Speciale
Paulin Zefi: Leka III Dukagjini dhe roli i tij në luftën kundër Perandorisë Osmane
E diele, 02.11.2025, 07:01 PM

Leka III Dukagjini dhe roli i tij në luftën kundër Perandorisë Osmane
Nga
Paulin Z. Zefi
Pinjolli
më i shquar i familjes më të lashtë fisnike të Arbërisë, Leka III Dukagjini, i
biri i Palit II Dukagjinit, i njohur edhe si "Pali i Urtë", dhe nipi
i Gjergj Arianit Komnenit, mendohet të ketë lindur në vitin 1410 në
"Vulpiano" ose "Ulpiana." Ky qytet nuk dihet me siguri se
ku ndodhej, pasi historianët janë të ndarë në mendime të ndryshme, midis
Prizrenit, Lipjanit dhe Pjanit të Krasniqes, në Tropojë. Po ashtu, ekziston
edhe një variant i katërt, që vendlindjen e tij e vendos te “Kodra e Lekës” në
Velekincë të Anamoravës (Gjilan). Në mënyrë të ngjashme me figurën e Gjergj
Kastriotit, vitet e para të jetës së Lekës III Dukagjinit, që përfshijnë
fëmijërinë dhe rininë e tij, përbëjnë segmentin më pak të ndriçuar të
biografisë së tij. Kjo periudhë karakterizohet nga një mungesë e theksuar e
burimeve të shkruara, të cilat kanë mbërritur deri tek ne të fragmentuara dhe
të ndërprera, duke e bërë të pamundur rindërtimin e plotë të saj. Shkaqe të
tilla si shkatërrimi i arkivave mesjetare, rrallësia e dëshmive të kohës dhe
mbështetja kryesisht në traditën gojore, kanë ndikuar që kjo fazë e hershme e
jetës së Lekës III të mbetet e mbuluar nga mjegulla e historisë. Me siguri mund
të pohohet se Leka III e kaloi fëmijërinë e tij në qytetin e fortifikuar të
Vulpianos ose Ulpianës, ku i ati, Pali II Dukagjini, kishte rezidencën e tij
princërore. Gjatë rinisë së tij, Leka u formua nën frymën humaniste të
Rilindjes Europiane, pasi u edukua në dy qendra kulturore shumë të rëndësishme
siç ishin Venecia dhe Raguza. Më 2 mars 1444, tashmë në moshën 34-vjeçare, Lekë
Dukagjini (Lecchas Ducaginus) del në burimet historike si pjesëmarrës në
Kuvendin e Besëlidhjes së Lezhës, ku u shfaq në kryeqytetin e vjetër të
Dukagjinëve së bashku me të atin, Palin II, dhe me të afërmin e tij, Nikollën.
Si bashkëluftëtar i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, pjesëmarrës në Kuvendin e
Lezhës dhe anëtar i Lidhjes së krijuar pas këtij Kuvendi, Pali II Dukagjini
gëzonte jo vetëm respektin e princave të tjerë arbër, por sidomos një vlerësim
shumë të lartë nga vetë Kryeheroi, i cili shprehej se: “Nëse Arbëria do të
kishte më tepër princa kaq të zotë dhe kaq bujarë si Pal Dukagjini, ajo do të
bëhej shumë shpejt vendi më i lulëzuar i botës." Gjatë kohës së sundimit
të Palit II, mbështetja e tij ndaj Gjergj Kastriotit-Skënderbeut u shfaq e
pakushtëzuar, si në aspektin ushtarak ashtu edhe në atë financiar, duke u
dalluar ndër të gjithë princat e tjerë të Lidhjes së Lezhës. Megjithatë, akti i
rëndë i vrasjes së Lekë Zaharisë, më vonë vdekja e Palit II dhe ngjitja në fron
e Lekës III, ndryshuan rrjedhën e ngjarjeve, duke përmbysur ekuilibrat politikë
dhe ushtarakë në Arbëri. Duke nisur nga muaji nëntor i vitit 1447 dhe deri në
muajin shkurt të vitit 1459, pra për gati 12 vite me rradhë, marrëdhëniet midis
Lekës III Dukagjinit dhe Gjergj Kastriotit-Skënderbeut karakterizohen nga një
rivalitet i hapur, tension konstant dhe deri në konflikt të armatosur. Ndërkohë
që Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, duke kaluar nga një fitore në tjetrën, u
shndërrua në udhëheqësin ushtarak më të famshëm të Kontinentit Europian dhe u
bë një figurë qendrore në arenën ndërkombëtare, Leka III Dukagjini, i
pozicionuar midis tij, Republikës Veneciane, Despotatit serb të Rashës dhe
Perandorisë Osmane, u gjend i përfshirë në një luftë të vazhdueshme në disa
fronte njëherësh, çka solli humbjen e sipërfaqeve të mëdha territoriale,
sidomos në Dardaninë Perëndimore ose Rrafshin e Dukagjinit. Pas pushtimit të
Artanës ose Novobërdës më 1 qershor 1455, forcat e armatës sulltanore të
udhëhequr nga vetë Mehmeti II Fatih, vërshuan edhe kundër qyteteve të tjera të
Kosovës, duke pushtuar Prishtinën, Vuçitërnën, Janjevën, Lipjanin, Trepçën,
Bellasicën dhe Klinën. Po ashtu, në disa burime flitet edhe për rënien e
Prizrenit, qytet, i cili u pushtua prej turqve osmanë më 21 qershor të vitit
1455. Pushtimi i Prizrenit u realizua nga komandanti i njohur i kalorësve
akinxhinj, Ahmed Beg Evrenoszade. Mirëpo, sipas një versioni tjetër, rënia
definitive e qytetit të Prizrenit në duart e turqve osmanë u bë më 1456, kurse
sipas burimeve osmane kjo ngjarje ka ndodhur në vitin 1459. Me sa duket,
Prizreni është pushtuar disa herë nga osmanët dhe më pas është çliruar nga
arbërit, të cilët e kanë dëbuar garnizonin armik me forcën e armëve deri sa
qyteti u pushtua përfundimisht më 1459. Ndërsa Peja mbeti e lirë dhe nën
kontrollin e Dukagjinëve deri në vitet 1462-1463, ndërkohë që në vitin 1455
sulltan Mehmeti II Fatih, duke lënë Pejën të papushtuar, u nis drejt Serbisë
dhe gjatë marshimit pushtoi territorin e Kapaonikut. Humbja e qyteteve dhe
territoreve të lartpërmendura, prej të cilave një pjesë e konsiderueshme i
përkisnin zotërimeve të Lekës III Dukagjinit dhe sidomos Prizreni, ku asokohe
ai kishte rezidencën e tij, e detyroi këtë të fundit t’i nënshtrohej vasalitetit
ndaj Mehmetit II Fatih. I gjendur në këto kushte, Leka III, së bashku me të
shoqen, Teodora Muzaka, dhe me oborrtarë besnikë, si dhe qytetarë të ndryshëm
nga Ulpiana, Prizreni, Peja e qytete të tjera, u detyruan të tërhiqeshin në
malësi, ku ndërtuan rezidenca dhe kështjella së bashku me banorët e lirë të
këtyre viseve. Në këto vende, kryezoti i tyre dukagjinas, së bashku me bijën e
Muzakajve të Beratit dhe të gjithë të ardhurit, u rrethua me mikpritje dhe
respekt të madh nga malësorët vendas. Në të njëjtën kohë, Leka III u përqendrua
në sulmet kundër Arbërisë Veneciane, me qëllim të vendosjes së kontrollit mbi
Danjën dhe Sapën. Danjën e mori me përkrahjen e Spanëve, më 4 nëntor të vitit
1456, gjatë një aksioni luftarak që u zhvillua natën dhe më pas e humbi pak
kohë më vonë. Edhe pas marrjes së Sapës në vitin 1458, e cila njihet si qyteti
më i vjetër i Dukagjinëve, ai nuk i shijoi gjatë frytet e fitores. Duke qenë se
Leka III akuzohej për bashkëpunim me osmanët dhe Gjergj Kastrioti-Skënderbeu
gëzonte mbështetjen e plotë të Selisë së Shenjtë për çdo lloj sipërmarrje të
vetën, ky i fundit mobilizoi ushtrinë dhe sulmoi zotërimet e Dukagjinëve në
trevën e Zadrimës. Në fillim të vitit 1459, gjatë një aksioni të fuqishëm, e
dëboi Lekën III nga Kështjella e Sapës (Nënshat), të cilën e mori sa hap e
mbyll sytë dhe bashkë me të edhe disa vende të tjera. I gjendur në këto kushte,
Leka III e zhvendosi selinë e tij në qytetin e lashtë iliro-arbnor të Sardës
(Ishulli i Shurdhahut), ku do të qëndrojë bashkë me familjen dhe oborrtarët e
tij deri në vitin 1479. Duhet theksuar se konflikti midis Gjergjit dhe Lekës
nuk shkaktonte pasoja të dëmshme vetëm brenda kufijve të Arbërisë, por në
kontekstin më të gjerë të "Luftës së Shenjtë" kundër Perandorisë
Osmane, kishte një ndikim të drejtpërdrejtë në skenën politike dhe ushtarake
europiane. Prandaj, çdo përshkallëzim i mëtejshëm i konfliktit çonte në
dobësimin e frontit antiosman në Arbëri, duke dëmtuar shumë rëndë "Kauzën
e përbashkët të Botës së Krishterë." Për të mundësuar me çdo kusht
pajtimin midis "2 monarkëve të fuqishëm arbër", vetë Selia e Shenjtë
në Romë ndërmori dy përpjekje të rëndësishme në këtë drejtim. Më 13 gusht 1452,
Papa Nikolla V i ngarkoi ndërmjetësuesit të tij, imzot Pal Dushit (Paolo
Dussus), krijimin e një komisioni të posaçëm me detyrën për të organizuar një
takim pajtues midis palëve kundërshtare. Asokohe Leka III ishte një nga të
dyshuarit kryesorë për organizimin e atentatit të dështuar kundër Gjergj
Kastriotit-Skënderbeut në Pyllin e Krrabës, në vitin 1451. Takimi sqarues dhe
pajtues u zhvillua në qytetin e Durrësit më 25 tetor të vitit 1452. Mirëpo, siç
u trajtua pak më lart, marrëdhëniet midis tyre u acaruan sërish në vitin 1458,
pasi përflitej sikur Leka III kishte bashkëpunuar me osmanët në dëm të Gjergj
Kastriotit-Skënderbeut dhe Republikës Veneciane. Nëpërmjet Bulës Pontifikale që
Papa Piu II shpalli në Siena, më 10 shkurt 1459, Dukagjinët kërcënoheshin me
çkishërim nëse ata nuk do të shkëpusnin lidhjet me osmanët dhe të pajtoheshin
me Gjergj Kastriotin-Skënderbeun brenda 15 ditëve. Personi që u caktua për ta
kryer këtë mision shumë të vështirë dhe që e finalizoi atë me sukses, ishte
imzot Pal Ëngjëlli, një figurë e jashtëzakonshme dhe me shumë autoritet.
Marrëdhëniet delikate midis Dukagjinasit dhe Kastriotit pësojnë sërish një
krisje tjetër në pranverën e vitit 1462 për t'u sheshuar një herë e
përgjithmonë në muajin tetor të vitit 1463. Tashmë, Leka III, nga rivali
kryesor i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut në Arbëri, kthehet në njërin prej
bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë. Gjatë zhvillimit të Betejës në Fushën e
Sfetigradit (korrik-1465) kundër ushtrisë osmane të komanduar nga renegati
arbër, Ballaban Pashë Badera, në një moment të caktuar, ushtarët osmanë e
rrethuan Gjergj Kastriotin-Skënderbeun nga të gjitha anët, duke i ngushtuar
rrezen e veprimit. Njëri prej tyre iu hodh mbi trup, e kapi për qafe sa desh e
shtriu përtokë, duke përdorur peshën e vet trupore dhe inercinë e lëvizjes, por
në këtë moment kritik besohet se ishte pikërisht Leka III Dukagjini, i cili
arriti ta vrasë ushtarin armik duke ia kaluar shpatën tej për tej në trup dhe e
shpëtoi udhëheqësin e vet nga rreziku. Sa hap e mbyll sytë dhe pothuajse në të
njëjtën kohë, u copëtuan edhe pesë ushtarë të tjerë osmanë që ndodheshin aty
pranë, ndërsa në rradhët e luftëtarëve arbër nuk mbeti asnjë i plagosur.
Mirëpo, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu u hodh përsëri si i tërbuar në mes të
skuadronit armik dhe mbeti për disa kohë krejt i vetëm, pa e ditur askush se
çfarë po bëhej me të. Gjatë këtij sulmi u përpoq rastësisht me vetë Ballaban
Pashën dhe në atë çast, në inat e sipër, e ngriti shpatën me të dy duart për ta
goditur atë sa më fort mbi helmetë, por duke qenë se lëshoi frenat, kali i tij
ra në gjunjë dhe u godit për vdekje nga ushtarët osmanë. Më pas, kali i
plagosur e vijoi ecjen, duke përfunduar i përplasur mbi trungun e një peme të
vjetër dhe aty ra përdhe. Bashkë me të u rrëzua edhe Gjergj
Kastrioti-Skënderbeu, i cili u përplas me forcë në trungun e lisit dhe më pas
përtokë me kokë e me shpatullën e djathtë, duke mbetur i shtrirë dhe pa
lëvizur, sikur të kishte vdekur. Kalorësit osmanë, duke menduar se tashmë
kishte vdekur, zbritën menjëherë nga kuajt që t'i prisnin kokën. Në këto çaste
kaq kritike, kalorësit e Gardës Pretoriane, që e kishin parandjerë rrezikun, u
vërsulën kundër ushtarëve armiq, por i pari që shkoi me shpejtësi pranë tij
ishte Tanush Dukagjini, i cili u vërsul si i çmendur në mesin e ushtrisë osmane
për të shpëtuar kryekomandantin e vet. Gjatë fushatës së madhe sulltanore të vitit
1466, ndërkohë që Gjergj Kastrioti-Skënderbeu luftonte me masën kryesore të
armatës perandorake osmane të udhëhequr personalisht nga Mehmeti II Fatih, Leka
III Dukagjini u mbrojt heroikisht në malet e tij të papushtueshme përballë
ushtrisë osmane të komanduar nga nipi i vezirit të madh, Mahmut Pasha Angeloviç
(serbo-bizantin), duke e detyruar atë të tërhiqej me humbje të mëdha në njerëz.
Në malësitë e Veriut të Arbërisë, njësoj si në Krujë, forcat osmane dështuan
plotësisht në përpjekjet e tyre përballë Lekës III, i cili, duke bashkëpunuar
ngushtë me Gjergj Kastriotin-Skënderbeun dhe nipin e tij, Ivan Cernojeviçin
(Gjon Gjurashin), princ i Zetës së Sipërme (Mali i Zi), shpëtuan jo vetëm
zotërimet e tyre, por edhe qytetet e rëndësishme të Arbërisë Veriperëndimore të
kontrolluar nga Republika Veneciane, si: Shkodra, Lezha, Danja, Drishti dhe
Ulqini. Roli vendimtar i Lekës III Dukagjinit spikat edhe gjatë luftimeve të
përgjakshme për çlirimin e Kështjellës së Krujës nga rrethimi i dytë më 23
prill 1467, kur mbeti i vrarë vetë komandanti osman dhe renegati famëkeq arbër,
Ballaban Pashë Badera. Gjatë këtij sulmi asgjësues të ushtrisë arbëre të
udhëhequr nga Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, Leka III komandonte një grupim të
rëndësishëm të ushtrisë arbëre që ishin mobilizuar në qytetin e Shkodrës dhe
rrethinat. Kjo fitore u arrit falë koordinimit të shkëlqyer midis Gjergj
Kastriotit-Skënderbeut, Lekës III Dukagjinit, Nikollës II Dukagjinit dhe
Nikollë Monetës, të cilët komanduan forcat arbëre që sulmuan kampin osman dhe
trupave të garnizonit të Kështjellës së Krujës të komanduar nga Tanush Topia
dhe veneciani, Baldassare Perducci. Kontributi i Lekës III ka qenë i shënuar
edhe gjatë zhvillimit të Betejës së Krrabës më 27 prill 1467, gjatë rrethimit
të kështjellës osmane të Elbasanit dhe më pas në luftimet për çlirimin e disa
kështjellave atërore të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, si ajo e Stellushit në
trevën e Matit dhe e Çidhnës në Dibrën e Poshtme, më 30 prill 1467. Përballë
goditjes kataklizmike që pësoi Arbëria në verën e vitit 1467 si pasojë e
fushatës së madhe sulltanore të udhëhequr nga Mehmeti II Fatih, ushtria e
Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, me rradhët e saj thellësisht të dëmtuara gjatë
viteve të fundit, triumfoi me sukses kryesisht në sajë të përforcimeve me luftëtarë
nga malësitë e Veriut, që ishin nënshtetas të Lekës III Dukagjinit. Po ashtu,
vlen për t'u theksuar se më 14 korrik 1467, pasi kishte pushtuar Kështjellën e
Petralbës në Mat, sulltan Mehmeti II Fatih nisi drejt Veriperëndimit të
Arbërisë vezirin e madh, Mahmud Pasha Angeloviç, me një ushtri që përbëhej nga
60.000 kalorës të zgjedhur. Mahmud Pasha u vërsul me tërbim kundër Lezhës,
Zadrimës dhe Shkodrës, ku për tri ditë me rradhë ai u ngop duke vrarë,
plaçkitur e shkatërruar çdo gjë që i doli përpara syve. Gjatë luftimeve që u
zhvilluan me trupat shkodrane, u dogj edhe pjesa e poshtme e qytetit, por
kështjella Rozafa mbeti e paprekur. Më 17 korrik 1467, veziri i madh u largua
nga qyteti i Shkodrës dhe ushtria e tij, pasi kaloi lumin Drin, u shfaq pranë
Danjës. Nga aty, Mahmud Pasha Angeloviç marshoi në malet e Lekës III
Dukagjinit. Asokohe, ky i fundit, ndodhej në pozita mjaft të vështira, sepse e
kishin tradhtuar Nikolla II dhe Progon Dukagjini, që tashmë ishin bashkuar me
turqit osmanë. Megjithatë, pavarësisht tradhtisë në gjirin familjar, Leka III i
bëri ballë me shumë sukses ushtrisë armike, duke i shkaktuar humbje të
konsiderueshme. I gjendur në këto rrethana, Mahmud Pashë Angeloviç nuk vazhdoi
më tej, por u detyrua të tërhiqet dhe u nis drejt qytetit të Krujës për t'u
bashkuar me forcat kryesore të sulltan Mehmetit II Fatih. Ndërsa në Betejën e
Kirit, më 14 janar 1468, ndërkohë që Gjergj Kastrioti-Skënderbeu po lëngonte në
shtrat i mbërthyer nga ethe të tmerrshme, ai ia besoi komandën e Gardës Pretoriane
dhe të gjithë ushtrisë arbëre pikërisht Lekës III Dukagjinit, i cili i shkaktoi
ushtrisë osmane të udhëhequr nga Ahmet Pasha, një disfatë katastrofike. Vdekja
e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut tri ditë më vonë, më 17 janar 1468, pasi i
sollën në Lezhë lajmin e shumëpritur të fitores së Kirit, pati një ndikim të
jashtëzakonshëm në jetën politike të Arbërisë, sepse përveç Lekës III
Dukagjinit, asnjë përfaqësues tjetër i fisnikërisë vendase nuk mund t'i bënte
ballë furisë së sulltan Mehmetit II Fatih. Gjithashtu, duhet theksuar se Leka
III iu ndodh te koka Gjergj Kastriotit deri në çastin e fundit të jetës dhe pas
kalimit të tij në amshim, e vajtoi sipas zakonit të lashtë të "Gjâmës së
Burrave", duke ngritur zërin e vajit dhe duke çkulur mjekrën e flokët, si
shenjë dhimbjeje dhe nderimi. Historiani i mirënjohur tirolez
(gjermano-austriak), Jakob Philipp Fallmerayer (1790-1861), vëren se: “Në
kujtimet e varfëra të kohës, qoftë për besnikërinë e qëndrueshme ndaj çështjes
së përgjithshme, qoftë për arsye të kontingjenteve të tij të shumta, nga krerët
arbër shprehimisht përmendet vetëm princi i Dukagjinit." Menjëherë pas
vdekjes së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, aristokracia arbëre u gjend në një
udhëkryq të madh ekzistencial, sepse përfaqësuesit e saj, me qëllim për të
mbijetuar përballë “Kolosit turk”, duhej të zgjidhnin njërën nga tri rrugët.
Një pjesë e fisnikëve arbër parapëlqyen të tërhiqeshin në male për të ruajtur
lirinë, pavarësinë, dinjitetin, besimin e Krishterë dhe kujtimin e Gjergj
Kastriotit-Skënderbeut, duke luftuar deri në vetëmohim. Të tillë ishin Leka III
dhe Nikolla II Dukagjini së bashku me nipin e Kryeheroit, Ivan Cernojeviçin
(Gjon Gjurashin). Një pjesë tjetër, zgjodhën rrugën e kompromisit, duke u vënë
në shërbim të turqve osmanë dhe shpejtuan të marrin në dorë disa nga zotërimet
e vjetra feudale të familjeve të tyre, duke “mohuar” besimin e të parëve dhe
përqafuar besimin e pushtuesit. Ndërsa, pjesa e mbetur, në pamundësi për të
rezistuar, vendosën të mos poshtërohen dhe zgjodhën të braktisin atdheun, duke
ikur në drejtim të brigjeve të shteteve italike. Bashkë me ta, nga Arbëria u
largua edhe një numër jashtëzakonisht i madh njerëzish, duke shkaktuar një
katastrofë demografike dhe hemoragji të tmerrshme kombëtare. Vdekja e Gjergj
Kastriotit-Skënderbeut, e cila shkaktoi një hidhërim të thellë në popullin
arbër, nuk ia dobësoi dëshirën për të mbrojtur lirinë, por lufta për pavarësinë
e Arbërisë, të cilës Kryeheroi i dha forcën, talentin politik dhe gjenialitetin
ushtarak, vazhdoi të jetojë nën udhëheqjen e Lekës III Dukagjinit. Në këmbim të
gatishmërisë ushtarake, Leka III u garantoi malësorëve të Principatës së
Dukagjinëve, si dhe të gjithë atyre që iu bashkuan për mbrojtje, lirinë brenda
organizimit të tyre fisnor. Në kushtet e reja, kjo liri u institucionalizua
përmes riorganizimit të Pleqve mbi bazë fshati dhe krahine, duke ruajtur kështu
strukturën fisnore brenda rendit të ri politik. Në këto kushte, mijëra banorë
të Rrafshit të Dukagjinit dhe të Ultësirës Perëndimore vërshuam drejt zonave malore
nën kontrollin e Lekës III, ku gjetën një strehë të sigurtë. Për fatin e mirë
të Arbërisë, në periudhën 1468–1473, sulltan Mehmeti II u angazhua në fronte të
tjera ushtarake (Karamani, Negroponte dhe Anadolli Lindor), çka i dha vendit
tonë një periudhë relative qetësie. Megjithatë, në vitin 1474 turqit osmanë
ndërmorën një ekspeditë të madhe kundër qytetit të Shkodrës, ku u angazhuan
rreth 80.000 trupa, përfshirë 8.000 jeniçerë dhe pajisje të rënda artilerie.
Rrethimi i Shkodrës (15 korrik – 28 gusht 1474) përfundoi me dështimin e plotë
të turqve osmanë falë qëndresës titanike të garnizonit të Rozafës prej 2.500
luftëtarësh dhe 4.000 civilëve, të mbështetur nga repartet e Lekës III
Dukagjinit dhe Ivan Cernojeviçit, që vepronin jashtë mureve të kështjellës. Më
6 shtator 1477, Leka III Dukagjini së bashku me proveditorin venecian,
Francesco Contarini, arrijnë të çlirojnë Kështjellën e Krujës nga rrethimi i
ngritur prej një viti nga Ahmed Bej Evrenozi. Mirëpo, fitorja e arritur
përmbyset shumë shpejt dhe përfundon në disfatë si rezultat i pakujdesisë së
forcave arbëro-veneciane, të cilët u shpërndanë mbas plaçkës. Repartet e
mbijetuar të ushtrisë osmane u hodhën në kundërsulm dhe në këtë betejë Leka III
mbeti i plagosur rëndë, aq sa disa autorë e kanë bërë atë të vdekur. Leka III
Dukagjini ka dhënë një kontribut të shënuar edhe për mbrojtjen e Shkodrës gjatë
rrethimit të Kështjellës së Rozafës nga armata perandorake osmane në vitet
1478-1479. Pasi më 25 prill 1479 u ratifikua në Venecia marrëveshja e paqes së
nënshkruar në Stamboll më 25 janar 1479 midis Perandorisë Osmane dhe Republikës
Veneciane, dorëzimi i Shkodrës shënon edhe ikjen e Lekës III në Venecia së
bashku Nikollën II, Ivan Cernojeviçin dhe shumë arbër të tjerë. Mirëpo, më 15
qershor 1481, në kohën kur turqit osmanë kishin përqendruar forca të mëdha në
qytetin e Vlorës për t’i dërguar në ndihmë të ushtrisë që mbante të pushtuar
Otranton, në Puglia, Leka III dhe Nikolla II Dukagjini së bashku me nipin e
Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, Ivan Cernojeviçin e Malit të Zi, kthehen në
zotërimet e ish-principatave të tyre. Fatkeqësisht, pas njoftimit të fundit që
na ofrojnë burimet dokumentare raguzane (15 qershor 1481), të dhënat mbi fatin
e mëtejshëm të Lekës III Dukagjinit pas kthimit të tij në atdhe mungojnë
plotësisht! Të vetmet dëshmi që hedhin dritë mbi ditët e fundit të jetës së tij
mbeten legjendat dhe gojëdhënat e shumta, të cilat janë ruajtur dhe transmetuar
brez pas brezi deri në ditët e sotme. Menjëherë pas kthimit nga Venecia, sipas
traditës gojore, Leka III u vendos fillimisht në kështjellën e Drishtit, ku
vazhdoi luftën kundër turqve osmanë. Më pas ai u tërhoq në “Shkambin e Rajës”,
në Tropojë, duke vijuar në “Gurin e Lekës” në Shosh të Dukagjinit, më tej në
Dukagjinin e Vjetër (Pukë-Mirditë) dhe përfundimisht u tërhoq në "Fushën e
Kosovës", ku pas një betimi solemn të mbajtur së bashku me krerët e vendit
për të mos rënë të gjallë në duart e turqve, ai zhduket në mënyrë misterioze.
Ky itinerar sugjeron mundësinë që Leka III të ketë ndërruar jetë në mes
bashkëluftëtarëve dhe popullit që ai udhëhoqi dhe të cilët e deshën aq shumë,
duke i qëndruar besnikë deri në fund. Data e pranuar për vdekjen e tij është
viti 1481, por burimet historike nuk ofrojnë hollësi mbi vendin dhe as mbi
rrethanat e vërteta të ngjarjes. Meqenëse burimet historike heshtin, rrethanat
mbeten tërësisht të panjohura. Po ashtu, as tradita gojore nuk jep të dhëna
lidhur me kohën dhe vendin e vdekjes së Lekës III, njësoj siç nuk disponohet
asnjë informacion për vendvarrimin e tij. Sipas traditës gojore, ai u largua
duke dhënë bekimin e tij për lirinë e trojeve arbëre dhe duke mallkuar çdo
robëri që do t’i rëndonte ato, deri në çastin kur zotërit e vërtetë të këtyre
viseve të riktheheshin në atdheun e tyre. Sipas një gojëdhëne që At Marin
Sirdani O.F.M. ka shënuar në Pecaj të Shalës, të kallëzuar prej Prêkë Sokol
Bashës, në çastet e fundit përpara se të largohet nga kjo botë, Lekë Dukagjini,
në praninë e krerëve të vendit në Fushën e Kosovës, ka nxjerrë shpatën dhe duke
ngritur sytë lart nga qielli e ka ngulur atë në dhé, duke thënë: "O Zot,
merrem shpirtin, por mos premto të bij në dorë të Turkut"! Këto kanë qenë
fjalët e fundit të pinjollit më të shquar të Dukagjinëve dhe princit të
lavdishëm të paraardhësve tanë. Në një relacion të vitit 1637, ipeshkvi i
Dioqezës së Sapës, Imzot Frang Bardhi, shkruan se në Pukë: "Në rrugë e në
punë këndojnë me zë të lartë trimëritë e burrave të tyre të mëdhenj dhe sidomos
të të pathyeshmit Zot Gjergj Kastriotit, të quajtur Skanderbeg (invitiss.o
Sig.r Giorgio Castriota d.o Scanderbegh) dhe të të përshëndritëshmit Zot Lekë
Dukagjinit (Ill.mo Sig.r Lecha Ducagino), princit dhe zotërisë së tyre."
Kujtimin e gjallë të këtij udhëheqësi të madh të paraardhësve tanë, figura e të
cilit lidhet kryesisht me "Kanunin", sot e gjejmë kudo, në hapësirën
e gjerë që shtrihet nga Lezha, Zadrima dhe Shkodra deri në Gjilan të
Anamoravës, ku emri i tij ruhet në legjenda, gojëdhëna, këngë dhe tregime
popullore, por mbi të gjitha në toponime. Nëpër shekuj, figura e Lekës III
Dukagjinit ka ruajtur rolin e saj si një emblemë e shquar e trimërisë dhe
drejtësisë arbërore. Ai nuk përfaqëson vetëm një luftëtar të fuqishëm dhe princ
të mençur, por edhe një udhëheqës politik e ushtarak të talentuar dhe një
simbol të bashkimit të malësorëve gegë përballë presionit osman. Përmes
sakrificës së tij, e cila shërbeu ndër shekuj si model frymëzimi, bërthama e
zotërimeve të Dukagjinëve arriti të ruhej kryesisht e pavarur deri në vitin
1912. Burimet tradicionale, përfshirë legjendat, gojëdhënat dhe këngët, që janë
transmetuar brez pas brezi, nuk pasqyrojnë vetëm veprimtarinë ushtarake dhe
politike të Lekës III Dukagjinit, por edhe një paradigmë të qëndrueshmërisë dhe
trimërisë së pandalshme. Figura e tij nuk kufizohet vetëm në ngjarjet historike
të Shqipërisë së Veriut dhe Rrafshit të Dukagjinit, por ajo jeton përmes
Kanunit dhe çdo rrëfimi, anekdote apo kënge, që e kujton në shumë treva të
Gegnisë. Emri i tij përfaqëson qëndresën kundër Perandorisë Osmane, ndërsa
trashëgimia që ka lënë pas mbetet një thirrje e vazhdueshme për guxim,
dinjitet, mbrojtje të identitetit kombëtar dhe përkushtim ndaj atdheut, deri në
vetëmohim.
Paulin Zefi
Shpenadi, Prizren: 02.11.2025









