E enjte, 27.11.2025, 10:19 PM (GMT)

Faleminderit

Hysen Ibrahimi: Gani Azemi - Nga historia te angazhimi për pavarësinë

E enjte, 27.11.2025, 06:52 PM


Prirje e natyrshme e Gani Azemit ndaj historisë, shërbeu si themel i angazhimit të mëvonshëm politik dhe shoqëror për pavarësinë e Republikës së Kosovës

Nga Hysen Ibrahimi

Në lagjen Dragodan të Komunës së Prishtinës, më 25 nëntor 2025, u zhvilluan homazhe me rastin e 13-vjetorit të ndarjes nga jeta të diplomatit Gani Azemi. Në emër të delegacionit pjesëmarrës, z. Hysen Ibrahimi vendosi lule të freskëta mbi varrin e tij dhe propozoi që të nderohej kujtimi i Azemit me një minutë heshtje. Pas këtij momenti përkujtimor, z. Ibrahimi mbajti një fjalë rasti kushtuar jetës dhe veprës së diplomatit të ndjerë.

Në fjalimin e tij, z. Ibrahimi theksoi se Gani Azemi, me prejardhje nga fshati Babush, Komuna e Lipjanit, ka qenë dhe mbetet një figurë me rëndësi të veçantë historike dhe shoqërore për popullin shqiptar. Ai vuri në dukje se dëftesat shkollore të Azemit, veçanërisht rezultatet e larta në lëndën e historisë, dëshmojnë për një formim të hershëm të orientuar drejt dijes historike dhe idealeve kombëtare.

Sipas z. Ibrahimit, kjo prirje e natyrshme e Gani Azemit ndaj historisë shërbeu si themel i angazhimit të mëvonshëm politik dhe shoqëror për pavarësinë e Republikës së Kosovës. Ai u shqua si njohës i thelluar i historiografisë shqiptare, të cilën e prezantoi me kompetencë në takimet me deputetë të Bashkimit Evropian. Në këto diskutime, Azemi argumentoi origjinën pellazgo–ilire të shqiptarëve dhe vuri në pah kontributin historik të figurave madhore si Gjergj Kastrioti–Skënderbeu dhe Shën Nëna Terezë, të cilët kanë luajtur rol të rëndësishëm në historinë evropiane e botërore.

Gani Azemi u dallua gjithashtu për stilin e tij komunikues dhe aftësinë për të debat­uar me përfaqësues të huaj. Ai zotëronte një bagazh të gjerë njohurish, ishte i lexuar, i informuar dhe shquhej për qasjen e tij të afërt dhe respektuese ndaj bashkëbiseduesve. Një takim me të shpesh mjaftonte për të krijuar një miqësi të qëndrueshme.

Me argumentime të strukturuara dhe të mbështetura mirë, Azemi kontribuoi në ekspozimin e politikave hegjemoniste dhe fashiste të Serbisë, duke forcuar pozitën dhe të drejtat e shqiptarëve në arenën ndërkombëtare, sidomos në institucionet e Bashkimit Evropian në Bruksel. Atje, ai ishte aktiv në diplomaci, lobim ndërkombëtar dhe komunikim me median, duke përfaqësuar çështjen kosovare në instanca evropiane. Në vitet e fundit të jetës së tij, shërbeu si këshilltar në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Bruksel.

Gani Azemi lindi më 30 korrik 1951 dhe u nda nga jeta më 25 nëntor 2012. "I përjetshëm qoftë kujtimi për Gani Azemin dhe veprën e tij", përfundoi fjalën e tij z. Hysen Ibrahimi.

Hysen Ibrahimi, Prishtinë, 25.11.2025



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx