E marte, 21.10.2025, 06:49 PM (GMT+1)

Faleminderit

Arben Bitri: Tragjedi në New-York

E hene, 20.10.2025, 07:00 PM


Motër dhe vëlla, Anita dhe Arbeni

Tragjedi në New-York

Nga Arben Bitri

Ndodh dhe kështu. Një pakujdesi merr jetën e një familjeje. I tillë ishte fati dhe për Anita Bitrin. Por i njëjti fat nuk kurseu as nënën dhe as vajzën e saj. Ikën në gjumë. Megjithatë, më në fund e vërteta e shuarjes së familjes Bitri nuk vjen më nëpërmjet kronikave televizive apo mediave. Shkaku se si ndërroi jetë Anita Bitri, tashmë ka një variant zyrtar. Ditët e fundit të saj, përbëjnë faqet e një raporti të posaçëm të policisë së New Yorkut.

Sipas konkluzioneve të drejtësisë amerikane kjo tragjedi ka ardhur nga bllokimi i tubit të shkarkimit të monoksidit të karbonit, të bojlerit nga ana e punëtorëve gjatë ndërtimit të ballkonit në krahun anësor të shtëpisë. Në këto rrethana, institucionet shtetërore kanë vendosur që të mos ndalohet dhe të mos ndiqet penalisht asnjë person, pasi tragjedia ishte aksidentale.

Ishte thjesht një tragjedi

Tragjedia ndodhi si pasojë e neglizhencës dhe e injorancës teknike nga ana e punëtorëve gjatë kryerjes së punimeve ndërtuese tek shtëpia e Anita Bitrit. Ky nuk është një aludim, por përgjigjia ka ardhur nga tre ekspertiza të njëpasnjëshme dhe një pune shumë të gjatë për qartësimin e tragjedisë së familjes Bitri nga ana e policisë në New York. Që të treja këto ekspertiza nxorrën një konkluzion të vetëm: “Për shkak të kohës së ftohtë u vu në përdorim sistemi i ngrohjes (boljeri).

Ky sistem ngrohjeje (boljeri), funksionon me një lloj gazi, që gjatë djegies në kaldajë, prodhon monoksidin e karbonit (CO2), i cili është gaz helmues dhe vdekjeprurës për ambiente të mbyllura. Për këtë arsye përdoret tubi i shkarkimit, i cili bën të mundur daljen në atmosferë të këtij gazi helmues. Mirëpo bllokimi i tubit të shkarkimit të monoksidit të karbonit nga ana e punëtorëve gjatë ndërtimit të një ballkoni në pjesën e majtë anësore të shtëpisë, bëri të mundur që në brendësi të shtëpisë, të krijohej një sasi monoksidi karboni e barabartë me 762 mijë për centimetër/kub. Tragjedia ishte aksidentale.”

Pra sasia e lartë e monoksidit të karbonit 762 mijë për centimetër/kub, brenda ambienteve të brendshme të shtëpisë bëri që të shuhen njëkohësisht tre jetë të pafajshme, kur mjaftonte vetëm një sasi prej 6 mijë për centimetër/kub, për vdekjen e çdo qënieje të gjallë.

Konkluzioni është i qartë dhe i pakundërshtueshëm bazuar në teknologjinë më moderne amerikane. Tragjedia ishte aksidentale.

Dinamika e kësaj tragjedie

Gusht 2004, dy muaj para tragjedisë. Anita së bashku me nënë Hazbijen, vendosën të bënin disa punime ndërtuese rreth shtëpisë. Për këtë qëllim kontaktojnë një person, i cili pretendon se ka një kompani të madhe ndërtimi. Duke bërë shumë publicitet si ndërtues, ky person me origjinë nga Berati hiqet sikur ka dhe një eksperiencë të madhe në këtë fushë, por në realitet ishte vetëm një murator i thjeshtë dhe pa eksperiencë projektimi. Në fillim ky "specialist bën projektin”, duke rënë dakord dhe për shumën përkatëse. Ai do të ndërtonte murin rrethues rreth shtëpisë, gjithashtu do të bënte shtrimin me beton të oborrit përreth, si dhe portën kryesore të jashtme të saj. Punimet filluan. Bashkë me të punonin dhe tre punëtorë të tjerë (një italian dhe dy spanjollë).

Më 4 Tetor 2004, Anita dëshironte dhe disa punime shtesë para shtëpisë, pasi ishin të nevojshme. Pra do të lartësohej trualli i jashtëm para hyrjes kryesore të shtëpisë dhe njëkohësisht do të ndërtohej dhe një ballkon në pjesën e majtë anësore të saj.

Punimet tek ballkoni – Punime të cilat shkaktuan dhe fatkeqësinë

Fillimisht u ndërtua armatura për lartësimin e truallit para shtëpisë dhe njëkohësisht edhe armatura e ballkonit në pjesën e majtë anësore të shtëpisë. Më 13 Tetor 2004, e mërkurë, në orët e para të mëngjesit, në shtëpinë e Anitës, makina betoniere filloi hedhjen e betonit në truallin para shtëpisë dhe njëkohësisht në armaturën e ballkonit në pjesën e majtë anësore të shtëpisë. Atë ditë punonin vetëm dy punëtorët spanjollë dhe ndihmës-punëtori italian që drejtonte punimet, pasi kryepunëtori ishte sëmurë dhe ndodhej për vizitë në spital.

Puna filloi. Në fillim u hodh betoni nga makina betoniere në pjesën përpara shtëpisë dhe pastaj u kalua në pjesën e majtë të saj për hedhjen e betonit në ballkonin anësor. Në momentin kur makina betoniere hedh betonin në armaturë, betoni ishte i lëngshëm (si ujë) dhe futet në të gjitha hapësirat boshe të armaturës dhe punëtori italian me një palë çizme të gjata ndodhej në brendësi të armaturës së ballkonit dhe bënte shpërndarjen e betonit që hidhej direkt nga tubat e makines betoniere.

Kur u arrit në pjesën e lartë të armaturës së ballkonit, hedhja e betonit u ndërpre, pasi u vu re se nga faqja anësore e shtëpisë dilte një tub që ishte brenda sipërfaqes së armaturës dhe gati 10 cm nën nivelin e armaturës së ballkonit ku do të hidhej betoni. Nga ana e punëtorëve u kërkua me urgjencë një copë plasmasi e cila u bë si shtup dhe punëtori italian bëri bllokimin e këtij tubi me qëllim që të mos futej betoni i lëngshëm në brendësi të tubit.

Hedhja e betonit vazhdoi dhe punëtorët bënë nivelimin e sipërfaqes së ballkonit. Makina betoniere ishte e paguar dhe ata nxitonin që brenda ditës të shtrohej me beton i gjithë trualli para shtëpisë dhe ballkoni anësor njëkohësisht. Një punë shumë e madhe për një kohë shumë të shkurtër. Kështu, betoni u hodh dhe dita e punës u ndërpre në orën 19:00 të asaj pasditeje, pasi filloi të errësohej, duke mos përfunduar punimet dhe me premtimin që do të vazhdonin punën të nesërmen dhe duke harruar edhe qeskën e plasmasit tek tubi i shkarkimit të monoksidit të karbonit pa ditur rëndësinë e këtij tubi.

Pra, një gabim fatal. Ky tub, që dilte nga muri anësor i shtëpisë, ishte tubi i shkarkimit që dilte nga kaldaja (boljeri) dhe nëpërmjet tij bëhet e mundur dalja në atmosferë e monoksidit të karbonit dhe që absolutisht nuk mund të betonohej ose të bllokohej. Konstruksioni i shtëpisë ishte i vjetër dhe tubin e shkarkimit të monoksidit të karbonit nuk e kishte në çati, por në pjesën e majtë anësore të shtëpisë, pikërisht ku po ndërtohej ballkoni. Punëtorët nuk kishin asnjë dijeni për çfarë shërbente ky tub. Punëtorët ishin të pakualifikuar dhe pa eksperiencën e duhur në punimet ndërtuese dhe asnjë kontroll nga ana e tyre nuk u bë për të saktësuar përse shërbente ky tub.

Por lind pyetja: "Pse tragjedia nuk ndodhi menjëherë por pas një jave dhe kush e vendosi qeskën plastike tek tubi i shkarkimit?"

Arsyeja është shumë e thjeshtë. Ishte ende ngrohtë dhe nuk ishte e nevojshme të vihej në funksionim sistemi i ngrohjes (boljeri). Gjithashtu të gjitha ekspertizat kanë gjetur në copën plastike që bllokonte tubin e shkarkimit të monoksidit të karbonit shenjat e gishtave të punëtorëve që bënin punimet ndërtuese tek ballkoni. Dhe ky është fakt i pakundërshtueshëm. Qeska gjithashtu ka mbetur e ngjitur në beton, pasi u vendos përpara se të hidhej betoni i lëngshëm. Janë bërë shumë e shumë ekspertiza nga ana e policisë për të rifutur nga ana e jashtme qeskën e plasmasit që bllokonte tubin nga jashtë, por është e pamundur kjo gjë pasi sipërfaqja e ngurtë e betonit është 10 cm më e lartë se ky tub shkarkimi dhe këndi që krijohet është gati 90 gradë, kënd që nuk të lejon të futësh asnjë gjë nga ana e jashtme në këtë tub. Pra është shumë e qartë që kjo qeskë plastike është bërë e mundur të vendoset në tub vetëm përpara se të hidhej betoni i lëngshëm tek ballkoni.

Më 14 Tetor, e enjte. Në New York binte shi dhe punëtorët nuk u paraqitën në punë për shkak të kohës.

Të nesërmen, e premte 15 Tetor, e njëjta situatë. Punimet kishin mbetur në mes. Anita detyrohet të bëjë një seri telefonatash dhe pas këmbënguljes së saj, në punimet e pambaruara mbërrin kryepunëtori dhe ndihmës-punëtori italian.

Ata i hodhën një sy punimeve të së mërkurës. Pas ankesave të Anitës edhe vetë "specialisti" u bind që punimet ishin kryer pa asnjë lloj cilësie teknike. Por duke qenë se nuk ndihej mirë fizikisht, u largua me premtimin që do të vinte sërish të nesërmen për të rregulluar ballkonin dhe do të sistemonte punimet.

Ishte e shtunë 16 Tetor. Që në orët e para të mëngjesit Anita merr një telefonatë nga ana e kryepunëtorit, që ndodhej në spital dhe i duhej të operonte urgjentisht apendisitin. Kjo gjë ishte e vërtetë, kështu që Anitës nuk i mbeti gjë tjetër veçse të uronte një shërim të shpejtë. Punimet mbetën sërish të papërfunduara.

E Diel 17 Tetor. Në New York koha u ftohë shumë dhe njerëzit u detyruan të ndezin bojlerët për ngrohjen e shtëpive. Atë të dielë, në orën 12:00, të asaj paradite të ftohtë, Anita niset në një koncert jashtë New Yorkut. Nënë Hazbija dhe Sibora shkojnë për vizitë tek mikesha e tyre, vogëlushja luante me shoqen e shkollës. Aty qëndruan deri në orën 16:00. Më pas u kthyen në shtëpinë e tyre. Në orën 21:15 të asaj nate, nënë Hazbija telefonon teze Ëngjëllushen për ta përshëndetur. Nënë Hazbija ankohet se ambienti i brendshëm i shtëpisë ishte shumë i ftohtë dhe se kishte merak se mos i ftohej Sibora e vogël, por ajo nuk dinte ta vinte në funksionim boljerin. Ka qenë ora 22:30, kur në shtëpinë e ftohtë mbërrin Anita. Menjëherë ajo bën ndezjen në maksimum të bojlerit pasi ambienti brenda shtëpisë ishte shumë i ftohtë. Familja Bitri bie në gjumë. Kaq u desh që Anita, Hazbija dhe Sibora e vogël të flenë përjetësisht, duke ëndërruar për një botë më të bukur dhe më të mirë. Ndonjëherë duket ironi e fatit, por në fakt ishte neglizhenca totale nga ana e punëtorëve, të cilët me injorancën e tyre teknike sollën këtë tragjedi.

Opinioni shqiptar dhe amerikan është prekur nga tragjedia "Bitri" e 19 Tetorit 2004. Ishte pikërisht këngëtarja që për famë kishte kaluar kufijtë shqiptarë, Anita Bitri, që ka ndërruar jetë së bashku me nënën Hazbijen dhe vajzën e saj, Siborën.

Kjo tragjedi preku thellësisht gjithë zemrat e shqiptarëve dhe bëri të mundur që Diaspora Shqiptare në Amerikë të rimblidhej si kurrë ndonjëherë dhe me një koncert humanitar të shpaloste bukurinë shpirtërore dhe virtytet fisnike të popullit tonë të mrekullueshëm shqiptar. Duke marrë shkak nga kjo tragjedi, Qeveria e New Yorkut miratoi ligjin për vendosjen e detyrueshme të dedektorit kundër monoksidit të karbonit duke shpëtuar nga ky gaz fatal me qindra familje të pafajshme. Në këtë linjë mbetet për tu vlerësuar qëndrimi i Qeverisë së New York-ut, të cilët me respektin dhe humanizmin që treguan ndaj kësaj tragjedie, si dhe me vënien e ligjit mbi vendosjen e detyrueshme të dedektorit kundër monoksidit të karbonit, emrin "Ligji Anita", lehtësuan zemrat e plagosura të familjarëve dhe fansave të këngëtares së famëshme shqiptare Anita Bitri.

Për më shumë vizitoni: https://www.youtube.com/@benitograziani1


(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx