E hene, 17.11.2025, 03:53 AM (GMT)

Editorial » Shkreli

Frank Shkreli: Shtëpia e Bardhë ka shpallur “Javën e Antikomunizmit”

E diele, 16.11.2025, 06:59 PM


SHTËPIA E BARDHË KA SHPALLUR “JAVËN E ANTI-KOMUNIZMIT”

“Zëra të rinj po përsërisin tani gënjeshtrat e vjetra”

Nga Frank Shkreli

Më 7 Nëntor, 2025, Presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump ka shpallur, zyrtarisht, javën 2-8 Nëntor 2025, si Java e Anti-Komunizmit. Anti-Communism Week, 2025 – The White House. Deklarata e Presidentit Trump ka për qëllim të kujtojë viktimat e regjimeve komuniste dhe të ritheksojë kundërshtimin e vazhdueshëm të Amerikës ndaj komunizmit.
Në deklaratën e lëshuar javën  që kaloi nga Shtëpia e Bardhë, në lidhje me këtë njoftim, Presidenti i Shteteve të Bashkuara Trump e përshkruan komunizmin si “një nga ideologjitë më shkatërruese në histori”. Një ideologji që ka shkaktuar vdekjen e “më shumë se 100 milion jetëve” nga regjimet komuniste të shekullit të kaluar. Shefi i Shtëpisë së Bardhë e sheh Javën e Anti-komunizmit në Amerikë edhe si një nderim e kujtim të viktimave të regjimeve komuniste në të kaluarën, por, njëkohsisht, edhe si një paralajmërim kundër lëvizjeve politike majtiste bashkëkohore të ditëve të sotëme, duke thënë se zëra të rinjë “po përsërisin gënjeshtrat e vjetra”. Duke i paraqitur idetë e tyre me gjuhën e gjoja ‘drejtësisë sociale’ dhe të ashtuquajturit “socializëm demokratik.”  Në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë e cila përcakton Javën e Anti-Kounizmitt në Amerikë, kritikohet ashpër “doktrina e keqe” e komunizmit, ndërsa u bëhet thirrje amerikanëve të mbrojnë “lirinë dhe vlerat njerëzore”, përballë kërcënimeve aktuale në botë.
Në deklaratën e tij, Presidenti Donald J. Trump përshkroi komunizmin si një ideologji shkatërruese, përgjegjëse për vuajtje të mëdha, anë e mbanë botës. Ai tha se, "Anë e mbanë kontinentëve dhe brezave të kaluar të njerzimit, komunizmi ka sjellë shkatërrim mbi kombe dhe jetë njerëzish. Më shumë se 100 milion njerëz janë vrarë nga regjime komuniste që synonin të zhduknin besimet fetare, të shtypnin lirinë dhe të shkatërronin begatinë e fituar me punë të rëndë, duke shkelur, njëkohsisht dhe brutalisht të drejtat dhe dinjitetin njerzor dhuratë nga Zoti kundërshtarëve politikë të komunizmit dhe gjithë njerzve.

“Ndërsa nderojmë kujtimin e viktimave të komunizmit, ne ritheksojmë premtimin tonë kombëtar për të qëndruar të palëkundur kundër komunizmit, për të mbrojtur kauzën e lirisë dhe vlerat njerëzore dhe për të afirmuar edhe një herë se asnjë sistem qeverisjeje nuk mund të zëvendësojë kurrë vullnetin dhe ndërgjegjen e një populli të lirë", thuhet në deklaratën e Presidentit Trump me rastin e njoftimit të shpalljes së Javës së Anti-komunizmit në Shtetet e Bashkuara.
Në deklaratë theksohet gjithashtu se për më shumë se një shekull, komunizmi ka sjellë vështirësi dhe vuajtje të mëdha kudo që është përhapur ajo ideologji, anë e mbanë botës. Presidenti Trump shtoi se: “Për më shumë se një shekull, komunizmi nuk ka sjellë gjë tjetër përveç rrënimit të njerëzimit. Kudo që përhapet, regjimet komuniste zhdukin kundërshtarët, ndëshkohen bindjet e kundërta dhe kërkon që njerzit të gjunjëzohen para pushtetit të gjithfuqishëm të shtetit, në vend që të mbrojnë lirinë dhe të drejtat njerzore. Historia e komunizmit është shkruar me gjak dhe dhimbje, një kujtesë e zymtë kjo se komunizmi nuk është gjë tjetër veçse një fjalë tjetër sinonime me skllavërinë”, shprehet Presidenti Trump në deklaratën e tij.

“Amerika e refuzon këtë doktrinë të keqe”, nënvijoi Presidenti Trump.

