E marte, 02.12.2025, 09:48 PM (GMT)

Mendime

Albert Zholi: Flet Prof. Asoc. Dr. Hasan Hoxha

E marte, 02.12.2025, 06:54 PM


Flet Prof. Asoc. Dr. Hasan Hoxha:

Reforma territorial administrative të jetë ndryshe nga ajo e 2014-s.

Ndërsa, zgjedhorja të mos përsërisë vetveten në çdo 4 vite

Intervistoi: Albert Z. ZHOLI

Reforma zgjedhore dhe ajo territoriale janë janë sot më të përfolurat në ambjentin politik shqiptar,por jo vetëm.Gjërësisht,po komentohen ato edhe në qarqet mediatike nga analistë,një pjesë edhe specialistë të fushave,ose persona gjithësesi të lidhura me to,disa si të punësuar herët të tjerë më vonë,një pjesë edhe në përbërje të grupeve të interesit,pjesa tjetër me vëmendje për zhvillimet e ardhshme në këto dy drejtime.Madje,në studio të ndryshme,në gazeta e portale të caktuara, komentohen në këndvështrime të ndryshme edhe zhvillimet e shkuara,nuk ngurrohet për të dhënë dhe variante të ndryshme,vecanërisht për ndarjen territoriale.Ndërsa,më pak ose aspak deri më tani për statusin e organizimeve në qeverisjen vendore etj.Për një opinion më konkret e më të drejtpërdrejtë,për zhvillimet e shkuara,për gjendjen dhe nevojën e këtyre reformave,kryesisht të asaj territoriale administrative,iu drejtuam me disa pyetje z.Hasan Hoxha,Prof.Asoc.Dr.,njëherësh dhe ishdeputet në Tiranën Rreth.

1.Po flitet shumë për reformën zgjedhore dhe atë territoriale.A mund të komentoni më  shumë rreth tyre?

Po ashtu është.Prej ditësh po përballemi intensivisht me informacione dhe diskutime për dy reforma:reformën zgjedhore dhe atë territoriale,të dyja atribut të organeve ligjvënëse,të dyja sapo kanë nisur nga puna ,ndërsa secila bart rëndësine e saj të vecantë.Potencialisht,të dyja vlersohen shumë,por jo njëlloj nga pesha; të dyja për nga rëndësia gjenden përkrah njera tjetrës,por reforma territoriale patjetër vjen e para; të dyja të lidhura por territorialja,kjo mbetet përcaktuese që kushtëzon reformën zgjedhore;të dyja bartin probleme,për arsyen e qartë sepse nuk janë bërë mirë në paraardhësen e tyre.Me vecorinë,ndërsa reforma e zgjedhjeve,bashkë me kodin përkatës,vazhdon të prodhojë shqetësime nga njera palë zgjedhjesh në tjetrën,reforma territorial,bashkë me atë administrative,sipas meje,është kthyer në një lloj shqetësimi,i cili sa vjen e shtohet,sidomos në dhjetë vitet e fundit,dhe më shumë e më konkretisht në këto 4-5 vitet e fundit.

Në një këndvështrim më të gjerë,në njerën apo tjetrën trajtë,prej këtyre dy reformave Shqipëria ka vuajtur e vazhdon të vuajë.Në këto 35 vite reforma zgjedhore edhe pse ka patur ndryshime permanente,edhe pse kodi zgjedhor që e ka shoqëruar atë është ripunuar në cdo 4 vjet,ajo asnjëherë nuk është futur në hullinë e stabilitetit juridik e institucional.Ndërsa,reforma tjetër,territorialja pra,po ndryshon edhe ajo për të tretën herë.Ndryshimi i parë i  kësaj të dytës u krye në vitin 1992,duke vulosur  kështu jetësimin në më shumë se 20 vite, ndërsa ndryshimi tjetër i ndarjes territorial administrative,ky i tanishmi,po ndodh vetëm dhjetë vite larg nga reforma e  kryer në vitin 2015.Ndonëse,sipas shumë vëzhguesve,përfshirë dhe mua,ndryshimi lipsej të bëhej më shpejt,pa kaluar kaq vite,të paktën jo më shumë se dy mandate zgjedhjesh.

2.Me problematikën e akumuluar në këto dy fusha,me këtë spjegohet aktualisht vëmendja e shtuar e Kuvendit?

Besoj se po.Sepse,këto dy këto fusha realisht barttin probleme,shumica të trashëguara,për arsyen e qartë sepse nuk janë bërë mirë në paraardhësen e tyre.Vetëm se me mirëkuptimin tuaj,do ta anashkaloj qëndrimin ndaj reformës zgjedhore.E para,se sipas meje,ajo është derivat i reformës territorial,dhe së dyti,në këto 35 vite vështirë të gej një rast kur ajo mund të jetë bërë mirë.Ndërsa,arsyen më vete të anashkalimit të reformës zgjedhore,po e justifikoj me idenë se ndoshta mund ti kthehemi trajtimit të saj në një tjetër moment,për ti lënë këtu hapsirën e duhur reformës territoriale...

Dakord.Vazhdojmë me reformën territorial-administrative..

Faleminderit për mirëkuptimin:Atëherë,nënvizojmë se reforma territorial administrative,edhe pse përherë ka patur edhe ajo probleme,në këndvështrimin tim,vitet e fundit ajo është shoqëruar me boshllëqe dhe ka prodhuar edhe disa shqetësime.Sepse,reforma e vitit 2015 nuk u bë e studiuar mirë,nuk u mbështet as në traditën e vendbanimeve,as në përvojën më të qëndrueshme ekonomike dhe sociale të këtyre organizimeve në 100 vitet e shtetit tonë të pavarur.Nuk u konsideruan ndërkohë,me përgjegjshmërinë që duhej as disa rrethana të krijuara nga faktorë të ndryshëm në dy dekadat e para të pluralizmit politik,nuk u llogaritën as disa efekte negative që mund të sillte zbatimi ardhshëm i saj.

I gjithë ky deficit ,me arsyen kryesore të spjegueshme..Sepse,protagonistët e kësaj reforme,PS-ja  dhe PD-ja,apo ndryshe,mazhoranca dhe opozita,luajtën jo mirë,për të mos thënë të kundërtën.Kështu PD-ja dhe opozita parlamentare,për qëllimet e tyre politike,braktisën komisionin përkatës,bashkë me  seancën plenare,ndërsa mazhoranca me fushën bosh,luajti për interesat e saj politike.Bëri një organizim territorial ,që e ktheu po vetë në ligj,sa të cuditshmëm në aspektin territorial,aq dhe të paspjegueshëm,madje dhe absurd në pikëpamjen e vartësisë administrative.Dhe,këtu absurdja nuk është vështirë të dallohet,sidomos kur vështrohen disa kapërcime të cuditshme të hartës që përfaqëson njeri apo tjetri territor.Ndërsa,në kahjen tjetër,atë të organizimit administrativ,për herë të parë,u afishua varianti i Njësisë Administrative,formë organizimi e ndërtuar jashtë vullnetit të zgjedhësve dhe i kontrolluar nga lart...

3.Në këndvështrimin tuaj, mund të thoni disa efekte jo të dëshirueshme që shoqëruan zbatimin e reformës paraardhëse?

Në vitin 2015 mori udhën e implementimit ky ligj( i ndarjes tërritorialo-administrative),sikur ky të ishte thjesht një eksperiment.U veprua mbase me idenë: të provojmë zbatimin e këtij ligji me idenë për product të mirë.Por,rrëshqitja,me disa tregues përmbledhës sinjifikativë,u provua shpejt dhe vazhdon përditshëm të shfaqet.Këtë,më në fund,( duke u ulur rishtas për reformën),e pranoi dhe mazhoranca qeverisëse,protagonisjta e hartimit dhe miratimit të kësaj gjëje.Vecse,duke qëndruar këtu,pyetjes tuaj do ti përgjigjem në dy plane:në planin e përgjithshëm,dhe atë konkret duke sjellë rastin e Bashkisë së Tiranës.

Në planin e përgjithshëm duhet të  themi:ligji që shpalli dhjetë vite më parë reformën teritoriale dhe atë administrative vërtetoi se ishte më pak funksionali se ai i mëparshmi ,qartazi një ligj që jo vetëm nuk mori benefitet e shpresuara,por në disa drejtime bëri hapa mbrapa.Cfar produkti konkret solli reforma territoriale dhe organizimi administrativ i 10 viteve më parë?.Krahasuar,qoftë me reformën e vitit 1992,pushteti lokal rezultoi më pak funksional,për tërësinë e shërbimeve dhe kryerjen e investimeve,e matur kjo fushë me disa tregues të adresuar dhe specifikë në shumë Njësi Administrative të vendit.Kështu,më pak e leverdisshëme rezultoi ajo në anën ekonomike dhe financiare,më pak e pavarur u vërtetua vetëqeverisja lokale,më pak funksionale dhe me rënie të  ndjeshme të demokracisë së drejtëpërdrejtë u shfaq vetë reforma,qoftë edhe për shkak të azhustimit mekanik të drejtimit të Njësive Administrative,që me drejtuesit e emëruar dhe procesin zinxhir,të gjitha këto janë kthyer me ngjyrën e partisë së cilës i përket kryetari i bashkisë.Në këndvështrimin si ky,ajo që shihet qartë është largimi  nga parimet e vetëqeverisjes apo llogaridhënies të të zgjedhurve,kur i zgjedhur nuk gjendet qoftë dhe një person i vetëm,përshembull,as në tre ishkomuna,që të marra së bashku,numrojnë rreth 15-20  mijë banorë

Për të konkretizuar produktin jo efektiv të reformës territoriale të vitit 2015 mendoj se do të mjaftonte një vështrim për Tiranën,ku në të njejtën linjë gjenden dhe  mjaft bashki të tjera të mëdha të vendit..Në Bashkinë e Tiranës,përshembull,e cila ka rreth një million banorë,me qytetin e zmadhuar dhe me 14 Njësi Administrative në përbërje të saj(para vitit 2015 ishin 11 Njësi Bashkiake dhe 14 ish komuna),zgjedhjet vendore zhvillohen vetëm pë të zgjedhur një person,vetëm kryetarin e saj.Ndërsa,dhe një këshill bashkiak me rreth 60 antarë që,në të vërtetë,në të gjitha zgjedhjet rezultojnë  pothuajse pa asnjë lidhje funksionale me Njësitë Administrative.Jo vetëm pse pothuase asnjeri prej këshilltarëve nuk banon në territoret e tyre,por kur gjenden në rolin e të deleguarit prej qendrës së bashkisë,kontaktet e shumë prej tyre  me zgjedhësit mungojnë.

Për të përmbledhur cka është Bashkia e Tiranës,vec qytetit të stërzmadhuar bashkë me territoret rurale,mjafton të themi se hapsira e administrimit të saj nga Vrapi e Shëngjergji,nga thellësitë e ZallBastarit e të ZallHerrit,nga fshatrat fundore të Pezës e të Ndroqit,etj,pra,në të gjithë rastet e ish komunave,mesatarja e largësisë së tyre nga qendra e bashkisë shkon në dhjetra km.Në rrethana të tilla,si dhe me faktorë të tjerë që ndërhyjnë,interesi për punë e shërbime i Kryetarit të zgjedhur përqëndrohet kryesisht brenda qytetit ku është shumica e zgjedhësve,ndërsa për zonat rurale,sidomos për ato të periferisë,investimet nuk kanë vëmendje si më parë,ndërsa shërbimet kanë bërë hapa pas.Kështu,në këtë rrafsh,calon shumë mirëmbajtja e aseteve të ndryshme me të cilët u shërbehet banorëve,ta zemë në rastin e furnizimit me ujë të pijshëm,nuk tregohet në kohë kujdesi për mirëmbajtjen dhe riparimin e rrugëve rurale,janë jashtë vemendjes ruajtja dhe menaxhimi i disa shkollave dhe qendrave shëndetësore,të cilat për shkak të largimit të popullsisë nuk janë në funksion,calon shumë ajo që  cilësohet menaxhimi i hapsirave territoriale sikurse janë pyjet,një pjesë e kullotave natyrale,lumenjtë,shtretërit e përrenjëve etj,.Ndërsa,shfrytëzimi i tokës së punueshme dhe zhvillimi i bujqësisë,për të cilët Kryeministri adresoi  së fundmi,kritikën e drejtë për kryetarët e zgjedhur të bashkive,këto përbëjnë një fushë e cila gjendet përgjithësisht jashtë kujdesit dhe vëmendjes së tyre.

