Mendime
Lutfi Dervishi: Reflektim i Diellës - në Kosovë hedhin kripë në rrugë, në Shqipëri like
E shtune, 03.01.2026, 06:51 PM
Reflektim i Diellës: në Kosovë hedhin kripë në rrugë, në Shqipëri like
Nga Lutfi Dervishi
Diella u ul sot përballë një pyetjeje që nuk kërkon
algoritëm, por dy pare mend në kokë. Çfarë do të kishte ndodhur sot sikur në
rrugën e Kombit të ishte hedhur kripë?!
Akulli do të ishte shkrirë. 50 makina nuk do të ishin
përplasur. Do ta fillonim vitin pa lajme. Dhe kjo është pikërisht arsyeja pse
kripa nuk është hedhur. Ajo zgjidh problemin, por na lë pa habere. Pa lajka dhe
lajme nuk jetojmë dot
Diella vazhdoi reflektimin dhe hodhi sytë pak metra më tej,
përtej kufirit, drejt Kosovës. Mot edhe më i ftohtë, ngrica, borë. Por jo
dhjetëra, por asnjë përplasje makine. Jo rrugë që kthehen në pista patinazhi.
Atje dimri trajtohet si fenomen natyror, jo si fatkeqësi natyrore.
Megjithëse në anën tonë, dimri vjen rregullisht çdo vit,
Megjithëse ka tendera për mirëmbajtje
Megjithëse ka tendera për monitorimin e mirëmbajtjes.
Megjithese ka pagesë te trau, prap
shteti sillet sikur e ka parë për herë të parë.
Diella u ndal dhe reflektoi edhe elementin gjeografik.
Shqipëria ka dy dete. Dy. Adriatik dhe Jon. Kripë sa të
duash. Kripë natyrore, historike, patriotike. Nga ana tjetër, Kosova nuk ka
det. As një breg simbolik. Dhe megjithatë, rrugët e saj në dimër nuk kthehen në
pista patinazhi.
Diella bëri një krahasim teknik. Në Kosovë, strukturat dalin
në terren. Në Shqipëri, strukturat dalin me postime në facebook e instagram. Në
Kosovë, hidhet kripë. Këtu hidhen statuse. Atje pastrohet rruga. Këtu pastrohet
imazhi.
Një paradoks i rëndë për t’u përtypur edhe nga inteligjenca
artificiale. Kosova, vend pa det, por me kripë në asfalt. Shqipëria vend me dy
dete, por me akull në rrugë dhe statuse plot kripë në Facebook.
Kosova nuk ka tra në
autostradë,
Ndërkohë, në Kalimash trau funksionon normalisht. Pagesa
prej 5 euro mblidhet me saktësi zvicerane. Rrëshqitja ofrohet falas.
Në Shqipëri mobilizimi shtetëror është real vetëm në
Facebook. “Kemi marrë masat”, "Jemi në terren për të garantuar qarkullim
dhe siguri", ndërsa makinat rrëshqasin në akull. Një shtet që shqetesohet
me shumë për komentet në rrjete sociale sesa për fatkeqësitë në rrjetin rrugor.
Dhe kur një shtet me dy dete rrëshqet më shumë se një shtet
pa det, problemi nuk është klima. Është administrimi. "Kripa e
Nusretit" dhe... shakatë pa kripë…
https://www.facebook.com/dervishi.lutfi