“Ne mbetemi një Komb i themeluar mbi të vërtetën e përjetshme që liria dhe mundësia janë të drejta që nga lindja për çdo person, dhe asnjë ideologji, qoftë e huaj apo vendase, nuk mund t'i shuaj ato."

Njoftohet se i pjesë e festimeve të Javës Anti-Komuniste në 2025—34 vjet pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, Shtetet e Bashkuara do të përqendrohen në nderimin e viktimave të regjimeve shtypëse, ndërsa do të angazhohen për mbrojtjen e lirisë individuale. Duke përfunduar deklaratën e tij me atë rast, Presidenti Trump u shpreh se ndërkohë që shpallim Javën Anti-Komuniste në Shtetet e Bashskuara, ne qëndrojmë të bashkuar në mbrojtje të vlerave që na dallojnë si një popull i lirë. “Ne nderojmë viktimat e regjimeve diktatoriale shtypse duke mbajtur të gjallë kauzën e tyre për të cilën ata dhanë jetën duke siguruar që komunizmi dhe çdo sistem që mohon të drejtat për jetën, lirinë dhe ndjekjen e lumturisë, më në fund të gjejnë vendin që meritojnë, njëherë e përgjithmonë në koshin e plehrave të historisë", ka deklaruar Presidenti Trump nga Shtëpia e Bardhë duke njoftuar Javën e Anti-komunizmit në Amerikë.

Për mua dhe veteranë të tjerë të luftës së ftohët shekullin e kaluar, shpallja e Javës Anti-Komuniste në Amerikë nga Presidenti Trump javën që kaloi ishte një dejavu, duke na kujtuar “Javën e Shteteve të Robëruara” (The Captive Nations Week), përcaktuar si e tillë me një rezolutë të Kongresit dhe nënshkruar nga Presidenti Eisenhower në vitin 1953, me qëllim për të treguar solidaritetin e Amerikës me vendet e robëruara nga komunizmi, në kulmin e luftës së ftohtë. Sa i përket shpalljes së Javës së Anti-Komunizmit nga Presidenti Trump javën që kaloi, disa media reaguan duke shkruar se ky vendim nga Shtëpia e Bardhë në këtë kohë, nuk duket të jetë, thjesht, nji vendim simbolik, por një përpjekje e qëllimt si pjesë e një diskursi më të gjerë politik në Amerikë, përball dukurive të të ashtuquajturit “socializëm demokratik”, një qëndrim i fortë i administratës Trump ndaj ideologjive politike të majta, si një kërcënim i vazhdueshëm ndaj lirisë nga regjimet autoritare.

Në fund, mbetet për tu parë, por sipas disa vërejtësve, shpallja nga Presidenti Trump i Javës së Anti-Komunizmit, javën e kaluar, mund të ketë, eventualisht edhe ndërlikime në politikën e jashtme dhe ndërkombëtare, duke marrë parasysh se në Deklaratën e Shpalljes së Javës Anti-Komuniste në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga Presidenti Trump, u referohet regjimeve dhe viktimave të shtypjes komuniste. Veçanërisht kur është fjala për shtetet me histori dhe regjime komuniste të shekullit të kaluar, siç është Shqipëria, një vend që si asnjë tjetër shtet ish-komunist në Evropë --35-vjet pas shembjes së Murit të Berlinit -- refuzon të përballet, zyrtarisht, me të kaluarën e saj kriminale komuniste,

Është absolutisht e pakuptueshme dhe e papranueshme që jo vetëm në Shqipëri por edhe në Kosovë ende vazhdon të mbizotërojë ajo frymë skllavëruese sllavo komuniste që vrau e preu kundërshtarët e saj për pothuaj një gjysëm shekulli. Ndërsa bota e qytetëruar kujton viktimat dhe dënon krimet e komunizmit në botë me qëllim që të mos përsëriten më – klasa politike shqiptare vazhdon të hesht për krimet e komunizmit në trojet shqiptare. Me këtë heshtje zyrtare dhe me refuzimin e saj për t’u distancuar njëherë e mirë nga e kaluara komuniste dhe refuzimi për të dënuar krimet e komunizmit dhe për të kujtuar viktimat e regjimit komunist, ashtu siç ndodh në Washington, Londër e vende të tjera, përfshir ato ish-komuniste të Evropës -- politika zyrtare në Tiranë por dhe në Prishtinë mbetet e lidhur, nostalgjikisht, dhe besnike e palëkundur e trashëgimisë së komunizmit sllavo-aziatik anë e mbanë trojeve shqiptare – një majtizëm fanatik politik, të cilit tanimë jo vetëm që i ka dalur boja si ide politike, por po e mbyt Kombin shqiptar!

Kujdes shqiptarë!

Anti-Communism Week, 2025 – The White House



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx