Kulturë » Zhiti
Visar Zhiti: Po taverna e katërt?
E hene, 20.10.2025, 06:58 PM
PO TAVERNA E KATËRT?
VETË ROMANI, DO DESHA TË
THEM…
Nga
Visar Zhiti
…kafen
e mengjesit e lamë ta merrnim bashkë diku, atje ku i ngjante dhe një taverne,
nën pemë, sepse dhe romani i tij i fundit titullohet “Tri tavernat”.
Si
bisedë e parë m’u duk se po preknim çështje të ndryshme, pa qendruar gjatë te
asnjëra, kêshtu ndodh, po flisnim në përgjithësi për libra dhe shkrimtarë, të
vdekur dhe të gjallë, miqtë tanë, shikoja sinqeritetin dhe një buzagaz të
përzemërt, shkëmbyem dhe nga botimet tona me autografe.
Dhe
që atë pasdite nisa të lexoj romanin e tij… si vazhdim i bisedës tonë, po i
dëgjoja dhe zërin, ndërkaq po më shtohej ëndja e leximit…
Teksa
vazhdoja me romanin “Tri tavernat” të shkrimtarit Ervin Nezha, një pyetje më
erdhi vetvetiu: cila do të ishte metaforikisht Taverna e Katërt? E kisha fjalën
për atë të përtej hapësirës tredimensionale, të drejtimit shtesë, pra, të
dimensionit të katërt, siç quhet Koha.
Të
jetë vetë romani? Bujtine e Katërt… Po,
po, brenda tij ngërthehet kohë…
Dhe
ai buzagazi i sinqertë i autorit kaloi tek unë që po lexoja… lexohej shpejt,
vlerë dhe kjo dhe pata dëshirë të them diçka, miqësisht si me filxhanin e
kafesë përpara. Duhet bërë për librat e njëri tjetrit, sidomos kur janë më të
rinj… Dhe shkruaja copa frazash, me ndërpreje…
TRI
TAVERNAT
-
udhëtim në kohë realitetesh
absurde
dhe të ashpra -
E
megjithatë me një lloj humori që shkon deri në grotesk… por me mirësi e
dhimbshuri..
Romani
“Tri tavernat” i Ervin Nezhës është një nga veprat më të veçanta bashkëkohore
nga ç’kam mundur të lexoj. Ai ndërthur historinë, të kaluarën e afërt si një e
tashme e pambaruar dhe absurditetin me një lloj utopie arrogante dhe baltën e
kuqe të vendlindjes.
Duke
rrëfyer nga fati i një shoqërie në fshatin me emrin “Tri tavernat”, ku s’ka më
asnjë tavernë, ka një dergjje aktive mes një ëndrre syhapur, të kotë dhe
zhgënjimit symbyllur, pranë rrugës së lashtë “Egnatia”, që s’të çon asgjëkundi
tani…
Fshatarët përballen me një zbulim të çuditshëm, me
skeletet… e një beteje të vjetër dhe një “thesar” të lidhur me emrin e Gjorgj
Golemit dhe turqit dhe një tradhti…
Ky
zbulim bëhet nxitja që i shtyn kuadrot e lartë të fshatit, arrivistë si në
Tiranë, që të ëndërrojnë shpëtimin e kooperativës dhe të socializmit nga rënia
drastike, por në fakt zbërthen të gjitha dobësitë, mashtrimet dhe iluzionet e
tyre. Aftësia për të dashuruar ka humbur…
Nëpërmjet
këtij rrëfimi alegorik, Nezha ndërton një tablo të gjerë për shoqërinë
shqiptare të diktaturës dhe për njeriun që përpiqet të jetojë në mes të
absurdit e ligësisë, pa i kuptuar si të tilla. Ka një lehtësi rrefimi, ku e
keqja nuk duket e rëndë, por e rëndomtë…
Në
thelb, “Tri tavernat” është një roman për zhgënjimin kolektiv, ku secili është
vetëm, edhe pa veten. Banorët e fshatit e shohin thesarin si mundësi për një
jetë më të mirë, por shpejt shohin se ajo që i mban gjallë nuk është asnjë lloj
thesari, por ideja e tij, pra, iluzioni, njeriu i ri shpesh mbështetet te
gënjeshtra për të përballuar boshllëkun e ekzistencës. Në fund, ai mbetet pa
thesar ndër duar, por me pranga, të padukshme dhe të dukshme. Ka arrestime në
fshat… si në të gjithë Shqipërinë baltëkuqe.
Pse
“Tri taverna”?
Titulli
i romanit a është çelësi për të kuptuar thelbin filozofik të veprës?
Tavernat
nuk janë vetëm hapësira fizike ku njerëzit pijnë, flasin dhe harrojnë, por dhe
simbol i tri stacioneve të ekzistencës, do të thosha dhe unë:
1.
Taverna e së kaluarës, e kujtesës historike dhe e mitit. Aty ruhet vetëm bëma
legjendare e Gjorg Golemit dhe heroizmi, por kjo e kaluar është harruar dhe në
roman ndjehet si rudiment, vagulli…
2.
Taverna e së tashmes – është vendi i absurdit socialist dhe i përditshmërisë së
mërzitëshme. Njerëzit flasin për ndryshim, por mbeten të ngujuar në rutinën e
tyre. Kjo taverna është pasqyra e sistemit totalitar, ku gjithçka duket e
kontrolluar, por brenda është bosh.
3.
Taverna e së ardhmes – përfaqëson shpresën dhe utopinë. Është vendi ku
njerëzit, ëndrrat e tyre për një botë të re, por që mbetet gjithmonë e
paarritshme, që ndërtohet mbi gënjeshtra. Edhe ky dimension është mëse vagulli
në roman…
…tri
tavernat janë metafora e ciklit njerëzor të vetë-mashtrimit: njeriu jeton mes
kujtesës së idealizuar, të copërluar e varfëruar e realitetit të zbrazët dhe më
të varfër, ëndrrës së rreme për të nesërmen. Ato janë tre ndalesa të një
udhëtimi që nuk të çon askund, rruga (Egnatia)
është e mbyllur brenda vetes.
Rruga
“Egnatia”, që kalon pranë fshatit nuk i lidh dot më kohët: mesjetën dhe
shekullin XX, historia është një qerthull...
Personazhet
e romanit përpiqen të përfitojnë nga “thesari”, janë figura që përfaqësojnë
shtresa të ndryshme të shoqërisë: servilët, mashtruesit, frikacakët dhe
idealistët e humbur, që nga fshati në humbëtirë deri në kryeqytetin e humbur
ndryshe, ku bëhen veç mbledhje “akademike”…
Gjithsesi
gjatë leximit m’u përhitën gërmimet e varreve në romanin e njohur “Gjenerali i
Ushtrise së vdekur” i Kadaresë, si një parodi e tij. Se atje është një gjeneral
i huaj që mbledh skeletet e ushtarëve të vrarë si pushtues në Shqipërinë
fitimtare, krenare dhe të pamëshirshme, kurse te “Tri tavernat” janë vetë
shqiptarët që rrëmijnë varret mesjetare të të huajve pushtues, tashmë të humbur
edhe vetë, por me shpresën sarkastike se do të gjejnë “thesarin” e mbijetesës
së tyre, por dhe të sistemit, të socializmit.
Buzëqeshja
është tejet e hidhur.
Ervin
Nezha më duket se i ndjek disi gjurmët e
Kadaresë si shkrimtar, sidomos “Gjeneralin” e tij këtu.
Ndërkaq
janë përdorur dhe kapitujt e mungesës, nënkuptimet e tyre, që sipas meje, i
japin lexuesit mundêsi imagjinative të vyera dhe veprës më mister…
Epilogu
im
(se
edhe romani ka një epilog)
“Tri
tavernat” është një endje e shpejtë nëpër iluzione që dëmtuan nga e dikurshmja
dhe realiteteve egërshane që vazhdojnë. Përmes një strukture të dyfishtë kohore
dhe një simbolike të natyrshme, Ervin Nezha flet për absurditetin e shpresës kur
ajo humbet lidhjen me të vërtetën.
Tavernat
që s’janë, rruga e mbuluar dhe thesari i vdekjes bashkohen në një metaforë të
jetës që endet midis kujtesës, mashtrimit dhe dëshirës për shpëtim.
Kur
njeriu humbet aftësinë për të parë realitetin dhe kërkon strehë në iluzione,
nga që s’e ndryshon dot, atëherë çdo “tavernë”, sado mikpritëse të duket, bëhet
burg i shpirtit të tij.
Shpëtimtar
është romani, si Taverna e Katërt e
kohës…