Speciale » Basha
Sabile Basha: Lëvizja ilegale patriotike shqiptare në Kosovë, 1945–1990 (8)
E hene, 10.11.2025, 07:00 PM
JATAKËT DHE BUNKERËT E LIRISË
KUSH ISHTE HASAN
ALIA-REMNIKU (8)
Nga
Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Kështu,
organizata e NDSH-së në Remnik u shndërrua në një shembull të gjallë se si
idealet e lirisë mund të gjenin rrënjë të thella në popull, duke u mbështetur
në një kombinim të disiplinës së hekurt, kontributit të përbashkët dhe
përkrahjes së gjerë popullore. Ky model e bëri atë një qendër të gjallë të
rezistencës, e cila mbeti në kujtesën historike si dëshmi e qëndresës së
pathyeshme shqiptare.
Në
kontekstin e kushteve jashtëzakonisht të vështira dhe të rrezikshme të
veprimtarisë ilegale, një nga aspektet që dëshmon nivelin e disiplinës dhe
përkushtimit të anëtarëve të NDSH-së ishte mënyra e pagesës së anëtarësisë.
Këto të holla, sado modeste, ishin jetike për funksionimin e organizatës, por
mënyra e dorëzimit të tyre nuk ishte aspak e thjeshtë. Për arsye sigurie,
anëtarët nuk guxonin t’ia dorëzonin personalisht arkëtarit shumën që i takonte
secilit, sepse çdo kontakt i drejtpërdrejtë rrezikonte të binte në gjurmët e
organeve të ndjekjes.
Për
këtë arsye, ata kishin krijuar një metodë alternative, të mbushur me kujdes dhe
konspiracion. Më herët, në takime të fshehta, anëtarët vendosnin për një vend
të sigurt, zakonisht në ndonjë shteg të fshehur mali apo në ndonjë skutë të
mbuluar, larg syve të të tjerëve. Aty, në ditën dhe orën e caktuar, secili prej
tyre linte kontributin e vet, ndërsa simpatizantët, të cilët gjithashtu
ndihmonin organizatën, vepronin në të njëjtën mënyrë. Ky akt, i thjeshtë në
dukje, në të vërtetë ishte një manifestim i lartë i besës dhe i disiplinës. Secili
dinte detyrën e vet dhe e përmbushte pa kërkuar lavdi apo njohje.
Më
pas, në një ditë të paracaktuar, arkëtari i organizatës shkonte në vendin e
fshehtë dhe mblidhte paratë. Këto mjete financiare shërbenin për nevojat e
ndryshme të lëvizjes, për blerjen e armatimit dhe furnizimeve, për përhapjen e
materialeve propagandistike, për ndihmën e familjeve të ndjekura apo për
mbështetjen e të arratisurve. Çdo monedhë e lënë fshehur në mal përfaqësonte jo
vetëm një kontribut material, por një akt të vetëdijshëm sakrifice, një dëshmi
se kauza e lirisë kishte zënë rrënjë të thella në ndërgjegjen e njerëzve.
Kjo
mënyrë e fshehtë e pagesës së anëtarësisë, edhe pse bartte me vete shumë
rreziqe, ishte një tregues i qartë i nivelit të organizimit dhe i vendosmërisë
së NDSH-së. Ajo shpalos edhe një dimension tjetër të rezistencës se përveç
pushkës, fjalës dhe besës, lëvizja ilegale mbështetej mbi sakrifica të vogla e
të përditshme, të cilat të bashkuara bëheshin shtylla të një ideali të madh.
Në
vitin 1950, Kosova u përfshi nga një fushatë e re politike dhe shoqërore-
aksioni për heqjen e ferexhesë. Kjo ndërhyrje, që synonte të ndryshonte me
dhunë mënyrën e jetesës dhe traditën shekullore të grave shqiptare, u prit me
kundërshtime të forta nga një pjesë e popullsisë. Ndër zërat më të ashpër
kundër ishte Arif Syla, i cili nuk ngurroi të shfaqte hapur pakënaqësinë dhe
kundërshtimin e tij. Sjellja e tij, duke qenë i angazhuar në pozita zyrtare dhe
njëkohësisht i lidhur ngushtë me lëvizjen ilegale, konsiderohej e patolerueshme
nga organet e pushtetit.
Për
këtë arsye, Arif Syla u arrestua dhe iu nënshtrua hetimeve të ashpra. Hetuesit
dyshonin se ai po fshihte diçka më të madhe se sa qëndrimin e tij kundërshtues
ndaj aksionit. Në disa momente, përmes frazave të thëna tërthorazi ose të
shpëtuara pa dashje, u kuptua se Arifi kishte lidhje me Hasan Remnikun dhe se
ishte pjesë e një organizate ilegale. Ky zbulim e ktheu atë në një objekt vëzhgimi
të përhershëm. Megjithatë, organet e sigurimit vepruan me dinakëri, në vend që
ta mbanin gjatë në burg, ata vendosën ta lironin, duke krijuar përshtypjen se
ishte i lirë, por në fakt e ndoqën në çdo hap. Për të shmangur dyshimet, atij
madje i dhanë edhe një detyrë të re si referent për arsim në fshatin Remnik,
duke e përdorur si mënyrë për ta kontrolluar më lehtë.
Pas
një periudhe, kur u duk se gjurmët e ndjekjes dhe hetimeve po zbeheshin,
anëtarët e komitetit të NDSH-së në Remnik arritën të takoheshin sërish. Në këto
mbledhje, përveç diskutimeve të zakonshme, doli edhe një propozim, të
likuidoheshin dy policët që kishin torturuar Arif Sylën gjatë qëndrimit të tij
në burg. Ky propozim buronte nga një ndjenjë e fortë hakmarrjeje dhe nga
dëshira për t’i dhënë një mesazh pushtetit se krimet nuk do të mbeteshin pa
përgjigje. Megjithatë, pas një debati të gjatë mes anëtarëve, vendimi
përfundimtar ishte të mos ndërmerrej një aksion i tillë në atë moment. Ata
arsyetuan se rrethanat nuk ishin të favorshme dhe se një veprim i tillë do të
rrezikonte jo vetëm strukturën e vogël të komitetit, por edhe gjithë rrjetin e
rezistencës.
Ky
episod nxjerr në pah dy elementë të rëndësishëm të veprimtarisë ilegale
shqiptare në vitet e pasluftës. Së pari, ajo tregon se përballja me pushtetin
nuk ishte vetëm ideologjike e politike, por edhe e ngarkuar me emocione të
forta, ku edhe hakmarrja shihej si mjete i mundshem. Së dyti, dëshmon se
pjekuria strategjike e lëvizjes ilegale shpesh arrinte të frenonte impulsin e
menjëhershëm, duke e vendosur interesin e përbashkët dhe mbijetesën e
organizatës përpara ndjenjave individuale.
Në
vitin 1948, në kulmin e krizës së thellë politike mes Shqipërisë dhe
ish-Jugosllavisë, gjatë periudhës së ashpër të njohur si koha e Informbyrosë,
marrëdhëniet midis dy vendeve kishin arritur në një pikë vlimi që rrezikonte jo
vetëm balancat rajonale, por edhe jetën e individëve që vepronin në hapësirat
kufitare. Kosova, si gjithnjë, u shndërrua në arenë të këtyre tensioneve, duke
u bërë vendkalim për shumë persona që për pushtetin jugosllav konsideroheshin
të dyshimtë, veçanërisht për ata që hynin nga Shqipëria.
Në
këtë kontekst të trazuar politik, një ngjarje e veçantë pasqyron mënyrën se si
këto tensione ndikonin drejtpërdrejt në terren, kalimi i oficerit të Shërbimit
Informativ të Shqipërisë, Skënder Kosova. Ai, si drejtues i një tresheje
operative, kishte kaluar kufirin dhe kishte hyrë në Kosovë me një mision që
mbetet ende i vështirë për t’u ndriçuar plotësisht, por që pa dyshim lidhej me
rrethanat e acaruara politike dhe me interesat e sigurisë së Shqipërisë së asaj
kohe.
Megjithatë,
prania e tij nuk i shpëtoi syrit të organeve të sigurimit jugosllav, të cilat
në atë periudhë kishin ngritur një mekanizëm të hekurt kontrolli dhe ndjekjeje
ndaj çdo lëvizjeje që dyshohej si e lidhur me Tiranën. Për pushtetin e
Beogradit, hyrja e Skënder Kosovës në territorin e Kosovës ishte një akt i
patolerueshëm, që shihej si provokim dhe si kërcënim i drejtpërdrejtë për
stabilitetin e tyre politik.
Për
pasojë, organet e sigurimit jugosllav vepruan me shpejtësi dhe ashpërsi.
Skënder Kosova u kap dhe u likuidua, duke e shënuar këtë akt si një fitore të
aparatit represiv, por në të vërtetë si një dëshmi të errët të kohës, ku jetët
e individëve flijoheshin në altarin e përplasjes së ideologjive dhe interesave
shtetërore.
Ky
rast flet shumë mbi klimën e dyshimit, dhunës dhe konfrontimit që
karakterizonte Kosovën në fund të viteve ’48. Çdo njeri që vinte nga Shqipëria,
pavarësisht qëllimit, shihej nga pushteti jugosllav jo si qytetar, por si
agjent i mundshëm. Në këtë mënyrë, fati i Skënder Kosovës përfaqëson jo vetëm
një episod individual tragjik, por edhe simbolikën e një kohe ku kufiri
shqiptaro-jugosllav nuk ishte thjesht vijë ndarjeje gjeografike, por një vijë
zjarri, ku përplaseshin vizionet politike dhe jetët njerëzore.
Vrasja
e Skënder Kosovës nga organet jugosllave nuk mbeti pa jehonë dhe pa pasoja në
radhët e lëvizjes ilegale shqiptare. Shërbimi Informativ i Shqipërisë, i cili e
konsideronte këtë akt një goditje të rëndë, reagoi menjëherë. Përmes një letre
të dërguar në adresë të Mustafë Kokës, u kërkua në mënyrë urgjente që të
ndërmerrej hakmarrja dhe të likuidoheshin dy nga oficerët më të rrezikshëm të
UDB-së në Kosovë, të cilët konsideroheshin si përgjegjës për represionin e egër
ndaj popullsisë shqiptare dhe për një varg krimesh të kryera ndaj saj.
Në
këtë kuadër, komiteti i NDSH-së identifikoi si objektivë kryesore për eliminim
dy emra konkretë: oficerin Xhafer Lila dhe Vojisllav Taliqin – i njohur ndryshe
si Voja. Të dy, për shkak të rolit të tyre në aparatin represiv, përbënin
rrezik të madh për lëvizjen dhe për vetë popullin shqiptar. Vendimi për t’i
vrarë nuk ishte i rastësishëm, por i menduar si një veprim strategjik, për të
treguar se terrori shtetëror nuk mund të mbetej pa përgjigje dhe se gjaku i
atdhetarëve nuk do të harrohej.
Detyra
për likuidimin e tyre iu besua Mustafë Kokës, njërit prej figurave më të
vendosura të komitetit të Remnikut, i njohur për guximin dhe disiplinën e tij.
Në mesnatën mes 5 dhe 6 qershorit 1951, ai e kreu me sukses misionin e
ngarkuar, duke realizuar një akt që për komitetin e NDSH-së u konsiderua si
hakmarrje e drejtë dhe si një mesazh i qartë se rezistenca ilegale nuk
dorëzohej para dhunës.
Ky
episod dëshmon për mënyrën se si lëvizja ilegale shqiptare, në kushtet e
represionit brutal, funksiononte si një organizatë e rreptë e disiplinuar, ku
çdo vendim merrej me përgjegjësi kolektive, ndërsa veprimet ekzekutoheshin me
përkushtim individual. Vrasja e dy oficerëve të UDB-së nuk ishte thjesht një
akt hakmarrjeje, por një shenjë e qartë se shqiptarët kishin vendosur të
kundërviheshin edhe me çmimin e jetës së tyre.
Në
këtë mënyrë, 5/6 qershori i vitit 1951 mbeti i shënuar si një datë e
rëndësishme në historinë e rezistencës ilegale shqiptare në Anamoravë – një
dëshmi se në përballjen me pushtetin jugosllav, guximi i individëve dhe besa e
dhënë shndërroheshin në armë të fuqishme të qëndresës kolektive.
Pas
eliminimit të dy oficerëve të UDB-së, reagimi i aparatit jugosllav të ndjekjes
qe i menjëhershëm dhe i ashpër. Për pushtetin, ky akt nuk ishte vetëm një
goditje kundër strukturës së tij represive, por edhe një sfidë e hapur që duhej
shuar me çdo kusht. Si rrjedhojë, organet e sigurimit e shtuan në mënyrë
drastike presionin dhe përndjekjen ndaj grupit të Hasan Ali-Remnikut dhe
bashkëluftëtarëve të tij.
Fshatarët
e Anamoravës, të pafajshëm por të ekspozuar ndaj dhunës së pushtetit, u bënë
objekt i torturave dhe i presioneve të pamëshirshme. Me forcë e me kërcënime,
ata detyroheshin të rrëfenin çdo të dhënë që mund të kishte lidhje me
vendndodhjen e grupit ilegal. Për pushtetin, fshati ishte ura e jetës së
rezistencës, dhe duke e goditur popullin e thjeshtë, synohej të shkëputej çdo
hallkë e mbështetjes së tyre. Kjo gjendje krijoi një klimë frike, por
njëkohësisht e forcoi edhe më shumë urrejtjen e shqiptarëve ndaj pushtuesit.
Në
terren, forcat e ndjekjes intensifikuan veprimet. Njësi të shumta ushtarake dhe
policore u shpërndanë në Anamoravë, duke kontrolluar rrugët, duke ngritur
postblloqe dhe duke organizuar prita të përhershme. Malet dhe shtigjet e
Anamoravës, dikur strehë e sigurt për ilegalët, tani u mbuluan nga një rrjet i
gjerë ndjekjeje, që synonte të izolonte e të shkatërronte çdo gjurmë të
lëvizjes. Çdo hap i Hasan Alis dhe grupit të tij përballej me rrezikun e
kapjes, çdo natë në mal ishte një sfidë për të mbijetuar.
Ky
intensifikim i përndjekjes dëshmonte njëherazi dy gjëra: fuqinë e aparatit
shtetëror për të mobilizuar forca të mëdha dhe, nga ana tjetër, frikën që
pushteti kishte ndaj një grushti burrash që vepronin me besë dhe me ideal.
Fakti që Jugosllavia vinte në lëvizje trupa të tëra për të ndjekur disa ilegalë
tregonte se rezistenca, megjithëse e vogël në numër, përbënte një rrezik të
madh për autoritetin e saj politik dhe moral në Kosovë.
Kush ishte Hasan Alia-Remniku
Familja
e Hasan Alisë, njëra ndër ato familje që do të lidhej pazgjidhshmërisht me
historinë e rezistencës shqiptare, kishte ardhur në fshatin Remnik rreth vitit
1913. Në atë kohë, sipas të dhënave, Hasani ishte vetëm një fëmijë trevjeçar. I
lindur më 1910, në një familje fshatare mesatarisht të kamur, ai do të rritej
në një mjedis ku punës, ndershmërisë dhe besës u jepej një vlerë e madhe.
Vendosja e familjes në fshatin e ri nuk u shoqërua me vështirësi të mëdha,
sepse vendasit i pritën ngrohtësisht dhe shumë shpejt ata krijuan miqësi të
qëndrueshme. Me sjelljen e tyre të fisme dhe të ndershme, familja e Hasan Alisë
u bë pjesë e pandarë e jetës së fshatit, duke ndarë së bashku me banorët e
tjerë si gëzimet ashtu edhe hidhërimet.
Me
kalimin e kohës, lidhja e tyre me fshatin u bë aq e fortë sa që mbiemri i
familjes filloi të lidhej drejtpërdrejt me vendbanimin. Kështu, Hasani dhe
familja e tij u identifikuan gjithnjë e më shumë si “Remnikët”, mbiemër që do
të mbetej i ngulitur edhe në dokumentet e shumta të UDB-së, ku Hasani shënohej
si Hasan Remniku. Ky ndryshim i thjeshtë formal fshihte në vetvete edhe një
simbolikë të fortë: lidhjen e pandashme të tij me vendin ku jetoi dhe u
formësua si personalitet.
Hasani
trashëgoi virtyte të çmuara nga të dy prindërit. Nga babai i tij, Ali Ramë
Çollaku, ai mori guximin, trimërinë dhe vendosmërinë – tipare që do ta
shoqëronin gjatë gjithë jetës dhe do ta shndërronin në figurë të respektuar në
lëvizjen ilegale shqiptare. Nga nëna e tij, Zela, ai trashëgoi ndjeshmërinë,
butësinë dhe dashurinë për të varfrit e skamnorët, duke e bërë jo vetëm një
burrë të vendosur në luftë, por edhe një shpirt të ndjeshëm e të mëshirshëm në
jetën e përditshme.
Kështu,
që nga fëmijëria e hershme, në personalitetin e Hasan Remnikut u ngulitën dy
shtylla themelore: forca dhe guximi i trashëguar nga babai, të ndërthurura me
dhembshurinë dhe humanizmin e trashëguar nga nëna. Pikërisht kjo ndërthurje e
virtyteve do ta bënte atë më vonë një figurë të kompletuar të rezistencës
kombëtare – një burrë që dinte të luftonte me pushkë në dorë, por edhe të
ngushëllonte e të ndihmonte popullin e vet.
Në
dosjet zyrtare të UDB-së, Hasan Remniku shënohej thjesht si “një fshatar me
gjendje të mesme ekonomike, banor i Ribnikut të komunës së Cërnicës”. Ky
përshkrim i thatë burokratik e reduktonte figurën e tij në një kategori sociale
të zakonshme, duke fshehur pas saj gjithë dimensionin e tij moral e atdhetar.
Mirëpo, gjatë hulumtimeve historike dhe dëshmive që kanë mbijetuar, paraqitet
një portret krejt tjetër i këtij burri: një lloj “Robin Hudi” shqiptar, i cili,
me ndjenjën e tij të fortë të drejtësisë, nuk mund ta pranonte kurrë kontrastin
e hidhur mes bollëkut të pushtetit dhe mjerimit të popullit të vet.
Kur
shihte depot e pushtetit të mbushura me mallra, ushqime dhe veshmbathje,
ndërkohë që shqiptarët e varfër nuk kishin as një kafshatë bukë për fëmijët apo
një palë opinga për të përballuar dimrin, zemra e tij nuk e lejonte të
qëndronte duarkryq. Për të, kjo nuk ishte vetëm një çështje ndjenje, por një
detyrim moral. Ai e konsideronte padrejtësi të madhe faktin që pasuritë e
vendit grumbulloheshin nga pushteti, ndërsa populli që i takonte asaj toke
përjetonte skamjen. Në këtë kuptim, marrja e mallrave nga depot shtetërore dhe
shpërndarja e tyre në mesin e shqiptarëve të varfër nuk shihej si një akt i
thjeshtë rebelimi, por si një korrigjim i një padrejtësie të madhe.
Ky
veprim e afron Hasan Remnikun me figurën e heroit popullor që nuk lufton për
vete, por për të tjerët. Ai nuk ishte hajdut për përfitim personal,
përkundrazi, ai ishte një shpërndarës i drejtësisë sociale në rrethana ku
shteti nuk ofronte asgjë tjetër veç dhunës dhe shtypjes. Veprimet e tij i dhanë
atij respektin e njerëzve të thjeshtë, të cilët e panë si mbrojtës dhe si njeri
që vinte interesin e tyre mbi të vetin.
Po
aq e fortë ishte edhe urrejtja e tij ndaj padrejtësive që buronin nga fqinjësia
e përditshme. Sidomos kur komshinjtë e tij serbë ushtronin dhunë dhe arrogancë
mbi shqiptarët, Hasan Remniku nuk qëndronte i heshtur. Ai nuk e duronte dot
poshtërimin, dhe kjo ndjeshmëri e kthente atë në figurë të pathyeshme të
rezistencës lokale, që mbante gjallë krenarinë e një populli të tërë.
Kështu,
përtej emërtimit të ftohtë në dosjet e sigurimit, Hasan Remniku shfaqet në
kujtesën historike si një figurë simbolike – një burrë që mishëroi guximin,
ndjeshmërinë dhe drejtësinë popullore, duke u shndërruar në mbrojtës të të
varfërve dhe në një kundërshtar të vendosur të pushtetit dhe padrejtësisë.
Hasan
Ali-Remniku, përveçse një figurë e spikatur e rezistencës ilegale, ishte edhe
një burrë familjar. Ai ishte martuar me Naziren nga Lubishta dhe në jetën e
tyre martesore lindën tre fëmijë: Nazirja, Nurija dhe Aliu (1942). Pavarësisht
rrethanave të vështira dhe përplasjeve të shumta politike, ai përpiqej të
ruante jetën e tij si prind dhe bashkëshort, duke mbajtur lidhjen e pandarë me
familjen e tij, e cila do të bëhej më vonë pjesë e sakrificës së tij të madhe.
Gjatë
periudhës së okupimit, Hasan Aliu kishte punuar si polic në komunën e
Parteshit, por ky rol nuk e lidhi kurrë me pushtetin; përkundrazi, pas mbarimit
të luftës, ai u shndërrua në një ndër figurat më të njohura të Anamoravës që
vepronte në fshehtësi për të mirën e kombit të vet. Përkushtimi i tij e çoi në
një jetë të mbushur me lëvizje të përhershme, duke ndërruar shpesh strehimet,
duke ndërruar jatakët, dhe duke gjetur vende të reja për t’u fshehur – herë në
terrene të thyer malore, herë në shpella të fshehta, ku jeta e tij varej nga
një fije peri.
Ai
ishte plotësisht i vetëdijshëm se aparati represiv i UDB-së ishte vënë pas tij
me çdo mjet. Nga informatorët e tij, ai kishte mësuar se pushteti jugosllav e
kërkonte me këmbëngulje, duke shpresuar që përmes tradhtisë të arrinin ta
kapnin të gjallë. Për këtë arsye, Hasan Remniku tregonte vigjilencë të
jashtëzakonshme. Çdo takim i tij, çdo vend ku strehohej, çdo kontakt ishte i
matur me kujdes, duke shmangur rrezikun që e rrethonte në çdo hap.
Në
këtë rrugëtim të vështirë, ai kishte përkrahës të besueshëm. Një ndër ta ishte
Arif Sherif Selmani nga Remniku, të cilin Hasan Aliu e kishte caktuar korrier
personal. I ri në moshë, por i dalluar për trimëri dhe besnikëri, Arifi kishte
marrë përsipër një detyrë jetike, mbajtjen e lidhjeve dhe sigurimin e
informacioneve. Përmes tij, Hasan Remniku mësonte lëvizjet e ushtrisë dhe
policisë jugosllave, rrezikun e pritave të organizuara, madje edhe çmimin që
pushteti kishte vënë mbi kokën e tij.
Kështu,
jeta e Hasan Remnikut ishte një kombinim i dy botëve: nga njëra anë, përgjegjësia
e një familjari që kishte fëmijë e duhej të siguronte të ardhmen e tyre, dhe
nga ana tjetër, misioni i një luftëtari të vendosur për të mos u dorëzuar, duke
jetuar çdo ditë me ndjenjën se vdekja mund ta priste në çdo hap, por edhe me
besimin se sakrifica e tij ishte pjesë e betejës së madhe për liri.
Në
një nga takimet e tij me Hasan Remnikun, u bë e qartë se veprimtaria ilegale
nuk ishte thjesht një rezistencë spontane, por një organizim i menduar me
kujdes, i cili kërkonte disiplinë dhe detyra të qarta për secilin anëtar. Hasan
Remniku, si prijës me përvojë dhe vizion, i caktoi bashkëpunëtorit të tij
detyra konkrete, të cilat ishin të lidhura drejtpërdrejt me mbijetesën dhe
forcimin e lëvizjes.
Së
pari, ai duhej ta informonte rregullisht për qarkullimin e ushtrisë dhe të
milicisë, si dhe të interesohej se cilët njerëz ishin në shënjestër të
pushtetit. Ky informacion ishte jetik për shmangien e rrezikut dhe për ruajtjen
e strukturës ilegale nga goditjet e befasishme.
Së
dyti, një nga detyrat më delikate ishte mbajtja e evidencës së bashkëpunëtorëve
aktivë të pushtetit. Listat që do të hartoheshin nuk kishin thjesht karakter
informues, por përgatitës, në momentin e duhur, këta individë do të
likuidoheshin për të shuar rrënjët e tradhtisë dhe për të penguar veprimet e
mëtejshme të aparatit represiv.
Së
treti, detyrë tjetër ishte të vëzhgonte dhe të identifikonte njerëzit e
pakënaqur me rendin shoqëror të kohës. Këta individë, të cilët përjetonin
padrejtësi ose kishin humbur besimin te pushteti, përbënin terren të frytshëm
për rekrutimin e ardhshëm. Përmes punës sistematike, ata do të bëheshin pjesë e
lëvizjes ilegale, duke i dhënë asaj gjak të ri dhe energji të reja.
Së
fundi, Hasan Remniku kërkoi informacione të detajuara mbi gjendjen e magazinave
dhe shitoreve të kooperativave. Këto të dhëna kishin rëndësi të madhe praktike,
në rast të konfiskimeve apo plaçkitjeve të organizuara nga grupi, ata nuk duhej
të binin në befasi. Ky ishte një aspekt logjistik që tregonte se lëvizja
mendonte jo vetëm për luftën politike e morale, por edhe për furnizimin dhe
mbijetesën e saj.
Këto
detyra, të dukshme në thjeshtësinë e tyre, në fakt shpalosnin strukturën e
menduar të veprimit ilegal: inteligjencën, evidentimin e armikut, zgjerimin
përmes rekrutimit dhe sigurimin e burimeve. Në to shihet qartë se Hasan Remniku
nuk e shihte rezistencën vetëm si akt trimërie, por si një organizim të plotë,
ku çdo hallkë kishte rolin e saj të domosdoshëm për mbijetesën dhe suksesin e
lëvizjes.
Vijon









