E merkure, 29.10.2025, 02:25 PM (GMT)

Kulturë

Llesh Ndoj: Ja i dedikoj nanës, por s’është një libër për nanën…

E marte, 28.10.2025, 06:55 PM


DY FJALË PËR LIBRIN E RI

JA DEDIKOJ NANËS, POR S’ËSHTË NJË LIBËR PËR NANËN…

- Një paraqitje për librin tim më të ri: “Shtjellë fatesh”, Marianistët, Lezhë, tetor  2025 -

Nga Llesh NDOJ

Sot, datë 28 tetor 2025, doli nga shtypi libri im më i ri, titulluar “Shtjellë fatesh”, me redaktor Prof. Dr. Anton Nikë Berisha e recensent z. Vlash Prendi, gazetar i njohur, studjues e shkrimtar, botuar nga enti botues “Marianistët”, Lezhë.

Jam i lumtur që ky libër i imi, i pari i këtij zhanri shkruar nga ana ime, sheh dritën e botimit pikërisht sot në 35 vjetorin e mbylljes së përjetshme të dritës së syve të nanës sime të paharruar (28 tetor 1990). Ky botim i dedikohet kujtimit të nanës, por libri nuk është thjesht për nanën time… Ai e konsideron atë si çdo nanë që çmohet e duhet të çmohet nga bijtë e vet mundimtare dhe të vuajtur në përngjasim të Jezusit, sy dritë dhe diell, në përngjasim të Krishtit - Hy, prandaj edhe e quaj Diellore.

Në mes të shtjellës së fateve të personazheve objekt i librit tim qëndron krenare Munella, mali simbol dhe mistik për banorët rreth e qark tij, dhe jo vetëm. Ajo gjëmon në këtë shtjellë, por gjamët e saj, të reja dhe të hershme, mund t’i dëgjojnë, t’i kuptojnë dhe “t’i përkthejnë” vetëm vendasit që janë rrit me to, e jo dokushdo. Libri im “Shtjellë fatesh” është një rrëfim në prozë të gjatë (rreth 315 faqe të formatit A5), që luhatet nga realja tek përfytyruesja (imagjinarja) dhe që subjektin e vet e merr në vendlindje dhe në Munellë, por kjo nuk nënkupton se vendlindje konsiderohet thjesht Domgjoni. Domgjoni, Fani, gjithë zona përreth Munellës, Mirdita e Shqipëria, vijnë simbolikisht në këtë rrëfim me të njëjtën peshë emocionale.

Libri nuk është histori, por trajton thellësisht peshën e të shkuarës, me të mirat e të këqijat e saj. Ai s’është as kronikë e të sotmes, por rrëfimi s’mund t’a anashkaloje atë me problematikën që shpalos, nuk është as parashikim apo fantazim drejt të ardhmes, por nuk i shpëton dot edhe kësaj përmase. Në libër vjen jeta e disa personazheve, kryesisht të rritur jetimë, përzgjedhur nga ana ime si tipikë, për të dalë gradualisht deri tek trojet që rrezikojnë të mbeten jetime, por mendoj se rrezatimi i tyre është më i gjerë se jeta fizike e personazheve të sjellura dhe përfaqëson fatet e shumë njerëzve si ata dhe të shumë zonave si Mirdita, e plot të tjera, kryesisht në Veri e në Jug të vendit, që po rrezikojnë braktisjen në përmasa të frikshme.

Për ata si unë, jeta e të cilëve paraqet ngjashmëri për shkaqe të njohura e të panjohura, libri mund t’i tundojë edhe për ndonjë pikë loti, për të tjerët mund të lexohet thjesht si një roman ngjarjet e të cilit i shpalosin një botë ndryshe. Për studjuesit e admiruesit e normave zakonore e kanunore mund të jetë një shtysë më shumë drejt njohjes së tyre, e ndikimit të thellë shoqëror në jetën e malësorëve.

Libri mund të lexohet nga gjithkush e të çmohet sipas këndit të tyre të vështrimit. Do të deshiroja të lexohej me kujdes edhe nga të rinjtë, pasi nëpër faqet e këtij libri do të gjejnë dashurinë dhe respektin për vendlindjen dhe atdheun, dashurinë për prindërit dhe të afërmit, një sërë ligjesh dhe normash zakonore, si bujaria, mikpritja, trimëria, besa, një galeri përsonazhesh të stisura dhe të ngjashme me ato realë, ngjarje që tregohen për herë të parë bazuar në tregime gojore. Sigurisht do të ketë edhe vërejtje. Unë nuk jam i imunizuar ndaj tyre, për më tepër se kjo është ardhja e parë në këtë llojë proze. Ju ftoj ta lexoni edhe nëse vetëm do të më kritikoni.

Nuk mund të rri pa e falenderuar zotin Anton Nikë Berisha për redaktimin profesional e bujar dhe sidomos për kujdesin e veçantë që ka treguar në mënyrë që libri të ketë sa ma pak fjalë shqipe “që nuk flasin shqip”, duke u bërë edhe kumbara (famulli) i tij, zotin Vlash Prendi për ndihmën e pakursyer që më ka dhënë, që materiali im fillestar të përpunohet e të kthehet në brumin e dobishëm të përgatitjes së këtij libri, mirënjohje ndaj vllaut tim Ndrecë që më inkurajoi drejt botimit, dashuri ndaj fëmijëve të vllaut Ndue që më përkrahën financiarisht jo vetëm në këtë rast, por në gjithë punën time në fushën e botimeve, por edhe ndaj fëmijëve të mij e familjes time që gjenden kurdo e kudo krah meje.

Libri është shtypur në Lezhë në entin botues “Marianistët”, të cilët i përgëzoj për punën e kujdesin që kanë treguar.

E pa harruar nana ime!

Ky rrëfim ka lindur brenda meje dhe ka udhëtuar me mua të paktën gjysmë shekulli e nuk e ka humbur udhën, e tash po më duhet ta uroj: Udhë të mbarë si “Shtjellë fatesh” në fatin e vet, tani jashtë meje!

Faleminderit edhe ndaj çdo lexuesi e komentuesi të mundshëm!

Lezhë, më 28 tetor 2025



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx