E hene, 05.01.2026, 02:22 PM (GMT)

Speciale » Alia

Lutfi Alia: Shën Nënë Angjelina Arbërore (5)

E shtune, 03.01.2026, 07:00 PM


SHEN NËNË ANGJELINA

SHPIRTI I SHENJTË ARBËROR (5)

Nga Dr. Lutfi ALIA, Siena – Itali

Një vend të veçantë në historinë e kishës ortodokse europiane dhe arbërore ka Shën Nënë Angjelina, themeluesja e shumë manastireve dhe kishave, e kanonizuar shenjëtore nga Patriakana e Kostantinopojës, e adhuruar dhe e nderuar nga besimtarët e dhjetë shteteve europiane, ku Ajo kishte shtrirë aktivitetin si kryemurgeshë. Nënë Angjelina impenjohej personalisht në takimet me besimtarët, madje si vendasit dhe pelegrinët, që vinin nga trevat e tjera, i drejtoheshin duke e quajtur Nënë Angjelina, e bekuara Nënë, e nderuara Nënë, e adhuruara Nëna e jonë, çka shprehnin nderim, adhurim, dashuri dhe respekt për misionin e saj si murgeshë e krishterë, mëshirmadhe e përkushtuar në misionet shpirtërore dhe humanitare. [Mom?ilo Spremi?, 2004. Ascesa interrotta: terre serbe nel tardo Medioevo. Belgrado: Istituto per i libri di testo e gli ausili didattici. p. 335.4]

Në vitin 1518, në shpinën e duarve të kryemurgeshës Nënë Angjelina u shfaqën stigmat, plagë njëlloj si ato të Jezu Krishtit të kryqëzuar, shenja mistike që shprehnin vuajtjen e saj shpirtërore, dhimbjen, misterin dhe lidhjen shpirtërore me Jezu Krishtin. Shafqia e stigmave ishte shenjë paraprake e shenjtërimit të Nënë Angjelinës, andaj murgeshat, murgjit, priftërinjtë dhe besimtarët e shumtë që e takonin e thërrisnin e Lumia, e bekuara, e shenjta Nënë Angjelina. Lajmi i shfaqies të stigmave në shpinën e duarve të Nënë Angjelinës u përhap në të gjitha trojet ku shtrihej aktiviteti i saj fetar, çka ndikoi në shtimin e numërit të pelegrinëve që vinin ta takonin dhe të admironin stigmat në duart e saj.

Mosha, vuajtjet dhe impenjimet intensive në aktivitetet si kryemurgeshë, kishin ndikuar në përkeqësimin e shëndetit të Nënë Angjelinës. Në pranverën e vitit 1520, shkoi në Manastirin Triniteti i Shenjtë në Sretenje të Vojvodinës, ku kaloi muajt e fundit të jetës, e kujdesur me devocion dhe përkushtim nga murgeshat.

Më 30 korrik 1520, e adhuruara, shumë e dashura e bekuara Nënë Angjelina arbërore ndërroi jetë, u ngjit në amshim, duke lënë pas dhimbje, lot dhe një boshllëk të madh shpitëror për mugeshat, murgjit, priftërinjt dhe për besimtarët e shumtë. Si e kishte lënë porosi, Nënë Angjelinën e varrosën në manastirin e Trinitetit të Shenjtë në Sretenje. Në funeralin e Nënë Angjelinës morën pjesë një numër shumë i madh banorësh dhe besimtarësh nga treva të shumta, të cilët asistuan për t’i bërë nderimet të bekuarës Nënë Angjelina arbërore. Në vitin 1521, lipsanet e Nënë Angjelinës i transferuan në manastirin e Krušcedol, ku i vendosën krah varrit të Stefanit, të Johani dhe të Maksimit. Në korrik të vitit 1522, Patriarkana Ekumenike e Kostantinopojës,  bazuar në virtytet e krishtera, në mrekullië dedikuar Nënë Angjelinës dhe për kontributin e saj në ngritjen dhe organizimin e manastireve dhe kishave ortodokse, për adhurmin dhe nderimin nga besimtarët e shumtë, e kanonizoi shenjëtore, e shpalli Shen Nënë Angjelina.

Si për të gjithë shenjëtorët dhe për Shen Nënë Angjelinën, kisha ortodokse i dedikoi një hymn litugjik i tipit Mineo, por me veçori, se nuk u kompozua një melodi e veçantë, por duke marrë në konsideratë kalvarin e jetës së saj dhe martorizimin si murgesha ortodokse, autor i këtij hymni ka huazuar melodinë e hymnit të Shën Teodorës, një askete e krishterë e shekullit V pas K. Ky hymnograf këndohej gjatë ceremonive përkujtimore, liturgjive dhe meshave dedikuar Shen Nënë Angjelinës. Në hymnograf theksohet:

Ejani në Izraelin e ri,

Në të gjitha vendet dhe qytetet për rreth,

Bashkohuni në kor,

Në kujtim të nderuarës Shen Nënë Angjelina,

Ta përqafojmë me shpirt dhe me zemër varrin e saj hyjnor,

Me gëzim të marrim prej saj mirësitë e shërimit.