4.Ju cilësuat Njësinë Administrative si një nga arsye të kësaj rrëshqitjeje...

Për situatën e krijuar,në tërësi jo eficiente,ndonëse ka dhe të tjera arsye,por kryesoret,sipas meje, lidhen: me shdërrimin e Njësive Administrative vetëm në zbatuese mekanike të programit të bashkisë prej së cilës kanë vartësinë;me goditjen që mori,me këtë rast,cënimi i parimit të pavarësisë në vetqeverisje i pushtetit lokal;me mungesën e prezencës fizike të titullarit të bashkisë,qoftë dhe vetëm njëherë brenda vitit,në hapësirën aq të gjerë e të largët të fshatrave në skajet e saj;nga zbehja e konkurencës,e cila me reformën paraardhëse buronte nga pushteti i zgjedhur i drejtuesve me ambicje për të përsëritur mandatin;nga humbja totale e kriterit të vlerësimit përmes votës të zgjedhësve,duke sjellë në emrimin e drejtuesve administrativë opinionin dhe subjektivizmin e kryetarit të bashkisë; në mungesën e kritereve dhe subjektivizmin nepotizmin,në disa raste deri në ekstrem, në rekrutimin e punonjësve të administratës vendore apo dhe atyre të shërbimeve;në humbjen e interesit për të bërë analiza ekonomike dhe financiare periodike,që përfshijnë edhe perfomancën e administrimit të Njësisë Admistrative etj.

5.Atëherë,në kushte të tilla keni mendime konkrete për përmirësime?

Edhe prej analizës së mësipërme,natyrshëm evidencohet nevoja për ndryshime ligjore në ndarjen e territorit dhe  formën e administrimit local të tij.Ndoshta,edhe këto parashtrime mund të shërbejnë për të dy palët politike që e përbëjnë komisionin,që të vlerësohet maksimalja e kuotës në cdo aspect të këtij procesi me shumë rëndësi për vendin.Që të vilet gjithcka informative,bazuar në studimet e gatshme apo që mund të iniciohen,që të mund të realizohet një reformë territoriale e plotë,e saktë dhe funksionale,që ti rezistojë sa më gjatë kohës.Për të vënë në hullinë e funksionimit dhe të vetëfunksionimit pushtetin vendor,përmes madhësisë së arsyeshme dhe sa më shpërndarëse në përmasat sasiore të tij,si në territor,ashtu dhe në numrin e popullsisë,në burimet ekonomike e kështu me radhë.Për të përcaktuar,në të njejtën kohë, dhe statusin e saktë e të qëndrueshëm të njësisë bazë të qeverisjes vendore,nga ku merr udhë zhvillimi ekonomik dhe shoqëror,tërheqja  dhe implementimi i investimeve,kryerja  efektive e shërbimeve publike etj.Me synimin e qartë në finale,që përkrah rritjes së perfomancës,të vijohet edhe për lehtësimin e shpenzimeve joproduktive,cka do të  përmirësohej edhe  efektiviteti në përdorimin e mjeteve ekonomike dhe financiare.

Dhe,në vazhdën e këtij arsyetimi,ja vlen që Komisioni të shkëputet nga organizmi i sotëm,vetëm me 61 bashki e asgjë më shumë. Mund dhe të mbahen bashkitë në numrin që janë,mund ato dhe të shtohen edhe me disa të tilla,sic mendojnë njohës të ndryshëm të kësaj fushe.Por,gjithnjë,të shoqëruar me hapin tjetër:anullimin e organizimit  të sotëm me Njësi Administrative e me drejtues të emruar në krye të tyre,për ta kthyer kështu pushtetin lokal në të pavarur dhe me hapsirë më të gjerë vetveprimi.Pse jo,për tu rikthyer te komunat,me drejtues dhe organe të zgjedhura, sigurisht të zmadhuara e shumë më të pakta në numër se para vitit 2015 .Përshembull,14 ish komunat e zonës rurale,që sot i janë bashkëngjitur mekanikisht Bashkisë së  Tiranës,mund të kthehen në  3 apo 4 të tilla.Kësisoj,një variant do të ishte:njera komunë me Njësitë e sotme Administrative Ndroq,Pezë dhe Vaqarr;e dyta,me Baldushkun,Petrelën,Bërzhitën dhe Krrabën; një komunë tjetër funksionale mund të bashkonte Njësitë Administrative Dajt,Shëngjergj dhe ZallBastar.Ndërsa,për zonën urbane të superpopulluar rreth Tiranës,organizimi mund të jetë edhe me ndonjë bashki tjetër më vete,si është vepruar përshembull,me Kamzën e Paskuqanin.

Me të njejtën llogjikë,sigurisht mbështetur në studime serioze dhe shumëplanëshe,mund të veprohej edhe në pjesët e tjera të territorit të vendit.Nga studimi i organizimeve territorial dhe funksioneve administrative në 100 e ca vite të shtetit tonë të pavarur gjej me vend të përsëris mendimi e shprehur nga  z.Agron Haxhimali në emisionin "Opinion"se,më i përshtatshëm në organizimin territorial administrativ me të cilin është familjarizuar prej dhjetra dekadash popullsia e vendit,sidomos ajo e zonave rurale,është ajo me komuna,bashki dhe rrethe.Ndërsa,për Qarqet dhe Prefekturat ka vend për të shmangur mbivendosjen...Për të mbajtur Qarkun me këshillin e zgjedhur,ndërsa Prefektura të identifikohet vetëm me një titullar dhe një numër i kufizuar këshilltarësh.

6.Në fund të këtij bashkëbisedimi cfarë mund të shtoni tjetër?

Do të thoja:jemi në një moment për të vënë mirë pikat mbi "i" në organizimin e ndarjes territoriale dhe në statuset administrative.Më konkretisht:e para,këto dy pjesë të të"njejtit trung që mbajnë emërtimin e rëndësishën "Reformë",të vendosen në brazdën e tyre sa më të drejtë e të qëndrueshme, me jetëgjatësi në funksionalitetin,me hapësirë për zbatimin e parimeve demokratike dhe vetëqeverisjen locale,duke ruajtur,mundësisht,edhe arkivën në statuset identifikuese të krahinave,të zonave,patjetër dhe të tërësisë së  fshatrave.

Dhe,së dyti,që ndarja territoriale,së bashku me statusin organizativ të bazës së pushtetit local),këto të mos ndikohen nga ligji zgjedhor dhe synimet e reformës zgjedhore,me angazhimin:"...Të bëhet më e mira për Shqipërinë dhe jo për interesat e  partive politike".Ndaj,e thashë qysh në fillim,po e theksoj përsëri që më sëpari,të përcaktohet produkti i reformës territorial,pastaj të konkludohet me reformën e zgjedhjeve,gjithnjë në kuptimin e zonave zgjedhore.Të cilat,herëpashere,thjesht me llogari arithmetike të proceseve zgjedhore,kanë deformuar mekanikisht pjesë të ndarjes së territorit  të vendit.Dhe,për hir të së vërtetës,12 qarqet e derisotme me numër të ndryshëm të bashkive brenda tyre,haptas kanë dëshmuar për pabarazi në peshën e votës dhe përkthimin e saj në mandate .Nëse,para kësaj gjëje "përsëri ndjehemi të detyruar",sic po shohim,do të ishte shumë më mirë të  ndryshojë sistemi zgjedhor,për të kaluar ai në mos mazhoritar me korrektim,në sistemin proporcional kombëtar.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx