nga partia ku edhe kishte kontribuar shumë, dhe se sipas saj, pas dorëheqjes së saj, Shoqatës ia ndërruan edhe emrin nga Shoqatë në Forum dhe me këtë rast ia morën edhe autonominë, me të vetmin qëllim, që Forumi I Gruas së LDK-së të merrej veç me çështje të gruas dhe fëmijëve. “E ne, në çfarë rrethana ishim, nuk mund të merreshim vetëm te gratë dhe fëmijët, sepse nuk ishte një gjendje normale, por ishte gjendje lufte”, rrëfen Luljeta Pula.

Pikërisht kjo periudhë ishte kur shumica prej burrave të LDK-së e akuzuan për kapërcim kompetencash, dhe se sipas tyre ajo duhej të merrej me gratë dhe fëmijët.

Dhe erdhi  pikërisht një moment kur me fëmijët duhej të merreshin jo vetëm gratë, por edhe burrat. Ishin helmimet e nxënësve në Kosovë, helmime që u bënë nga serbet, dhe pikërisht këto helmime, Luljeta Pulën e shpërfaqën në të gjitha mediet e Beogradit. Ishte gruaja më e komentuar e kohës, sepse, në Televizionin e Beogradit ishte po Luljeta Pula ku ua përplasi të vërtetën në fytyrë, gjë që se bënë burrat e Kosovës. Ose thënë më ndryshe, kur u morr me politikë, i thanë se duhet të merrej me gratë dhe fëmijët, dhe kur u desh të merreshin me fëmijët, burrat e kohës këtë barrë ia lanë një gruaje.

Luljeta Pula kujton se ka shkuar ti lus të gjithë doktorët e Spitalit të Prishtinës që të shkonin me të dhe të argumentonin për pasojat e helmimeve të nxënësve, sepse, sipas saj, ndryshe do të ishte kur do të argumentohej prej fushës së mjekësisë,  por asnjë nuk u përgjigj pozitivisht, përpos dy burrave. Ishte Bujar Bukoshi dhe Kajmak Gazideda që kishin vendosë ta shoqëronin Luljeta Pulën për intervistën e famshme në Beograd, por ajo tregon se që të dy kishin edhe pasaporta shqiptare, dhe ishte rrezik që këtë detaj ta përdornin më pas serbet, dhe për këtë fakt, ajo vendosi të shkonte e vetme.

“Shkova vet në Televizionin e Beogradit, në atë emision u ballafaqova me serbet, me krerët më të fuqishëm intelektuale dhe ushtarake të Serbisë, me gjashtë akademikë dhe një gjeneral ushtrie,  ku tregova të vërtetën se çfarë kishte ndodhë me fëmijët tanë. Kur u ktheva, u prita si heroinë. Nuk e kuptoja se çfarë po ndodhte, se përgjatë jetës sime kisha bërë vepra edhe më të mëdha që e kisha rrezikuar jetën time dhe të familjes sime edhe me shumë, por dalja ime në Televizionin e Beogradit u vlerësua shumë, mbeti në mendjen e popullit. Nuk kish njeri që nuk më ndalte në rrugë dhe të më përgëzonte, dhe jo vetëm populli im, por më uruan prej krejt ish Jugosllavisë”, kujton Luljeta Pula.

Pas përfundimit të etapës me LDK-në, Luljeta Pula merr një ofertë tjetër. Të jetë drejtuesja e parë grua në një parti politike, gjë që as nuk ishte në imagjinatën e kohës e lëre më te jetësohej. Tre muaj mëdyshje, pikëpyetje, hezitim e ndanë Luljeta Pulën deri te vendimi, dhe pas tre muajve ajo pranoi që të jetë kryetarja e Partisë Social Demokrate, dhe ky vendim historik ndodhi në vitin 1992.

Luljeta Pula e kujton atë kohë me shumë dinamikë, e cila rolin e kryetares së partisë e kishte marr në vitin 1992, punë që pëlqehej nga masa, pasi që priroritet të partisë kishin interesin nacional, dhe po sipas Pulës, pikërisht performanca e jashtëzakonshme e partisë që e udhëhiqte dhe dallimi i deklaratave të PSDK-së prej atyre të LDK-së, u bë rrezik për këta të fundit, dhe sipas Pulës, filluan angazhimin për përçarjen e partisë, me qëllim të mënjanimit të Pulës prej aktivitetit politik. Dhe pikërisht duke pas si qëllim mënjanimin e saj prej aktivitetit politik, thirrën Kuvendin dhe shkarkuan Luljeta Pulën nga pozita e kryetares.

“Filluan punën në përçarjen e partisë, ideja kryesore ishte mënjanimi im politik, kjo ndodhi në vitin 1994. Fraksioni i ndarë nga partia mbajti një Kuvend farsë, dhe ky fraksion e ky kuvend udhëhiqej nga Fehmi Agani, edhe pse, kam pas shumë respekt për të, dhe më shkarkuan nga pozita e kryetares, dhe ky fraksion që ishte ndarë nga trungu i partisë, u proklamua si partia e vetme dhe e vërtetë Socialdemokrate”, shpjegon Pula, e cila këtë periudhë e vuajti sepse asnjë prej medieve nuk iu ofrua që të shpjegonte të vërtetën që po ndodhte.

“Krejt mediet kontrolloheshin prej LDK-së dhe asnjë nuk guxonte të më intervistonte. Atëherë e kam thirr Elez Biberaj dhe i kam thënë, më jep vetëm tre minuta kohë televizive në Radion e Zërit të Amerikës. Aty e kam shpjeguar situatën dhe pas kësaj dalje publike, fraksioni politik u detyrua të shpjegohet se janë dy parti social demokratike. Dhe pas kësaj, unë vazhdova punën me mbështetjen e të gjitha degëve të Kosovës, përpos që Gjakova nuk ma dha mbështetjen”, tregon Luljeta Pula e cila ishte në krye të kësaj partie deri në periudhën e pasluftës.

Përçarjen e kemi në AND, nuk kemi qenë të bashkuar as kur është bërë lufta

Luljeta Pula, një ndër gratë e pakta aktive në vitet e 90-ta, e vetmja që drejtoi shoqatë e parti si grua, përpos që kishte shumë përballje me pushtuesin, nuk e kishte të lehtë edhe me ndërskamcat e brendshme.

“ Unë kam luftuar kundër Serbisë, por kam luftuar edhe në ndërskamcat e brendshme.  Duhet ta pranojmë këtë problem të popullit tonë, e kemi në ADN-në shqiptare, dhe nuk kemi se si ta ndryshojmë këtë fakt. Njihemi për përçarjet e brendshme, bajraktarizmin, idesë për me qenë i pari, xhelozinë dhe shumë e shumë veti negative që i bartim në popull, me ADN-në tonë.”, thotë Luljeta Pula.

“Këto përçarje na kanë kushtuar shumë si popull, përgjatë gjithë historisë. Ne nuk kemi qenë të bashkuar as kur është bërë lufta. Në njërën anë luftohej, e në anën tjetër Ibrahim Rugova dilte me deklaratë se UÇK-ja është dorë e zgjatur e Serbisë dhe e UDB-së jugosllave. Kjo deklaratë nuk u përgënjeshtrua asnjëherë, nga askush”, thotë Luljeta.

Gruaja që barti për shumë herë epitetin e prijëses, tashmë po provonte edhe një moment tjetër, si gjithnjë si e para grua në Kosovë. Kandidimin për presidente të Kosovës, si e vetmja kundërkandidate e Ibrahim Rugovës.

“Në fakt, e dija se nuk do të fitoja, por me kandidimin tim dëshiroja të tregoja para të gjithëve se ne ishim një vend që synonim demokracinë, dhe me kandidimim tim tentoja të fusja po këtë element, demokracinë e synuar. Dhe faktin tjetër që doja ta argumentoja ishte se, edhe përkundër rrethanave tejet të vështira, doja të dërgoja mesazhin se edhe gruaja mund të udhëheqë po në këto rrethana”, vijon Pula, e cila tregon më tutje se kandidimi i saj nuk mbeti gjatë, sepse ndodhi masakra e Likoshanit, dhe në dhimbjen e humbjes së gjithë atyre viktimave, dhe zhvillimit të përgjithshëm në Kosovë, ajo kishte tërheqë kandidaturën, vendim që sipas saj ia kishte kumtuar edhe Ibrahim Rugovës, se Partia Social Demokrate nuk është për zgjedhje, se ajo si kryetare e partisë dhe kandidate për presidente kishte tërheqë kandidaturën, me arsyetimin se në Kosovë nuk duhej të mbaheshin zgjedhjet, në një kohë kur një krahinë e vendit po digjej nga lufta.

“Dhe prej atij takimit me Rugovën, shkova në Likoshan dhe e thashë atë fjali ‘Fajtor për këtë terror që Serbia po e bën në Kosovë,  është jo vetëm regjimi kriminal i Serbisë, jo vetëm injorimi i faktorit ndërkombëtar por edhe lëvizja politike e Kosovës në krye me Ibrahim Rugovën”, kujton Luljeta Pula, e cila atë moment e kujton si momentin më linçues të jetës së saj.

“Unë nuk kuptoja as çfarë është duke ndodhë, nuk e kuptoja as ku gabova. Unë e thash atë që e mendova, sepse kishim 11 kufoma para nesh, në mesin e të vrarëve ishte edhe  një grua shtatzënë, dhe si mund të mos reagoja, kur unë isha nënë, isha grua, nuk mund të mos reagoja dhe të mos thosha atë se çfarë mendoja”, vazhdon Pula, e cila edhe sot këmbëngulë se pasojat që po i vuante populli shqiptar, vinin edhe si rezultat i rezistencës paqësore ekstreme. “E koha e rezistencës paqësore shihej se kishte marr fund, kur shihje se serbet na kishin hyrë në prag të shtëpisë”, tregon Pula, e cila kujton Hamzë Jasharin që ishte njeriu që kishte ndikuar në uljen e tensionit në Likoshan, dhe e shpëtoi prej më të keqes.

Se kishte të drejtë që të kundërshtonte rezistencën paqësore ekstreme, sikurse e quante Luljeta Pula, ajo kujton se bashkë me Adem Demaçin, ishin të vetmet figura publike që e kishin mbështetur publikisht UÇK-në. Dhe, sipas saj, ishin periudha të vështira që të mbështetej publikisht dalja e UÇK -së, deklarata të Luljeta Pulës që u patën botuar edhe në mediet e Beogradit.

“Unë kisha  rreth 90-të dëshmitarë, ku ishte edhe  Hamzë Jashari, se si në vitin 1998, në Odën e Adem Jasharit kam bërë thirrje për luftë. E në të njëjtën kohë i kam pas dy fëmijë të vegjël vetëm 40 km larg prej vendit ku bëja thirrje për luftë. Nuk ka qenë e lehtë, por isha e vetëdijshme se ishte opsioni i vetëm që na kishte mbete, nuk kishte më kohë për rezistencë paqësore ekstreme”, kujton Pula, e cila shton se kjo thirrje e saj për luftë ishte vlerësuar lart nga Hamzai. E përderisa, në anën tjetër UDB-ja dhe forcat jugosllave deklaratat e kësaj gruaje po i futnin drejt një titullari të ri, si gruaja më e rrezikshme e Jugosllavisë.

Tre muajt e bombardimeve të NATO-s,  tre muaj tmerri për Luljeta Pulën. U fsheh në tavanin e shtëpisë së Riza Alajt

Dhe një grua që motivoi kaq shumë shqiptarët, dhe në të njëjtën kohë ishte shndërruar një nga gratë më problematike për serbet dhe policinë jugosllave, koha e bombardimeve të NATO-së e gjeti në udhëkryq. Qëndrimi në banesën e saj ishte i pamundur, sepse ishte gruaja më e popullarizuar dhe më rebeluese e kohës. Për të lëshuar Kosovën nuk kishte mundësi, sepse nuk posedonte pasaportë, dokument që ia kishin konfiskuar policia serbe qysh në vitin 1995, dhe e fundit dhe më e dhimbshmja, asnjë nga familjarët, miqtë dhe të njohurit e tjerë nuk mund ti ofronin strehim, sepse ishte si të fusje bombën brenda mureve.

“Më njihnin të gjithë, jo vetëm politikanët serb, por edhe policët e trafikut, sepse isha shumë e pranishme në mediet e Beogradit. Ishte rrezik i madh të më merrnin, i kuptoja. Por më dhimbte shpirti në anën tjetër, unë nuk kisha punuar për vete, por për një çështje shumë më të madhe. Miqtë, dashamirët, shokët, shoqet, u zhdukën të gjithë. Ne mbetëm në rrugë ditën e 24 marsit të vitit 1999”, kujton Pula, e cila duke qenë e vetëdijshme se nuk mund të qëndrojë në shtëpinë e saj, menjëherë pas largimit të saj, policia serbe e kishte kërkuar në banesën e saj në Dardani, ku kishin shkatërruar gjithçka dhe kishin maltretuar të gjithë fqinjët e saj. “Po kërkojmë atë ambasadoren” u kishin thënë fqinjëve të mllefosur, kujton Luljeta, të cilës pas luftës i është dashur edhe njëherë të përgatisë doktoraturën, pasi që serbet ia kishin marr  materialin e sapopërfunduar për doktoratë.

“Rreth orës 14:00  të datës 24 mars të vitit 1999 më është lajmëruar Riza Alaj, atëherë drejtor i Televizionit të Prishtinës, dhe në një formë të prerë më tha që bashkë me familjen të shkojmë të shtëpia e tij në Breg të Diellit. Mënyra se si më tha e kuptova që periudhën e bombardimeve do ta kaloja në shtëpinë e tij”, kujton Pula.

Tavani i shtëpisë së Riza Alajt ishte bërë strehë për Luljeta Pulën, e cila e ndarë prej anëtarëve të familjes, qëndroi e fshehur për tre muaj.

“Tri herë kanë hyrë policia e armatosur, nga vrima e tavanit i dëgjoja. I drejtoheshin bashkëshortit tim se ku isha, ku isha fshehur. Mbaj në mend se ju thoshte se nuk jam në Kosovë, se kisha shkuar në Maqedoni”, kujton Pula, e cila në fakt, fëmijët I kishte dërguar në Maqedoni, një muaj pas fillimit të bombardimeve të NATO-s.

26-të vjet pas, kur flet për momentin e ndarjes nga fëmijët, shihet se është një moment që nuk është shëruar as tash. Luljeta Pula fshinë lotët përderisa më tregon se ai moment ishte momenti më i vështirë i jetës së saj, sepse, ishte moment që e kishte frikësuar se kurrë më nuk do ti shihte fëmijët e saj.

“Vëllai i mori fëmijët dhe i dërgoi në Maqedoni, vajza ishte 16 vjeçe kurse djali 14. Kurrë nuk e harroj momentin e ndarjes, ishte ndarje që nuk na siguronte nëse do të shiheshim prap. Një javë kam mbete e shtrirë prej pikëllimit, ishte momenti më i vështirë në jetën time”, kujton Pula e cila përpos ndarjes nga fëmijët, si periudhën më të rëndë e kishte përjetuar edhe hyrjen e forcave ruse në Prishtinë.

“Natën e fundit kur hynë rusët, e patëm fituar bindjen se nuk do të shpëtonim të gjallë. Shtëpi të djegura, mitralozë gjithandej, ishte natë shumë, shumë e frikshme”, tregon Luljeta Pula, e cila të nesërmen, më 12 qershor të vitit 1999, nëpërmjet një ushtari britanik, që ishte ndalë para shtëpisë së Riza Alajat, ajo e kishte ndjerë aromën e lirisë, aromën e sigurisë.

“Kur e kam pa ushtarin britanik që u ndal para shtëpisë,  pata dëshirë të shkoja e ta përqafoja, por më ndali mendësia ime konservative, mendësi nga e cila nuk u ndava ndava kurrë”, shpjegon Luljeta, e cila nëpërmjet këtij ushtari shijoi lirinë, dhe me takimin e fëmijëve pas përfundimit të luftës ajo ndjeu se kishte përmbushë një kapitull të rëndësishëm,  kapitull që ishte shtrirë në të gjitha etapat e jetës.

Më 12 qershor, lirinë e vërtetë e pa në figurën e ushtarit britanik, pas luftës, kapadainjtë e rinj ia rrëmbyen lirinë e ëndërruar

Dhe lirinë që e kishte parë më 12 qershor në figurën e ushtarit britanik dhe lirinë që e kishte ëndërruar prej kur ishte e vogël, pas luftës, në sytë e Luljeta Pulës nuk ishte forma e lirisë së ëndërruar.

“Erdhën këta kapadainjtë e rinj, dhe Kosovën e shndërruan në pronë të tyre, me arsyetimin se e bënë luftën. Shumë korrupsion, shumë hajni, shumë krime, shumë uzurpime të pronave, vrasje për prona. Çfarë lirie është kjo, ne nuk kemi luftuar për një vend të tillë”, shprehë pakënaqësitë Pula, e cila është e vetëdijshme edhe për pasojat e këtyre deklaratave, por vazhdon të këmbëngulë se nëse  do të heshte, nuk do të jetë ajo Luljeta e fëmijërisë, e rinisë dhe e viteve më të rënda të Kosovës.

Ne emër të lirisë e në emër të luftës, sipas saj pjesa dërmuese e krahut të luftës  përvetësuan në Kosovë, e Luljeta Pula edhe sot e kritikon ashpër këtë përvetësim, sepse, sipas saj, kontributi për vend, lufta për vend është obligim i secilit qytetar. Ajo është ndjerë e fyer edhe për pjesën tjetër, se një pjesë e atyre që luftuan sikur nuk e vlerësuan aktivitetin politik që e solli Kosovën deri në ditët e lirisë, duke përfshirë edhe aktivitetin e saj jetësor.

“Kurrë nuk e menduan se lufta politike gjithmonë i paraparin luftës së armatosur. Dhe duke harruar se lufta politike është shumë më e vështirë, sepse në luftë e ke një armë për tu mbrojtur, ndërsa në luftën politike gjithë kohën je i  pambrojtur dhe super i ekspozuar. E demoralizuar deri në fund me mënyrën se si e patën përvetësuar Kosovën”, thotë Pula, e cila menjëherë pas luftës u tërhoq edhe nga politika, pas debaklit në zgjedhjet e vitit 2000.

Dhe u mënjanua, një grua që gjithë jetën e saj ia dedikoi lirisë së Kosovës, liria e këtij vendi e gjeti këtë grua të përjashtuar nga shoqëria. Një grua që me dekada u përball me forcat jugosllave, në periudhën e lirisë u la në harresë.

Se ishte e lënduar me këtë tretman të shoqërisë, ajo përmend edhe disa libra që botoheshin në periudhën e pas luftës, për gratë që kishin lënë gjurmë, dhe në këto libra ajo nuk e gjente emrin e saj. “Nuk ishte e lehtë ta përjetoja gjithë këtë anashkalim” tregon më tutje, e cila krejt akumulimin e përballjeve me dekada, kontributin e saj për një Kosovë të lirë, sfidave të mëdha, pengun për familjen, dhe në fund nënvlerësimi nga institucionet përgjegjëse e patën një çmim, dhe e pagoi. Një vit e më shumë e kaloi në përballje me një depresion të rëndë, e që në ato momente iu gjind familja, pikërisht ajo familje që dikur kishte nevojë për kujdesin e saj. E që Luljeta Pula e këmbeu për një familje më të madhe, për Kosovën.

Luljeta Pula punoi për 44 vjet si profesoreshë universitare dhe tash e 25 vjet nuk është aktive në jetën publike. Dhe kjo tërheqje, pavarësisht se shumë e dhimbshme, dha një rezultat tjetër. Përgjatë kësaj periudhe ajo shkroi dy libra: librin autobiografik “Rrëfimi i një jete për Kosovën” dhe “Helmimet, krimi dhe mashtrimi”, libër ky që i dedikohet helmimeve të nxënësve në Kosovë e që është përkthyer edhe në gjuhën serbe, sikurse që është duke punuar edhe në librin e tretë, e që sipas saj, brenda një periudhë të shpejt edhe do të publikohet.

Kjo figurë e rëndësishme e kombit shqiptar, që është shndërruar në një institucion moral për popullin e Kosovës kishte edhe një peng, rikthimin tek rrënjët, pagëzim që e realizoi përgjatë këtij viti në Kishën e Llapushnikut, e që ajo e vlerëson edhe si përmbushje të misionit të saj, atë të kauzës kombëtare.

“Desha me i tregu këtij kombi se kthimi është te rrënjët, të tradita, te civilizimi, te rrënjët e popullit tonë që janë të krishtera. E ardhmja e këtij populli është rikthimi, dhe do të punoj në këtë drejtim deri në frymën e fundit. E di nuk është e lehtë, dhe ky proces është shumë i vështirë, por duhet të kuptojmë të gjithë se është kauzë kombëtare”, tregon Luljeta, e cila e konsideron vetën të rikthyer qysh në vitin 1998, pagëzim që ishte penguar atëherë nga policia serbe, dhe këtë mision të saj e ka realizuar më 6 korrik të këtij viti.

Dhe se kishte mision edhe pagëzimin, ajo tregon se duke kërkuar në trungun e saj familjar nga ana e babait, ka gjetur se të parët e saj janë familje e krishterë, familje Nikaj-Mertur, hulumtime që datojnë në mes viteve 1600-1650, familje kjo nga rajoni i Dukagjinit të Shkodrës.

Luljeta Pula, kjo grua me profesion inxhiniere por që të gjithë e kanë njohur si gruan më të zëshme për bërjen e Kosovës vlerëson se nuk ka kohë për një pikënisje të re, sepse, sipas saj, koha e saj ka mbaruar, por për aq sa do të jetojë do të vazhdojë të  punoj deri në fund të jetës për kombin  dhe popullin e saj.

Dhe kjo grua, që edhe sot e konsideron si rolin më të vështirë të nënës, dhe të më të dashurin të gjyshes, prej këndvështrimit të një gruaje që veproi në rrethanat më të vështira të Kosovës, mbështetë përfshirjen e grave në shumë institucione, por asnjëherë atë përfshirje me kuotë, e cila e quan si kuotë të turpit, injorimit dhe nënvlerësimit profesional të gruas.

“Kuota nuk i shërben emancipimit, sepse emancipimi nuk bëhet me dekret. Ky vendim më ofendon si grua. Kurrë nuk do të pranoja që të ulem në një karrige sipas kuotës, do të më kishte cenuar angazhimin jetësor”, ka thënë për fund Luljeta Pula,  që sipas saj angazhimi ka çmim, dhe se e ka paguar me një çmim shumë të lartë. / KultPlus.com



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx