E enjte, 06.11.2025, 11:12 PM (GMT)

Kulturë » Vataj

Albert Vataj: Helena Citronová dhe Franz Wunsch, dashuria e pamundur që u lind në zemër të ferrit

E enjte, 06.11.2025, 06:54 PM


Helena Citronová dhe Franz Wunsch, dashuria e pamundur që u lind në zemër të ferrit dhe u përjetësua në film

Nga Albert Vataj

Në kronikat e Holokaustit, aty ku çdo rrëfim mbart peshën e së pamendueshmes, ekziston një histori që sfidon kufijtë e së mundshmes dhe të së moralshmes: historia e Helena Citronová-s, të burgosurës hebreje, dhe Franz Wunsch-it, rojes SS që u dashurua me të në kampin e përqendrimit të Auschwitz-it.

Një histori që nuk përpiqet të zbusë dhunën e epokës, por që e tregon paradoxin e njeriut: se edhe brenda makinerisë më çnjerëzore, mund të dalë një ndjenjë që nuk i bindet dot as urrejtjes, as rregullores, as frikës.

Gjithçka nis me një fotografi.

Aty shfaqet Helena Citron, një vajzë e re hebreje, e veshur me uniformën me vija të kampit, por e buzëqeshur. Skena është e ndriçuar nga dielli. Ajo nuk duket e uritur, as e thyer, si shumica e të burgosurave.

Ky kontrast i pabesueshëm, thuajse i papranueshëm, e zhvendos vështrimin tonë te pyetja e parë: kush ia bëri këtë foto dhe pse?

Fotografinë e kishte shkrepur Franz Wunsch, një ushtar SS i caktuar në Effektenlager, depoja ku ruheshin sendet e të deportuarve. Por detyra e tij kryesore ishte më e errët: ai merrte pjesë në përzgjedhjen e grave dhe burrave që do të dërgoheshin drejt dhomave të gazit.

Në këtë kontradiktë nis të ndizet drama e tyre.

Helena mbërrin në Auschwitz në vitin 1942. Si shumë gra të tjera hebreje, ajo përjeton të njëjtat kushte çnjerëzore: urinë, punën e detyruar, frikën konstante. Por fati ndërhyn në mënyrën më të pakuptueshme, ditën e 22-vjetorit të Franz-it, shokët e tij vendosin të improvizojnë një festë dhe të detyrojnë disa të burgosura të argëtojnë rojet.

Ndër to ishte edhe Helena.

Ajo këndon.

Zëri i saj, i ëmbël, i dlirë, i një bote tjetër që nuk i përngjan asgjë ferrit të Auschwitz-it, mbërrin deri te Franz dhe i mbjell një dridhje që ai vetë nuk di ta përkufizojë.

Pak ditë më vonë, ai i dërgon një kuti biskotash dhe një shënim të shkurtër:

“Jam dashuruar me ty.”

Helena, e intervistuar shumë vite më vonë nga PBS, tregon se reagimi i saj i parë ishte i prerë:

“Në fillim mendova se më mirë do të ishte të vdisja sesa të kisha një marrëdhënie me të. Shtira për muaj të tërë. Kishte vetëm urrejtje. Nuk mund ta shikoja në sy.”

Dhe megjithatë, siç ndodh tragjikisht në kampet e përqendrimit, ndjenja dhe instinkti i mbijetesës ndërthuren.

Me kalimin e kohës, frika, urrejtja, varësia dhe një lloj afeksioni i përzier me mirënjohje krijuan një lidhje të çuditshme, një lidhje që askush tjetër nuk mund ta kuptonte, as Helena vetë.

Historia e tyre zgjati rreth tre vjet.

Në Auschwitz, Franz bëri gjithçka që mundi për ta mbrojtur.

E fshihte kur ishte e sëmurë, i siguronte ushqim, e lëvizte në repartin Kanada, një sektor ku kushtet, megjithëse të tmerrshme, ishin disi më të lehta sesa në pjesët e tjera të kampit.

Ai nuk ishte më i mirë se SS-të e tjerë kur vinte puna te burrat, dhuna dhe mizoria ishin të njëjtën shkallë. Por ndaj Helenës dhe disa shoqeve të saj, ai tregonte një fytyrë tjetër, atë të një njeriu që ishte kapur prej një ndjenje aq të fortë saqë sfidonte urdhërat e regjimit që i përkiste.

Situata merr përmasa edhe më dramatike kur në kamp mbërrin motra e Helenës, bashkë me familjen e saj.

Punëtore në Kanada, Helena e kupton menjëherë se ata janë caktuar për dhomat e gazit. E thërret Franz-in i cili, me një justifikim administrativ, arrin të shpëtojë motrën.

Por jo pjesën tjetër të familjes.

Kjo plagë e pashërueshme mbeti me Helenën deri në fund të jetës.

Më 27 janar 1945, Ushtria e Kuqe çliron Auschwitz-in. Helena dhe motra e saj janë ende gjallë.

Franz, si shumica e rojeve SS, është larguar. Nuk do ta takojnë më kurrë.

Gjyqi që ribashkon viktimën dhe shpëtimtarin e saj të paimagjinueshëm

Në vitin 1972, Franz Wunsch arrestohet dhe del në gjyq për krime lufte.

E befasishme, e pabesueshme për shumëkënd, është se Helena dhe motra e saj paraqiten për të dëshmuar, dhe flasin në favor të tij.

Ato nuk e mohojnë tmerrin e kampit, por pohojnë se Franz u kishte shpëtuar jetën.

Franz deklaroi në sallën e gjyqit: “Dashuria për Helenën më ndryshoi. U bëra një njeri tjetër falë saj.”

Pas gjyqit, rrugët e tyre u ndanë përfundimisht.

Helena u zhvendos në Izrael, u martua, pati dy fëmijë dhe jetoi deri më 4 qershor 2007, duke mbajtur brenda vetes një histori që e kishte shpëtuar dhe mallkuar njëkohësisht.

Franz vdiq më 23 shkurt 2009, në Gjermani, larg asaj dashurie të vetme që ai besoi se e kishte shpëtuar shpirtin e tij.

Historia e Helena Citronovës nuk është një histori e dashurisë tradicionale.

Nuk është romantike. Nuk është e pastër.

Është një histori komplekse, moralisht tronditëse, psikologjikisht e vështirë për t’u përtypur, sepse përvijon të pamundurën, ndjenjën e një vajze të burgosur, të varur nga një njeri që ishte njëkohësisht shpëtimtar dhe pjesë e makinerisë së vdekjes.

Është një histori që na shtyn të pyesim:

A mund të ekzistojë ndjenja e vërtetë në kushte skllavërimi?

A është dashuria fuqi shpëtuese apo iluzion i mbijetesës?

Çfarë mbetet nga njeriu në ferr?

Mund të ndërrojë drejtim zemra në vendin ku shpirtrat shtypen?

Kjo marrëdhënie e pashpjegueshme, e dhimbshme dhe enigmatike është bërë bazë për filmin dokumentar “Se questo è amore” (2020), i regjisores izraelite Maya Sarfaty, një vepër që eksploron jo vetëm faktet historike, por edhe thyerjet emocionale të protagonisteve.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx