Mendime
Ilir Çumani: Legjitimiteti ndërkombëtar nuk mund të zëvendësojë legjitimitetin e vullnetit popullor
E merkure, 24.12.2025, 04:52 PM
LEGJITIMITETI NDËRKOMBËTAR NUK MUND TË ZËVENDËSOJË LEGJITIMITETIN E VULLNETIT POPULLOR
Nga
Ilir Çumani
Raporti
i kryeministrit Edi Rama me ndërkombëtarët dhe ai me shoqërinë shqiptare nuk
janë thjesht dy kanale komunikimi të ndryshme, por dy realitete paralele që
rrallëherë takohen.
Tashmë
nuk është aspak e vështirë të dallosh de jure se si, në njërën anë, ndërtohet
me kujdes përmes propagandës imazhi i stabilitetit dhe, de facto, ai i
reformave në një vend si Shqipëria që “ecën përpara”. Nga ana tjetër, shohim se
si përjetohet nga shumica përditshmëria e një sistemi që e ka humbur aftësinë
për të përfaqësuar vullnetin e lirë të qytetarëve.
Historia
jonë politike ka dëshmuar se rrëzimi i simboleve nuk do të thotë
domosdoshmërisht rrëzim i mekanizmave që i kanë mbajtur gjallë ato simbole.
Shqipëria e fillimviteve ’90 e provoi këtë në mënyrën më brutale, kur regjimi
ra formalisht, por strukturat e tij mbijetuan përmes zgjedhjeve të
kontrolluara, frikës dhe mungesës së alternativës reale. Demokracia nuk erdhi
si produkt i brendshëm i sistemit, por si rezultat i presionit të jashtëm
ndërkombëtar dhe i revoltës e këmbënguljes qytetare.
Sot,
pas 35 vitesh, ngjashmëritë janë shqetësuese. Pushteti funksionon mbi një rrjet
varësish, që lidhen me favore nepotike për ata që janë pranë qeverisë dhe me
ndëshkime e hakmarrje për kundërshtarët e saj, duke e kthyer procesin zgjedhor
në një formalitet që nuk ka kurrfarë lidhjeje me vullnetin e sovranit.
Administrata nuk është neutrale, biznesi nuk është i lirë dhe qytetari nuk
është as i qetë, as i mbrojtur. Kur këto tre shtylla deformohen njëkohësisht,
rezultati elektoral nuk pasqyron më vullnetin e lirë, por legjitimon peshën e sistemit
mbi individin. Korrupsioni qeveritar i niveleve më të larta shtetërore dhe
krimi i organizuar kanë marrë përmasa të frikshme dhe të paimagjinueshme.
Në
këtë kontekst, mbështetja që qeveria gjen jashtë vendit nuk buron nga një
demokraci funksionale dhe organike, por nga perceptimi i rremë i stabilitetit.
Ndërkombëtarët
shohin një partner që garanton rendin, kontrollin dhe vijimësinë, ndërsa
shoqëria shqiptare përjeton një pushtet që nuk sfidohet dot përmes mjeteve
normale demokratike.
Kjo
qasje krijon një hendek të rrezikshëm, sepse i jep padrejtësisht epërsi
legjitimitetit ndërkombëtar, duke zëvendësuar legjitimitetin popullor.
Problemi
nuk është thjesht se kush i fiton zgjedhjet, por si dhe pse i fiton. Kur
rotacioni bëhet praktikisht i pamundur, demokracia shndërrohet në ritual që
prodhon një ngërç institucional.
Dhe
kur një sistem arrin të riprodhojë veten pavarësisht konsumimit moral dhe
institucional, atëherë kemi të bëjmë jo vetëm me diktatin e një force politike
që i përdor në mënyrë të pandershme të gjitha mjetet represive që i jep
pushteti, por edhe me dobësinë e vetë shtetit.
Shqipëria
nuk ka nevojë të kthehet pas në kohë për të kuptuar rrezikun; mjafton të shohë
se si historia rrezikon të përsëritet nën forma më të sofistikuara.
Dhe shqetësimi më i madh nuk lidhet me jetëgjatësinë e këtij modeli qeverisës, por me çmimin shoqëror dhe koston e rëndë të një demokracie të shtirur, e cila, për sytë e faktorit ndërkombëtar, duket funksionale, ndërsa në thelb mekanizmat demokratikë janë të paralizuar, pa lënë hapësirë për një demokraci reale dhe të shëndetshme.









