| E enjte, 06.11.2025, 06:54 PM |

Helena Citronová dhe Franz Wunsch, dashuria e pamundur që u lind në zemër të ferrit dhe u përjetësua në film
Nga
Albert Vataj
Në
kronikat e Holokaustit, aty ku çdo rrëfim mbart peshën e së pamendueshmes,
ekziston një histori që sfidon kufijtë e së mundshmes dhe të së moralshmes:
historia e Helena Citronová-s, të burgosurës hebreje, dhe Franz Wunsch-it,
rojes SS që u dashurua me të në kampin e përqendrimit të Auschwitz-it.
Një
histori që nuk përpiqet të zbusë dhunën e epokës, por që e tregon paradoxin e
njeriut: se edhe brenda makinerisë më çnjerëzore, mund të dalë një ndjenjë që
nuk i bindet dot as urrejtjes, as rregullores, as frikës.
Gjithçka
nis me një fotografi.
Aty
shfaqet Helena Citron, një vajzë e re hebreje, e veshur me uniformën me vija të
kampit, por e buzëqeshur. Skena është e ndriçuar nga dielli. Ajo nuk duket e
uritur, as e thyer, si shumica e të burgosurave.
Ky
kontrast i pabesueshëm, thuajse i papranueshëm, e zhvendos vështrimin tonë te
pyetja e parë: kush ia bëri këtë foto dhe pse?
Fotografinë
e kishte shkrepur Franz Wunsch, një ushtar SS i caktuar në Effektenlager,
depoja ku ruheshin sendet e të deportuarve. Por detyra e tij kryesore ishte më
e errët: ai merrte pjesë në përzgjedhjen e grave dhe burrave që do të
dërgoheshin drejt dhomave të gazit.
Në
këtë kontradiktë nis të ndizet drama e tyre.
Helena
mbërrin në Auschwitz në vitin 1942. Si shumë gra të tjera hebreje, ajo përjeton
të njëjtat kushte çnjerëzore: urinë, punën e detyruar, frikën konstante. Por
fati ndërhyn në mënyrën më të pakuptueshme, ditën e 22-vjetorit të Franz-it,
shokët e tij vendosin të improvizojnë një festë dhe të detyrojnë disa të
burgosura të argëtojnë rojet.
Ndër
to ishte edhe Helena.
Ajo
këndon.
Zëri
i saj, i ëmbël, i dlirë, i një bote tjetër që nuk i përngjan asgjë ferrit të
Auschwitz-it, mbërrin deri te Franz dhe i mbjell një dridhje që ai vetë nuk di
ta përkufizojë.
Pak
ditë më vonë, ai i dërgon një kuti biskotash dhe një shënim të shkurtër:
“Jam
dashuruar me ty.”
Helena,
e intervistuar shumë vite më vonë nga PBS, tregon se reagimi i saj i parë ishte
i prerë:
“Në
fillim mendova se më mirë do të ishte të vdisja sesa të kisha një marrëdhënie
me të. Shtira për muaj të tërë. Kishte vetëm urrejtje. Nuk mund ta shikoja në
sy.”
Dhe
megjithatë, siç ndodh tragjikisht në kampet e përqendrimit, ndjenja dhe
instinkti i mbijetesës ndërthuren.
Me
kalimin e kohës, frika, urrejtja, varësia dhe një lloj afeksioni i përzier me
mirënjohje krijuan një lidhje të çuditshme, një lidhje që askush tjetër nuk
mund ta kuptonte, as Helena vetë.
Historia
e tyre zgjati rreth tre vjet.
Në
Auschwitz, Franz bëri gjithçka që mundi për ta mbrojtur.
E
fshihte kur ishte e sëmurë, i siguronte ushqim, e lëvizte në repartin Kanada,
një sektor ku kushtet, megjithëse të tmerrshme, ishin disi më të lehta sesa në
pjesët e tjera të kampit.
Ai
nuk ishte më i mirë se SS-të e tjerë kur vinte puna te burrat, dhuna dhe
mizoria ishin të njëjtën shkallë. Por ndaj Helenës dhe disa shoqeve të saj, ai
tregonte një fytyrë tjetër, atë të një njeriu që ishte kapur prej një ndjenje
aq të fortë saqë sfidonte urdhërat e regjimit që i përkiste.
Situata
merr përmasa edhe më dramatike kur në kamp mbërrin motra e Helenës, bashkë me
familjen e saj.
Punëtore
në Kanada, Helena e kupton menjëherë se ata janë caktuar për dhomat e gazit. E
thërret Franz-in i cili, me një justifikim administrativ, arrin të shpëtojë
motrën.
Por
jo pjesën tjetër të familjes.
Kjo
plagë e pashërueshme mbeti me Helenën deri në fund të jetës.
Më
27 janar 1945, Ushtria e Kuqe çliron Auschwitz-in. Helena dhe motra e saj janë
ende gjallë.
Franz,
si shumica e rojeve SS, është larguar. Nuk do ta takojnë më kurrë.
Gjyqi
që ribashkon viktimën dhe shpëtimtarin e saj të paimagjinueshëm
Në
vitin 1972, Franz Wunsch arrestohet dhe del në gjyq për krime lufte.
E
befasishme, e pabesueshme për shumëkënd, është se Helena dhe motra e saj
paraqiten për të dëshmuar, dhe flasin në favor të tij.
Ato
nuk e mohojnë tmerrin e kampit, por pohojnë se Franz u kishte shpëtuar jetën.
Franz
deklaroi në sallën e gjyqit: “Dashuria për Helenën më ndryshoi. U bëra një
njeri tjetër falë saj.”
Pas
gjyqit, rrugët e tyre u ndanë përfundimisht.
Helena
u zhvendos në Izrael, u martua, pati dy fëmijë dhe jetoi deri më 4 qershor
2007, duke mbajtur brenda vetes një histori që e kishte shpëtuar dhe mallkuar
njëkohësisht.
Franz
vdiq më 23 shkurt 2009, në Gjermani, larg asaj dashurie të vetme që ai besoi se
e kishte shpëtuar shpirtin e tij.
Historia
e Helena Citronovës nuk është një histori e dashurisë tradicionale.
Nuk
është romantike. Nuk është e pastër.
Është
një histori komplekse, moralisht tronditëse, psikologjikisht e vështirë për t’u
përtypur, sepse përvijon të pamundurën, ndjenjën e një vajze të burgosur, të
varur nga një njeri që ishte njëkohësisht shpëtimtar dhe pjesë e makinerisë së
vdekjes.
Është
një histori që na shtyn të pyesim:
A
mund të ekzistojë ndjenja e vërtetë në kushte skllavërimi?
A
është dashuria fuqi shpëtuese apo iluzion i mbijetesës?
Çfarë
mbetet nga njeriu në ferr?
Mund
të ndërrojë drejtim zemra në vendin ku shpirtrat shtypen?
Kjo
marrëdhënie e pashpjegueshme, e dhimbshme dhe enigmatike është bërë bazë për
filmin dokumentar “Se questo è amore” (2020), i regjisores izraelite Maya
Sarfaty, një vepër që eksploron jo vetëm faktet historike, por edhe thyerjet
emocionale të protagonisteve.