Kulturë
Mevlud Buci: Kongresi i Manastirit – dritë e shkronjave që nuk shuhet
E merkure, 03.12.2025, 05:53 PM
KONGRESI I MANASTIRIT – DRITË E SHKRONJAVE QË NUK SHUHET
Shkruar
nga Mevlud Buci, Dibër
117
vjet më parë, atdhetarët dhe dijetarët e flaktë shqiptarë çuan përpara veprën e
Rilindësve tanë, duke vendosur alfabetin përfundimtar të gjuhës shqipe, që çoi
në konsolidimin e mëtejshëm të unitetit kombëtar dhe bashkimit të tij politik
kundër zgjedhës së huaj e synimeve shoviniste të shteteve fqinje. Ky Kongres
është dëshmi e vërtetë e një kulture të re, e cila do të ndihmonte mjaft
çështjen kombëtare përmes zhvillimit të kulturës.
Në
letërkëmbimin me Klubin e Manastirit për thirrjen e Kongresit të Alfabetit,
patriotët shqiptarë shkruanin se “çështja e abc-së është një çështje e madhe
dhe na pengon shumë përparimin kombëtar, se me abenë unike do t’u jepet një
goditje e fortë shkollave dhe intrigave greke në Shqipërinë e Jugut” (ASHF,
Klubi shqiptar “Bashkimi” i Manastirit, D.5, fl.148). “Se alfabeti unik provon
se kombi ynë është bërë një si komb”.
Iniciativa
e Klubit “Bashkimi” u prit me gëzim nga gjithë kombi. Në letrat që i erdhën
këtij Klubi nga shoqëritë shqiptare si ajo e Elbasanit, Janinës, Shkupit,
Shkodrës, Beratit, Starovës, Ohrit, nga kolonitë shqiptare të Kajros,
Aleksandrisë, të Bukureshtit, të Varnës, nga shoqëria “Besa-besë” dhe nga
dhjetëra klube brenda dhe jashtë atdheut, shprehej shpirti atdhetar dhe
gatishmëria për të dërguar përfaqësuesit e tyre në këtë Kongres.
Fan
Noli e Sotir Peci kërkuan që Kongresi të mos merrej vetëm me çështjen e
njësimit të alfabetit, por edhe me çështje të tjera politike që qëndronin para
kombit shqiptar. Dhe me të vërtetë, Kongresi shtroi edhe çështje të tjera të
lidhura me luftën kundër regjimit xhonturk për të drejtat kombëtare të
shqiptarëve.
Vendimi
për thirrjen e Kongresit të Manastirit pati jehonë të madhe në shtypin
evropian. Gazetat franceze, zviceriane e italiane shkruanin se shqiptarët do të
mblidheshin në kongres për qëllime politike, se kishin ndërmend të diskutonin
çështjen e pavarësisë, dhe se problemet e literaturës ishin vetëm pretekst
(Klubi shqiptar “Bashkimi”, D.17, Informacion i konsullit francez në Manastir,
23 tetor 1908).
Kongresi
u hap më 14 nëntor dhe vazhdoi deri më 22 nëntor. Morën pjesë 32 delegatë me të
drejtë vote që përfaqësonin 26 qytete dhe shoqëri të ndryshme shqiptare.
Meqenëse çdo klub ose shoqëri kishte të drejtë të dërgonte në Kongres 2
delegatë, 32 delegatët kishin 52 vota (disa prej tyre kishin nga dy vota).
Përveç këtyre, në Kongres morën pjesë edhe 18 delegatë të tjerë si pjesëmarrës
pa të drejtë vote. Në këtë mënyrë, në Kongres morën pjesë 50 delegatë nga të
gjitha anët e Shqipërisë. Përbërja shoqërore e delegatëve ishte e ndryshme dhe
përfaqësonte përbërjen heterogjene të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, rrymat dhe
tendencat e ndryshme.
Krahas
demokratëve të shquar si Bajo Topulli, Çerçiz Topulli, Mihal Grameno, Luigj
Gurakuqi, Sotir Peci, Shahin Kolonja, Thoma Avrami, morën pjesë edhe figura të
ndritura si: Gjergj Fishta, Mitat Frashëri, Abdyl Ypi, Ndre Mjeda, Taqi Buda,
Nyshet Vrioni, Vehbi Dibra, Sherif Langu, Hoxhë Voka e shumë të tjerë.
Çështja
e alfabetit ishte së pari një çështje politike, sepse mungesa e tij ishte
pengesë për bashkimin e shqiptarëve. Nga diskutimet doli e qartë se alfabeti që
do të vendosej duhej të kishte për bazë alfabetin latin. Mbi bazën e tij ishin
vendosur tri alfabetet e kohës: ai i Stambollit, i shoqërisë “Bashkimi” dhe i
“Agimit” të Shkodrës. Edhe shumica e botimeve në shqip shtypeshin me alfabetin
latin. Një propozim i Hilë Mosit ishte që të bashkoheshin tre alfabetet duke
krijuar një alfabet të ri. Luigj Gurakuqi, delegat i Shkodrës dhe i arbëreshëve
të Italisë, propozoi një alfabet të ri, “në mënyrë që të mos i thyhej zemra
askujt” (gazeta “Liria”, 8.X.1908). Në ditën e tretë u zgjodh komisioni prej 11
vetësh (me vota të fshehta), ku përfshiheshin përfaqësues të tri alfabeteve.
Komisioni
vendosi të mos merrej në shqyrtim asnjëri nga tri alfabetet, por të krijohej
një alfabet i ri mbi bazën e alfabetit latin, duke u dhënë shkronjave latine
vlera fonetike në përputhje me nevojat e gjuhës shqipe.
Pas
debateve, duke vendosur për dy alfabetet që mbështeteshin kryesisht në
alfabetin latin, Kongresi i Manastirit ripohoi edhe një herë vendosmërinë e
shqiptarëve për të mbrojtur individualitetin e tyre kombëtar. Diskutimet,
debatet dhe vendimet e këtij Kongresi pasqyrojnë më së miri vitalitetin e
korifejve të kombit për t’i dhënë shtytje përparimit arsimor e kulturor të
vendit.