Për rreth 200 vite, varri me lipsanet e Shën Nënë Angjelinës në Manastirin e i Krušcedol vizitohej për ditë nga mijëra pelegrinë, të cilët të ulur në gjunjë para varrit të saj, luteshin dhe i kërkonin ndihmë, për të përballuar vështirësitë e jetës. Besimtarët e shumtë, adhurimin dhe nderimin për Shën Nënë Angjelinën, e shprehin me një lutje të veçantë, kësisoj të ulur në gjunjë luteshin para varrit të saj, para ikonave, para afreskut, apo para mozaikut të saj.

Lutja e besimtarëve drejtuar të adhuruarës dhe të nderuarës Shen Nënë Angjelina:

"Oh, e adhuruara dhe e nderuara Angjelina, Nëna e jonë e mirë dhe mëshirëmadhe, na ndihmo ne bijt

tuaj të pabindur. Ti o nëna e jonë e mirë, kalove jetë të vështirë në tokën tonë, por me ndihmën e Zotit, i fitove me kurajo të gjitha betejat dhe u ngjite gëzueshëm në Mbretërinë Qiellore. Shtëpia tënde, shtëpia e artë e Krishtit, është e zbukuruar me burrin tuaj Shen Stefani, me djemtë Shen Johanin dhe Shen Maksimin.

Ti kishe një zemër të madhe dhe bujare për të gjithë ata që jetonin në vështirësi. Për ne besimtarët tuaj të devotshëm ti je Nëna e jonë. Ne mëkatarët dhe mëkataret, të drejtohemi ty për të na ndihmuar.

Ti o nëna e jonë e mirë, nuk pushove të duash Qiellin, andaj na ndëshko ne mëkatarët me kamxhikun e Zotit, por mos na moho dashurinë tënde. Me dorën e drejtësisë të Zotit na ndëshko dhe me dorën tënde të dashurisë na forco e na largo nga rruga e jonë e padrejtësisë, na ndihmo e na udhëhiq në rrugën e të vërtetës dhe të mirësisë.

Ooo Nëna e mirësisë, me lutjet e tuaja Zotit, të kërkojmë të na japish bekimin e Qiellit, t’i japish shëndet të sëmurëve, forcë të dobëve, shpresë të dëshpëruarve, bukën e përditëshme të uriturve, fëmijëve, prindërve pa fëmijë; t’japish shpresë ikanakëve dhe ngushëllime të gjithëve atyre, që kërkojnë diçka nga ti, na dhuro shpresa me shpirtin tënd mëshirëmdh, se për atë ne kemi nevojë.

Ne presim më shumë nga ti, o Nëna e jonë e mirë, ti thesar i Qiellit, na i pastro shpirtat tonë, na forco me udhëzimet e Zotit, që të na udhëheqin të largojmë çdo të keqe. Në se nuk i largohemi të keqes në këtë botë, si do të mund t’i shmangim në botën tjetër? Në se nuk pastrohemi nga të këqiat këtu, si mund të bëjmë atje lart, ku ti do të na shikosh me ato të këqia që kemi marrë nga kjo botë?

Na ndihmo të vdesim në këtë botë, ashtu si vdiqe Ti në këtë botë, duke krijuar një thesar në përjetësi. Na ndihmo që thesaret tona të shkojnë në Qiell, kësisoj dhe zemrat tona të rrinë në Qiell dhe jo këtu ku çdo gjë po kalbet dhe çduket, ku hajduti vjedh dhe tenja me ndryshkun na gërryjnë. Ne i shpenzojmë të gjitha forcat për të krijuar një thesar në këtë botë, vetëm për një grusht dhè e kësaj toke, që nuk do ta marrim me vete, andaj presim të na ndihmosh Ti, o Nëna e të mirave tona. Në se nëpërmjet Teje ti nusja e Qiellit, i drejton një thirrje të vogël Zotit, do të në rikthehen thesaret e shumta Qiellor, që do të na forcojnë për të ndjekur shtegun e ngushtë të shpëtimit edhe pse shumë të vdekur prisnin të kalonin nëpër atë shteg.

Është e vërtetë se shpirtrat tona janë prishur dhe mjeruar nga mekatet, por Zoti mëshirmadh na ka drejtuar t’i kurojmë nëpërmjet pendimit. Nëpërmjet pendimeve të vërteta Zotit, ti Nëna e Jonë e Shenjtë do të rilindish në shpirtat tona. Me lotët e tua të ngrohta që derdh për ditë për ne, na ke sjellë hyjnoren në shpirtat tona dhe ne i detyrohemi më shumë Zotit dhe Ai do të na i fali mëkatet tona, por vetëm atëhere kur ne ia kërkojmë sinqerisht dhe me lotët tona.

Ki mëshirë për ne, o Nëna e jonë Angjelina, kryemurgesha e shenjtë e Krušedol, na ndihmo të shpëtojmë nga çdo e keqe, deri sa një ditë, me lutjet tuaja Zotit, të mund të ngjitemi në paqe në Mbretërinë e Qiellit, aty ku të gjithë ne lavdërojmë me mirënjohje Trinitetin e Shenjtë, në emër të Atit, Birit dhe Shiprtit Shenjtë, tani dhe për herë nga shekulli në shekuj. Amin!

Në manastirin e Krušedol, krahas ikonës dhe mozaikëve, ështe dhe një mozaik, që prezanton Shën Nënë Angjelinën, Shën Johanin dhe Shen Stefanin.

Në vitin 1716, hordhitë barbare turke dogjën shumë kisha dhe manastire në Vojvodinë, ndër ato dhe manastirin e Krušedolit, ku shkatërruan dhe dogjën lipsanet e shenjëtorëve, të patriarkëve dhe të fisnikëve që ishin varrosur në këtë manastir dhe çka mbeti pa u djegur i morën dhe i groposën në një varr të përbashkët.

Barbarët turq dogjën dhe lipsanet e Shen Nënë Angjelinës, por murgeshat e manastirit ndërhynë mes

flakëve dhe mundën të shpëtojnë vetëm dorën e majtë, e cila aktualisht ruhet në një kuti xhami e mbyllur hermetikisht, e ekspozuar përballë ikonostatit, në kishën e Shen Angjelinës në Kupin të Sremit - Vojvodinë.

Për herë të parë, dorën e majtë me stigmën në shpinën e dorës, ia prezantoi publikut shqiptar, gazetaria dinjitoze Zenep Luka, në monografinë “Angjelina Arianiti Komnena, shpirti i shenjtë arbëror”, botim i Triptik – Tiranë 2020”. Reth vizitës në kishën e Shen Angjelinës, ndër të tjera Zenepe Luka shkruan: “Mbi të përulen me nderim dhe mirënjohje të thellë, të gjithë besimtarët, që vijnë nga e gjithë bota. Dhe unë u afrova pranë arkmortit, e pafuqishme për të përballuar emocionet dhe u përkula para dorës, e vendosa dorën time sipër dorës së saj e m’u duk se dora e saj lëvizi, kërkoi të dalë e të shtrëngojë dorën time, për të thënë: Mirë se erdhët! Të fala Arbërisë! Duke puthur xhamin e ftohtë të arkmortit, më dolën nga shpirti fjalët: Na fal e shenjta Angjelinë, shpirti i shenjtë arbëror”.

Dora e majtë e Shen Nënë Angjelinës, me stigmën (shenjën) në shpinën e dorës, e ruajtur në kuti xhami.

Mbi të përulen me nderim dhe mirënjohje të thellë, të gjithë besimtarët, që vijnë nga e gjithë bota.

Shen Nënë Angjelina, është modeli i përkryer i murgeshës ortodokse, e cila falë edukatës nga prindërit arbëror, virtyteve të krishtera, guximit, krenarisë, përballimit të vëshirësive të shumta gjatë gjithë jetës dhe të mrekullive të dedikuar asaj si murgeshë e përkushtuar, adhurohej dhe vazhdon të adhurohet e të nderohet nga popujt hungarezë, vllahë, austriakë, sllovakë, rumunë, sllovenë, kroatë, bosnjakë, serbë, rusë, ukrainas, italianë, francezë, grekë, nga shqiptarët e Kosovës dhe nga shqiptarët e emigruar në USA, të cilët e nderojnë, e adhurojë dhe luten të gjunjëzuar para Shenjtërisë së saj.

Krahas ikonave, afreskeve dhe mozaikëve në manastiret dhe kishat e Vojvodinës, Vllahisë, Hungarisë, Rumanisë, Rusisë, Kroacisë, Serbisë, Bosnjes etj, një afresk dedikuar Shen Nënë Angelinës ndodhet dhe në manastirin e Hillanderit në Malin Athos në Greqi. [Fresques médiévales à Chilandar, Actes du XIIe Congrès International d'Etudes Byzantines, Ochride 1961].

Manastiri i Hillanderit në Malin Athos në Greqi.

Ikona dhe afreske të Shen Nënë Angjelinës arbërore ndodhen dhe në manastirin e Patriarkanë së Pejës, në manastirin e Deçanit dhe në manastirin e Graçianicës në Kosovë, e nderuar, e adhuruar nga besimtarët ortodoks shqiptar të Kosovës, ndërsa në Francë, në kishën Notre-Dame-du-Coral (Prats de Mollo La Preste), ndodhet një shtatore e Shen Nënë Angjelinës arbërore.

Ikona të Shen Nënë Angjelinës ndodhen dhe në kishën Fan Noli në Boston të SHBA, ku nderohet nga emigrantët shqiptar si ato të besimit ortodoks dhe ato katolikë, myslimanë dhe bektashi.

Vijon ...



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx